Një reflektim me rastin e 20-vjetorit të Panairit të Librit; komuniteti i botuesve, kriza e shitjeve, humbja e lexuesit dhe një perspektivë ndryshe për këtë industri
Mesi i nëntorit përkon me organizimin e panairit mbarëkombëtar të librit, i cili shënon në vetvete një festë për botuesit; festë më së shumti në aspektin financiar sepse shtohen ca pak të ardhura në xhepat e varfër të “punëtorëve të librit”, paçka se përgjithësisht këto lloj aktivitetesh askund të botë nuk shfrytëzohen për të shitur, por janë “pikëtakime” mes botuesve, agjentëve, shitësve, autorëve dhe lexuesve.
Ky vit shënon edhe 20-vjetorin e panairit të librit: Janë dy dekada punë dhe përpjekje të palodhura të editorëve, autorëve, përkthyesve dhe sektorit të shtypshkrimit për ndërtimin e një industrie e cila ka kaluar shumë sfida, dhe ka akoma më shumë sfida sot dhe në të ardhmen.
Sigurisht, të gjithë këta “punëtorë” të librit meritojnë mirënjohjen e pamatë të çdo lexuesi, sepse falë sakrificave të shumta që kanë bërë gjithë këto vite, secili prej nesh gëzon, shijon dhe mëson prej gjithë asaj pasurie të madhe mendore dhe shpirtërore që hidhet në qarkullim çdo kohë.
Padyshim, kurorën e meritojnë autorët dhe përkthyesit, të cilët janë fituesit/të humburit e mëdhenj gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Ardhja në shqip e shumë autorëve bashkëkohorë; shqiptarë apo të huaj; rritja e cilësisë dhe llojshmërisë së botimeve; zhvillimi i shumëanshëm i editimit të librit për fëmijë, janë vetëm disa prej aspekteve pozitive që meritojnë të përmenden.
Në këtë përvjetor kur duheshin shijuar më shumë suksese, ka më shumë sfida ndër këmbë, të cilat kanë vënë në dyshim edhe ekzistencën e industrisë së librit në përgjithësi dhe vazhdimësinë e aktivitetit të shumë prej shtëpive botuese në veçanti.
Botuesit sot janë kthyer në “gjahtarë” fondesh apo projektesh për të financuar botimet e tyre në vend të rishikimit thelbësor të planit dhe strategjisë së tyre të biznesit. Kudo në botë flitet për menaxhim, marketing dhe shitje të librit, të cilin e bëjnë njerëz që kanë përvoja dhe aftësi për ta bërë një gjë të tillë. Ndërsa në Shqipëri botimi ende konsiderohet si një “biznes patriotik” dhe botuesit shihen si “heronjt” e sakrifikuar. Me këtë mendësi është ndërtuar e gjithë kjo industri e cila nuk mund të vazhdojë asnjë ditë më tej me këtë qasje ndaj tregut apo “konsumatorit”. Sepse nuk mund të funksionojë dhe mbijetojë një industri në bazë të lëmoshës apo donacioneve.
Pikërisht për këtë arsye, prodhimi që është në qarkullim është i deformuar dhe në rastin më të mirë, i pakërkuar nga lexuesi. Ai nuk vjen si nevojë e kërkesë-ofertës; – pra, i shijeve të lexuesit, por si imponim i tyre dhe interesave që fshihen pas financimeve të individëve, organizatave, institucioneve apo shteteve të ndryshme. Këto lloj librash nuk zgjidhin as nevojat emergjente dhe as ato afatgjata të botuesve shqiptarë.
Për rrjedhojë, shtëpitë botuese nuk mund të funksionojnë si magazina që prodhojnë dhe mbajnë çdo lloj malli, por duhet të profilizohen sipas kapaciteteve dhe mundësive, duke e fokusuar aktivitetin e tyre në drejtime që iu japin identitet, avantazhe në konkurrim dhe iu krijojnë mundësi për të fituar më shumë. Disa prej tyre janë duke e bërë një gjë të tillë tashmë, ndonëse me sakrifica të mëdha.
Artikulimi i kërkesave të botuesve për reduktimin e TVSH-së, për uljen e taksës mbi të ardhurat për krijimtarinë artistike, etj., janë mëse të drejta dhe mund të kishin marrë zgjidhje me kohë nëse komuniteti i botuesve do të ishte i bashkuar. Gjithsesi, këto kërkesa janë të drejta dhe duhet lobuar fort nga të gjithë për realizimin e tyre.
Edhe vetë shoqata më shumë ndan sesa bashkon botuesit; ajo prej kohësh e ka humbur autoritetin për të qenë përfaqësuese e denjë e editorëve. Njëherësh, kjo shoqatë ka humbur shansin e mirë dhe besimin për të qenë drejtuese e të gjithë botuesve dhe organizatave në të gjitha trojet mbarëshqiptare. Marrëdhëniet mes botuesve dhe autorëve në Shqipëri dhe Kosovë janë krejt sporadike, të pakoordinuar dhe pa perspektivë nëse gjykohet mbi realitetin e tanishëm.
Shikimi i politikave dhe tarifave doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës, apo edhe Maqedonisë, ulja e tarifave të transportit për librin brenda apo drejt rajonit përmes kompanive publike, subvencionimi i tyre, koordinimi i politikave të përbashkëta për promovimin e librit dhe leximit janë disa prej hapave urgjentë që duhen ndërmarrë nga botuesit tanë për të shkuar drejt zgjidhjeve të qëndrueshme dhe në interes të këtij tregu.
Po ashtu, sistemi aktual i menaxhimit dhe shpërndarjes së librit është tërësisht i amortizuar, prandaj duhet kërkuar urgjent zgjidhje të tjera. Shitësi i librit është faktori kyç në çdo industri, por deri më tani nuk është menduar për këtë hallkë të tregut. Ata që tregtojnë botimet me pakicë apo shumicë përdorin mjete dhe metoda të tejkaluara dhe kanë mundësi të kufizuara financiare për ta mbajtur sipërmarrjen e tyre dhe mbuluar kostot. Botuesit kanë investuar para dhe energji për botime cilësore, por kanë neglizhuar hallkën më të rëndësishme; atë të shitjes.
Ky agjent tejet kritik i tregut ka dalë jashtë loje, qoftë për shkak të falimentimit të dhjetëra e qindra librarive në të gjithë Shqipërinë, qoftë prej politikave fiskale të pagjetura, mungesës së subvencioneve, por edhe për shkak të zhvillimeve të teknologjisë dhe mjeteve të komunikimit në ditët tona. Dalja e platformave online, si Bukinist.al, Shtëpia e Librit, Botime Shqip nuk u shoqërua me mbështetje dhe trajnime nga botuesit, përkundrazi: Ata nuk i shohin këto platforma si sipërmarrje që me ta mund të rrisin shitjet e librit fizik sot, dhe nesër të finalizojnë edhe projekte më të avancuara si e-book, audiobook-un, etj, por vetëm si tregtarë të çastit, prej të cilëve presin dhe kërkojnë veç fitimin e momentit.
Botuesit tanë nuk do të kenë një “Amazon” shqiptar nëse nuk do të ndërtojnë partneritete me platforma të tilla dhe nëse nuk do të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje për disa prej problemeve kyçe që ka kjo industri. Prej këtej fillon puna edhe për të menduar për lexuesin, i cili mbetet i shpërdoruari i madh dhe i keqtrajtuari i përhershëm; Sot jo thjeshtë kemi humbur dy breza lexuesish, por kemi dy breza lexuesish të deformuar prej kequshqyerjes me turlilloj paçavuresh që janë futur nëpër klasa, duke shkatërruar kështu shijen e magjishme të leximit dhe dëshirën e madhe për librin e mirë.
Në industrinë e librit, lexuesi nuk është thjeshtë “konsumatori”, por edhe agjenti më i fuqishëm për marketingun e librit. Nuk e shet librin reklama, por lexuesi i mirë, pra ai që e ndan përvojën e leximit me të tjerët. Komunitetet e lexuesve në Shqipëri janë të vobekta, paçka se ka disa nisma që duhen përgëzuar dhe mbështetur. Po ashtu, interesat e lexuesve duhet të mbrohen po vetë prej tyre, dhe jo të merren peng prej botuesve të cilët janë në konflikt interesi nëse po apo do ta bëjnë një gjë të tillë. Marrëdhënia mes botuesve dhe lexuesve ka pësuar të njëjtën trajektore rrënimi dhe mosbesimi ashtu siç ka ndodhur edhe me median shqiptare në përgjithësi.
Ndryshimi për mirë do të fillojë vetëm atëherë kur botuesi do të mendojë për të përgatitur libra sa më cilësorë, me një shqipe të pastër dhe me një cilësi sa më të mirë botimi, dhe lexuesi, pas ushqimit të mirë, do të ndërtojë më shumë besim dhe do të përcjellë më shumë vlera tek lexuesit e tjerë dhe tek shoqëria në përgjithësi. Prej këtej fillon edhe jetësimi i idesë që librin dhe leximin do të duhet ta kthejmë në një “mënyrë të jetuari”, ku ti kemi idetë dhe vlerat e tyre kudo të pranishme në hapësirat tona private dhe publike: Ku nëpër kafene të kemi bashkë me makiaton apo gotën e verës edhe librin në krah (teksa sipërmarrjes kafe-librari mund t’ia heqim të paktën taksën e mjedisit për këtë shërbim të shtuar që i bën qytetit dhe komunitetit); ku ti zhveshim qytetet tona nga reklamat e produkteve dhe shërbimeve dhe ti veshim ato për një apo dy dit në vit me imazhet e librit; ku ta çojmë librin dhe personazhin e trilluar në çdo cep të lagjes ku jetojmë.
Ne duhet ta shohim lexuesin si aset publik që përçon dhe tejçon vlerë tek të tjerët përmes leximeve të tij, sepse ai e investon kohën për shoqërinë dhe krijon mundësinë për rritjen dhe zhvillimin e biznesit të librit. Këtij lexuesi nuk i mjaftojnë dhe as i duhen fjalët dhe falënderimet e botuesve apo tregtarëve të librit. Por, nëse libri është i Mirë dhe nëse botuesit e bëjnë punën e tyre me pasion dhe profesionalizëm, ky agjent jetik vjen vetë, duke i dhënë një përmasë të re sipërmarrjes së librit dhe një frymë të madhe lirie shoqërisë në përgjithësi.
Pra, botuesi, shitësi, lexuesi, autori, përkthyesi dhe institucionet që bëjnë politika kulturore duhet të shkojnë në vendet e tyre, të bëjnë si duhet punën e tyre, dhe “veç e tok” të respektojnë shenjtërinë e librit, duke i dhënë peshën dhe vlerat që i takojnë atij në shoqërinë tonë. Lëvizja për ndryshim duhet të nisë tek prodhuesit e librit, të cilët, së pari, duhet të ndryshojnë mendësinë e tyre për këtë biznes: Ata duhet të rishohin strategjitë e tyre, të ulen me agjentët e shitjes së librit, të përmirësojnë punën për promovimin dhe marketingun, të gjejnë kanale të reja menaxhimi dhe shpërndarje dhe të përshtaten me ndryshimet e reja teknologjike për tregimin e librit. Ky përvjetor duhet të mbyllë një fazë tranzicioni të librit, për ti hapur faqen një ere të re të librit shqip. Në rast të kundërt, vitet në vijim do të shënojnë dhimbje të tjera pafund për librin dhe kulturën shqiptare.
NO COMMENT