Filozofia si dashuri per veten

Foto ilustruese

Përshtypje rreth veprës “Letra nga një stoik” “Qetësia e mendjes” nga Seneka. Si po e shëron mendimi stoik i Senekës gruan që po vuan dënimin në qeli, në Pojskë të Pogradecit?!

Marsela Pushani*

Filozofi do të thotë dashuri për dijen, por nëpërmjet veprës së Senekës shndërrohet në dashuri për veten, e që këtu ku jemi, është thelbësore për mbijetesë. Ky është kuptimi i veprës së tij.

Mes këtyre hekurave, filozofia më bën të zbuloj të pandërgjegjshmen në të gjitha format e saj; më bën të lexoj brenda shpirtit, pasionet që luftojnë brenda tij; më bën t’i sundoj e t’i kthej në estetikë.

Filozofia edukon dhe formon shpirtin, rregullon jetën. Çdo ditë këtu kërkon orientim, të cilin e gjej tek filozofia, e sidomos tek mendimi i Senekës, sepse çdo orë e çdo çast sjell rrethana të panumërta që kërkojnë motivim dhe qetësi.

Vepra e Senekës është një dialog midis një qenie empirike dhe një qenie inteligjente në përpjekjen për të njohur veten. Seneka e shpreh mendimin e tij filozofik nëpërmjet letrave që të jetë më i kuptueshëm dhe të depërtojë më thellë tek lexuesi që është i pakohë, jo vetëm bashkëkohësi i Senekës.

Idetë e tij filozofike i shtron në mënyrë të natyrshme përmes një gjuhe e sintakse të thjeshtë e të zakonshme, por këto ide kanë një vertikale që prek thellësitë e përmbajtjen dhe ekzistencës njerëzore që është e përjetshme.

Nërpërmjet letrave shtron pyetje që lidhen me virtytin, me kohën, me rrugën drejt lumturisë dhe qetësisë. Filozofia, – thotë Seneka, – nuk është art që ndiqet për bujë, ndërsa për mua filozofia është forma më e epërme e shpirtit. Këtu ku jemi është shpirti që duhet ushqyer dhe virtyti i cili brenda sfidave nëpër të cilat na ka hedhur jeta, duhet forcuar. Ajo që Seneka do që ne të kuptojmë ka të bëjë me kohën. Ta marrim në dorë kohën që në mënyra të ndryshme na ka rrëmbyer ose e kemi humbur vetë. Duhet të mos e shpërdorojmë sepse koha që japim është një borxh që nuk na kthehet. Në gjendjen ku jemi është thelbësore të kuptojmë që tani e më pas e kemi në dorë veten tonë e kohën dhe se ky është pushteti i vetëm dhe i vërtetë që kemi.

Nuk duhet ta harxhojmë kohën duke u përpjekur të imitojmë të tjerët, duke mos u kënaqur me atë që jemi e që mund të jemi, por t’i përkushtohemi vetes sepse njeriu e paska më të lehtë ta jetojë jetën duke imituar sesa duke u imituar.

Shumë nga pyetjet që shtron Seneka janë pyetje që secili nga ne ia drejton vetes: Sa të lirë jemi? Kur duhet të bëjmë pakt me veten për ta humbur atë? Sa kompromise duhet të bëjmë me veten për të qenë pjesë e turmës?

Këto janë pyetje që shpesh ia bëj vetes sidomos këtu ku ndodhem.

Po mendoj se pyetja duhet të jetë PSE dhe jo SA: Kompromiset duhen për të mbijetuar, por kështu më shumë humbasim sesa fitojmë sepse do të jemi të detyruar të rrimë mes turmës në pamundësi për të ndenjur me veten.

Seneka na mëson se njeriu është shumë i mirë i vetes dhe një njeri i tillë nuk është kurrë vetëm dhe e përballon turmën.

Seneka na thotë që duhet të largohemi nga lufta e vazhdueshme me veten, nga zemërimi, nga inati që mund të na kapë e që i drejtohet vetes, pasi ky inat dhe kjo luftë vjen nga shkaqe të jashtme, të cilat nuk i kemi në dorë: Ç’kuptim do të kishin gjithë sakrificat që kemi bërë nëse nuk arrijmë që të shpëtojmë veten? Shkaqet e hidhërimit apo mërzitjes këtu ku ndodhemi janë dy: Humbja e asaj që kishim; pozitës, privilegjeve të punës, lirisë dhe të qenit larg nga familja. Filozofia e Senekës nëpërmjet dialogut që krijon me lexuesin, – na thotë se nuk kemi përse të mërzitemi dhe të shqetësohemi sepse pozita, puna a liria do të rifitohen derisa kemi virtyte të cilat na e kanë formuar shpirtin.

Përsa i përket shkakut të dytë, në këtë mërgim fizik dhe shpirtëror është më mirë ta mposhtim dhimbjen sesa ta gënjejmë. Fjala “mërgim” është e ashpër, e egër dhe nëpërmjet konotacionit që i jepet, jemi të prirur ta shohim si diçka të zymtë dhe të neveritshme. Seneka na thotë se ky është verdikti i turmës, por të urtët në përgjithësi e hedhin poshtë verdiktin e turmës. Në çdo pikë mbi sipërfaqen e Tokës nga ku mund të shikojmë qiellin, distanca që i ndan perënditë me njerëzit është e njëjtë.

Shpirti, duke qenë i lirë, është i ngjashëm me perënditë dhe i barabartë në të gjithë universin dhe të gjitha kohët; nuk mund të vuajë në mërgim. Kështu që vepra e Senekës kthehet në një mjet shërimi duke tentuar të shndërrohet në zëvendësuesen e mjedisit jetësor e të kontureve që momentalisht janë larg.

Ndonjëherë na duket sikur fati është kundër nesh e nuk i besojmë edhe kur premton për mirë. Por, Seneka na mëson se nuk duhet t’i druhemi fatit sepse të këqijat nuk kanë vërtetë forcë por e marrin nga dobësitë tona. Nuk duhet ta trazojmë shpirtin nga pasiguria e së ardhmes, përderisa e ardhmja nuk ka ardhur ende.

Mjetet e zgjedhura nga filozofia kanë një finesë të jashtëzakonshme; godasin aty ku duhet. Forca e fjalës qëndron tek ndikimi që ka; tek kurioziteti që të zgjon për të njohur veten. Duke njohur veten kuptojmë se më shumë shkatërrohemi prej lajkave që i bëjmë vetes, sepse prej lajkave që na bëjnë të tjerët. Mes turmës jemi lavdëruesit më të mëdhenj të vetes. Gjithçka e bëjmë për dukje duke humbur thelbin e gjërave. Në luftën për tu dukur humbasim sepse jetojmë në një realitet ku dukja është më e rëndësishme sesa vetë thelbi.

Por, në këtë luftë për t’u dukur, ç’kuptim kanë duartrokitjet e një turme injorantësh? Kjo jetë është e gënjeshtërt sepse synon vetëm ekzibicionizmin. Si mund ta çlirojmë veten nga shqetësimet e mërzia kur mendojmë se jemi gjykuar sa herë na vëzhgojnë. Seneka na mëson se meritat tona shkëlqejnë në brendësi.

Si mund të kënaqemi me veten sepse jemi nga ata që kuptohemi nga turma.

Në këtë teatër që është jeta jonë, të gjithë e kemi një maskë për veten dhe një maskë për shoqërinë. E në këtë shfaqsje që është realiteti ynë, rëndësi ka interpretimi që i bëjmë rolit.

Magjia e kësaj filozofie gatohet me fjalë. Nëpërmjet mënyrës sesi i përcjell idetë filozofika, Seneka i jep karakter afektiv komunikimit.

Vepra e tij kthehet në një partiturë që merr jetë nga ekzekutimi. Një mënyrë e të parit të filozofisë është ajo e çiltërsisë dhe e habisë. Duhet të kuptojmë se habia nuk vjen nga naiviteti. Ajo ndiqet nga meditimi dhe naiviteti vetë është një pafundësi provokuese që ndihmon në zbulimin e botës. Kështu që nga njëra anë ne mrekullohemi dhe nga ana tjetër bëjmë një analizë të thellë të vetes.

Vepra e Senekës arrin të lexojë brenda shpirtit; u kthen përgjigje disa dilemave dhe pyetjeve; arrin të zbërthejë të fshehtat e zemrës dhe bëhet kështu mjeti më i mrekullueshëm i shpëtimit. Nëpërmjet saj zbrapsim goditjet që na jep fati dhe siç thotë Seneka nuk ka privilegj më të madh e më të mrekullueshëm sesa të kesh brishtësinë e një njeriu dhe qeëtsinë e një hyjnie.

*Autorja vuan dënimin në institucionin e edukimit dhe vuajtjes për gratë në Pojskë të Pogradecit.

Kjo përshtypje është bërë në kuadër të konkursit që ka organizuar Instituti Kulturë dhe Edukim për Zhvillim (IKEZH) në bashkëpunim me znj. Enkelejda Fejzo me organizatën AlbAccess Open, dhe drejtuesit e IEPV Pojskë në Pogradec me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Me këtë rast, drejtuesi i organizatës IKEZH, Albert Gjoka ka dhuruar disa libra për gratë e dënuara.   

(Foto nga ceremonia e organizuar në Pojskë, ku u vlerësuan përshtypjet më të mira që kanë sjellë lexueset)

Më poshtë është mesazhi që drejtuesi i IKEZH ka dërguar për ceremoninë e zhvilluar më datën 6 mars 2025 në Pojskë

Të nderuara zonja!

Unë që po ju shkruaj jam Albert Gjoka, menaxher i librit dhe një nga mbështetësit e nismave për rritjen e bashkësisë së lexuesve kudo, në të gjithë vendin.

Sot do të doja të isha këtu, mes jush, për t’iu uruar për Ditën e Gruas; për të ndarë që nga ky mjedis i rrethuar me mure të larta, kënaqësinë e veçantë se ka kudo shpirtëra të lirë; ka lexues që besojnë se leximi është një terapi e fuqishme për mendjen njerëzore; ka gra që besojnë fort se libri mund ta ndryshojë për mirë jetën e secilit prej nesh.

Jo thjeshtë si librashitës, por si “tregtar shpirtrash” dhe si lexues, është përherë ndjesi e veçantë kur takohesh me të përngjashmit tuaj. Unë dua të falënderoj shumë të gjitha zonjat dhe zonjushat që morën pjesë në këtë garë të bukur leximi: Marsela Pushani, Marjana Cmeta, Anife Golemin dhe Arjana Lleshaj, – ju shpreh mirënjohjen e thellë për ato fjalë që keni shkruar! Falenderimet shkojnë edhe për Enkelejda Fejzon, si mbështetëse e pakursyer e Bukinist-it dhe një mike e mirë e imja që ka qenë përherë në krah për të promovuar librin dhe leximin.

Ju ndodheni këtu, në një vend ku askush nuk do të donte të ishte. Jeta ju ka sjellë një moment që nuk është jeta juaj. Secili prej nesh mund ta humbasë një lojë, por jeta është një lojë e pafundme dhe e nesërmja ka planifikuar gjëra të bukura për ju; mjaftoni që të ëndërroni dhe të besoni, – sepse keni njerëz që ju presin: Keni prindër dhe fëmijë, vëllezër dhe motra, nipa dhe mbesa që ende besojnë fort tek ju.

Edhe sikur të mos keni askënd, – ju keni këtu librin, – mjetin më të magjishëm për t’u arratisur, sa herë që realiteti ju lëndon, ju dhemb apo ju vret. Këtu do të gjeni ata miq të zgjedhur dhe të çmuar, të cilët nuk ju gjykojnë për atë që keni bërë, nuk ju ndëshkojnë dhe nuk ju harrojnë.

Këto janë librat që kanë ndihmuar edhe ata që kanë qenë në burgjet e Aushvicit apo Gulagut komunist, kanë qenë në rrëpirat më të thella të jetës njerëzore dhe fletët e librave ju kanë dhënë dorën çdo nevojtari, – u kanë folur me zemër dhe me mendje atyre që kanë kaluar në çdo faqe shkronjash të zeza në të bardhat fletë.

Edhe ju i keni sot ato mundësi, që të mos i grisni ditët në zymti dhe të mos e zvetnoni jetën tuaj në heshtje. Keni një varkë shpëtimi. Më besoni për këtë!

Kam pasur rastin të njoh dy njerëz që kanë pasur të njëjtën fatkeqësi si ju, por kanë zgjedhur të çlirohen nga prangat dhe izolimi i qelisë së ftohtë përmes librit. Kur janë kthyer në jetën reale, ata janë bërë leximtarët më të zellshëm dhe shpirtrat më të lirë, janë bërë njerëz të mrekullueshëm që e kanë kthyer lirinë në mundësi për të zhvilluar veten dhe për të ndihmuar të tjerët. Ata që lexojnë e njohin më mirë veten e tyre, kuptojnë më mirë dhe dinë të falin. Fuqia e librit e bën secilën prej jush që të jetë e vërtetë dhe e sinqertë për të pranuar gabimet që ka bërë në jetë.

U zgjata paksa, por pranoni nga ana ime një dhuratë modeste për lexueset më të mira të këtij vendi. Janë disa libra që shpresoj dhe besoj se mund të lehtësojnë disi dhimbjen, mund t’ju ngushëllojnë disi në vuajtje, mund t’iu sjellin rreze drite në ditët që kaloni këtu dhe mund t’ju bëjnë të shpresoni se e nesërmja do të jetë më e mirë.

Nëse do të keni nevojë për më shumë libra, Enkelejda dhe unë do të jemi sërish pranë jush. Jo vetëm libra por edhe mbështetje.

Së fundi, dua të falënderoj drejtuesit e qendrës së vuajtjes së denimit në Pojskë dhe t’ju kërkoj t’i hapin dyert e këtij institucioni për librat, për autorët dhe për shembujt që motivojnë këta njerëz që nesër do të kenë forcën për të pranuar të shkuarën e tyre dhe për tu bërë familjarë dhe qytetarë më të mirë.

Nga bashkë-leximtari i juaj!

Dr. Albert GJOKA

Drejtor Ekzekutiv i Institutit Kulturë dhe Edukim për Zhvillim

Tiranë, më 4 mars 2025


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.