Perfitimet e biblioterapise

Gjithnjë e më tepër mjekët po i shmangin recetat e barnave dhe po lëshojnë receta me rekomandime librash për t’u lexuar nga pacientët.

Martin Marshall

Isha shumë i kënaquar të hapja programin e parë “Insights” të botuesve të Agjencisë së Leximit “The Reading Agency” më 30 prill: “Përballimi së bashku i sfidave të mëdha shëndetësore”. Ishte fantastike të shihja një numër kaq të gjerë botuesish të pranishëm, të etur për të ndarë përvojat dhe mësimet e nxjerra nga 10 vite përzgjedhjeje dhe bashkëprodhimi të librave të programit “Reading Well” me profesionistët e shëndetit dhe njerëzit me përvoja të drejtpërdrejta.

Kam punuar si mjek familjeje për më shumë se 30 vjet. Gjatë kësaj kohe, kam ndihmuar pacientët me një sërë ndërhyrjesh për lehtësimin e simptomave, duke përfshirë medikamentet dhe rekomandimet për procedura mjekësore si operacionet. Megjithatë, gjithnjë e më shumë kam kuptuar se këto qasje nuk sjellin gjithmonë rezultatin që presim.

Si një dashamirës i librave, po e kuptoj gjithnjë e më shumë rolin thelbësor që librat dhe leximi mund të luajnë në mbështetjen e shëndetit dhe mirëqenies së njerëzve.

Merrni si shembull tensionin e lartë të gjakut. Kjo është një problematikë e zakonshme që prek rreth 20% të të rriturve. Përshkrimi i medikamenteve kundër hipertensionit është një nga ndërhyrjet tona kryesore, por recetat janë vetëm hapi i parë. Vetëm rreth gjysma e pacientëve i marrin medikamentet nga farmacia. Nga ata që i marrin, vetëm gjysma i përdorin siç duhet, ndërsa shumë i hedhin në tualet. Dhe nga ata që i përdorin siç duhet, vetëm gjysma përjetojnë efektin e dëshiruar në uljen e tensionit të gjakut. Ky është një shembull i qartë i kufizimeve të metodave tona standarde.

Përvoja të tilla na tregojnë ne, mjekëve të familjes që punojmë çdo ditë me pacientët, se trajtimet konvencionale shpesh kanë efekt të kufizuar dhe pasoja të padëshiruara. Në fakt, faktorët biologjikë përbëjnë vetëm 20-30% të rezultateve të përgjithshme shëndetësore. Pjesa tjetër, 70%, ndikohet nga faktorët socialë – arsimimi, banimi, financat dhe punësimi. Sa i rëndësishëm është trajtimi mjekësor, po aq thelbësore janë edhe ndërhyrjet sociale për të bërë një ndryshim real.

Më shumë se 20 vjet më parë, fillova të eksploroja dhe të promovoj qasje alternative, përfshirë biblioterapinë. Fillimisht ishte një eksperiment i shpresuar, por tani, me rritjen e kërkimeve që konfirmojnë ndikimin e fuqishëm të leximit në shëndetin mendor dhe fizik, unë përshkruaj libra me besim të plotë.

Epoka e autoritetit të padiskutueshëm të mjekëve po venitet. Deklaratat paternaliste të tipit “mjeku e di më mirë” nuk janë më të pranueshme – pacientët duan të kuptojnë të gjitha opsionet e tyre dhe të marrin pjesë aktive në vendimmarrje. Shpesh, ata preferojnë ndërhyrje jo-farmaceutike dhe jo-invazive që i fuqizojnë si pjesëmarrës aktivë në kujdesin e tyre shëndetësor.

Ky ndryshim përputhet në mënyrë të përkryer me filozofinë e biblioterapisë. Duke rekomanduar libra dhe burime të përzgjedhura me kujdes dhe të certifikuara, unë mund të informoj dhe udhëzoj pacientët për gjendjen e tyre shëndetësore, ndërkohë që u hap horizonte të reja që i motivojnë dhe i frymëzojnë në rrugëtimin e tyre drejt mirëqenies. Efektet terapeutike të leximit shkojnë përtej informimit të thjeshtë.

Për shembull, në fushën e shëndetit mendor, libra si Mindfulness i shkruar nga J. Mark G. Williams dhe Danny Penman janë bërë mjete të domosdoshme për pacientët që vuajnë nga ankthi. Ata i udhëzojnë drejt praktikave reflektuese që i ndihmojnë të ndërtojnë qëndrueshmëri dhe aftësi përballuese, duke u dhënë një ndjenjë kontrolli mbi simptomat e tyre. Po ashtu, për pacientët dhe kujdestarët që përballen me demencën, unë rekomandoj shpesh “The Forgetting” të David Shenk, i cili kombinon analiza shkencore me këshilla të ndjeshme për familjet.

Sa më shumë e integroj biblioterapinë në praktikën time, aq më shumë vlerësoj burime si programi “Reading Well” i “The Reading Agency”. Kriteret e tij të rrepta të përzgjedhjes sigurojnë që vetëm botime cilësore dhe të certifikuara klinikisht të përfshihen në listë. Po aq e rëndësishme është që ky program vendos në qendër përvojat dhe zërat e përdoruesve – qofshin pacientë, kujdestarë apo profesionistë të shëndetit. Kjo siguron që librat e rekomanduar të mbeten të rëndësishëm, të arritshëm dhe transformues.

Këtu entet botuese kanë një rol të jashtëzakonshëm. Duke dëgjuar me vëmendje lexuesit, pacientët dhe nevojat në zhvillim të mjekëve, mund të krijojmë materiale të reja leximi që do të luajnë një rol kyç në të ardhmen e kujdesit shëndetësor holistik.

Në thelb, biblioterapia fuqizon pacientët të bëhen pjesëmarrës aktivë në procesin e tyre të shërimit dhe mirëqenies. Ajo u hap dyer për perspektiva të reja dhe mënyra të reja të të kuptuarit të botës dhe vetvetes. Siç thotë një shprehje e vjetër: “Ndryshimi nuk ndodh duke vizituar vende të reja, por duke parë me sy të rinj.” Dhe është përmes lenteve të zbulimit që ofron libri, që si pacientët e mi, ashtu edhe unë, kemi përjetuar ndryshimet më të thella dhe shërimet më kuptimplota.

Me organizata si “The Reading Agency” që po udhëheqin këtë iniciativë, revolucioni i biblioterapisë tashmë ka filluar. Jam i nderuar të jem dëshmitar dhe mbështetës i këtij potenciali të jashtëzakonshëm. Duke punuar së bashku – profesionistë të shëndetit, lexues dhe botues – ne mund të vazhdojmë të përshpejtojmë këtë punë jetike, duke transformuar dhe humanizuar vetë natyrën e kujdesit shëndetësor.

“The Reading Agency” do të organizojë edhe dy aktivitete të tjera për botuesit, ku do të trajtohen aspekte specifike të shëndetit dhe audiencave të ndryshme. Ky program është mbështetur nga “Këshilli i Arteve i Anglisë”, si pjesë e një projekti më të gjerë zhvillimi që përfshin botues, profesionistë të shëndetit dhe komunitete në terren. Shpresoj të bashkoheni për të dëgjuar përvojat, të dhënat dhe mësimet e tyre. Së bashku, mund të transformojmë shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve – një libër në çdo kohë.

Artikulli është shkruar nga një mjek në profesion dhe është botuar në faqen e “The Reading Agency” në Londër.

Përgatiti artikullin Albert Gjoka


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.