ROMANTIZMI SHQIPTAR – MARRËDHËNIA ME LETËRSINË E HUAJ
Gazmend Krasnqii
Për romantikët e parë shqiptarë nuk do të mungonin modelet e huaja.[1] Koliqi thotë: Zhvillimi i letrësis shqipe ma tepër mund të barazohet me atë të letrësis së Romës sesa të Greqis. Nisja e zhvillimit grek paraqitet si nji mrekulli e papritun… Romakët nuk patën nevojë të krijojnë trajta letare të reja: ecin gjatë hullisë së hapun mjeshtrisht nga grekë. [2]
Martin Camaj na sqaron se, në periudhën e Rilindjes, poetët tanë, me kulturë të gjerë, me njohje gjuhësh të huaja klasike e moderne, kishin një mentalitet tjetër ndaj origjinalitetit, të ngjashëm me atë që kishin poetët e letrarët e Renesancës evropiane ndaj veprave klasike greke e romake. Camaj thotë se ndikimi i jashtëm mund të ketë pamje të ndryshme, si për shembull, ndikim motivesh, ndikim stili që mund të zbulohet në rendimin e nji periudhe ase fjalie e sidomos ndikime figurash e krahasimesh. Nëqese këta elementë pasqyrohen, p.sh., në Mjedjen ase Frashërin, si reminishenca, nuk janë plagjata, mund t’i cilësojmë thjesht ndikime.[3]
Krahasimi nga perspektiva e shkrimtarit (sipas esesë “Tradita dhe talenti individual” të Eliot-it) e sheh letërsinë në terma zhvillimi, se si shkrimtarët e sotëm janë “drejtuar” nga e shkuara dhe se si trajta e plotë e traditës së shkuar “shndërrohet” dhe “rregullohet”, kur letërsia thërret në vëmendjen tonë zhanret, stilet, temat dhe përmbajtjen, duke “shndërruar” dhe “rirregulluar” pikëpamjet tona për letërsinë dhe duke nxjerrë në pah kuptime të reja. Analiza krahasuese i ekspozon këto kuptime përkatëse.
Qëllimi i qasjes sonë është:
- të kërkojmë përgjigje të disa prej pyetjeve më të qëndrueshme të letërsisë;
- të gjurmojmë ndikimin/ perceptimin e traditave të ndryshme letrare mbi njëra-tjetrën;
- të diskutojmë efektin e perspektivave të ndryshme mbi të cilat letërsia “paraqet” jetën
Në trajtesën tonë do të bazohemi në termin ndikimi/ receptimi, përdorur kryesisht në shkollën franceze të letërsisë së krahasuar.[4]
1. Naim Frashëri – letërsia persiane dhe franceze
Musine Kokalari, studente shqiptare në Itali, e ka prekur që herët këtë temë të nxehtë. Ajo shkruan në punimin e saj të diplomës:
Nuk mund të lë në heshtje një zbulim interesant që kam bërë, duke lexuar disa poezi të poetit të madh persian Rumi (1207-1273), të përkthyera në italisht nga profesor Italo Pizzi e të publikuara prej tij në volumin e parë të “Historia e poezisë persiane”.
Më duhet ta pranoj, që çudia ime qe e madhe kur konstatova se shumë vargje të Naimit rezultojnë identike me ato të poetit persian.
…Do të flas në fillim për “Fyellin”. Naimi e fillon poezinë e vet duke thënë: “Pa dëgjo fyellin ç’thotë/ tregon mërgimet e shkretë/ Qahet nga e zeza botë/ me fjalëze të vërtetë” dhe vazhdon “Qëkurse më kanë ndarë/ Nga shok’ e nga miqësia/ Gra e burra kanë qarë/ nga ngashërimet e mija!”
Përkthimi i Pizzi-t thotë: “Dëgjo flautin si flet/ e qan largimin e tij” dhe më pas “që kur nga kallamishtja/ më kanë prerë, burra e gra/ rënkojnë nga e qara ime”. Naimi vazhdon më pas me një seri vargjesh që ndjekin gjithmonë modelin e Rumit, derisa në një përkthim fjalë për fjalë, do të thotë: “Gjithë bota më dëgjojnë/ Po së jashtëmi më shohin,/ Dëshirën s’ma kupëtojnë,/ Zjarr’ e brendshmë s’ma njohin”.
Pizzi e përkthen kështu të njëjtën pjesë: “…dhe të gjithë pranë meje janë mbledhur, secili sipas mendimit të vet/ por zemrës time/ askush s’ia gjeti misterin”.
Naimi vazhdon: “O rrëmet’ i njerëzisë!/ Zër i fyellit s’është erë”.
Dhe vargjet e Pizzit thonë: “aty është i gjallë/ zjarr i rënkimit/ jo puhiza e lehtë”.
Paralelizmi do të vazhdojë në të gjithë poezinë. Vargjet e Naimit, megjithëse ndryshojnë shpesh nga ana letrare, nga ato të Rumiut, nuk shkëputen kurrë për sa i përket kuptimit.
Musinea shton:
I vetmi shpjegim që mund të japim për këtë “kopjim” të Naimit është se në to, ai ka gjetur sigurisht përputhje, jo vetëm me idealet dhe ndjeshmërinë e vet, por sidomos në të dytën, një ndërthurje me jetën e vet prej mërgimtari, prej të burgosuri – i larguar me forcë nga toka e vet e nga gjërat e tij të dashura. Ai sheh veten tek fyelli i larguar nga kallamishtja e që qan nga larg, duke moduluar misterin e mendimit me shpirtin e zjarrtë harmonioz.
Pothuajse në të njëjtën linjë është edhe Ernest Koliqi. Duke menduar se mund të konsiderohet një përkthim – interpretim i lirë, ai shprehet: “Fyelli i Naimit, i dalë drejtpërsëdrejti nga zemra e tij, i freskët e spontan, është një metamorfozë në thelb e gjak shqiptar, pra një rimishërim në gjuhën tonë e lirikës së poetit të madh mistik persian”.[5]
Dhe dallimi nuk është vetëm nga distiku i masnevive (formë poetike) persiane, nga kupletet e rimuara aa, bb, cc, në katrenën naimjane ABAB, sepse të dhëna të tjera e ndryshojnë rrjedhën edhe më tepër: vetëm 9 strofa janë përkthim i fjalëpërfjalshëm, sepse nga strofa 10 e tutje Naimi krijon lirshëm, edhe pse brenda të njëjtit koncept mistik të dashurisë, ku një krijim i kopjuar prodhon një rikrijim, që futet në sistemin letrar të shqipes.[6]
Të njëjtën gjë kishte shprehur më parë, me tekste në plan krahasues, Hafiz Ali Korça në një punim të mbetur në Arkivën e Shtetit.
Zbulimi i lidhjeve midis veprave të artit – burimet dhe ndikimet – janë parë gjithmonë si një etapë përgatitore me rëndësi për të shkruar histori letërsie. Problemet e vërteta lindin kur vijmë në etapën e peshimit e të krahasimit për të treguar se si një artist shfrytëzon arritjet e një artisti tjetër, lindin kur ne arsyetojmë për forcën transformuese.[7] Pranohet se Kurcius-i, në veprën e tij “Letërsia Evropiane dhe Mesjeta Latine”, ka treguar në mënyrë bindëse se përsëritja e temave dhe e figurave të ardhura nga lashtësia dhe të përcjella në Mesjetën LatinE, që ai u quan topoi (vende të përbashkëta), përshkojnë gjithë letërsinë botërore, por Naimi njohu disa tradita poetike të huaja, përtej qarkut të lartpërmendur, prej të cilave mori mjaft elemente që u tretën në veprën e vet. Në pëlqimin e tij për poezinë e Lindjes, sidomos gjinitë e saj, ai kishte një shembull të madh të romantizmit evropian si Gëte. Ia vlen të kujtohet ky përcaktim që u bën dy kulturave poetike, për të kuptuar idetë e tij mbi poezinë:
- Vjersh’ e Azisë ka bukuri të madhe, shije të shumë, rrjeshtë të mirë, masë të pëlqyerë, fjalë të zgjedhura e lodra të ndryshme. Po vjersh’ e Evropës ka mejtime më të lartër; eni të gjithë kanë vjeftë më vehte.
Njohja e mirë e poezisë dhe filozofisë së Lindjes (persiane) përcaktojnë thelbin e tij prej panteisti. Ndërsa thelbi panteist përcakton gjithë poezinë e tij.
Gjithashtu, duhet theksuar se Naimi është poet që del nga leximet, në kuptimin e konceptit që përdor J.L.Borges-i. Letërsia shqipe kishte nevojë për këtë lloj poeti dhe e gjeti te Naimi. Shumë poetë e thanë fjalën e tyre, apo treguan shenjat e kulturës së tyre, por Naimi kishte vokacionin për ta çuar këtë gjë deri në fund. Si Mjedja. Veçse Naimi pranoi t’i përgjigjej drejtpërdrejt thirrjes së kohës, ndërsa Mjedja vetëm në masë të kufizuar, sa mund t’ia lejonte formimi i tij klasicist.
Një poemë si Bagëti e bujqësia është më komplekse sesa të quhet thjesht një poezi e natyrës apo bukolike e baritore. Ajo është edhe patriotike e filozofike, duke shprehur kështu ambicjen e tij më të madhe poetike, saqë, meqë poezia shqipe nuk i ofronte modele, poemës mund t’ia kërkojmë fillesat te një poezi e neoklasikut francez Joachim du Bellay, që kishte shkruar:
O mëmë trimash, artesh, ti mëmë e drejtësisë,
O Francë, që më rrite duke më dhënë sisë,
Si qengj që thërret nënë me blegërimë të thellë,
Tani me emrin tënd unë mbush çdo pyll e shpellë.[8]
Gjithashtu, flitet edhe për vargje të ndikuara nga romantiku Victor Hugo. Është fjala për vargjet:
O popo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim?
O ditët e djalërisë, o moj kohë e të rit tim!
(Pourquoi devant mes yeux revenez-vous sans cesse,
O jours de mon enfance et de mon allégresse?)
Mësojmë në kujtimet e Lumo Skëndos se këto vargje të poetit francez pëlqeheshin shumë nga Samiu, i cili i thoshte nëpër shtëpi.[9]
Gjithashtu, i gjejmë te krijimet e hershme shumë nga ushtrimet që ai bënte me masnevitë (dy vargëshet) e mistikut Rumi këtë herë, ndryshe nga Tejahylat persiane, shkruar në shqip.[10]
Pas ushqimit të parë nga leximi i bejtexhinjve,[11] kishte ardhur menjëherë ushqimi nga leximi i letërsisë mistike perse, me përpjekjen për të shkruar në atë model, me të njëjtin ritëm dhe rima si në vargjet, plot me fjalë pa kuptim:
Qan Tata, vdiq Raza, gá!
Hajfura, rimbada, fá![12]
Tipike për diskutimin tonë do të ishte poezia e njohur:
A s’më thua:
ç’ke me mua?
Pse të dua, paskam faj?
Një studiues këtë poezi e gjen të afërt me një poezi të poetit persian Fuzuliu, e cila qarkullonte si këngë në Turqi. Në shqip, sipas tij, do të ishte: “Nuk ishja unë i dhënë pas teje – Veç ti ma rrëmbeve e nuk ma le mendjen ndan meje – por a nuk turpërohej ai njeri që tallet me mua për dashurinë që ushqenj ndaj teje”.[13]
Si përfundim, duhet të themi se diskutimi për modelet naimjane ngelet gjithmonë i hapur. Nga kjo pikëpamje, ndonjë kod mund ta kërkojmë edhe te poezitë e rinisë, që i botoi në persisht.[14]
2. Pashko Vasa – Giacomo Leopardi
Me poezinë “O moj Shqypni” Pashko Vasa do të fuste diçka nga romantiku italian Leopardi te poezia “Italisë”, pasi ky vend, i ndarë mes shtetesh të huaja, si Shqipëria apo Evropa Juglindore, kishte problem me qenien si komb:
O atdheu im, t’i shoh muret, harqet, kolonat
Shtatoret e kullat, tash vetmitare ku patën rrojtur
Të parët tanë gjithë kreni,
S’t’i shoh armët e kurorat e dafinës që ishin tonat
Prej gjyshërve tanë antikë. Tash bërë e pambrojtur,
Shfaq veç ballin dhe gjoksin të zhveshur e pa stoli.
Kujtojmë se Pashko Vasa i shkruan atdheut të vet, Shqipërisë:
Ti ke pas kenë nji zonj e randë,
Që burrat e dheut të thirrshin nanë.
… Po sot, Shqypni, pa më thuaj, si je?
Porsi lis i naltë, i rrxuem përdhe.
Ndoshta kjo shpjegon faktin se si zuri vend në antologjinë e poezisë shqipe më një poezi të vetme: një model i madh përcaktoi një prodhim letrar shqip të qëndrueshëm. Pa harruar se Pashko Vasa nuk ishte fillestar në vargëzim: si kishte botuar (viti 1873) në gjuhën italiane vëllimin “Rose e spine” (Trëndafila e gjëmba), i cili përshkohej nga malli i atdheut dhe shfrimet kundër sunduesit të huaj.[15]
3. Anton Zako Çajupi – Heinrih Heine
Një nga pjesët e ciklit Dashuria të Çajupit, është mbështetur te Heinrih Heine (Intermexo lirike – 26), ndoshta nga varianti i përkthyer në frëngjisht. Që me vargun e parë duket se kjo pjesë hyn në fondin e shqipes:
A mban mend moj Marë…
Aliteracionet (mb-m-m-m), asonancat (a-a-a) dhe konsonancat (n-nd) e bukura e bëjnë atë si të shkruar drejtpërdrejt në shqip.
4. Gjergj Fishta – G.G.Byron-i
Fishta sigurisht e njeh Lamtumirën e Childe Harold-it të romantikut anglez George Gordon Byron:
Adieu, adieu! my native shore
Fades o’er the water blue;
The night-winds sigh, the breakers roar,
And shrieks the wild sea-mew.
Yon sun that sets upon the sea
We follow in his flight;
Farewell awhile to him and thee,
My native Land – Good Night!
Sepse e fut në një sistem vargëzimi që tingëllon plotësisht shqip, kur shkruan te poezia I dbuemi (1909):
Lamtumirë – vendet e mija,
Qe po zhduken dalë – kadalë,
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet varka valë mbi valë
Kah njai diell, qi asht tue flakue
Andej fill un tash do t’veta…
Lamtumirë! Atdhe i bekue!
Lamtumirë! Për sa t’jetë jeta!
Ky përkthim – përshtatje është futur aq mirë në sistemin shqip, saqë kur Skënder Luarasi përkthen “Childe Harold”, megjithëse di shumë mirë anglishten, nuk mbështetet te origjinali anglisht, por te përkthi mii Fishtës, gjë që tregon për konsolidimin e sistemit letrar të shqipes dhe rolin e rëndësishëm të letrarëve më të talentuar. Një rol që, me kalimin e kohës, do të rritej gjithnjë e më shumë, duke treguar kështu se letërsia kombëtare kishte nisur të merrte formën e saj.
O lamtumirë! Atdheu im
Po zhduket dalngadalë:
Gjëmon stuhia me tërbim,
Çaçri gërhet mbi valë,
Pas diellit që po flakëron,
Po nisemi të lirë;
Dhe ty, si atij që perëndon,
Atdhe, Natën e Mirë!
Duket sikur po i kthehej borxhi romantikut anglez,[16] i cili e kishte ndërkallur këngën shqipe “Tamburgji” te vepra e tij Shtegtimet e Childe Harold-it.[17]
Përfundim: Sipas shtysash që na japin teoritë letrare moderne, se veprat janë bërë prej veprash të tjera: janë bërë të mundshme prej veprash që i përthithin, përsërisin, sfidojnë apo ndryshojnë – e shtrimë këtë ekskursion në letërsinë shqipe të romantizmit dhe pamë se vërtet të lexosh diçka si letërsi, është ta trajtosh si një ngjarje gjuhësore që ka kuptim në lidhje me tekste të tjera. Pamë gjithashtu se tekstet kanë kuptim në lidhje me traditën që i bën ato të mundura, duke dalë në përfundimin se në kohën e krijimit të një letërsie kombëtare kjo marrëdhënie merr përmasa edhe të mëdha, por edhe të verifikueshme nga lexuesi.
[1] Le të kujtojmë, me këtë rast, konceptin eliotian: Poetët e papjekur imitojnë; poetët e pjekur vjedhin; poetët e këqij e shtrembërojnë atë që marrin, kurse poetët e mirë bëjnë diçka më të mirë me të ose të paktën bëjnë diçka tjetër. Poeti mirë e ngjiz atë që vjedh në një tërësi ndjenjash, e cila është e pashembullt, krejt e ndryshme nga ajo prej së cilës është grisur; poeti i dobët e hedh në diçka që nuk ka shkrirje.
[2] Koliqi, Ernest. Kritikë dhe estetikë. Apollonia. Tiranë 1999, fq.23
[3] Camaj, Martin. Pikpamje rreth periodizimit të letërsisë shqipe. Rev. “Shejzat”, v. XI, nr. 5-8. Romë 1967, fq. 268 Në rastin e mësipërm, Naimi e ka tejkaluar atë që thotë Camaj. Mirëpo shumë poetë tanë kanë bërë përshtatje, por në një mënyrë a ndonjë tjetër, janë dhënë indikacionet. Në rastin e tij nuk e kemi.
[4] Chevrel. Yves. Letërsia e krahasuar. Albin. Tiranë 2002, f.
[5] Koliqi, Ernest. Ese të letërsisë shqipe. IDK. Tiranë (pa vit botimi), fq. 181
[6] Rexhepi, Abdulla. Rumiu dhe Naimi. Nga përkthimi te krijimi. (Sudime albanologjike fq. 237)
[7] Uellek, Rene; Uorren, Ostin. Teoria e letërsisë. Sh.B. Enciklopedike, Tiranë 1993, fq. 246
[8] Poezi franceze. Shtëpia botuese Naim Frashëri. Tiranë 1984, fq. 91 (përktheu: Vedat Kokona)
[9] Skëndo. Lumo. Or’ e fundit. Onufri. Tiranë 2007, fq. 113
[10] (Poezia Qielli, datuar më 1879) Natë e qetë, hëna e bukur plot me dritë,/ Fllad i ëmbël, toka hapur ka stolitë,/ Zogu i mendjes po më sulet drejt qiellit,/ N’hapësirat plot me afsh e dritë dielli. Apo te poezia Pranvera, 1875, që përkonte fare mirë me motivet e romantizmit: Moj pranverë që na ngjall me frymën tënde,/ Vash’ e brishtë dhe fytyrëzëargjende/ Jotja është e natyrëz pamj’ e dlirë,/ Jotja është edh’ e kopshtit er’ e mirë.
[11] Si në vargjet e shkruara kur ishte 10 vjeç: Synbyli zadei ahmak,/ Kështu ka udhëruar Perëndija;/ Kur të jetë njeriu plak,/ Urdhër të mos ketë fëmija! (Skëndo. Lumo. Or’ e fundit. Onufri. Tiranë 2007, fq. 132)
[12] Po aty
[13] B.A.T. (Baba Ali Tomorri – pseudonim i A. Gjirokastrës) Naim Frashëri në “Lulet e verësë”. (Sipas Muhametaj, Enver. Mendimi letrar shqiptar 1939-1944, 7, Qendra e Studimeve Albanologjike; Instituti i Gjuhësisë dhe i letërsisë. Bota shqiptare. Tiranë 2008, fq. 543)
[14] Si te kjo më poshtë, nën përkthimin e Vehxhi Buharasë: Mëngjez, verë, bukuri e djalëri,/ Si i kroit ujët shkojnë pa pushim/ Asgjë nuk rron për jetë, ah, ç’mjerim! (Vasha nazemadhe dhe me të ecur të këndshëm)
[15] Njërën nga poezitë e tij, me titull “Nanës seme”, një poete nga Shkodra e solli shqip në këtë mënyrë: Lojë e një t’ziut tirá,/ Pre e nji t’ashprit mullá,/ Yt bir, nanë e mjerueme,/ Prej tejet larg lgon sot…// E ma do t’lngojë n’kjoftë shekulli/ Prej gjumit t’zi se s’lkundet,/ N’kjoftë se njerzimi i lirshëm/ Me kenë ktu n’tokë nuk mundet Revista Cirka. Shkodër, 10 prill 1938. (Përkthyer nga Lux Secreta, pseudonim i Luçije Serreqit – poete e kohës).Ose disa dekada më vonë do të kemi ndonjë version tjetër. Oh, lojë e një tirani/ Dhe pre e një mullani,/ Yt bir, e mjera nënë/ Lëngon larg teje sot.// Dhe prapë do të lëngojë/ N’se kush nuk do ta zgjojë/ Njerëzimin, që i lirë/ Të rrojë jetë e mot… Përkthim i Andrea Varfit (Nëntori 1978, nr. 3).
[16] Te libri “Shumësia e tekstit”, studiuesi Rexhep Ismajli na thotë se Asdreni e Lasgushi janë parë si të ndikuar nga poeti rumun Eminesku, por: Ata ishin formuar në frymën e kulturës evropiane dhe njihnin ndonjë nga gjuhët kryesore, prandaj u mbetej ndonjë gjë e pakët për ta njohur nëpërmjet autorëve rumunë. Sipas studiuesit, një poezi e Asdrenit (Dëshira ime) e parë si e afërt me një poezi të Emineskut (Dhe veç një dëshirë kam) – që nga motivi e deri te leksiku – në fakt të çon te një poemë (Lucie) e romantikut francez De Musset, një strofë të së cilës Asdreni e vendos në hyrjes të së vetës. Për këtë arsye, së pari duhen hulumtuar romantikët, pasromantikët apo lirikat popullore që kanë po këtë motiv e po këto elemente. Ose përsëritjet brenda vargut që gjejmë te Lasgushi (Vjen e ndrin e shkon e vjen) e shihen si ndikime nga Eminesku, i gjejmë më parë te Naimi (Nga ay e kanë fuqinë/ Dhe ay është gjithë ç’janë), apo Çajupi (Fushë dhe fushë dhe fushë dhe vetëm fushë).
[17] Tambourgi! Tambourgi! thy ‘larum afar/ Gives hope to the valiant, and promise of war;/ All the sons of the mountains arise at the note,/ Chimariot, Illyrian, and dark Suliote!
NO COMMENT