Një lexim ndryshe i romanit “Parisi vret” i autores Mira Meksi, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”
Dr. Albert GJOKA
Në procesin e receptimit të veprës me lexuesin, autori ndërhyn shpesh herë si instancë përtej teksit, ku me profilin e tij, me aktivitetin apo idetë që artikulon, me jetën publike apo private, e ngjyros këtë akt ndërveprimi. Dhe, kur vjen fjala për autorë si Mira Meksi, padyshim që pesha e saj si përkthyese rëndon, mbase në mënyrë të tepërt, në profilin si krijuese, ndonëse tashmë ajo ka krijuar emrin e saj si romancere apo tregimtare tipike postmoderniste në letrat bashkëkohore shqipe.
Mira Meksi e kapërcen profilin e autorit të kompleksuar ndaj letërsisë së madhe apo e sfidon izolacionizmin në procesin ndërveprues me sisteme të tjera letrare. Autorja e ka krijuar lexuesin, i cili e do për mënyrën sesi rrëfen, gjë që shumë autorë të tjerë të njohur të letërsisë së sotme shqipe ende nuk e kanë bërë të mundur, përtej vlerave që mund të kenë tekstet e tyre.
Mira Meksi është e sqimtë në temat mbi të cilat sendërton romanet e saj; serioze në materializimin e lëndës fictionale; e sprovuar në teknikat narrative, detajiste në paraqitjen e mjediseve dhe personazheve, madje, deri në manierizëm; e aftë në krijimin e kurtheve dhe tensioneve, duke lëvruar më së miri edhe zhanrin mister dhe thriller në letrat shqipe; e patëdytë në lëvrimin e gjuhës shqipe, të cilës i jep gjallërinë dhe kumtin goditës. Falë zejes së përkthyeses dhe lexueses së përkortë, asaj nuk i mungon asnjëherë përditësimi me shijen e mirë të prozës bashkëkohore apo njohjen e modeleve dhe poetikave romanore.
Mira Meksin mbrun fjalën dhe strukturën në mënyrë të veçantë, duke e provokuar dhe befasuar lexuesin; duke e sfiduar atë me lëndën dhe lojën intertekstuale; duke luajtur me personazhin, ngjarjen apo mjedisin real, të cilin e përkthen në një trillim tipik. Për këtë arsye, ajo vjen krejt natyrshëm si lëvruese e romanit magjik në letërsinë shqipe, dhe si eksperimentuese e zhanreve të tjera romanore bashkëkohore.
Mbi këtë shtrat ngrihet e gjithë vepra e saj, përfshirë edhe romanin e fundit “Parisi vret”, i cili e ka shtysën mbi një histori reale, si ajo e arratisjes së shkrimtarit tonë Ismail Kadare drejt Francës në vigjilje të ndërrimit të sistemeve, dhe përmes saj ngrihet një lojë provokuese fictionale.
Mbi këtë premisë, dhe nga këtu ndërtohet intriga që përfshin edhe shtetin francez, lozha botërore, reagimin e regjimit komunist ndaj arratisjes së shkrimtarit, intrigat e Sigurimit të Shtetit, përdorimin e femrës në përpjekjen për të asgjësuar fizikisht shkrimtarin dhe misteri i vdekjes së personazhit të ngarkuar nga Sigurimi, Jurendina Muzaka, apo dekodimi i një letre sekrete të vitit 1468, ruajtur nga familja Muzaka. Të gjithë këto elemente, – që vijnë si “rastësi” apo “befasi” të rrëfimtares në procesin e leximit të veprës, – prodhojnë natyrshëm tension, ankth dhe pritje, – përmes lojës narrative të të çuditshmes.
Përmes këtij romani vihet theksi në rëndesën e një ngjarje reale dhe me rëndësi kritike siç ka qenë akti i arratisjes dhe strehimi politik në Francë i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, – një ngjarje e cila nuk është vlerësuar sa duhet për peshën që pati në rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. Vetë akti politik i shkrimtarit shërben si shembulli më i mirë për kontributin e pakompromistë të Kadaresë për shembjen e komunizmit, duke marrë përsipër edhe rreziqet. Sigurisht, këtë gjë lexuesi nuk ka pse t’ia kërkojë veprës kadareane, sepse ajo vjen si reflektim i natyrshëm ndaj procesit të shtypjes që sistemi i bëri shkrimtarit në një sistem autoritar.
Që prej këtej nis rrugëtimi i narrativës postmoderniste të këtij romani, ku ngasja drejt reales e çon lexuesin në një botë të trilluar. Loja mes personazhit real dhe atij të trilluar përcakton edhe aspektin provokues për lexuesin, i cili, vetëm në fund të leximit të këtij romani, e kupton peshën e aktit, – pra arratisjen e shkrimtarit. “Ngjizja e idesë së braktikjes si armë kundër tiranisë, e aftë të ndryshonte historinë, në mos të njerëzimit, të paktën të një vendi, u duk se u dha një lloj drejtimi vramendjeve që e patën sfilitur aq gjatë”(84).
Lexuesit e rinj që nuk e njohin historinë, mbase e humbasin peshën e kuptueshmërisë së saj, por kjo ngjarje ishte një akt i pastër politik që tronditi Tiranën komuniste dhe bëri jehonë kudo në Perëndim: Në një artikull të datës 6 dhjetor 1990, shkruar nga gazetari i njohur amerikan David Binder, tek The New York Times, thuhet: Ismail Kadare, shkrimtari më i njohur i Shqipërisë, thotë se kërkoi strehim në Francë një muaj më parë sepse “dezertimi im do të ndihmojë demokratizimin e vendit tim më shumë sesa çdo veprim tjetër që mund të ndërmerrja në Shqipëri”.
Përmes një paralele si braktisja e Akilit që iu bëri grekëve në luftë, edhe kjo që bëri Kadare sipas rrëfimtares, “është arma më e fuqishme kundër tiranisë”.
Hapësira narrative që nga jeta në sistemin komunist e personazhit Martin Gjergji, jeta në qytetin e Parisit, hotel Ritzi, detajet brenda suitës së Mari Antonetë, krijojnë një realitet tejet ndjellës për lexuesit, të ngjashëm me romanet gotike apo postgotike.
Gjysma e parë e romanit e mbanë peshën e arratisjes si një akt anti-sistem, por në gjysmën e dytë qendërzohet një personazh femër, gjë që e zhbalancon boshtin ideor të romanit, por rrit intrigën tek lexuesi. Përtej misterit të historisë, autorja e ka potencuar rëndesën e personazhit Jurendina Muzaka në funksionin, jo thjeshtë të përmbysjes së madhe që pasoi arratisja e shkrimtarit, por edhe si simbolikë e rikthimit të Shqipërisë drejt Perëndimit, – rigjetjes së rrënjëve, gjë që nuk përvijohet besueshëm me fatin e personazhit dhe misionin e saj për të “dekoduar letrën sekrete të Papa Paulus Secundus për familjen Muzaka në vitin 1476.
Edhe elementi i rimishërimit, përmes tri dashurive të personazhit Martin Gjergji (Luiza, Ana, Jurendina), i marrë nga tradita acteke, vjen si simbolikë lidhëse mes Shqipërisë dhe Perëndimit.
Rikthimi tek epokat e arta të shqiptarëve, në kërkimin e rrënjëve identitare, (koha e mbretëreshës Teutë, shkëlqimi arbnor në Mesjetë deri në periudhën e Skënderbeut) është një dominante në shumicën e romaneve të Mira Meksit, duke shtruar një diskurs disi ndryshe nga autorët e tjerë të letrave shqipe: Këtu jemi në një mjedis gati si një përrallë apo mit, me personazhin femër të qendërzuar, me ritet dhe ndonjëherë gjuhën e qashtër, – pa pretenduar kurrësesi për të konstuktuar romanin historik, por duke e përdorur detajin e historisë në një narracion tipik postmodernist. Ndoshta, këtu autorja mund të mos jetë e besueshme për ata lexues që presin një fiction tipik historik, edhe për shkak të rastësive dhe befasive të shumta që përmbajnë romanet e saj, përfshirë edhe ato tek “Parisi vret”.
Paralelizmat e historisë së romanit me elemente intertekstuale nga letërsia klasike greko-romake, nga mitet (Dalila me Samsonin në Bibël), nga mitologjia greke e Minotaurit me fluturimin e Dedalius me të birin, apo elemente nga letërsia moderne, qoftë edhe ajo franceze, i shtojnë tekstit të Mira Meksit tiparin postmodernist të qëllimshëm, i cili sendërtohet enkas si i tillë. Loja me ëndrrën që shfaqet shpeshherë si element magjik në roman dëshmon sprovimin e autores në zejen e rrëfimtares.
Bota e parfumeve, loja sensuale mes femrash, dashuritë e ndaluara apo të ndëprera, ndrydhja dhe shpengimi i pasioneve njerëzore në dashuritë e Martin Gjergjit, etj., nxitin më tej imagjinatën dhe kuriozitetin e lexuesit në procesin e receptimit. Guximi i rrëfimtares për të sprovuar personazhin e shkrimtarit të famshëm si dashnor të regjur, apo paraqitja e një lidhje jashtëmartesore të heroit, Gjergj Kastrioti, ku flitet se ka edhe fëmijë nga kjo marrëdhënie, e intrigojnë lexuesin deri në kufijtë e pabesueshmërisë në lojën trillimtare.
Përdorimi i elementeve mistikë si prania e lozhave masone, – Rotshildët, familjet mbretërore, klubi i grave të fuqishme, etj., – ja rrisin fuqinë mistike romanit, ndonëse mund të duken paksa të tepërta në çuditshmërinë që synojnë të prodhojnë tek lexuesit.
Në një intervistë të kohëve të fundit, vetë autorja shprehet: “Kaherë i jap penës një liri shkrimi që më buron nga lajthitja fantazore dhe e lejoj të sulet revan përmbi letër. Shkrimi ka një lloj lirie të vetën, të pavarur nga liria apo robëria e autorit. Është magjike, nuk arrij dot ta përshkruaj ndjesinë që më pushton, por që më pastaj detyrohem t’ia qeth si mundem lirinë e dukshme përpara se ta dorëzoj për shtyp”.
Në përpjekjen për të mbajtur gjallë misterin e lexuesit, autorja e ka lënë të paqartë fatin tragjik të Jurendina Muzakës në fundin e pjesës së dytë të romanit, – pra nëse ishte vetëvrasje apo vrasje, e cila gjendet e pajetë në hotel, pas pamundësisë për të ekzekutuar shkrimtarin e arratisur nga sistemi komunist. Po ashtu, edhe ngatërresën e bërë me urnën që kishte hirin e trupit të djegur të një francezeje, gjatë sjelljes së arkëmortit nga Parisi në Tiranë. Fundi i romanit shënon edhe fillimin e reflektimit, një truk tipik për romanet mister dhe që kjo gjë që do të thotë se vepra ka nisur të ketë efektin e vet tek lexuesi. Përse vallë vret Parisi!
Ky rrëfim tipik postmodernist; me një lojë të pazakontë intertekstuale; me mënyrën sesi e gërshteton realen me trillimin, duke përdorur një nivel të epërm të gjuhës shqipe, e sfidon lexuesin, – e provokon në botëkuptimin dhe formimin e tij, e fut në labirinthe që e ka të vështirë të gjejë rrugëdaljen dhe më pas e bën të reflektojë rreth historisë së rrëfyer dhe botës reale ku nxitet për të fantazuar: Këtu Mira Meksi komploton ndaj lexuesit dhe ia bën të vështirë rritjen e kuptueshmërisë në mbyllje të procesit të leximit, – edhe falë befasive apo rastësive të tepërta që përdoren në lidhjet narrative. Për këdo që pret një intrigë nga bota reale e historisë do të zhgënjehet sepse në përfundim të historisë së trilluar, pra në mbyllje të arratisjes fictionale, çdo lexues do të ndihet më i këndellur, më i përmbushur dhe më i kuptueshëm për atë botë që la dhe për atë botë që e rrethon dhe me një imagjinatë më të pasur. Këtë intrigë fictionale Mira Meksi e bën më mirë se shumëkush tjetër në letrat shqipe të ditëve tona; në rrugëtimin e guximshëm tek lexuesi për të zbuluar botë imagjinative të pakapshme, ndryshe nga shumë rrëfimtarë të tjerë.
NO COMMENT