Përshtypje rreth librit “Një tokësor në luftën mes planetëve” i autores Anila Mullahi, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Pegi”
Genta HODO
Katalogu i librave për paraadoleshentë është më ngashënjyesi në bibliotekën e krijimeve letrare për fëmijë në gjuhën shqipe. Titujt sugjerojnë qasje eksperimentale ndaj motiveve të njohura të përditshmërisë, ndërsa kopertinat të nxisin imagjinatën për një botë të mistershme që të rriturit nuk arrijnë ta perceptojnë. Këta janë libra të krijuar për të bujtur gjatë në bibliotekën e gjithësecilit.
Librat fillojmë t’i ruajmë vetëm pasi qenia e tyre ka fituar brenda nesh përmasa përtej-praktike: Kur ata nuk shërbejnë më vetëm për të na mësuar të lexojmë, apo për të na vënë në gjumë me zërin e zvargur të prindërve. Librat janë hapi i parë drejt pavarësisë. Ata kanë fituar tashmë vetitë e portaleve magjike – apo teknologjike – që të përcjellin në ikjen nga muret e mërzitshme të botës pa çudira të të rriturve në një botë ku ligjin e bën imagjinata fëmijërore.
Biblioteka e librave në shqip për fëmijët e moshave 7-13 vjeç nis me përralla magjike dhe mbërrin te romanet klasike të profetit teknologjik Zhyl Vern, shumë prej krijimeve fantashkencore të të cilit sot janë materializuar; që nga nëndetëset te satelitët hapësinorë. Duket të reflektojë kalimin nga zbulimi i pyetjes “Pse?” te zbulimi i përgjigjeve: Nga besimi i pakusht te besimi i bazuar në arsyetim: Nga thelbi i fëmijërisë, te thelbi i të qenit i rritur.
Të prirur gjithnjë e më shumë drejt shkencës dhe mosbesues ndaj ekzistencës së Babagjyshit, fëmijët e sotëm kanë fituar reputacion prej të gjithëditurish. Autoriteti, dikur i padiskutueshëm i të rriturit, qoftë ky prind, rrëfimtar apo mësues, tashmë duket sikur lëkundet përballë shpjegimeve të stërholluara që ofrojnë burimet e tjera të informacionit. Por, nuk duhet të ngatërrohemi; pavarësisht sesi ofrohet fantazia në rrëfenjat e fëmijëve, – “që tani dinë çdo gjë”, – është dëshira për të shkelur të panjohurën dhe për të kapur të pakapshmen ajo çfarë i bën fëmijët-fëmijë. Shkenca, apo magjia, këto s’janë veçse mjete për t’ua legjitimuar këto lektisje.
Prandaj, romani fantastiko-shkencor “Një tokësor në luftën mes planetëve” i Anila Mullahit është i rëndësishëm. Ai sjell për lexuesin e vogël shqiptar, – të cilit ka filluar t’i duket vetja i rritur dhe i gjithëditur, një përrallë post-utopike që ia shuan etjen për një botë surreale ku teknologjia ka avancuar aq shumë, saqë ka marrë trajta magjike: E teletransporton në këtë areal me shpejtësinë e dritës, por më pas, teksa ai zbulon brendinë e pasur me detaje të pazakonta të kësaj bote që sa vjen e zmadhohet, e shoqëron lexuesin me qetësinë e një rrëfimtari të matur që nuk ngutet t’u japë shpjegim qindra pyetjeve që mund t’i lindin një lexuesi me imagjinatë të pacak: Ia rrëfen të gjitha me një ton që përcjell siguri, por kurrsesi epërsi prej të rrituri. Kjo është tejet e rëndësishme, veçanërisht kur përralla që po rrëfen është në thelb moralizuese.
“Një tokësor në luftën mes planetëve” tregon se çfarë mund të ndodhë nëse e lejojmë veten të varemi prej teknologjisë për të kryer funksionet thelbësore të jetës. Talanët, banorët e planetit Tala, janë kryekëput të varur prej silëve të tyre, – pajisje gjithçkabërëse përmes të cilave ata kryenin të gjitha veprimtaritë e domosdoshme të përditshmërisë, që nga puna shkencore te udhëtimi nëpër koordinata të largëta të këtij planeti me fizionomi të ngjashme me Tokën. Silët janë një materializim i identitetit vetjak: Ato i përgjigjen vetëm talanit të vet.
Silët simbolizojnë edhe variacionet e larmishme të kulturës së një komuniteti, që ruhen me fanatizëm përgjatë linjës së pasardhësve të një familjeje. Këto pajisje që trashëgohen nga gjyshërit dhe prindërit te fëmija, duket t’i mbrojë lidhja e papërujshme e gjakut. Mirëpo, pikërisht kjo lidhje nis të shpërbëhet, dhe silët ndryshohen për t’u trashëguar te kushdo me vullnet të lirë, ekzistenca e gjithë planetit vihet në rrezik.
Libri është një alegori mjaft e drejtpërdrejtë e marrëdhënies tepër të ngushtë që kemi me telefonët; sesi këta mund të na bëjnë të brishtë përballë atyre që e përdorin globalizmin si një mjet për të shfrytëzuar burimet natyrore që gjenden nën këmbët e kombeve të tjerë.
Zhanri i fantashkencës e ka në gjenezën e vet të rreket t’u japë përgjigje pyetjeve më të rëndësishme të njerëzimit. Deri ku mund të arrijë teknologjia? Ku po na shpien gjithë këto ndryshime? A mos duhet të druhemi?
Në shumicën e rasteve, shkencëtarët e letërsisë na thonë se po, duhet të kemi frikë; ose luajnë qëllimisht me ankthet tona. H.G. Wells-i te “Makina e kohës” na parashtron dy rrjedhoja të mundshme: Teknologjia tepër e avancuar mund ta bëjë njeriun ose shumë të qullët, ose shumë të egër. Kurse Frank Herbert-i na paralajmëron se robotët do të përpiqen të pushtojnë galaktikën, megjithatë lë të kuptohet se nuk janë ata problemi.
Gjetjet e botëndërtimit te romani “Një tokësor në luftën mes planetëve” janë mjaft origjinale, hera-herës edhe surprizuese. (Edhe pse do të kisha dashur pak më shumë shpjegime sa u takon frutave të veçanta të planetit Tala!) Por ajo që u jep kuptim të gjitha detajeve teknologjike të silëve, sistemeve të mbrojtjes së Shamanëve, dhe krijesave jashtëtokësore që kanë aftësinë të shndërrohen në kafshë tokësore, janë motivet thelbësisht njerëzore që i vënë në lëvizje ngjarjet: Kurreshtja, dashuria, përkatësia.
“Një tokësor në luftën mes planetëve” është në thelb një përrallë moralizuese, e cila sugjeron një sërë përgjigjesh për pyetjet e mëdha, ndaj edhe zë vend mirë në atë katalog librash gjithë kopertina farfuritëse.
“Një tokësor në luftën mes planetëve” nuk do që brezi i ri ta lërë në harresë ndjenjën e përkatësisë, ajo fija e padukshme që i bën njerëzit bashkë. Kërkon ta vetëdijësojë atë se e keqja bashkëjeton me të mirën, ndaj duhet të tregohemi të kujdesshëm edhe se me kë e ndajmë mirësinë tonë. Ato mësime të vyera që i bëjnë rrëfënjat e moçme të mbledhura nga Mitrush Kuteli të pavdekshme, i risjell në një rrëfim që premton ta mbajë lexuesin e patrazuar prej politikës të magjepsur pas ndërveprimeve ndërplanetare, ndërsa tokësori Henri i kujton lexuesit se të tilla konflikte ngjajnë edhe në planetin e tyre.
Dhe së fundi, është një rast i rrallë që lexuesit para-adoleshentë të lexojnë një roman fantastiko-shkencor të shkruar në gjuhën shqipe, në një kohë kur të konsumuarit të vazhdueshëm të shqipes së cunguar në përkthimet prej gjuhëve të huaja, rrezikon t’i humbasë ato trajta autentike të të folurit dhe, në thelb, të të menduarit në gjuhën tonë të pazakontë.
Librin e gjeni online tek Bukinist.al
NO COMMENT