Tregim nga Gentiana Kone

Nga ditari i Arianës

Gentiana KONE

I

Nëse im atë do ta kishte humbur luftën me athinasit, jeta ime do të kishte qenë krejt ndryshe nga ajo çfarë sot ndër libra shkruhet. Im vëlla, Minotauri, edhe pse vëlla vetëm nga mëma, do të ishte akoma në jetë duke u sjellë në labirinthin që Daidalosi, arkitekti i tim eti, ndërtoi sipas urdhërit të këtij të fundit, poshtë këmbëve të pallatit mbretëror. Pallati kishte famën të ishte edhe më mbresëlënës se vetë piramidat e Egjiptit, por dorën në zjarr nuk mund ta vë, sepse përveç të linjtave prej pambuku, asgjë tjetër nuk kam parë nga ajo tokë e largët.

Piramida apo jo, do të kisha dashur që nga dritarja e dhomës sime, në ag, të shihja hapësirën kaltërore që përrethte ishullin dhe netëve të ndigjoja ahmën vetmitare të dallgëve në breg.

Asnjë nga këto dy dëshira nuk ishte e mundur të më plotësohej, duke qenë se pallati ishte ndërtuar buzë një kodrine të ulët, në kërthizën shkëmbore të ishullit, mote më parë se unë të vija në këtë botë. Këtë mangësi e harroja sapo shikoja kopshtin rrethues, që i ngjitej kodrës më të afërt, për të vazhduar rrugën drejt malit Ida. Një pjesë e kopshtit, ajo që më përkiste vetëm mua, shtrihej pranë njërit nga dy liqenet e ishullit. Që në moshë të blerët, lulet ishin krijesat që më tërhiqnin si rrallëkush dhe mund të kaloja orë të tëra në shoqërinë e tyre. Besoj që më shumë se mëmës sime, Pasifaes, i kisha ngjarë motrës së saj, Çirçes, emri i së cilës ishte i ndaluar të përmendej në pallat. Midis gjithë bijave të tim gjyshi, ajo kishte qenë më e varfëra në hire bukurie, por të gjithë i ndruheshin mendjes dhe syve të saj magjiprurës, për të cilët shpirti i vdekatarve dhe i Zotave nuk kishte asnji të fshehtë. Pëshpëritej që dikur kishte dashur si e marrë një djalosh dhe kur ai e kishte braktisur për një tjetër, lotët e hidhërimit të saj me të rënë në tokë ishin kthyer në gjarpërinj, që të riun kobtar e kishin helmuar.

Pas kësaj ndodhie, Zotat e kishin syrgjynosur të pafatën në një ishull shkëmbor, në mes të një deti të largët të rrethuar nga dallgët më të larta që mund të ngrinte oqeani.

Nuk di sa të vërteta kishte në këto pëshpëritje pallati dhe natyra ime e pavarur, më shtynte të kisha mendimin tim, mendim i cili shpesh nuk përkonte me atë të prindërve të mi. Ndaj, për të mos gënjyer, mësova të hesht dhe opinionet e mia për jetën në pallatin mbretëror dhe njerëzit në të, ja rrëfeja vetëm disa shoqeve të mia lule, që i doja mbi gjithë të tjerat.

Kur kubeja qiellore niste të dritej lehtazi nga puthja e agut dhe yjet nisnin të shuheshin një nga një, si pishtarë në detin e errët, ngrihesha me freskinë e mëngjesit dhe me hapa puplore dilja në lëndinën e  kopështit plot lule. Midis mijëra syresh, të parat që ujtoja ishin Fillikatja dhe ajo e Zhabinakut. Bëja kujdes që kur dielli të ngrihej i plotë, dheu të ishte ende i njomësht dhe i shkrifët sa duhej, dhe përshëndetja për lulet, me bekimin e ditës që sapo niste, të ishte e plotë në uratë. Askush nuk kuptonte përkushtimin tim ndaj këtyre luleve kaq të brishta e gati të rëndomta, teksa kopshti kishte lule nga më të rrallat, të ardhura nga të gjitha anët e dheut. Por mua më tërhiqnin lulet që e kishin fillesën nga vetë dheu i kuq kretas. Ato i shikoja porsi dhe njerëzit. Nuk ishte bukuria e tyre që më tërhiqte, por thellësia e shpirtit të secilës. Edhe pse në dukje e pamundur, unë flisja me to. Çirçja ishte ajo që kishte bërë prezantimet e para midis meje dhe çdo luleje. Ajo njihte shpirtin e tyre dhe më kishte mësuar se si quheshin, dobitë dhe nevojat e tyre, si dhe ritin e bekimit për çdo njërën në ag. Të bashkëbisedoja me lulet qè një nga dhuntitë e shumta që zotëroja, por këtë sekret e mbaja të fshehtë, për të mos i dhënë shkas mëmës sime të shqetsohej pa vend, sepse çfarë për të tjerët e huaj është, shikohet me sy dyshimtar e të angësht.

Më tej, edukimi im iu besua mësonjësve më të njohur të asaj kohe, më të shumtët ishin athinas, ashtu si sëra ime e lartë e kërkonte. Im atë u kujdes që të studjoja gjithë lëndët që princat trashgimtarë të mbretërive më të fuqishme të kohës studionin, duke filluar nga poezia, muzika, deri tek qëndrimi dhe vendbanimi i yjeve në orbitën qiellore, i Hënës ledhatare dhe Hyjit të zjarrtë, që tokën ngroh, e që fati im i madh deshi të ishte gjyshi im nga mëma.

Shtatlartë, syshkruar, me një lëkurë bardhore që parfumonte nga aromat e çmuara të ardhura nga orienti, isha e kënaqur për hiret trupore që Perëndesha Afroditë më kishte falur.

Fshehtazi besoja që isha krenaria e tim eti dhe guri më i çmuar i diademës së tij mbretërore, dhe kjo ngjallte jo rrallë xhelozinë e mëmës sime. Plot princa, kandidatë për martesë, vinin nga të katër anët dhe kishte ndër ta, të paktën një duzinë, që kishin udhëtuar me muaj për të kërkuar dorën time. Dhuratat që sillnin ishin të çmuara, por asnjëra e mjaftë dhe e përkryer për syun e shpirtit tim.

Sapo velat e një anije të re princërore shfaqeshin në vijëzën ku qielli një me detin bëhej, në kullën buzë bregut ndizej zjarri lajmëtar për të dhënë njoftimin e ardhjes së miqve të rinj.

Vetëm një herë në vit, në buzëmbrëmje, në port hynte një anije që dallonte nga të tjerat. Asnjë kumbim i gëzueshëm briri nuk binte për të lajmëruar ardhjen e saj, asnjë flakë e gëzueshme pishtarësh për mbërritjen shëndoshë e mirë në ishull. Rrëshqiste me mundim mbi ujërat e errta, si e tërhequr nga litarë dhimbjeje të padukshëm, me velat e mbështjella rreth trupit që gati është për të udhëtuar drejt mbretërisë së Hadit. Anija me figurën e perëndeshës Athinë gdhendur në bash, sillte përvit shtatë djem e vajza. Ishin zgjedhur me short për t’ju blatuar tim vëllai, në labirinth. Ishte haraçi që qyteti duhej të paguante për kryengritjen që dikur kishte bërë kundër tim eti.

I prisnim me nderime që vetëm mbretërve u blatohen, sepse asgjë nuk ishte e tepërt për ata shpirtra në të gjelbërtën e jetës, që së shpejti do të shuheshin në korridoret e errëta të labirinthit.

Kështu lëkundeshin ditët e mia midis trumbave të anijeve që në port mbërrinin, me veliera të shpalosura nga puhitë e shpresës dhe heshtjes, që si shtëllungë e hirtë ngrihej mbi labirinth, mbasi në të dikush hynte për të mos dalë kurrë më. Nëse ndokush atëherë do t’më kishte parathënë se filli i jetës sime do të gërshetej në gishtat e një princi athinas, nuk do ta kisha besuar.

Por këtu, më duhet të ndalem për sonte, sepse kjo fletë pergamene u mbush dhe jashtë qielli i spërkitur me yje premton një natë ëndrrash, si ato që vashat kërkojnë me shpirt. Nesër është një ditë e re dhe festimet për ceremoninë e përvitshme të flijimit janë gati. Pritet që anija me shtatë djemtë e vajzat nga Athina të mbërrijë nga çasti në çast. Midis tyre thuhet se është edhe një nga bijtë e vetë mbretit të mundur.

Tejet e lodhur, gjumi më pushtoi, më parë se shërbëtorja e dhomës të arrinte të shqiptonte emrin e tij.

II

Një tymtajë e lëshuar nga vetë Perëndesha Athinë, kishte përrethur ishullin kretas, kur pranë princit tim zura vend në anijen që do të na çonte në atdheun tim të ri. Ishullit i dallohej si një plis i bardhë vetëm kokojka e malit Ida, më i larti ndër tre malet e tij. Nuk zgjati shumë, era e mbarë dhe forca e krahëve të djelmoshave, që vdekjes në Labirinth i kishin shpëtuar, bënë që të gjindeshim në det të hapur. Kujtimi i ishullit ku linda dhe moshën e pafajnisë kalova, u drynua në një cep të fshehtë të shpirtit tim, bashkë me fytyrën e atit tim të dashun. Zemërata e tij, kur lajmin e tradhëtisë time t’i sillnin, do të ishte aq e tejme, sa më përdëllehej fatkeqi që lajmëtar i rradhës do të ishte. Sa për mëmën time, thellë-thellë besoj që do të gëzohej, se tashmë ajo mbetej mbretëresha e vetme në ishull dhe në zemrën e tim ati. Aq sa e madhe kishte qenë dashuria e tij për mua, aq edhe e furishme do të ishte urrejtja. Ata që jetën na dhurojnë, mund të na falin shumë faje, por kurrë zhgënjimin që u shkaktojmë bashkë me shembjen e shpresave që ata kanë për ne.

Deti kretas, si dhe ai libian, kishin mbetur tashmë milje të tëra pas nesh, bashkë me mendimet e errta dhe frikën e lehtë të fshehur në një lëmsh leshi, në qoshen më të humbur të Labirinthit. Djemtë e vashat athinase kur nuk duhej të ndihnin në anije, këndonin e vallzonin me lumturinë që vetëm kthimi i beftë nga portat e mbretërisë së Hadit të jep. Të gjithë lumnonin trimninë e kurajën e princit tim, me vargjet më të bukura që veshi më kishte ndigjuar. Bëja pak çudi që askush nuk përmendte qoftë edhe shkarazi rolin tim në atë ndodhi shpëtimtare, që jetën për së dyti iu kishte falur. Ai fill që hap pas hapi kishte shoqëruar princin tim në errëtirrën e fundme të Labirinthit dhe dritë e syve të tij ishte shndërruar, për ta kthyer drejt dritës së madhe të jetës, ishte një dhuratë si ato që vetëm Zotat i bënin të zgjedhurve të zemrës së tyre! Pra një fjalë mirënjohje në ato vargje himnuese do të ishte me vend dhe aspak e tepërt!

Asgjë e ngjashme nuk ndodhi as ditën e parë dhe as në të tjerat më pas. Me kalimin e ditëve dhe afrimin drejt Athinës ndjeja të shumoheshin vështrimet syulura pas krahëve të mi dhe pëshpërimat të shoqëroheshin me tinguj pakënaqësie. Ishin fjalëshigjetat e vashave të parat që ndjeva të nguleshin mbi lëkurën time princërore. Djemtë, edhe pse më trajtonin me respekt, më rrinin larg dhe kuptoja kjartë bezdinë e tyre për praninë time në anije.

E megjithatë isha e lumtun! Çdo rrahje lopatash dhe gufim velash më shpinte drejt një të ardhme të premtuar nga ai që zemrën i kisha falur. Nata e parë që kaluam pranë e pranë pati magjinë e pakënduar në asnjë poemë të dheshme a të qielltë. Yjtë na pikërruan me xixëllonja dhe hëna përbujti në kubenë e natës, më e qumësht se kurrë.

Në anije ishte me ne edhe një ylldijtun, që vetë mbreti i Athinës ia kishte dhënë të birit si shoqërues në këtë udhëtim, të cilit fundi nuk i dihej. Dijet e tij ishin të çmuara dhe netëve më pëlqente t’i rrija pranë e të ndigjoja shpjegimet e tij për sferat e ndrituna. Vetë kisha mjaft njohuri për to, por dihet, që dija s’ka fund dhe mendja gazmon e lumtun, kur barit në hapësira ende të panjohura. Ylldijtuni, përpos të tjerave, ishte edhe njeri me shpirt të mirë dhe gjallësonjës. Çdo natë pasi studionte pozicionin e yjeve, motin dhe kursin e anijes për të nesërmen, parathonte, më ulej pranë dhe një lire të vjetër niste t’i kumbonte tingujt. Ata ngriheshin e uleshin me ritmin e dallgëve që në kiçin e anijes përplaseshin një çast, për t’u zhytyr e bërë një me ujin e errët më pas. Pikërisht kur melodia niste me u fafit, nga bashi i anijes fluronte kanga e vashave, që zemrat e djemve ëmbël grishte. Kështu, anija rrëshqiste në ato ujëra të pafundme, duke lënë pas një shkumë të bardhë, si vringëllimë drite që lumbardhat lenë në hapësirën e qielltë. Si në ato momente, nuk e kam ndjerë kurrë më parë zemrën të mbante aq lumturi brenda qelqit të saj.

Për të nesërmen, ylldijtuni paratha se do të arrijmë në një ishull që ndodhet në qendrën e detit të pellazgëve. Kur ai shqiptoi këto fjalë, m’u duk sikur më vështroi më gjatë se zakonisht dhe nji dritë përdëllyese feksi vetëm një çast në sytë e tij të ndritshëm. M’u bë se një profeci fshihej në mendimin e tij, që drita e syve s’pati guximin ta çfaqë më hapurazi. Si një shtizë në zemër m’u ngul kjo ndjenjë e me dëshirën e madhe lajkatova veten, se një gëzim tjetër i papritur më priste në atë ishull, ndaj vendosa e qetë t’i shtroj sytë për të fjetur në djepin e gjumit.

III

Ishte era e jugut, ndihtarja me frymë të ngrohtë, që velat e anijes sonë gufoi, për të mbërritur shëndosh e mirë tek ishulli në qendër të detit pellazgjik. Ajo hapësirë kaltërore nuk kishte asnjë të fshehtë për anijetarët e rregjur të popullit, që emrin e Zotit të gjëmimeve, atë më të zëshmin ndër Zota, hyjnizonin në tempujt e tyre. Pa frikë do të thosha që ai det i ngjante mesit të dheut, me atë ishull si kërthizë në mes të tij.

Me të zbritur, ndjeva që ndalesa do të ishte ripërtëritëse. Një bimësi e blertë mugullonte hareshëm, dëshmi e pranisë së plot burimeve ujore dhe e një klime të butë tropikale. Me dhjetra shpendë i gëzoheshin ditës së re, secili me tingujt e tij unikë, si ca instrumente magjike, që konkurojnë njëri-tjetrin.

Imzot, princi, pasi shpërndau urdhërat për plotësimin e rezervave të ujit dhe ushqimeve, më mori dorën dhe më priu drejt një shtegu, ku dhjetra flutura fluronin në ajër mes fashash të diellta dhe mbi rërë nuk shquhej asnjë gjurmë tjetër, përpos atyre që linim ne vetë. Ndër pemë lulonin lule të bardha me pesë petale yjesh motake. Erëtimi i tyre i portokalltë më solli një kujtim të hershëm ndër mend. Atë të qumështit, që nga gjinjtë e tatës sime të dashur vrullonte, kur në krahët e saj, e lumtur më merrte. Herë-herë midis kësaj bardhësie lulore ngriheshin drejtarë lisat, të cilët truprojes së atit tim i ngjanin. Udhës ndeshëm plot burime uji të ëmbël, kallamishte që pellgje përrethnin dhe lule që i shihja për herë të parë, ende pa emërtim, të pagëzuar. Pas njëfarë kohe, shtegu nisi të ngushtohej dhe kënga e zogjve e gargaritja e bretkosave ndër pellgje mbeti pas nesh, si me një urdhër të pandjeshëm. Një ligështim i lehtë më pushtoi dhe hapat ngadalësova ngurrueshëm. Por, një ledhatim në faqe i princit tim qè i mjaftë, për të hedhur hapa të freskët drejt fundit të një lëndine të fshehur pas pemëve. Në mes të saj ishte vizatuar një liqen, që qiellin kundronte me syun e tij të kaltër e të paqtë. Uji ishte i mbuluar me gjethe të gjelbërta, që guackave u ngjanin, me një lule që u rrinte përmbi, si puthje e druajtur. Bregu i detit nuk dukej më, por bukuria e atij liqeni ishte e mjaftë për të qetuar zemrën time pas hapësirave të detit që kisha lënë pas. E dëshiruar për të hequr petkun e lodhjes së udhës arratisëse që kisha përshkuar, lëshova pa druajtje ndër këmbë tunikën princërore me qëndisjet e arta kretase dhe në ujin kristal u zhyta, duke kundruar gjymtyrët e mia të bardha. Përqethja që ndjeva kur uji lëkurën ciku e bashkë me të dhe vështrimi i princit tim, bënë që zemra të rrihte furishëm në një marsh dashurie, përzier me valët e lehta që lëvizja e trupit krijonte. Kur dola nga uji dhe ai më mbështolli me pelerinën e tij, isha më e lumtura vashë në gjithësi. Pa më vështruar në sy e pa m’i puthur ato si zakonisht, me fjalë të përmjalta m’u lut të prehesha pak mbi barin e butë të lëndinës, sa ai të pastrohej dhe një lutje falenderimi Zotave t’ju blatonte, për mrekullinë e shpëtimit tonë. Ndërmejt barit të lëndinës, kishte plot lule hashashi në ngjyrë violet, që një aromë përgjumje shpërndanin. E ashtu e përhumbur, mbylla sytë dhe gjumi fatzi më kaptoi.

Nuk di sa orë kaluan, kur një britmë shpendi, si një krajatë kobuese, më zgjoi dhe pashë që ai vend i mëparshëm plot diell, ishte kthyer tashmë në një hijesinë të frikshme. Kuptova që kisha fjetur gjatë dhe emrin e princit tim thirra me zë të dridhur. Heshtimi përreth më shtyu të thërras përherë e më fort, me zemrën që tashmë në grykë më rrihte. E pezmuar, mora shtegun që në breg të detit çonte, teksa dhjetra pyetje me dredha gjarpëruese mendjen filluan të më kafshojnë. Vështrimi përdëllyes i ylldijtunit një natë më parë m’u shfaq dhe e frikësuar nga kjo, fillova të rend si e marrë. Kur mbërrita në breg, anija me velat shpalosur ishte tashmë larg, shumë larg. Në vijëzën ku horizonti me ujin putheshin, ajo u duk si një pikë e zezë, për të fundit herë, për t’u zhdukur më pas, sikur mos të kishte qenë kurrë!

Grithmat që lëshova, trembën edhe yjet në qiell e përgjatë asaj nate pa fund, errëtira qe më e zezë se kurrë ndonjëherë, si ajo e vdekjes që dritën përgjithmonë mpin.

Pranë një shkëmbi në breg të detit, e braktisur nga ai për të cilin mëmë e atë lashë, pres e pashpresë që dita të mëgojë.

Dionisi, – pikturë e Antonio Maria Morea (1924)

IV

Ishte Zoti i venës, Dionisi, ai të cilin fati im i ujtuar nga lotët e braktisjes e preku thellë. Të mos ishte për të, do të isha tretur në harresë në një ishull në mes të detit pellazgjik ku im zot, princ i parë i Athinës, më pruri për të më lënë pas të vetme, si më i fundmi i kobtarve të këtij dheu.

Për shumë ditë e netë frymova e përrethur nga mjegulla e marrëzisë dhe do ta kisha humbur arsyen nëse në atë humbëtirë ku kisha rënë një rrufe flakëruese me pyetjen “Përse?” mos më digjte gjoksin.

Përse besimi dhe mirësia më e skajshme shpërblehet në këtë botë me mizori të fundme?

Buzët princërore të trimit që Minotaurin kishte vrarë, kishin shqiptuar premtime mjaltuese duke puthur në shenjë betimi, sytë e mi. Unë s’kisha kërkuar asgjë teksa gjithshka kisha dhënë!

Ai qiellin më premtoi dhe më pas i mori tërë yjet në të deri tek më i fundmi duke më lënë në terrëtirë të plotë.

Ditën kur u përmenda plotësisht, ishulli i nëmur kishte mbetur pas dhe qyteti i perëndeshës Athinë gjindej plot njëmijë këmbë përpara nesh.

Kështu nisi një fillesë e re në jetën time tashmë të çveshur nga çdo shenjë princërore përveç do kujtimeve të hedhura si qëndisma mbi pelerinë.

Në shenjë mirënjohje karshi ndorëtarit tim, Dionisit, u thellova me ëndje në ritet bakeniane derisa i mësova të gjithë të fshehtat e tyre. Dhuntitë që kisha më ndihën të shndërrohesha në kërcimtaren më të hirshme, midis gjithë Silenave.

Predikimet e Dionisit kishin tharmin e rrushit të maturuar deri në ëmbëltinë e duhur, mendim të arrirë dhe të përkorë, të mjaftë për të nxjerrë venën më të shijshme që vdektarët kishin shijuar derimë at’herë.

Kur fjala e fundit e tij fafitej një çast në ajrin e natës si gacat e flakakuqit që digjej në mes të ndigjuesve, atëhere tingujt e parë të lirës lundërtonin drejt qiellit dhe kërcimi niste.

Në një natë kur hëna kishte përbujt kubenë qiellore dhe mijra sfera të shndritshme lëshonin dritën e tyre më të bukur, fati e deshi që mes dëgjuesve të Dionisit të ndodhej edhe princi i parë i Athinës, Tezeu. Mbas predikimit, në skenë shfaqeshin aktorët që ditirambe fjalonin për grindjet e dashuritë mes Hyjnive në Olimp. Më pas, kori i këngëtarve këndonte nën tingujt e fyellit lindjen e dyfishtë të Zotit të venës dhe ringjalljen e premtuar të natyrës.

Shoqëruar nga tamburet plot vasha athinase, edhe unë mes tyre, vallzonim me pafajni në një përhumbje të magjishme, pa shkëmbyer shikime me kundruesit e shumtë.

Kur Tezeu më njohu, lotë pendimi të njelmët i mbushën sytë dhe dashuria që dikur kishte ndjerë për mua, i dogji sërish kraharorin.

Dëshira për të më pasur të tijën së bashku me pendimin për braktisjen, i forcoi lutjet dhe i përdëlloi zërin, tek më kërkonte falje.

Tre netë rradhazi ai erdhi i përunjur me lutje për të fituar faljen time.

Çdo herë pruri sende të përarta si blatim, por idhëtira e braktisjes nuk ishte larguar ende nga trupi dhe kujtesa ime, për ta falur pa kushte.

Ndërkohë në pallatin e atit tim në Kretë gjithkush, nga mbreti deri tek skllavi më i fundëm, ishte në dijeni të rolit tim në fitoren dhe ikjen nga Labirinthi të princit athinas. Ishte vetë Minosi ai që lëmshin e mbështjellë nga duart e mia kishte gjetur dhe me këtë gjetje tradhëtia ime u provua, duke i marrë emrin e mirë familjes sonë mbretërore.

Ashtu si dikur emri i Çirçes, motrës së mëmës sime edhe emri im u ndalua të përmendej në pallat për t’u fshirë më tej një herë e mirë nga analet kretase.

Jo vetëm kaq!

Pasifae edhe pse më kishte prurë në jetë, u betua të ma marrë me gulshe dhimbjeje atë, në shenjë shgjaksimi për rolin tim në vrasjen e Minotaurit, djalit të saj bastard.

Për këtë lajmoi të vinte para saj shtrigani më me emër i mbretërisë, ai që të gjithë i druheshin dhe e quanin Sygur.

Ai arriti mbështjellë me një pelerinë në ngjyrë të hirtë si një sorran i papjesë në botën e të mirëve.

Pasi ndigjoi kërkesën e Pasifaes, mori në dorë lëmshin e leshtë dhe disa fjalë magjie pëshpëriti. Fjalët dolën me një krajatë aq të mugët sa edhe vetë zemra e Pasifaes u akulltua një çast.

Pasi dha shpjegimet e duhura, shtrigani u largua për gëzimin e gjithkujt që e kishte parë të hynte në pallatin mbretëror. Nuk di shpërblimin që mëma ime i blatoi por duhet të ketë qenë mëse i mjaftë për atë akt të zi që ndodhi pak kohë më vonë.

Lëmshi i leshtë ju dërgua bashkë me dhurata të vyera, princit athinas në shenjë njohjeje dhe nderimi për fitoren e tij mbi kretasit.

Kur Tezeu mori ndër duar lëmshin, dikur shpëtues, zemra i rrahu me marshe shprese. Ishte pikërisht kjo, dhuratë, ku ai shpresonte që, me ta parë zemra ime, do të zbutej dhe kohën e ndarjes do ta hidhte në harresë për t’u nisur aty ku ishim lënë, në udhën drejt të ardhmes sonë në Athinë!

Me dridhjen dhe dëshërimin e padurimit për të qenë i falun, lëmshin e leshtë më ofroi.

Kur sytë e mia ranë mbi atë topth të kuq që dikur e kisha mbështjellë me lutje zemre, kjo e fundit u zbut dhe u shërua nga lëngata e braktisjes. Lëmshin e mora në dorë me dëshirën e skajshme me shqiptu fjalët falëse për princin tim.

Aime! Një dhimbje e mnershme më përshkoi të tërën dhe pa mundur të them asnjë fjalë rashë pa jetë në tokë si e shigjetuar nga rrufetë e vetë Zeusit!

Thirrjet për ndihmë dhe vajtimet shpirtkëputëse të Tezeut i ndigjoi Dionisi që u shfaq në gjithë bukurinë e tij të Hyjit, pranë trupit tim mbi të cilin shpirti në formën e një brymë të argjëntë po tretej drejt udhës për në mbretërinë e Hadit.

Dihet që mbi të gjithë Hyjtë, Zeusi është më i fuqishmi. Atij pra ju drejtua me fjalë lutëse Dionisi, Zoti i venës që mbrojtësi im kishte qenë gjithë ato kohë.

Me urdhër të Zeusit, në tempullin athinas nga vetë dora e Dionisit lëmshi u dogj e bashkë me të u dogj e gjithë e zeza e magjisë!

Ajo gati ikje imja në botën e përtejme i dha kurajën Dionisit të më shprehte dashurinë e tij të pathënë deri më atëhere përveç se të shprehur me gjeste mirësie. Kur sytë hapa, e gjeta në gjunjë, pranë meje, me kurorën në kokë të bimës që nektarin e Zotave dhe pijen mjegulluese për mendjen e ne vdektarve prodhon.

Atij që derimë atë ditë nuk më kishte kërkuar asgjë dhe jetën më kishte falur për së dyti, i dhurova zemrën time të shëruar nga dashuritë e dikurshme.

Në ditën kur duart lidhëm me bekimin e Zotave, i shtrenjti im më dhuroi një kurorë të punuar nga vetë Hefesti. Ajo fekson në pamotmim në kubenë qiellore si më e bukura shenjë dashurie midis meje princeshës kretase dhe tim zoti, Dionisit.

Mbas kaq vitesh dhe trembëdhjetë fëmijësh që i dhurova nuk di a jam ende e zgjedhura e tij!

Do ta pyes nesër, me të mëguar dita.


  1. Elida vaso

    18 April

    Shume bukur e ke pershkruar dashurine dehese braktisjen dhe rigjetjen e besimit dhe dores se ngrohte ..e gjitha nje ender e bukur tretur ne lashtesi…me nje gjuhe te pasur enderrimtare ..
    Bravo..

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.