READING

ANALIZË E NJË TEKSTI POSTMODERNIST

ANALIZË E NJË TEKSTI POSTMODERNIST

ANALIZË E NJË TEKSTI POSTMODERNIST

Erjeta Xhangolli

Letërsia e 150 viteve të fundit është sjellë përqark një karuseli, i cili e ka treguar atë në dimensione të ndryshme. Secili prej dimensioneve gëzon karakteristikat e tij të veçanta. Thënë me fjalë të tjera, të gjitha këto drejtime letrare – realizmi, modernizmi dhe postmodernizmi – u takojnë periudhave të ndryshme kohore e gëzojnë tiparet përkatëse.

Shihet me vlerë të përmendet se çdonjëra prej periudhave të listuara më sipër mund të kalojë përmes filtrit të një kodi a skeme, që synon përmes analizës të vjelë të dhëna që na ndihmojnë në zbërthimin e veprës. Në bosht të këtij kodi qëndron qasja ndaj krijimit letrar duke u ndalur te rrëfimtari, audienca, stili e një sërë pikash të tjera.
            Me qëllim konkretizimin e asaj çfarë shprehëm, do të marrim në shqyrtim një prozë të shkurtër: tregimin me titull “Peshku Ekstasis”, të shkrimtarit Kim Mehmeti.

Ç’e bën të veçantë këtë tregim?
            Kujtojmë se për të nuk ka fare qendër, siç është kuptuar kjo në letërsinë e mëparshme. Një tipar tipik i tij është pikërisht mungesa e një të vërtete absolute, e cila është zëvendësuar nga dukuria e shqendërzimit. Jemi në sferën e posmodernes.
            Këtu ka vend për t’u shtuar se raporti mes reales, historisë e fiksionit merr një peshë të rëndësishme për tekstin. Ndonëse duket sikur na paraqitet në linja të përgjithshme një tablo e qartë mbi peshkun, përcaktimi “…peshqit Ekstasis jetojnë në kushte të veçanta; në ujë plotësisht të pastër,” nuk na thotë asgjë. Nëse do të diskutonim për vendin e zhvillimit të ngjarjes apo më konkretisht, ku ky peshk jeton, nuk do të ishim në gjendje të jepnim një përgjigje të saktë.
            Rresht pas rreshti, ndonëse duket sikur përballemi me fakte, në fakt ajo ç’ka ndodh vërtetë është një largim gjithnjë e më i madh nga e vërteta absolute dhe theksohet edhe më tepër dilema për ekzistencën e kësaj gjallese. Shkrimtari postmodernist na shfaqet i paaftë për të treguar të vërtetën. Prandaj ai i referohet enciklopedisë: “Nëpër shumë enciklopedi, të cilat kam pasur rastin t’i shfletoj, nuk kam hasur në të dhëna të mjaftueshme e që do të thotë se edhe shkenca nuk e njeh aq mirë këtë lloj peshku.”.
            Një tekst i tillë mund t’i bjerë në dorë kujtdo, sepse nuk shkruhet me paramendim për t’iu drejtuar një grup audience të caktuar. Pra, kufijtë e audiencës thyhen. Nuk duhet lënë pa përmendur se tregimi nuk ka as edhe ndonjë fokus të veçantë. Nën rrjedhën e këtyre fjalive mohuese shtojmë edhe mungesën e kufijve tematikë. Tregimi nuk njeh kufij tematikë, por përmes tij bëhet një udhëtim mes reales e fiksionit.
            As përcjellja e vlerave nuk është në vëmendjen e tregimit. Sikurse e vërteta nuk është një dhe absolute edhe morali duhet të jetë relativ. Nuk mund të flasim, për tejçim vlerash morale, pasi ato nuk janë në fokus të shkrimit, gjë që duket qartazi.
            Në tekstin e marrë në analizë, në pamje të parë duket sikur e kemi fare të qartë për çfarë e për kë flitet. Por thuhet shumë dhe nuk shprehet asgjë e qartë, pasi vetë ekzistenca e kësaj gjallese mbetet e diskutueshme për lexuesin. Nuk ndërtohet kurrë diçka e kapshme, që do të na e shprehte realizmi: Peshku Ekstasis nuk rritet më shumë se dhjetë centimetra, ka trup elipsoid dhe ka bisht çfarë kanë të gjithë peshqit e rëndomtë. Ajo që e bën të veçantë është vetë fakti se kur e shikon duke notuar në ujin e pastër si loti nuk mund të caktohet ngjyra e tij.  Ose: Gjatë notimit, si të gjithë peshqit e tjerë, pandërprerë çel dhe mbyll kapakët e velëzave nga të cilat lëshon një si pluhur shumëngjyrësh. Nuk e di saktësisht a është pluhur apo ndonjë dritë e cila rrezaton nga brendësia e velëzave por kam parë se gjithmonë pas tij mbetet një muzavë nëpër ujë e cila gjatë nuk zhduket. Ky peshk është mu si dielli; nuk dihet kurrë se cilat rreze i ka më të bukura, ato kur lind apo ato kur perëndon”.
            Koha mbetet me pikëpyetje pasi vetë realiteti është vazhdimisht i hapur për të ndryshuar. Në tekst ajo na paraqitet si një e dhënë e panjohur, por që nuk përbën domosdoshmëri për zbulimin e saktë të saj.
            Në rrëfim zënë vend pjesët përshkruese që realizohen në vetën e tretë, si edhe ato rrëfyese, fjalët e meditimet e narratorit, i cili e thyen rrëfimin me përdorimin e vetës së parë. Shkrimtari rrëfen e shkruan dhe tërhiqet herë pas here nga mungesa e informacioneve të sakta për peshkun. Përgjatë rrëfimit të ciklit të jetës së këtij peshku, narratori kërkon të jetë “i saktë”, ndonëse përmend legjenda e të dhëna jo të vërtetuara mbi ekzistencën e kësaj gjallese. Ai fragmenton rrëfimin duke i bërë të ditur lexuesit deri ku shkojnë njohuritë e tij mbi Ekstasis: “…nuk kam hasur në të dhëna të mjaftueshme. Nuk kam hasur në sqarime shkencore prandaj as që mund të them diçka më shumë.”.

Kështu, tregimi më tepër zhbëhet sesa bëhet, një veçori tipike e postmodernizmit.

* Autorja është studente e vitit I, master shkencor (Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës) 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.