Përshtypje rreth librit të Gazmend Krasniqit “Një roman në dosjet e policisë”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Albas”
Dr. Albert GJOKA
“Po shkon të takohet me Rreshpjen, që të kthehet si një person i vetëm”
Çdo tekst e vendos lexuesin përballë sfidës së kuptueshmërisë, për aq kohë sa besojmë se teksti do të ndryshojë diçka, – pra që do të sjellë një vlerë të shtuar në botën tonë mendore dhe shpirtërore. Vlera e tij është e prekshme dhe e matshme mbi shkallën e kuptueshmërisë që përftojmë pas procesit të leximit. Kur kemi përballë një roman postmodernist sfida është akoma më e madhe, për shkak të natyrës së poetikës së postmodernizmit, shumëllojshmërisë së mjeteve që përdoren në rrëfim, marrëdhënies që ndërtohet mes realitetit dhe fiksionit, lojës intertekstuale që gërsheton rrëfimtari dhe shumë elemente të tjera.
Në një përballje të tillë ndodhemi edhe kur lexojmë romanin e ri të Gazmend Krasniqit “Një roman në dosjet e policisë”, një fiksion i pazakontë në letrat shqipe, jo vetëm për faktin se është një roman safi postmodernist, por edhe për arsye të tjera, të cilat do të listohen më poshtë.
Ky tekst ka si parakusht që të njohësh disa aspekte të tjera që lidhen dhe nuk lidhen me të; dhe, për këtë arsye, çdo lexues do të duhet që të ketë në konsideratë disa elemente para se të nisë të leximin e paragrafit të parë të këtij romani:
Së pari, duhet të njohë disi realitetin letrar shqiptar para dhe pas viteve ’90, me ngjarjet, protagonistët dhe veprat që kanë lënë gjurmë në këto dekada.
Së dyti, duhet të ketë një njohje të“aktantit” të romanit, Frederik Rreshpjes, si individ dhe si fenomen letrar në poezinë shqipe. Pse jo, nëse e merr në konsideratë edhe parathënien e shkruar nga Ismail Kadare në një përmbledhje me poezi të Rreshpjes, hedhur në qarkullim nga botimet “Princ”, – pasi mund të kontribuojë disi në një receptim më të mirë të tekstit.
Së treti, duhet të njohë poetikë postmoderniste me të gjithë kriteret strikte se si ndërtohet një roman i këtij lloji.
Së katërti, të njohë veprën studimore të vetë autorit, Gazmend Krasniqi, sidomos pikëpamjet e tij mbi historinë e poezisë shqipe.
Së pesti dhe së fundi, të lexojë shënimin pastekstual të romanit, të cilin autori e ka vendosur në fund të librit, kasten, për t’i ardhur në ndihmë atij lexuesi që kërkon një receptim më të brendësuar të romanit.
Këto janë parakushte të cilat përcaktojnë edhe shkallën e ndërveprimit të lexuesit me këtë roman, pasi në fund të procesit të leximit ato e lehtësojnë procesin e receptimit dhe përcaktojnë më tej edhe shkallën e kuptueshmërisë së tij.
Ky roman i ngjan një pikture postkubiste, e cila pret dekodimin prej atij që po e kundron, teksa shfaqen figura, linja dhe ngjyra që e ke të vështirë që t’i bësh bashkë në një vështrim sipërfaqësor. Ashtu siç ndodhemi përpara një pikture të tillë postmoderne, edhe këtu ndodhemi përpara një teksti me shumë “puzzles”, ku rrëfimtari, me profesion pedagog që rrëfen dhe sjell kohë apo gjendje të ndryshme apo të “aktorëve” të romanit, në dukje të palidhura me njëra – tjetrën; Po ashtu, ka edhe personazhe reale si Frederik Rreshpja, Lasgush Poradeci, Petraq Kolevica, të cilët shfaqen në roman me historitë reale që i njeh secili prej nesh; me tekste, dokumente etj. I vetmi personazh i “trilluar” është Marin Barini, një personazh i sajuar mjeshtërisht nga rrëfimtari, i cili shfaqet si alter-egoja e shumë “aktorëve” njëherësh, i cili mund të jetë edhe vetë narratori, vetë Rreshpja, mund të jetë personazh agollian, kadarean, shuteriqian, mund të jetë lexues model, apo edhe dikush tjetër.
Leximi i tekstit nis nga premisa e një bote reale, e prekshme, me protagonistë të njohur nga bota letrare shqiptare, dhe me një narrativë që i ngjan diskursit të kritikës, në një synim që ajo të prodhojë një fiksion dhe prej këtej të deduktojë të vërtetën që synon rrëfimtari t’i përcjellë lexuesit, – mbase, në pamundësi të realizimit të këtij synimi përmes tekstit non-fiction që mund të jetë një ese, një kritikë apo edhe një studim i historisë së poezisë.
Në këtë rast, siç na paralajmëron edhe vetë autori në pastekstin e romanit: “historia bëhet fiksionale” dhe “fiksioni bëhet historia e vërtetë”.
Ky roman sprovon sesi mund të jetë lënda e një vepre letrare, dhe si i tillë kthehet në “leksion romani” për të cilin autori merr përsipër të rriskojë në raportin që lexuesi ndërton me tekstin, në funksion të thelbit të artit të fjalës, të fuqisë së fiksionit dhe të përmasës së letraritetit.
Ky roman sfidon edhe në aspektin teorik për modelin se si mund të jetë një letërsi postmoderniste, besoj dhe i pangjashëm me romane të tjera në letrat shqipe.
Romani në vetvete përmes fuqisë që ka fiksioni synon që të kthehet në një shkundje estetike: Ai konsiderohet si një ftesë për të reflektuar secili prej nesh që romani mund të jetë diçka krejt tjetër përtej asaj që jemi mësuar ne ta shohim te ky zhanër; me synimin që lexuesi të ndajë qartësisht raportin e fiksionit me idetë, – letërsinë me ideologjinë dhe në përpjekjen e stërmundshme që përmes rrëfimit, secili prej nesh të kuptojë më mirë thelbin e artit të fjalës apo letraritetin e tekstit, përtej kontekstit, ideve apo izmave të tjera.
Për këtë arsye, ky roman mund të kthehet edhe si një diskurs kritik për atë që është letrare. Diskursi kthehet në fiksion dhe si i tillë ndërvepron më mirë me lexuesin, – në pamundësi për të qenë një gjini tjetër jo-fiksionale, duke shtruar pyetje serioze të cilave nuk u ka dhënë ende një përgjigje të qartë kritika e deritashme letrare apo edhe studiuesi i historisë së letërsisë:
A është letërsi ajo që u prodhua gjatë të ashtuquajturit realizmi socialist apo irealizimit socialist?
A na vlen sot të lexohet një letërsi e tillë?
A është art apo ideologji?
Çfarë pasojash ka lënë një letërsi e tillë në krijimtarinë apo studimet letrare që janë bërë në postkomunizëm, e kështu me radhe… Janë pyetje të vështira të cilat në këtë fiksion që na propozon Gazmendi secili prej nesh mund të buburrojë, – mund të reflektojë, mund të grindet me veten, me të tjerët, – por që krijon një efekt të cilin deri më tani nuk e ka pasur të vështirë për ta prodhuar kritika standarde apo historiografia letrare. “Verdiktin e munguar të historisë nuk e sheh si pengesë për t’u marrë me një personazh si Frederik (Marini). Është vepra ajo që ka lënë që do të përcaktojë ose jo madhështinë e tij. Një grusht lirikash do t’i nënshtrohet shoshitjes, nëse janë punë e një dembeli ose talenti të rrallë”.(143)
A e imagjinoni se sa trillues dhe i përbindshëm është vetë sistemi letrar shqiptar, sidomos ai i periudhës së komunizmit?!
Brenda tij ka plot paradokse, falsitete, të pavërteta që të imponohen; dhe po deshët ju, edhe krime, që nuk ndëshkohen as sot. A mund të ketë personazhe më goditëse sesa vetë shkrimtarët që bënë letërsi në atë periudhë?!
Besoj se një pamje e tillë është stërmunduese për këdo që merret me zejen e fjalës, – e padyshim, edhe për autorin të “Një roman në dosjet e policisë”.
Në një shkrim kritik të bërë prej autorit të romanit thuhet ndër të tjera: “Është koha (në mos ka kaluar) për të folur për një letërsi postideologji, me markën e postmodernizmit, që ka një peshore tjetër nga pikëpamja e poetikës, e parë shpesh edhe si një metapoezi, apo desakralizim i gjinisë…”.
Përkundër brendisë së romanit, titulli mbetet tejet provokativ për këdo, – edhe për lexuesin e specializuar, kur vë në gjykim jo vetëm artin e krijuar para viteve 90, por edhe në ditët tona. Por, duke qenë letërsi, dhe kur flasim për letërsi, nuk i kemi prangat e disiplinës, por liria e mendimit është më e madhe, subjektiviteti është më i çlirët: Me këtë qasje, teksti ofron shumë mundësi interpretimesh, për shkak të letraritetit të tij – por që në finale, ne jemi më pranë të vërtetës të cilën nuk na e ka thënë ende diskursi kritik, estetik apo kur diskutojmë mbi vlerat e qenësishme poetike, letrare edhe kur gjendemi para teksteve të historisë së letërsisë së shkruar në këto tetë dekadat e fundit.
Në këtë aspekt, ky roman besoj se do të sjellë më shumë trazim, sidomos të lexuesit të specializuar dhe do të prodhojë më shumë kuptueshmëri sesa mund ta bëjë këtë gjë një tekst tjetër kritik apo studimor. Sepse studiuesi si autor ka zgjedhur fiksionin që të shkojë tek e vërteta: “Të gjitha romanet shkruhen për të treguar të vërtetat që dimë, por s’mund t’i pranojmë..”
Dhe autori e zgjedh të vërtetën e tij me një qasje postmoderne, po deshët ju, edhe falë ndihmës së fiksionit, – e vërtetë e cila është ndryshme nga ajo që është artikuluar, theksuar apo imponuar deri më tani.
Artikulli është botuar në gazetën Panorama
NO COMMENT