READING

Gabriele D’Annunzio (1863-1938) – Shiu...

Gabriele D’Annunzio (1863-1938) – Shiu në halishtë

 

Mos bzaj. Ndalë në prag

pyllnaje s’dëgjoj

fjalë që nxore

njerëzore: më lag

fund e majë fjalnajë

piklash e gjethesh

halore.

Dëgjo. Rigon

nga re të hapërdara,

rigon mbi mare

të njelma, të thara,

rigon e gjithë stina

përmbi halore,

rigon përmbi mërsina

hyjnore,

përmbi gjineshtra

me lule vizllore,

përmbi dëllinja në paqe

të shpeshta,

rigon mbi faqe

si flakë,

rigon mbi krahë

cullakë,

përmbi teshë

verore,

mendimin e dlirtë

që veshë

ky shpirt,

përmbi përrallën

që dje vonë

t’mashtroi, sot t’mashtron,

Ermionë.

 

Dëgjon? Maje

blerimesh pa cak

e vetmitare rigon

me krismën q’u ndie

me krismën q’u mpak

sipas gjethnaje

sadopak.

Dëgjo. Ia kthen prorë

me vaj e erë

gjinkalla në gemb

që kurrë s’e tremb

qielli sterrë

a vaji jugor.

Pisha – të vetat

nota, dëllinja,

gjineshtra

të tjera akoma,

vegla e mjeshtra

me gishta miliona.

Ne – zhytur

në shpirtin pyjor, frymorë

me jetë bimore.

Fytyra

prej shiu

si gjethet e njoma,

flokët vetiu

përhapin aroma

si gjineshtra rrezore,

o krijesë njerëzore

që t’thonë

Ermionë!

 

Dëgjo. Dëgjo. Akord

gjinkallash ajri

posi me urdhër

bëhet i shurdhër

në vajin

pamort,

por tjetër korale

më fort

nga poshtë përhapet

në hijen e lagët.

Më e lodhur, më e kotë

zbehet, paket.

Vetëm një notë

ende dridhet, shuhet,

rizgjohet, dridhet, shuhet.

Mbi pemën e lartë tani

me shushurimë

i arti shi

që kullon saora

shushurimë që ndrron

nga kurora

të plota, a jo.

Dëgjo.

Goca e ajrit

heshti, por goca

e lymit të largët

bretkoca

këngës ia thotë gjithmonë,

kushedi ku, kushedi ku,

e shi mbi qerpikët e tu,

Ermionë.

 

Rigon përmbi qerpikët e plotë

thua se përlotesh,

porse nga shendi, jo e zeshkë

por thuajse e zeshkë,

sikur lëvozhge ke dalë.

Te ne jeta është e freskët, e larë

n’aroma,

zemra në gjoks si pjeshkë

e vonë,

sytë qepallash

si kroje mbi bar,

dhëmbët në hoje gjithë ashk

bajame të pabëra.

Shkurre të tëra lamë prapa

si ndaras, si bashkë

(dhe bari i egër

na mban hapa

na pengon në gju).

Kushedi ku, kushedi ku.

Rigon mbi faqe

si flakë,

rigon mbi krahë

cullakë,

përmbi teshë

verore,

mendimin e dlirtë

që veshë

ky shpirt,

përmbi përrallën

që dje vonë

t’mashtroi, sot t’mashtron,

Ermionë.

 

shqip: g. krasniqi


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.