READING

MES POEZISË IDEOLOGJIKE DHE POST-IDEOLOGJIKE

MES POEZISË IDEOLOGJIKE DHE POST-IDEOLOGJIKE

MES POEZISË IDEOLOGJIKE DHE POST-IDEOLOGJIKE

Gazmend Krasniqi

1.

Ne shqiptarët hyjmë tek ata popuj që, për arsye të ndryshme historiko – shoqërore, nuk patën filozofët e mendimtarët e vet dhe këtë mungesë e kërkuam te poetët, duke i nxjerrë vargjet e tyre nga konteksti, duke e vrarë kështu poezinë e vërtetë sot e kësaj dite. Kjo ka ndodhur, sidomos, me krijimtarinë e Migjenit. Por mund të gjenden shumë shembuj të tjerë.

Në kaq vite që Shqipëria është një vend me pluralizëm estetik dhe mendimi, a jemi aty ku kemi ëndërruar të jemi në momentet më të vështira të historisë së saj? Si paraqitet situata me protokollet e leximit të letërsisë shqipe?

Çdo kohë ka nevojë për këto pyetje.

Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, ndër të tjera, me letërsinë shqipe në një moment kyç të saj, shohim se:

a. Nga viti 1945 ndërpritet arbitrarisht një traditë e zhvilluar në lirinë e vet: për arsye politike dhe ideologjike, hiqet nga qarkullimi një pjesë thelbësore e kësaj letërsie

b. Në dekadat që pasojnë imponohen dhunshëm modelet ideologjike që kishte krijuar realizmi socialist

2.

Pikën b na e bën të qartë një shkrim i kohës (gaz. “Drita”, 11.III.1973), kur po projektohej kryetari i ri i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, i cili deri në atë kohë qe një poet ndër të tjerët. Në këtë shkrim, kryetari i ri nuk pranon që dikush të shprehet “… hëpërhë këto janë të metat e pashmangshme të kërkimit në art, prandaj s’ka asgjë shqetësuese”. Ai ka ardhur për të ligjëruar një platformë të qartë, prej njeriu që po vishet me pushtet politik e ideologjik. Sigurisht, ajo që parashtron shkon përtej individit X.

Sipas tij, Arti është ideologji, në të ka luftë ideologjike, ka mohim të asaj që nuk i shërben shoqërisë sonë dhe pohim të asaj që i shërben. Poetët tanë të mirë, si bij të revolucionit, gjithnjë kanë pasur frymë të lartë revolucionare dhe militante. Poezinë e tyre ata e kanë vënë në shërbim të revolucionit dhe socializmit, duke ruajtur gjithnjë shpirtin kombëtar, duke shprehur psikologjinë kombëtare.

Modelet që e dëshmojnë kërkesën e tij janë: poema të tilla si “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Sh. Musarajt, “Prishtina” dhe “Pranvera e madhe” të Ll. Siliqit, “Përse mendohen këto male» dhe “Shqiponjat fluturojnë lart” të I. Kadaresë, “Drashovicë” dhe “Alarme të përgjakura” të F. Arapit, “Ashtu Myzeqe” e A. Çaçit, “Proletarët” e L. Qafëzezit, “Heronjtë e Vigut” e K. Jakovës etj.

Janë artikuluar kështu protokollet e leximit, deri më 1990, me rënien e Murit të Berlinit.

Më vonë, në mbyllje të këtyre viteve, Kadareja do të thoshte se brezi që hyri në këtë kohë në letërsi, kishte më shumë lidhje me brezin që hyri në letërsi në vitin 1945-1960, një brez që doli nga Lufta, sesa me brezin 1960-1975, një brez i shkolluar jashtë vendit, edhe pse në Lindjen komuniste.

Është e tepërt të thuhet se asnjëra nga veprat që përmenden – vepra tipike të RS – nuk e  ka kapërcyer kohën. Që ai nuk ishte një shkrim i rastit, por një platformë, e tregon edhe fakti që ai nuk mbetet në gazetë, por përmblidhet në një libër me titullin “Arti dhe koha”, në vitin 1980. Agolli, kryetari i ri, qe shumë aktiv me shkrime në këtë periudhë. Shkrimet e tij të mëparshme kishin qenë në të njëjtën linjë, por tani ato bëheshin programatike, duke pasur parasysh që ai do të jetë kryetari i ri i LSHA, si produkt i drejtpërdrejtë i shkollës sovjetike në letërsi, vendi ku ishte shkolluar, ndryshe nga paraardhësi (Dhimitër Shuteriqi – i shkollës franceze, por me anime më se të qarta sociologjike), i cili e kishte pasur një këmbë në letërsinë e traditës para-realizëm socialist. Gjithsesi, ky i fundit, që ekzekutuesi i pikës a.

Krahasimi me fjalët që kishte thënë Asdreni që më 1912, se vjen koha që letërsia të ndahet nga politika, nuk do asnjë koment. Ky regres në kurrikulat e letërsisë nuk ishte i pari, pasi kishte ndodhur në disa momente të historisë, si në kohë lirie, ashtu edhe në kohë shtrëngese politike. Është e rëndësishme të kujtohet prej nesh, sepse lidhet me trashëgiminë që kemi sot. Dihet se njeriu formohet në mënyrë të pashmangshme nga konteksti kulturor. Mendojeni pak targetin e kësaj platforme – brezin që në këtë kohë qe në ciklin e ulët shkollor. Mendoni librat e shkollës, libraritë, bibliotekat – botimet shqipe, të traditës dhe bashkëkohore, si dhe përkthimet. Për atë brez qe përgatitur shpëlarja e trurit.

Në vitet ’90, mendimit letrar shqiptar i duhej të përballej me këtë traditë mbisunduese. Pastaj, studentët e djeshëm qenë akademikët aktualë.

A është platforma e Agollit një ngërç momenti apo ai është ndjerë pjesë e saj? Krijimtaria e tij tregon se anon nga kjo platformë.

Kam bërë përpjekje për të paraqitur prej tij një poezi më të butë, me një gjuhë më të përpunuar. Në antologjinë “Poezi” (2003), ai është prezantuar me poezitë “Zogu i kaltër”, ku dominante është fjala e zgjedhur me kujdes, pa ideologji, edhe pse jo me ndonjë përshkënditje të veçantë dhe ndërtimi i një strofe 5 vargëshe, si dhe me një përshtatje nga poezia e R.Burns, “Findlej”, ku përsëri është dominante gjuha e zgjedhur, pa ideologji, dhe ritmi virtuoz. Me këtë përzgjedhje ndihej prirja që tregonte se me çfarë mund të mbetej ai në poezinë shqipe.

Meqë dukej sikur i qe ngrënë haku para dishepujve të tij, më vonë u shtua poezia “Mos ma kujto”, shumë e përhapur dhe e popullarizuar në rrjetet sociale. Por edhe në këtë poezi, me gjithë përdorimin e disa mjeteve stilistike të përsëritjes, ligjërimi është deklarativ dhe i drejtpërdrejtë. Fjalët janë me kuptimin e tyre si në fjalor. Autori shpalos artin e shprehjes dhe jo të shpikjes. Agolli nuk e ngarkon poezinë me ambiguitet (me vagullësi kuptimi), që i kërkon lexuesit angazhim të madh për ta “zbërthyer”. Fjalët nuk godasin me përzgjedhjen e tyre, por janë në shërbim të një mesazhi konkret. Pra na duhet të lexojmë poezinë hap pas hapi për të arritur në mesazhin që ajo përcjell.

           

3.

            Ia vlen të kujtohet se zgjedhja për diskutim e asaj që ndodhi në vitin 1973 nuk është krejt e rastit. Desha të thosha se – duke e parë tashmë në planin personal – atëherë kur u thanë ato fjalë, përkonin me kohën kur brezi im fillonte leximet e para. Qe paracaktuar: ai brez nuk mund të shihte përtej kornizës që qe përgatitur për të. Ishte si puna e mbretit lakuriq: pritej fëmija që sheh realitetin. Po a ekzistonte ky fëmijë?

            Se sa qe ngulitur në nënndërgjegje tmerri nga ajo kohë, duket nga një histori që ndodhi në një bar pranë Lidhjes së Shkrimtarëve në fillim të viteve 90. Po pinim kafe me njërin nga përkthyesit e rinj të asaj kohe, shumë premtues dhe pa të kaluar socrealiste, që sapo kishte filluar punë në gazetën Drita, kur na erdhi në tavolinë poeti Fatos Arapi, i cili ishte konfident me bashkëbiseduesin tim, por jo me mua.

            Figura e tij më kishte mbetur në mendje, në ambientet e LSHA – vazhdoj ta kem të fotografuar në kujtesë këtë skenë – duke i thënë Rreshpjes, që nuk e di se me kë bënte ca lëvizje peripatetike në atë pjesën si ballkon të klubit, sa herë ai afrohej: O Frederik, shkruaj ndonjë vjershë! O Frederik! Rreshpja, megjithëse shihej i mikluar, brenda natyrës së tij, prej këtyre fjalëve, nuk i kthente përgjigje, por vazhdonte peripatetizmin e tij.

            Arapi ka pasur një të shkuar debatuese me Kadarenë, duke shkruar një libër që i kundërvihej letërsisë së tij. Foli rreth një orë, por mbaj mend vetëm fjalët kongres, plenum, që përsëriteshin herë pas here. Pra biseda e tij qe e mbytur nga ideologjia. E mbaj mend shumë mirë këtë moment: edhe pa vënë duart në veshë, ia dola, në mënyrë instinktive që fjalët të hynin nga njëri e të dilnin te tjetri. Vitet ’90 nuk kanë qenë aq të qeta.

            E pyes veten nganjëherë nëse ia ka vlejtur ta dëgjoja, por përgjigjja mbetet “jo”. Edhe pse u bëmë miq ca kohë më vonë. Çmimi “Kurora e Strugës” kishte kaluar pa jehonë. Kjo qe arsyeja, pra që kishte kaluar ai çmim pa jehonë, që e takova dhe e urova, kur u pamë në rrugë. Dukej qartë se iu bë qejfi. Ai e dinte se në atë rrugë mund të më shihte dhe u takuam shpesh.

            Kur takimet tona u ndërprenë, pyeta për të dhe më thanë se qe i sëmurë. Kërkova të ma tregonin shtëpinë e tij, por më thanë se qe e kotë: familjarët e tij nuk ishin dashamirës me të huajt. Nuk mund ta besoja se do të më pengonin, kur ai ta merrte vesh se isha unë, megjithatë e humba iniciativën pak nga pak.

            Sidoqoftë, e mora vesh më vonë se familjarët e tij qenë të vendosur në idetë e tyre. Ata refuzonin vendosjen e poezive në një antologji me karakter shkollor, me arsyetimin se kishin botuar veprën e tij të plotë dhe njerëzit mund ta gjenin aty. Sigurisht, ishte një argument jo në shërbim të veprës së Arapit: cili gjimnazist hap veprën e plotë?

            Unë mendoj se asnjë antologji e poezisë shqipe nuk mund të jetë e mundshme pa dy-tri lirika të këtij poeti. Por këtë e mendoj nga krijimtaria e pas viteve ’90. Pjesa tjetër është muzeale. Shkroi shumë në këtë kohë: donte ta kapte kohën e humbur, që ia kishte kushtuar atyre poemave me metafora të ashpra, por edhe momente lirike. Donte të sillte në vëmendje se dikur kishte lexuar me zell Kuazimodo-n. E kam dëgjuar vetë. Arapi mbetet i rëndësishëm në momentin e hapjes së formës së poezisë shqipe. Ato lirikat e shkurtra më të hershme, të cilat bënin përshtypje me vizionin e pastër, e kanë të vështirë ta marrin klasën, për një antologji që shtrihet në të gjithë gjerësinë e poezisë shqipe, që nga fillimet e deri më sot.

            Emërtimet “i madhi”, “patriarku i letrave shqipe”, që përdoren rëndom për Agollin, vijnë nga koha kur bënte politikat e poezisë e të letërsisë në përgjithësi. Sot mund të shihet se atë e përfaqëson më mirë një letërsi fabuleske, që mund të përdoret në ciklet shkollore parauniversitare. Gjuha e tij prej ligjërimi klasik, sipas konceptit barthean, nuk i përgjigjet analizave universitare, sipas teorive letrare moderne. Kështu, në përgjithësi, vjen si poet “minor”. Pra, më minori ndër të mëdhenjtë dhe më i madhi ndër minorët. Qoftë edhe me ato pak lirikat që janë bërë këngë dhe janë popullarizuar. Megjithëse atë përshtatjen e “Findlej” do të doja ta kisha bërë unë. Së bashku me Ali Podrimjen janë poetët më të fryrë, që nuk i bëjnë shërbime të mira poezisë si poezi.

            I dyti dëmtohet nga ideologjia kombëtariste, e cila duket sikur e mbulon për një moment mungesën e mjeshtërisë. I mbeten disa eksperimente. Aspekti i jashtëm i diskutimit, i llojit “po e vrava arbëreshin, kush do ta vrasë ujkun”, nuk shpëton nga mbiinterpretimet, për të mos thënë banalizimi, si shumë poezi të Agollit.

            Nga kjo treshe poetësh, Kadare mbahej gjithmonë si më intelektuali. E lexoja, duke kërkuar te poezitë e para, që nuk qarkullonin shumë, sikur do të zbuloja ndonjë sekret, por pa fituar ndonjëherë ndonjë entuziazëm. Kështu që, një herë, kur më erdhi në shtëpi njëri nga miqtë e mi piktorë, në shijet e të cilit besoja, i thashë: Ja ku e ke librin. Hape ku të duash dhe më thuaj nëse nuk është kështu siç them unë.

            Nuk mund ta mbronte idenë e parë. Kujtesa ma sjell të freskët këtë moment.

            Sigurisht, është naive ta mendosh se nëse e shmange një model, e gjete rrugën që të duhet. Të paktën në Shqipërinë e asaj kohe. Ishte një proces i gjatë.

            Në vitet 90 Arshi Pipa qe i pari që tha për poezitë e librit “Ftesë në studio”: Nuk janë poezi. E shkroi te gazeta “Dielli”, por ky shkrim doli në Tiranë te një gazetë që shumkush e ka harruar, ose nuk e ka ditur se ekzistonte. Quhej “Sindikalisti”. Është i njëjti shkrim ku ai çmonte tepër lart portretin që Kadareja i bën Poradecit.

            Ashtu si në rastin e Arapit, asnjë antologji e poezisë shqipe nuk mund të jetë e mundshme pa dy-tri lirika të këtij poeti, por këtë herë nga krijimtaria që lidhet me fillimet e krijimtarisë: me qëndrimin e tij në Moskë, ku, në shembullin e Majakovskit, po jepte ndihmesë për hapjen e formës në poezinë shqipe. Shto: përdorimin e lirë të një leksiku tjetër. Siç e kam bërë tashmë këtë në tri antologjitë e poezisë shqipe të hartuara prej meje. Pjesa tjetër është muzeale.

            Përmbledhja më e mirë është ajo që ka bërë vetë: Ca pika shiu ranë mbi qelq. Aty ndjehet mënyra se si e ka kërkuar hapjen e formës. Parathënia e Ali Podrimjes është e sforcuar, nga nevoja për të mos i thënë gjërat, dhe nuk paraqet interes.

            Një herë, në një bisedë mes nesh, u përmend emri i Kadaresë dhe Azem Shkreli më tha: Ai do ta bënte edhe poezinë, por iu kushtua prozës. Kjo më kujton atë që themi shpesh: Si do të kishte shkruar Migjeni pas vitit 1945? Pra, në rastin e Kadaresë, a do të kishim një Jevtushenko?

            Shumë e vështirë të merresh me këtë çështje hipotetike, pa rënë në patetizëm.

            Në gjykimin tim, nuk ishte aspak refuzues në bisedë, siç njihet rëndom. E kam takuar vetëm një herë, në rrugë, dhe kishte dëshirë të fliste pa fund. Aty dëgjova prej gojës së tij për befasinë që kishte shkaktuar tregimi “Para banjës” në Hungari. Nuk e di a mburrej me këtë tregim, por bash ai na ka lidhur dhe na mban të lidhur, sepse në të kam parë modelet e postmodernizmit shqiptar dhe e kam përcjellë te studentët. A ndjehej postmodernist? Nuk besoj. Kuptohet që është ndikim leximeh.

            Historia e lidhjes qe kjo: një studiuese shqiptare po merrej me botimin francez të ngritur mbi disa tregime – model dhe remikseve të bëra mbi to nga disa shkrimtarë më të rinj. Para banjës qe njëri nga tregimet model. Kadareja kishte kërkuar që punimi i studiuesit shqiptar të shoqërohej me një shënimin tim, të cilin e kam realizuar, çka justifikon takimin tonë.

Pas atij takimi, kam ëndërruar të bëj një bisedë të gjatë me të, për të “zbuluar” mendimin e tij letrar, tashmë në kohë lirie, pasi para viteve ’90 nuk mund të shfaqej hapur, por kjo bisedë nuk u bë kurrë, ca për pengesa objektive, ca për pengesa subjektive, jo të mijat, por të ndokujt. Mbaj mend të jetë prononcuar dikur për botimin “Historia e letërsisë shqiptare” (1983), ku kërkonte më shumë vend për autorët e vjetër, si dhe për tekstet shkollore për fëmijët, ku duhej të futeshin klasikët dhe jo thjesht shkrimtarët që “shkruajnë” për fëmijë. Si dhe shkrimi i lartpërmendur për tri fazat. Gjithmonë kam menduar se eseja për Migjenin nuk i sillte gjë mendimit letrar: ishte gjithmonë përtej tekstit. Dua të them që mendimi i tij letrar ka mbetur i paqartë. Nuk duhet harruar se në vitin e ekzilit (1990), ai artikulohej për epërsinë e letërsisë së realizmit socialist. Pas ekzilit të tij nuk pat ndonjë vendim zyrtar që të ndalonte veprën e tij si publikime të ndryshme apo tekste shkollore, siç kishte ndodhur me të tjerët kur shpalleshin “tradhtarë”. Të gjitha këto së bashku e rrisin konfuzionin.

            Por Kadareja më vonë ka dhënë vështrimin më stigmatizues për poezinë e RS. Poezia – këto fjalë i përkasin një interviste të dhënë në një organ letrar parisien – në të kundërt me atë që thonë shkrimtarët e ish-bllokut të Lindjes, që e prezantojnë si avangardë të letërsisë, ishte turpi i letërsisë. Pjesa më e turpshme, më deklarativja, më entuziastja, më socialistja, më komunistja, më idiotja. Të gjitha vendet komuniste mundohen të mbrojnë poezinë, të tërheqin antologji poemash nga qindra-mijëra ekzemplarë dhe… por nuk dua të flas, kjo ma pështiros të gjithën. Në fakt, mendoj se poezia është më fajtorja mes zhanreve letrare në bllokun e vjetër komunist. Ishte më agresivja, më pozitivja për sistemin. (Sipas Le magazine litteraire – Gazeta Shqiptare, 9 mars 2009).

            Është e qartë se ky reagim është plotësisht kundër platformës së lartpërmendur agolliane. Por këtë mendim e shprehte jashtë Shqipërisë, edhe pse ai u përkthye në një gazetë shqiptare. Sidoqoftë, këto qenë sinjale se mendimi letrar kadarean përcjell paradokse. Vlen të përmendet qëndrimi stigmatizues që Kadare shfaqi ndaj shkrimtarit amerikan John Updike në disa shkrime të viteve 60-70, ndërkohë që ky i fundit do t’i bënte një recension të shkëlqyer romanit “Kronikë në gur”, në kohën kur libri u publikua në SHBA. John Updike – rast për t’u përmendur – u pozicionua si një dashamirës i madh i këtij libri dhe u shpreh për vlerën e tij artistike.

            Kadaresë i pëlqente të bënte ikonoklastin. Në kah të kundërt me Kunderën që shprehej se me Kafkën fillonte modernizmi – përzierja e reales me ëndrrën – në një revistë prestigjioze ndërkombëtare e quante atë realist. Ose shprehej se teoricienët nuk duheshin lexuar, megjithëse bëhej fjalë për Jakobsonin, që rëndom quhej Aristoteli i kohës sonë. Vetëm te “Bisedat me Alain Boskenë” shpreh një intuitë për t’u marrë në konsideratë të veçantë: Një harmoni sipërane bën që jo vepra e krijuesit të burojë prej jetës së tij, por, përkundrazi… Është paragrafi fundit i këtij libri.

            Kjo qe treshja e famshme e poetëve me të cilën duhej të rritej e të ushqehej brezi im.  

            Rezervat ndaj saj nuk ishte e lehtë t’i shfaqje as atë herë, por as edhe sot, pasi kanë mbetur shumë “tifozë” të tyre, të cilët nuk besojnë tek ai postulati “kur të kërkohen vlerat”. Në botën akademike dhe atë amatore.

           

4.

            Por le të rikthehemi në kohën kur në Shqipëri filluan të hyjnë antologji të poezive të huaja, gjë që në pamje të parë dukej si shpëtim për ata që aspironin artin e poezisë.

            Por nuk doli ashtu: Zgjedhja dhe përkthimi qenë punë e vështirë. I thashë një herë Azem Shkrelit se më pëlqente poeti boshnjak Sarajliç dhe u befasova kur ma ktheu se është fjalëshumë, si poetët rusë, pasi kisha parasysh të kundërtën: përkthimet ma kishin dhënë si konciz. Kujtoj se dikur u mërzita aq shumë nga “Antologjia e poezisë franceze”, sa ia dhashë dikujt që aspironte të shkruante, duke i thënë të mos ma sillte më. Mezi prisja të shpëtoja prej antologjisë që e kisha menduar si shpëtim.

            Në të vërtetë, ia kërkova kohë më vonë: kishte ecur mendimi im për poezinë. Atëherë e pashë se sa shumë i shijoja dy përkthimet e Lasgush Poradecit, edhe pse e dija se nuk do të shkruaja ashtu. Ishin të vetmet që më sillnin idenë e poezisë. Nuk kishin fjalë false, siç shprehej Lasgushi. Qenë poezitë “Mesditë” e Leconte de Lisle (parnasian) dhe “Mulliri i vjetër” e Emile Verhaeren (simbolisti belg). Si shpjegohen vlerat e tyre? Lasgushi u kap te poezia që shihte pranë vetes dhe i shqipëroi ato, duke i rikrijuar. Pra, poezia duhej të tingëllonte e shkruar shqip, sepse i ofronte të vetmen mënyrë të artit që dinte të bënte.

            Vetëm për to e ktheva librin në bibliotekën time. Vazhdoj ta kem.

            Antologjia e poezisë turke, e cila në fillim ngjallte interes, u vjetrua shumë shpejt. Nuk më kujtohet asgjë. Dhe nuk e kam më. Por besoj se qe përkthyer përgjithësisht nga gjuhë të tjera.

            Kanë poetë të mirë, i thashë një herë Rreshpjes, duke pasur parasysh antologjinë e poezisë greke. Nëse do të përktheheshin mirë, ma ktheu. Më vonë u bënë libra më të mirë me poezitë e Kavafit, Seferisit dhe Elitisit, poetë që më interesonin dhe vazhdojnë të më interesojnë. U përkthyen më mirë. Siç thotë Elitisi në fjalimin që mban me rastin e marrjes së çmimit Nobel: na njihni ose ju njohim rreth 10 apo 30 përqindëshit që mbetet nga përkthimi. 

           

5.

            Edhe pse duket e kundërta, kam mësuar më shumë nga poezia shqipe e traditës, sesa ajo botërore.

            Duhet t’i afrohemi gjithnjë e më shumë idesë së sistemit letrar. Asgjë nuk e përcakton më shumë një poet sesa tradita e gjuhës në të cilën ai shkruan. Edhe për të qenë ndryshe, është tradita ajo që të përcakton. Po të mos e kuptojmë këtë, nuk kemi marrë vesh asgjë nga poezia.

            Dukej sikur në Shqipëri nuk do të vinte asnjëherë koha kur poezia të mos ishte në shërbim të diçkaje, por të qëndronte mbi bazën e poezisë si të tillë. Presioni i librave të shkollës, i mekanizmit të vlerësimeve letrare e shtynin më tej këtë horizont. Në vitet ’90 erdhi një brez refuzues, por ishte si thotë populli, pas pilafit. Për mua refuzimi nuk e bënte poezinë dhe këtë e kam ilustruar shpesh me rastin e piktorit Sezanne, që thoshte se donte ta bënte pikturën “artin e muzeve”. 

            Ishte krijuar më kot ideja se poezia shqipe nuk ofronte modele për t’u ndjekur. Kam dëgjuar njerëz duke ulëritur kundër poezisë së Migjenit dhe nuk pranonin asnjë argument tjetër. E pra, ata nuk e dinin se po lexonin Migjenin e Shuteriqit, dhe jo Migjenin Migjen. Modelet mbeteshin për t’u zbuluar vetë. Kush e kishte çuar ndërmend se më shumë të mësonte poezia e Jul Varibobës se sa ajo e një antologjie të tërë të huaj!

            Në një intervistë të hershme (revista letrare Ars), në listën time të vlerësimeve mungonte Camaj, i cili sapo i ishte prezantuar publikut shqiptar. Atëkohë isha nën presionin e mendimit lasgushian: pak poezi. I cili qe shprehur (nga libri “Lasgushi më ka thënë”):

Arti nuk është për të gjithë njerëzit. Është për ata që e ndiejnë. Ose: Ja të marrim poezinë, atë më të mirën. Pjesa më e madhe e njerëzve nuk e di as që ajo ekziston. Një pjesë e ka dëgjuar, por nuk e ka lexuar. Një pjesë e do, e lexon, por nuk e ndien, nuk e kupton dhe e harron. Ose: Po artisti për ne krijon? Jo. Krijon për vete. Tjetër punë, pastaj, nëse krijimi i tij na kënaq edhe ne. Ose: Mos e bëri Danteja poezinë e Beatriçes, që të kënaqte Beatriçen? Beatriçja, edhe në ka ekzistuar, as e ka lexuar, se mos do të ketë ditur shkrim… Ose: Poezia duhet të jetë cilësi, jo shumësi. Mos ki frikë, se ke shkruar gjithë jetës sate vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh po të kesh shkruar njëqind poezi. Ose: Sot, këtu dhe në tërë botën shkrimtarët shkruajnë shumë, se me ato shkrime fitojnë para, sigurojnë jetesë të mirë, blejnë nga katër palë pantallona.

Kështu, Lasgushi inicionte poezinë e zërit të parë: poeti që i drejtohet vetes ose askujt. Apo poezinë për lexuesin model, sipas konceptit të njohur të Eco-s.

            Kur janë angazhuar, kur kan dashur “të thonë” diçka, Lasgushi dhe Rreshpja kanë shkruar poezitë e tyre më të dobëta. Rreshpja që duket sot si poet shumë i popullarizuar, shpesh paraqitet me poezitë që ai i hiqte nga botimet e veta.

            Lasgushi bënte variante pa fund, duke besuar se ekziston përsosja. Rreshpja mohonte vazhdimisht të shkuarën, duke besuar, po ashtu. se ekziston përsosja. Ai jetonte panikun që i jepte liria e fituar në moshën 50 vjeçare. Por edhe pasigurinë ekonomike, që i ndjek poetët si ai.

            Camaj ishte ndryshe: paniku i tij ishte se çfarë po ndodhte me letërsinë shqipe në përgjithësi, në një moment të vrasjes së lirisë së saj. Poezia e tij shtrihej në tri faza.

            Martin Camaj është shkrimtari që të jep dorë më shumë kur flasim për lëvizjet letrare të shek. XX, sepse poezia e tij tri faza,nga tradicionalja, te modernizmi dhe postmodernizmi.

            Antiheroizmi dhe vargu i lirë, karakteristika të modernizmit, shqiptohen në vëllimin Njeriu më vete e me tjerë. Për të treguar vështirësinë e interpretimit të kësaj poezie, Arshi Pipa shprehet: Ato janë të shkurtra, duke hequr mënjanë zhavorrin narrativ që karakterizonte Legjendat. Stili merr një eptim të brendshëm, gjuha është guximshëm më figurative. I ndikuar nga poezia moderniste, poeti e gjen rrugën me të prekur përreth, duke u përpjekur të sajojë një gjuhë pa shembull në letërsinë shqipe. 

            Vepra Dranja, madrigale, e Martin Camajt, do të na jepte ngacmimin për një diskutim të saj si vepër postmoderniste. Postmodernizmi e pranon synimin e njeriut për të krijuar sistem, ndonëse tregon se ato janë konstruksione të njeriut, jo të dhëna një herë e përgjithmonë. Është rishqyrtim, nën dritën e vlerave të reja. Postmodernistët kënaqen duke ripunuar stile dhe forma të vjetra letrare dhe artistike, duke mos dashur të shkëputen plotësisht nga tradita, siç ndodhte me autorët e modernizmit. Fakti se vepra e “tradhton” zhanrin e vet, nuk do të thotë se zhanri nuk ekziston. Kjo bëhet gati të thotë “krejt të kundërtën”, dhe këtë për dy arsye. Së pari, që të ekzistojë si e tillë, kjo shkelje (thyerje) kërkon një ligj – pikërisht atë që duhet të shkelet. Së dyti, shohim se norma e re bëhet e dukshme, duke iu falur shkeljeve (thyerjeve) të saj.

           

5.

            Është koha (në mos ka kaluar) për të folur për një letërsi postideologji, me markën e postmodernizmit, që ka një peshore tjetër nga pikëpamja e poetikës, e parë shpesh edhe si një metapoezi, apo desakralizim i gjinisë, ku:

– Kërkesa nga ana intelektuale përcakton një stil letrar përfshirës (duke thithur edhe lexuesin e prozës, siç pat teorizuar E. Pound-i), siç pat kthyer Eliot-i historinë e nxjerrë jashtë nga simbolistët;

– Dekanunizimi i standardeve kulturore, veprave dhe autoriteteve të mëparshme përcakton mohimin e autoritetit të autorit, zhvlerësimit të qëllimeve dhe synimeve të tij;

– Shmangia e seriozitetit dhe e përgjegjësisë, duke nxitur arbitraritetin dhe lojën, argumenton që kuptimi është i papërcaktuar, duke mohuar një interpretim përfundimtar apo të parapëlqyer, përzien zhanret, zhvesh kontekstin, duke e zvogëluar përmbajtjen te një minimum i rreptë;

– Kundërshtimi i së pritshmes, duke e tëhuajtur me qëllim lexuesin, përcakton shkatërrimin e burimet e veta me parodi, ironi, pastiche, si dhe fragmentimin e teksteve, duke i kthyer në kolazhe e montazhe; apo: Meqë poezia është një art intertekstual, ndërtimi i një teksti të ri mbi shtresat e teksteve të vjetra, përcakton funksionimin si një realitet i ri artistik, pra si një tekst i ri poetik, që të kujtonte parimin e përmendur të poetikës së “kaleidoskopit”, përshkuar nga “ironia intertekstuale”.

7.

            Po aq e rëndësishme sa përcaktimi i poetikës, mbetet analiza tekstuale.

Kur Frederik Rreshpja kishte shkruar për realizmin socialist, ishte brohoritur dhe ishte futur nëpër antologji. Pas viteve ’90, pas 15 vjet mungese nga përjashtimi që i bëri politika, kur shkroi lirika për një lexues të nënkuptuar – pra këndoi si zë i parë, vetëm për vete – ai nuk pati pritje, as nga lexuesi, as nga kritika. Ndryshe nga poetët e tjerë të realizmit socialist, u la mënjanë. Sot e kësaj dite, ai mungon në kurrikulat mësimore të gjimnazit. Rrjedhimisht, nuk njihet as në universitet.

E kundërta ndodh në Kosovë: atje është i përfshirë në kurrikulat mësimore të gjimnazit. Ndërsa Dritëro Agolli nuk është. Ky ilustrim na tregon se lexuesi i nënkuptuar, për të cilin ka shkruar Rreshpja, është aktivizuar në Kosovë, por jo në Shqipëri.

Gjithashtu, kjo na tregon se Agolli shkruan për atë lexues që ka pasur gjatë periudhës së realizmit socialist, të cilin nuk e gjen në Kosovë.

Për atë që di se si funksionon natyra e letërsisë, teoria letrare moderne, që vepron në liri, e ringjall dhe e dinamizon sistemin letrar të produktit letrar të një gjuhe. Ajo zgjon vlerat e mirëfillta letrare dhe i shpalos mundësitë e tyre, duke e vendosur vetë lexuesin përballë tekstit, pa politikë e ideologji. Një vepër letrare duhet të konsiderohet një unitet organik, pjesët e ndryshme të të cilit janë në një lidhje të një tensioni harmonik me njëri-tjetrin. Është detyra e lexuesit të njohë dhe shprehë këtë harmoni.

Ky është “close reading”: teksti është i izoluar nga çka e rrethon dhe nga rrethanat, qofshin ato historike, biografike, sociale ose politike. Ky izolim është përmbledhur në sloganin “vetëm fjalët në faqe” dhe mund të krahasohet me praktikën e “interpretimit imanent (të brendshëm)”.

Interpretimi i veprës nuk përqendrohet mbi përvojën e një lexuesi të vetëm, por në historinë e receptimit të veprës dhe marrëdhënies së saj me normat e ndryshueshme estetike dhe ngulitjen e pritjeve që e lejojnë atë të jetë e lexueshme në kohëra të ndryshme.  

– Veprat letrare nuk shfaqen si me magji në një skenë të zbrazët;

– Kur një lexues hap një libër të ri, tanimë ka lexuar disa të tjerë dhe ka zhvilluar disa supozime se ç’është dhe ç’duhet të jetë një libër;

– Teksti i ri do lexohet dhe kuptohet përkundrejt sfondit të këtyre supozimeve.

Cila është lidhja e tij me këto supozime ekzistuese: i përmbush ato, apo i kundërshton, duke modifikuar dhe duke zgjeruar kështu horizontin e pritjes për veprat e ardhshme?

Vetëm veprat që prishin dhe modifikojnë pritjet e lexuesve mund të konsiderohen letërsi e madhe; tekstet që thjesht plotësojnë supozimet e mëparshme i përkasin një mjeshtërie, por jo artit.

Kjo nënkupton atë që u quajt lexuesi i nënkuptuar. Që Umberto Eco e quajti lexuesi model. Ose lexuesi i nivelit të dytë.

Lexues i nënkuptuar do të thotë se çdo lexues duhet të marrë përsipër që të realizojë potencialin e ofruar nga teksti. Tekstet bëhen të gjalla vetëm duke u lexuar: është e nevojshme që ato të konkretizohen në “aktin e leximit”. Lexuesit motivohen të marrin pjesë dhe të rrokin pikëpamjen e prodhuar nga teksti.

– Rrëfimet krijojnë boshllëqe të cilat lexuesi duhet t’i plotësojë;

– Tekstet i provokojnë lexuesit që të mendojnë për vazhdimet e mundshme;

– Veprat moderne letrare shpesh kanë një fund “të hapur” i cili nuk zgjidh të gjitha misteret dhe lë pa përgjigje pyetje të rëndësishme që mund të bëjnë lexuesit.

Ajo që e bën një tekst letrar nuk janë “fjalët në faqe”, por një konkretizim i asaj që është lënë të kuptohet në tekst dhe ndërveprimit midis lexuesit dhe të dhënave të papërpunuara të tekstit.

I përdorim këto kritere vlerësimi për të bërë një analizë kritike krahasuese mes vetë produktit letrar të poetit Agolli dhe bashkëkohësit të tij, Frederik Rreshpjes, i cili ndryshe nga i pari, gjithë këto vite i jetoi në burgjet politike, prandaj nuk mund t’i përgjigjej më platformës politike dhe ideologjike.

            Një shembull:

Një shelg i vetmuar, mbuluar me dimër

Braktisur nga zogjtë dhe gjethet:

Era si ketër kërcen mbi drurin

Me boçen e shiut ndër dhëmbë.

Netët e lumtura, si zilka

Tringëllijnë në degët e kujtesës…

Vizatohen në sfond të vetëtimave

Hënëzat që hëngrën dhentë e vjeshtës.

Rënë nga xhami i thyer i qiellit

Kristal i akullit yllëzon netëve

Dhe mbi pastelet e borës mardhet

Shelgu i trishtuar, fatkeq si Serembe.

            (Vinjetë)

Çfarë do të thotë:

Vizatohen në sfond të vetëtimave

Hënëzat që hëngrën dhentë e vjeshtës.

Apo:

Era si ketër kërcen mbi drurin

Me boçen e shiut ndër dhëmbë.          

     Nga denotacioni i fjalëve te poeti i parë, kemi kaluar te konotacioni i fjalëve te poeti i dytë. Këto formulime nuk janë të përdorimit të përditshëm, prandaj, fillimisht, e hutojnë lexuesin. Fjalët ketër, shi, erë etj., nuk na vijnë me kuptimin që kanë në fjalor. Poezia është plot ambiguitet. Kujtojmë se çfarë thamë më lart: ajo që e bën një tekst letrar nuk janë “fjalët në faqe”, por një konkretizim i asaj që është lënë të kuptohet në tekst dhe ndërveprimit midis lexuesit dhe të dhënave të papërpunuara të tekstit. Në këto vargje gramatika është zhveshur nga synueshmëria e saj: është shndërruar në prozodi, një përthyerje që zgjat sa për të paraqitur fjalën si mister. Përthithësi i poezisë përplaset te Fjala, ballas, dhe e merr atë të shoqëruar me të gjithë mundshmërinë e saj. Çdo fjalë poetike bëhet objekt i papritur, nga ku brofin aftësitë finoshe të ligjërimit. Shohim se rrëmbimi i ligjërimit për autonomi shkatërron çdo rëndësi etike. Mbrujtja e poezisë vjen vetëm si efekt strukture – pa përfillur përmbajtjen e ligjërimit – pa u ndalur në përforcimin e një ideologjie.  

Në mënyrë që të zhvillohet takimi pasurues me tekstin, duhet të jemi të kujdesshëm kur i afrohemi atij. Për këtë arsye, pritet që të çlirohemi nga:   

– përpjekjet për të parafrazuar një vepër arti, gjë që është quajtur “herezia e parafrazës”

– supozimi se një tekst është identik me qëllimet e autorit të tij (ky gabim quhet “gabim i qëllimshëm”),

– dështimi për të bërë dallimin mes vetë tekstit dhe efekteve psikologjike që ai shkakton mbi lexuesit e saj (“gabim afektiv”).      

“Gabimi afektiv” fillon nga përpjekja që nxjerr standardin e kritikës nga shkaqet psikologjike të poezisë dhe përfundon në biografi dhe relativizëm.

Ky proces leximi është analizë e mënyrës se si funksionon një tekst letrar. Shkrimtarët dhe poetët ndërtojnë tekste nga shumë komponentë qendrorë, duke përfshirë temën, formën dhe zgjedhjet specifike të fjalëve, dhe analiza letrare përfshin shqyrtimin e këtyre komponentëve, gjë që na lejon të gjejmë në pjesë të vogla të tekstit të dhëna për të na ndihmuar të kuptojmë tërësinë.

Procesi i leximit të mbyllur duhet të prodhojë shumë pyetje.

Ky proces leximi është për të gjetur sa më shumë informacion – Bukuria është informacion, thotë Juri Lotman –  në mënyrë që të formohen sa më shumë pyetje. Një hulumtim i vogël mbi formën dhe çfarë kuptimi mund të kenë forma të ndryshme e bën më të lehtë të kuptohet pse dhe si janë të rëndësishme zgjedhjet e autorit. Shikimi më nga afër i tekstit na ndihmon të përsosim vëzhgimet dhe hamendjet tona.

            Gjetja e fjalës së zgjedhur të një teksti na ndihmon të “gërmojmë” gjithnjë e më thellë. A ka fjalë që bien në sy te shembulli më lart? Bie në sy vendosja e tyre: çdo fjalë është e rëndësishme.

            Era si ketër kërcen mbi drurin, kërkon imagjinatën tonë. Era nuk është më fjala që e gjejmë në fjalor. E ka zëvendësuar Era si ketër kërcen… Kodi ligjërimor metaforik – një përdorim poetik i gjuhës. Jashtë imagjinatës është e pamundur që A të jetë B, pa pushuar së pari të jetë A. Metafora jo vetëm që e mohon këtë, por e tregon dhe e miraton që ajo mund të jetë: pra, afirmon çfarëdo që mund të bëjë imagjinata.

E njëjta gjë ndodh me: Me boçen e shiut ndër dhëmbë.

Fjalët çlirohen nga kuptimet e tyre parësore – kuptimi që kanë në fjalor – dhe marrin kuptime të reja. Ato nuk shenjojnë botën e jashtme, por aktet e intuitës poetike. Kështu krijohet një poezi me shumë informacion. Kemi një objekt më shumë në botë, sesa një pasqyrim të botës.

Theksojmë se arti nuk është i vështirë sepse dëshiron të jetë i tillë, por sepse dëshiron të jetë art. Kemi synimin e artit për të përtërirë një gjuhë të varfëruar nga stërpërdorimi.

Protokollet e leximit në Shqipëri vuajnë reminishencat e të shkuarës së largët dhe të afërme dhe tërheqin vëmendjen për rishikimin sa më të shpejtë të kurrikulave shkollore. Në fakt, ky është një diskutim i vonuar për letërsinë shqipe, sepse duhej të qe zhvendosur në fillimet e modernizmit. Arsyeja e vonesës së tij i paguan haraçe pikërisht mënyrës se si e kemi parë dhe e shohim letërsinë të lidhur me historinë, duke harruar se këto disiplina janë ndarë prej kohësh.

           

8.

            Arrijmë në përfundimin se poezia shqipe e pas ’90-tës i pati punët pisk me shqipen, e cila ishte korruptuar nga realizmi socialist, me ndërhyrjet e shumta ideologjike. Frederik Rreshpja qe poeti që bëri më shumë se askush për kthimin te lirika e pastër. U desh shumë punë për t’u kthyer tek ideja se qëndrimi lirik nuk mëton të bindë të tjerët. Ai vetëm sa u ofron të tjerëve një mundësi për të marrë pjesë në atë që ai ndjen dhe përjeton. Në gjendjen e tij lirike, njeriu nuk ka nevojë për kënd tjetër. Nëse, në vetminë e tij, ai nuk i kthehet dhe nuk i flet ndokujt, tjetri nuk është armiku i tij.

            Ky qe kthimi te zëri i parë, karakteristikë e lirikës: poeti i flet vetes ose askujt.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.