Cikël me poezi nga Genta Hodo, autore e vëllimit “Pak kohë për poezi”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Albas” në vitin 2023.
1.Shije fort të mbrapshta
Unë kam shije të mbrapshta.
Më pëlqen t’i mbaj flokët rrëmujë
dhe ndjenjat nëpër vendet e veta.
Varja e gjërave të harruara në çantën e shpinës
dhe gjoksi i ngritur e i rrumbullakët.
Më pëlqejnë djemtë me fytyrë çunaku,
që flasin gjithë maturi.
Po ndonjëherë më pëlqen kur e qepin gojën,
ngaqë, sipas sime gjysheje,
të heshtësh është mençuri.
Më pëlqejnë gënjeshtrat.
E vërteta s’i ka këmbët më të gjata sesa
një bisedë gjysmake.
Kësisoj, më pëlqen edhe vetëbesimi,
sepse është gënjeshtra më trullosëse e njeriut.
2. Varëset e rrobave
Në ëndërr, secilën prej rrobave e varja në një varëse
krejt të vetën.
Veç fustanin e zi
në trupin tim
sepse ndihesha si të ishte dita më me fat e javës.
Kisha këpucë me taka që s’më vrisnin,
as më bënin të dukesha më e hollë
as të ndihesha më speciale
se asnjëra prej varëseve të tjera.
Ëndrrat thonë përralla që të zgjojnë nga gjumi.
Ose, qe zëri i paqtë i sime mëje
që rrugës drejt dollapit mërmërit
këngë për fustanet me ngjyra që i heq prej varëseve,
këngë kur i provon,
këngë kur i hedh te pirgu i gjërave për t’u bërë më vonë,
këngë për mundin e kotë të së dielës pasdite,
teksa unë përvidhem për tek atletet.
3. Kafeja e zezë
Kafeja e zezë s’do sheqer.
Nëse të pëlqen sheqeri,
s’ke si ta meritosh një filxhan kafeje të zezë.
– Sa për kafenë?
– Po aq sa dje.
– Dje ishte shpejt e shpejt.
E sotmja do të jetë më e gjatë.
E sotmja do të jetë sa për dy ditë
në një filxhan kafeje.
Shkenca s’duket ta ketë fort qejf.
Por jemi në një mendje për sheqerin,
prandaj unë vazhdoj bëj shkencë.
Sheqeri shkatërron dhëmbët
dhe po kështu kafeja.
Kafeina bën keq për tensionin
dhe po kështu sheqeri.
Por prapë,
kafeina është krejt e kundërta e asaj shijes së ëmbël
të fëmijërisë.
Kafeina është e tashmja,
ndonjëherë gjithë hidhësia e së ardhmes.
Nëse të pëlqen sheqeri,
s’ka si t’i meritosh gjithë filxhanët e kafesë së zezë
që po të presin.
4. E vogël, shtëpia ishte gjithë bota ime
E vogël, shtëpia ishte gjithë bota ime
Nga dhoma në dhomë me një avion prej letre
Fluturoja tek ime më, Notre Damme de Paris,
në gjoksin e tim ati si qyteti ndanë Kullës Eiffel.
Mbas shkolle, për të shkuar te shtëpia e shoqes sime
Pellgje e tatëpjeta i kaluam si udhëtarët,
që botën e shëtisin me 20 lek në xhep
Fytyra e qeshur e një mamaje të huaj
dhe pjatat e tyre me lule të ndryshme nga të tonat
më pritën me një ngrohtësi të re
dhe ishte dita kur zbulova Amerikën.
Pas kësaj bota ishte e madhe e madhe e madhe
E madhe sa Roma
E paarritshme si Berlini
Centrifugale si Nju-Jorku nëpër filma
Derisa u bë përsëri e vogël,
E vogël si arushi i sime motre
që rrinte e ruante te xhami i lavatriçes
Derisa u bë e paqtë, si pamja nga ballkoni i shtëpisë
Kur dilja për të nderë rrobat në mëngjes
Tani që jam e rritur, im atë është përsëri kulla Eiffel
Notre Damme de Paris
pas 1000 zjarreve ime më,
kurse bota, shtëpia ime, nuk është më.
Dhjetor 2019
5. Gjeniu në një shishe
Rrugët kanë filluar të kundërmojnë si pijanecët
Vapa vijon të këpusë njëra pas tjetrës,
Gjunjët e vajzave që nuk hanë mëngjes
(Si një Don Zhuan në fushatë)
Kurse këmbësori para meje ecën e ecën
Me hapa te mëdhenj, por i kujdesshëm
A thua me secilën pllakë kapërcen një qytet.
Kështu ne e dimë: fundi është afër.
Secili është kthyer në strofullin e tij
Për t’u endur ditëve, për të pushuar natën
Mbrapshtia e dimrit ose, siç i thonë:
Gjithçka bie aty ku i takon.
Pra, pak gjëra tanimë tingëllojnë argëtuese,
Frymëzuese më pak, aq më tepër sepse
Shirat ende nuk ia kanë shkrepur.
Por një shishe uiski ruan gjithë gjeninë e një nate vere
Ndaj edhe rrugët kundërmojnë si një i alkoolizuar
I cili me logjikën e një gjeniu të vërtetë,
ka zgjedhur përballë jetës, një verë të shkurtër, por të përjetshme.
2019
6. Unë po prisja verën
Ish një mbrëmje e ftohtë marsi
Njerëzish të strukur në drithërima habie
A thua s’e dinë se dimri e bën çdo vit një “ta” të fundit para se të largohet
Dhe unë po prisja verën
Unë po prisja radhën në një supermarket
Shtrëngoja në duar një pako çamçakëzësh me mente
Jashtë derës prej xhami që hapej e mbyllej si Sesam i pathërritur
Shkëmbeheshin shpërfillje ngjarjesh të vockla jetësore
Një shpërfillje bionde një barkmadh
Një shpërfillje kokulur një me këpucë me takë
Dhe unë po prisja verën
Në fakt, unë po prisja radhën dhe pse kishte ardhur radha ime
Gjithë ajo shpërfillje të gdhendet në vetëdije
Kasieri më shikon në sy i hutuar
Unë nuk e kam kartën e klientit
Unë nuk jam klient këtu tek ju
Unë kam ardhur deri këtu vetëm sepse po pres verën
Qindarkat tringëllojnë mbi njëra-tjetrën si zile
Dera prej xhami u hap përpara këmbëve të mia
Dhe unë isha gati për të notuar mes acarit
Vetëm sepse po prisja verën
Do të vijë vera, kjo është e sigurt si dielli
Unë kam kohë që e pres, por ndonjëherë më tepër rrallë se ndonjëherë
Më duket sikur s’ka për të ardhur asnjëherë
Fundja, kam kaluar gjithë këto vera, pa e vënë re se vera kishte ardhur
Sepse unë isha mësuar të prisja verën
Shkurt 2020
Genta Hodo ka mbaruar studimet në degën e Letërsinë, në Fakultetin Histori – Filologji, në Universitetin e Tiranës. Ajo është gazetare e njohur dhe blogere. Përmbledhja “Pak kohë për poezi”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Albas” vjen tek lexuesi me një qasje tjetër për vargun dhe poetikën, në mënyrë autentike, – pasi krahas fuqisë së fjalës, vjen edhe imazhi, fotografia dhe shtresëzimi kuptimor i kontekstit, – pra mjedisi ku jetojmë, me gjithë paradokset, ritmin dhe muzikalitetin e tij. “Ajo është një përmbledhje e shkurtër, e cila përpiqet të jetë e drejtpërdrejtë dhe e kuptueshme, jo ngaqë nuk beson se do të arrijnë ta kuptojnë, por ngaqë e di sa shumë është zhvlerësuar paraja përpara monedhës së kohës ditët e sotme, ndaj kërkon ta nderojë këtë të fundit. Jepini vetes pesë minuta për të pirë një kafe, përpara se të zhyteni në centrifugën e ditës dhe lexoni ndonjërën prej këtyre poezive”.
Ky vëllim është përzgjedhur mes shtatë prurjeve poetike më të mira të vitit 2023 nga platforma Bukinist dhe blogu Leximtari. Për herë të parë, “Palimpsest” sjell një cikël me gjashtë poezi të kësaj autoreje të re. Librin “Pak kohë për poezi” e gjeni online tek Bukinist.al.
NO COMMENT