NJË TREGIM DHE DY ANALIZA

ANALIZË KRITIKE E TREGIMIT “PARA BANJËS”, TË ISMAIL KADARESË

KLOIDA GJUZI

Një tregim me gjetje nga më befasueset, ndonëse zhvillohet brenda vetëm dy faqeve. Kjo përligj teorinë e kohës narrative postmoderniste, sipas së cilës shkrimi postmodernist zakonisht është jolinear. Në rastin konkret, koha ngjishet dhe “kërcen” para e prapa, me një personazh që rijeton disa herë një moment çdo herë të ndryshëm.

            Një ngjarje e lashtë, që rishfaqet pa bujë në të sotmen e njerëzimit, i drejtohet një audience aktive në krijimin e kuptimit. Prej metafiksionit, intertekstualitetit, kohës jolineare, tregimi sfidon pritshmëritë tona si audiencë, këtë herë postmoderne (e cila në teori e praktikë s’ka kufij) dhe “kërkon” përmes tekstit që të angazhohemi në një mënyrë më komplekse dhe pjesëmarrëse.

            Sa më shumë fjali lexon, aq më shumë shtohet mendimi (dhe dëshira) se fjalia pasardhëse do ta zgjidhë “lëmshin” dhe më në fund e gjithë skena do të ketë kuptim, në atë mënyrë që e kemi menduar deri më sot kuptimin, por kjo nuk ndodh. Narratori luan me këtë pritshmëri dhe dëshirë për një rrëfim koherent, duke e angazhuar audiencën në një eksplorim të vetëdijshëm të vetë aktit të leximit.

            Narratori e bën procesin e leximit më bashkëpunues e dinamik, gjë që thekson subjektivitetin dhe shumëfishimin e kuptimit. 

            Mbase, gjithçka mund të kishte qenë më e thjeshtë, në aspektin e kuptimit dhe besueshmërisë, në rast se nuk do të kishim një zë të vetëm. Por kemi një zë të vetëm narrativ, që vazhdimisht ndryshon dhe minon autoritetin e vet. Prej asaj që ai rrëfen dhe mënyrës sesi e bën atë, besueshmëria e tij vihet në pikëpyetje. Ai na paraqet informacione kontradiktore, jokonsistente duke e vënë vazhdimisht në dyshim vërtetësinë e ngjarjes së paraqitur. 

            Kjo, duke rithënë vazhdimisht një version të ri (perceptim më tepër) për të njëjtën ngjarje, na hedh tek rrëfimi vetë-refleksiv, që mjegullon linjat midis botës imagjinare dhe vetë aktit të rrëfimit. Ky i fundit pranon artificialitetin e megjithatë vendos të na rrëfejë ashtu, pa shumë kuptim në dukje, duke na lënë të kuptojmë vetërefleksivitetin e sipërpërmendur, që e ngacmon audiencën për të vënë në dyshim natyrën e tregimit realist, me të cilin jemi ushqyer deri më sot.

            Kryekëput tekstit nuk kemi kufij fokusimi, as sfondi, as tematike apo për sa i përket pikëpamjes së vlerave. Përqendrimi është vetëm në tregim, aq sa ai na ofron, dhe që mund të jetë kudo dhe në çdo kohë. Përmes gjuhës dhe mënyrës si ajo përdoret, në mungesë të një rrëfimtari autoritar, të gjithëdijshëm (që ka të bëjë me kufijtë e fokusimit), ne eksplorojmë vijën ndarëse ndërmjet asaj që na “shitet” si realitet, asaj që mund të jetë fiksion, si dhe asaj që (pjesërisht a plotësisht) mund të ketë ndodhur vërtetë.

            Qëllimisht e përdora foljen modale “mund” kaq shumë, sepse logjika postmoderniste na e pranon, se gjërat nuk duhet të jetë “reale” për të qenë “të vërteta” dhe se e tërë vepra na paraqet një realitet para së gjithash gjuhësor. Kjo rrjedhimisht ngre dyshime a hedh poshtë narrativat e mëdha që pretendojnë se shprehin një të vërtetë universale. 

            Thënë kjo, është e vështirë të kuptojmë një temë bosht, siç jemi mësuar me prozën realiste, që të na mbajë përgjatë tregimit. Dhe kjo nuk është rastësore: tregimi qëllimisht u reziston pikave qendrore fikse, sepse kjo mënyrë i lipset për një eksplorim më të hapur dhe më të fragmentuar të perspektivës së personazhit të tij. 

            Ky i fundit është “huazuar” nga mitologjia greke dhe na vjen në shekullin XXI, ku shohim një burrë të ditëve tona të zhytur në gjumë-vdekjen e tij, në ngadalësinë dhe flashkësinë e lindur, në gabimin dhe pësimin e tij: në brerjen e pandërprerë të ndërgjegjes për një mbrapshti që nuk e kapi dot në të gjallë të vet. Deri në fund të tregimit ne nuk dimë asgjë për të, përveç faktit historik (apo mitologjik) se ka tradhtuar gruan e tij dhe kjo duket se mjafton për të krijuar personazhin arketipal, i cili duket se është subjekt i një force të jashtme, jashtë kontrollit të tij.

            Për ta përmbyllur, për gjithë sa më sipër, është e vështirë t’i asociojmë këtij tregimi nocionin e zhanrit. Autori ka ekperimentuar me zhanre hibride, duke mos na lënë ta identifikojmë vetëm me një të tillë. Kështu, duke zbërthyer kufijtë e zhanrit, ai vë në dyshim idenë e kategorive fikse dhe na fton ne si lexues të angazhohemi në mënyrë kritike me zhanrin, si një konstrukt social dhe kulturor.

* Autorja është studente e vitit I, master shkencor (Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës) 

MIKELA HAMALLI

Në tregimin “Përpara banjës” ndodh shqendërzimi, besohet në rënien e qendrës: një histori e thjeshtë, po e njëjta vrasje në banjë, në vaskë, rrëfehet në 5-6 mënyra të ndryshme. Përmes këtij tregimi, Kadare, duke përdorur teknika të caktuara, nuk hedh ndonjë dritë të veçantë mbi ngjarjen, por mban një qëndrim ndaj mënyrës se si rrëfehet një histori.

Si tregim i postmodernizmit, ai nuk njeh kufij audience, nuk u drejtohet në veçanti intelektualëve e të mirarsimuarve, apo njerëzve që e shohin letërsinë si zbavitje, por lexuesve që mendojnë mbi implikimet e asaj çfarë thuhet për narrativat.

Ashtu siç nuk ka kufij audience, po ashtu tregimi nuk njeh kufij fokusimesh, ai përqendrohet vetëm në marrëdhëniet midis njerëzve dhe gjuhës/narrativës.

Po ashtu, nuk ka kufij për sfondet. Si shumë fiksione postmoderniste, tregimi thekson se historia nuk është objektive, por varet se kush e shkruan.

Tregimi nuk ka as përcaktim temash. Ai eksploron vijën ndarëse ndërmjet “realitetit” dhe “fiksionit”, si dhe ndërmjet “realitetit” dhe të “vërtetës”. Postmodernizmi na tregon se letërsia është një shembull i mirë i diçkaje “jo reale”, por që përmban “të vërtetën”. I rëndësishëm është fiksioni i shkrimtarit, jo ngjarja dhe në të paraqitet sfida midis historisë dhe fiksionit. Shkrimtari postmodernist beson te rrëfimi i tij, por këto rrëfime nuk janë fikse dhe kështu mund të ndryshohet, ndaj vrasja në tregim paraqitet në disa versione, që shprehin lloje të ndryshme të “së vërtetës”.

Në këtë tregim nuk kemi praninë e vlerave fikse. ”E vërteta” brenda tregimit është relative, asnjë version i ngjarjes nuk mund të jetë e vërteta, sepse në postmodernizëm nuk ka të vërteta absolute. Edhe e ”E vërteta”, edhe morali janë relative.

Koha në tregim është e pakapshme, jolineare, paraqitet e fragmentizuar ashtu si fragmentet e pakapshme të vrasjes së Agamemnon Atridit të vrarë nga e shoqja ditën e parë të kthimit të tij nga fushata e Trojës.

Rrëfimi ndodh vazhdimisht në vetën e tretë, ndryshe nga modernizmi që parapëlqen vetëm e parë:

Ai iu afrua vaskës me ujë të ngrohtë, lëbyri sytë nga kënaqësia (sa herë e kishte ëndërruar këtë vaskë në tendën e ftohtë të fushimit!) dhe në çastin kur po fuste njërën këmbë në ujë, ktheu kryet nga e shoqja, që po i vinte pas. Ajo kishte ende në fytyrë atë buzëqeshjen pakëz të zhvendosur, po, më tepër se buzë-qeshja, atij i tërhoqi vëmendjen ndriçimi metalik i diçkaje, që vetoi midis pëlhurës, që e shoqja e mbante në dorë. Meqenëse gjithë trupi i tij e kishte marrë ndërkaq kahjen e lëvizjes, ai u fut në vaskë, po kureshtja, megjithatë, e bëri të kthente përsëri kryet për të parë se ç’ishte ajo gjë metalike.

Si tipare të stilit që evidentohen në tregim mund të veçohen:

• Lexuesit i tërhiqet vëmendja për atë që po lexon

• E njëjta histori tregohet në perspektiva të ndryshme, duke çuar përpara qasjen moderniste të narrativave paralele

* Autorja është studente e vitit I, master shkencor (Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës)


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.