SI TA LEXOJMË LETËRSINË SHQIPE

Poetika e romantizmit

Gazmend Krasniqi

Meqë romantizmi e përcaktoi veten si modernitet qysh se u rreshtua në kampin që donte të sfidonte tradicionalen[1] (ishte një nga të parët që debatoi me traditën e madhe klasiciste, e cila kishte sunduar aq gjatë letërsinë dhe kulturën evropiane),[2] le të përpiqemi të japim një tipologji që ndërton poetikën e tij si drejtim letrar që prin realizmin, modernizmin dhe postmodernizmin, të cilët do ta pasojnë kur t’u vijë koha, sigurisht duke pasur si model romantizmin në përgjithësi.

            Analiza do të ngrihet mbi tekstet e De Radës, Naim Frashërit dhe Serembes, si romantikë tipikë, por edhe të të tjerëve që e nisin nga frymëzimet romantike, si Mjedja, Çajupi, Fishta, Zef Skiroi etj. Analiza synon paralelen me tekste të romantizmit evropian, perëndimor dhe lindor, dallimet e të cilëve i kemi parë tashmë.

            Vërejmë se qasja nuk është vetëm e brendshme, pasi një pjesë e pikave të skemës janë rrugë të jashtme të studimit të letërsisë (audienca, fokusi, sfondi).

            Audienca

  • Njerëz që po mësojnë shkrim-këndimin, që thellojnë arsimimin dhe tregojnë interes në rritje për ngjarjet politike, me rëndësi kombëtare apo thellimin e individualitetit. Këtë e tregon pritja e veprave si Milosao, Bagëti e Bujqësia, Historia e Skënderbeut, Lahuta e Malcis, lirikave të Çajupit apo Ndre Mjedjes.

            Fokusi

  • Romantiku është i pakënaqur me shoqërinë apo me stadin historik dhe ikën në kultura të tjera, në të kaluarën, në mite apo natyrë (Milosao, Bagëti e Bujqësia, Historia e Skënderbeut etj.). Ose, në rastin kur nuk ikën, bëhet introspektiv, hulumtues i ndjenjave dhe emocioneve të veta (Serembe etj.).

Sfondi

  • Një aspekt natyre e paprekur nga qytetërimi, një aspekt historie apo miti, ku mbizotërojnë ende virtytet e larta njerëzore Milosao, Bagëti e Bujqësia, Historia e Skënderbeut, Lahuta e Malcis, lirikave të Çajupit apo Ndre Mjedjes. Ose, në rastin e mosikjes, një pamje e introspeksionit lirikat e Serembes etj.)

Temat

  • Hulumtimi i ndjenjave dhe emocioneve që mbështesin karakterin individualist.

o   Natyra, një burim bukurie, një medium përmes të cilit shfaqet fryma e universit, ndihmon që të shprehen ndjenjat. Roli më i rëndësishëm i saj është paraqitja e gjendjeve shpirtërore të autorit apo heroit lirik, sepse aftësia për të ndjerë i zbukuron njerëzit.

o   Evidentimi, përmes nostalgjinë, i vlerave të humbura

o   Refuzimi i sistemeve abolutiste dhe zgjimi i ndërgjegjes kombëtare

o   Përditshmëria dhe ekzotika, në një kombinim paradoksal

Vlerat

  • Romantikët sfidojnë vlerat sociale dhe morale të kohës së tyre.
  • Kremtojnë personalitetin heroik si në plan kombëtar, ashtu edhe ndaj vendeve të shtypura, veçanërisht në përkushtimin ndaj kauzave të lirisë dhe barazisë.

            Personazhet

  • Një nga arritjet artistike të romantizmit shihet zbulimi i vlerës dhe kompleksitetit të pashtershëm të personit njerëzor. Romantikët e perceptojnë njeriun në një kontradiktë tragjike – si kurora e krijimit dhe si një lodër në duart e forcave të panjohura për të; por nganjëherë pasioneve e tij.
  • Heroi romantik mbetet i vështirë për t’u përcaktuar, aq sa e vështirëson edhe përcaktimin e vetë këtij drejtimi letrar, sepse kemi:
  • kulti i individit dhe nënshtrimi social (përballë turmës)
  • fantazia (në paraqitjen e heronjve mitologjikë apo historikë) dhe realizmi (në gërmimet e brendshme të individualizmit romantik)
  • aktualja (individi me ndërgjegjen e traumatizuar) dhe arratisja në të kaluarën (glorifikimi i heronjve të së shkuarës, të një epoke me virtyte) entuziazmi titanik (te heronjtë mitologjikë apo historikë) dhe depresioni melankolik (i individëve romantikë)                      

Koha 

  • Po të shohim te lirika, si një shumë përjetimesh, ndjenjash e emocionesh, nuk mund të kërkojmë përdorimin e kohës. Te Milosao, që De Rada e quajti roman lirik, koha është plot kapërcime, sidomos përmes ëndrrash, dhe në këtë mënyrë bën thyerjen e tij nga mimesisi historik.

Narratori 

  • Imazhi i heroit është shpesh i pandashëm nga elementi lirik i “Unit” të autorit, duke rezultuar ose në një mendje me të, ose i huaj. Gjithsesi autori-narrator merr një pozicion aktiv në një vepër romantike; rrëfimi tenton të jetë subjektiv, i cili gjithashtu mund të manifestohet në nivelin kompozues – në përdorimin e teknikës “histori brenda një historie”. Shembullin më të qartë të kësaj e jep Milosao, ku historia vetjake zhvillohet brenda një historie më të madhe, siç është mbrojtja e atdheut nga pushtuesi.
  • Subjektiviteti, si një cilësi e përgjithshme e tregimit romantik, nuk nënkupton arbitraritetin e autorit dhe nuk heq “sistemin e koordinatave morale”.

            Stili

  • Imagjinataqëndron mbi arsyen, pasi konsiderohet si aftësia që na lejon të interpretojmë simbolet që jep natyra.
  • Shija romantike pëlqen thjeshtësinë (relative) dhe natyralitetin; këto mendohej se rridhnin më qartë dhe me bollëk nga vërshimet “spontane” të njerëzve të paarsimuar (Te De Rada, Skiroi, Çajupi, Fishta) – ose nga përgjumjet meditative të poetëve (Serembe). Ideja ishte se të pakultivuarit ishin më “natyrorë” dhe “autentikë” sesa të arsimuarit, stili i të cilëve tani konsiderohej “artificial”, insinuatë për neoklasicizmin.
  • Poetët romantikë zgjedhin si subjekte poezi popullore, ndonjëherë në dialekt (De Rada, Skiroi, Çajupi, Fishta).

            Pra, nëse e studiojmë romantizmin me rregullat e neoklasikes, do të gjejmë shtrembërime, por meqë romantizmi ka rregullat e veta, shqyrtohet me to, del se ka merita jo më pak se neoklasikja.

            Sigurisht, të gjitha tiparet e tij do të kenë kundërshtimin e realizmit, ashtu siç kishte kundërshtuar ai vetë neoklasicizmin, dhe kjo përcakton rendin e tij në periodizim dhe veçoritë në poetikë.

Por, gjithashtu, disa prej tyre do të gjejnë miratimin e modernizmit, si fokusi apo vlerat, për shembull. Modernizmi do t’ia vlerësonte shumë luftën që kishte bërë ndaj klasikes, sidomos me kultin e imagjinatës, si e kundërt me doktrinën neoklasike të imitimit. Te punimi Mbi poezinë naive dhe sentimentale (ku naivët janë poetët antikë, ndërsa sentimentalët poetët modernë (romantikë), Schiller-i thotë se

  • poeti antik kufizohet në imitimin e realitetit, prandaj ka vetëm një lloj marrëdhënieje me objektin e vet, dhe përmes këtij vështrimi nuk zgjedh se si mund ta trajtojë
  • poeti modern (romantik) reflekton mbi përshtypjet që ngjallin objektet tek ai, dhe vetëm mbi bazën e kësaj përshtypjeje mund të ngrihet mallëngjimi që arrin të na komunikohet.[3]

Qasja ndaj poetit modern (romantik) me estetikën kantiane, që duket si kundërvënie e dulçe et utile të estetikës horaciane, do të ngrinte diskutime të reja. Pra, pikëpamja se gjithë poezia është propagandë po gjen skajin e kundërt në pikëpamjen se është tingull apo figuracion i pastër. Të quajtura si “punë” apo si “lojë”. Asnjëra nuk duhet marrë e shkëputur.

Te një libër-manual për letërsinë, i cituar edhe më parë, do të gjemë këtë përgjigje:

Kur thuhet se poezia është “lojë”, zbavitje spontane, ndiejmë se nuk është vlerësuar as kujdes, mjeshtëria dhe parapërgatitja e artisti, as serioziteti dhe rëndësia e veprës poetike; por kur thuhet se poezia është “punë” ose “zanat” ne ndiejmë përdhunimin dhe nënvleftësimin ndaj kënaqësisë që po na sjell dhe ndaj asaj që Kant-i e quante “paqëllimshmëri”.[4]

Kur një vepër letrare e kryen me sukses funksionin e vet, atëherë të dyja “notat”, e kënaqësisë dhe e dobisë, shkrihen te njëra – tjetra.

Kjo skemë e poetikës së romantizmit na jep dorë që të rrokim një sferë të gjerë të prodhimit romantik të letërsisë sonë. Njëkohësisht, ajo na ndihmon ta shohim romantizmin shqiptar në rrjedhën e romantizmit evropian.


[1] Shih Calinescu, Matei. Pesë fytyrat e modernitetit. Dituria. Tiranë 2012

[2] Po aty

[3] Schiller, Friendrich. Mbi poezinë naive dhe sentimentale. Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2015, fq. 39-40

[4] Uellek, Rene; Uorren, Ostin. Teoria e letërsisë. Sh.B. Enciklopedike, Tiranë 1993, fq. 22


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.