Dervishi, dordoleci dhe… une

Herën e fundit jashtë, dervish Selimin e pamë duke mbledhur manaferra. Kishte ditë që nuk dilte nga kasollja e tij dhe u çuditëm, se menduam mos ishte sëmurë.

– I mbledh për të zier raki, – më tha Gojoja, – po nxito t’i afrohemi e ta ndihmojmë!

Të dy harruam dhentë dhe rendëm përmes një ledhi të pjerrët të mbushur plot me gjemba gomari. I bëmë mbarësi punën dhe i thamë se kishim ardhur enkas për ta ndihmuar.

– Keni lënë vetëm dhentë, – tha, – ndaj nuk më hyn në xhep fare ndihma juaj. Madje, në doni ta dini, tani i gjeni jo atje ku i latë, por te misërishtet e Samtinarëve, ku kanë hyrë dhe do bëjnë zullum të madh.

– Ara e Samtinarëve është gjysmë sahati larg, – u gjegj Gojoj, si më i shkathët që mbahej, – ndaj edhe sikur delet ta bënin me fjalë të niseshin sa mbetën vetëm, zor se do mbërrinin aq larg, le më të bënin zullum.

Por dervishi as që ia vari fare.

As mua nuk më ngushëlluan fjalët e Gojos dhe zemra se ç’më ndillte ters, ngaqë mendoja se dervishi qe shenjt dhe i dinte të gjitha. Pa e përshëndetur fare dervishin, renda i pari me shpresën se ende isha në kohë ta pengoja më të keqen. U ngjita përpjetë ledhit të pjerrët dhe pashë lëndinën e madhe të zbrazur.  Delet vërtet nuk qenë më aty. Dervishi kishte të drejtë. Kështu që, pa marrë frymë, vrapova drejt misërishtes së Samtinarëve. Mushkëritë po më dilnin vendit, por nuk ndalova.

Kur mbërrita, vështrova arën nga vrimat e thuprave të gardhit. Dëgjova blegërima, këmborë dhe zhurma, si dhe një zë që i reshte. Nuk e shquaja dot saktë se i kujt ishte zëri, por duhej të qe i Zalo Samtinarës, që për fat të mirë kish qëlluar në arë dhe nuk i kish lënë delet të futeshin në misërishte. Problemi i vetëm që më mbetej tani për të zgjidhur qe si do afrohesha, si të futesha me marifet, që të dukesha në sytë e Zalos sa më tutkun. Që atij t’i vinte keq dhe t’i lironte dhentë pa e marrë vesh im atë. Pickova veten aq sa më dolën lot nga dhimbja dhe ashtu, me sy të lagur, bëra përpara.

Por kur hyra brenda, më zuri tmerri. Zaloja nuk ishte fare aty, ndërsa delet po i ruante dordoleci i arës, që kish dalë nga huri dhe tani qëndronte në këmbë si njeri. Xhaketa e tij qe e vjetër dhe e arnuar, por, bashkë me kapelën e kashtës, e bënin të dukej si burrë i vërtetë. M’u drodh zemra nga frika. Njëherë mendova të prisja Gojon, të sigurohesha nëse edhe ai e shihte atë që shihja unë, por pastaj u kujtova se, kur ai mësonte se dhentë i bënin zullum, ia mbathte për nga shtëpia e gjyshes prej frikës së të atit, Tobar Tolibës, që e rrihte vençe. Edhe tani andej duhej të ishte duke u fshehur, se e dinte që dhentë ia çoja unë në shtëpi.

Pashë, ç’pashë, iu afrova pa zhurmë dordolecit dhe kur u gjenda përballë tij, i thashë:

 – Tungjatjeta! – pa e pasur të qartë se sa vlerë kishte për të kjo shprehje.

Fundja dordoleci rronte sa t’i vinte e jo më ky, që Zaloja e mbante në pëllëmbë të dorës, pasi ia ndërronte kashtën dy herë në vit. Tërë fshati tallej me të dhe sa herë që dikush kalonte pranë arës, i thoshte me shpoti:

– Edhe dhëndër ta kishe, o Zalo, nuk do t’i bëje kaq hyzmet!

Zaloja qeshte dhe ua kthente buzagaz:

– Ku ma gjen dhëndrin si ky, të ruan bereqetin dhe nuk ta prek çupën!

Mendimet m’i ndërpreu një zë i frikshëm, që erdhi nga brenda xhaketës; ishte sikur dikush të fliste pa i lëvizur buzët dhe barkun:

– Pra, erdhe. Ç’të tha dervishi?

– Që delet i kam këtu, – ia ktheva dhe mora zemër, ndonëse frika nuk më qe larguar. – Po mblidhte manaferra, – vazhdova për të mos e lënë heshtjen të zgjatej.

– Ashtu, mirë, – ma preu, – tani çoji dhentë në shtëpi! Dhe në mbrëmje eja te Kroi i Bigorrit! Atje do takohemi prapë, se do vemi bashkë te dervishi për vizitë.

– Si kështu? – e pyeta. – Si mund të ecësh ti?

– Eci, eci, – tha pak si me nënqeshje, – po dëgjo, se po nuk erdhe…! Në rregull?

Nuk fola më. Vura delet përpara dhe shkova nga pas tyre i hutuar. Nuk dija ç’të mendoja. Duhej të mbërrija sa më shpejt në shtëpi. Të gatisja fenerin dhe në të ngrysur të dilja te Kroi i Bigorrit. Vrisja mendjen se ç’punë kishte dordoleci me dervishin dhe ç’hyja unë në punët e tyre, por nuk arrija në ndonjë përfundim të qartë. “Sido që të jetë, do ta marr vesh”, – thashë me vete.

Kur u futa në fshat, muzgu po binte, por ende nuk ishte ngrysur sa të mos dukej. Delet e Gojos kthyen në oborrin me portë të hapur të Tobar Tolibës. Ato ishin mësuar vetë. Ndërsa të mijat ikën përpara dhe ndaluan në oborrin e shtëpisë sonë. Nëna doli dhe u kujdes t’i fuste brenda. Unë hyra në shtëpi. Mora fenerin me vajguri dhe dola fshehurazi nga dera e pasme. Kur mbërrita te Kroi i Bigorrit, dordolecin e gjeta aty. Rrinte ulur dhe hija e tij dukej mjaft e gjatë. Sa më pa, u çua dhe bëri përpara. Unë e ndoqa në heshtje. Ecnim drejt Bregut të Hijes, për andej nga e kishte kasollen dervish Selimi. Hëna në formë drapri vazhdonte të largohej gjithnjë e më tepër dhe errësira bëhej më e dendur, por hapat i hidhja nën dritën e fenerit. Pastaj u futëm mes për mes një pylli të shkurtër dhe pamja e tij dukej e frikshme, por edhe e trishtueshme. Unë nuk kisha më frikë. Të vente ku të vente. Mbërritëm atje rreth mesnatës. Brenda kasolles ndriçonte një dritë e zbehtë, që dukej nga dritarja. Si duket, dervishi ende nuk kish rënë të flinte.

– Trokit! – më tha dordoleci me ton urdhërues. – Se nuk të mora me vete për të bërë sehir.

Trokita. Pas pak, dera u vajis. Dervishi na u shfaq i madh dhe i rëndë, por dukej shumë i lodhur. Në fillim më vështroi mua, pastaj mysafirin e çuditshëm.

– Futuni! – tha dhe ne hymë.

– Ja pra, u poqëm të tre, – tha dordoleci, që bënte disa lëvizje prej karagjozi. – Tre adhuruesit e Lules, vajzës së Zalo Samtinarës.

– Po, – u përgjigj dervishi.

U çudita shumë. Nuk më kishte shkuar mendja kurrsesi që dervish Selimi të dashuronte Lulen. Ai ishte i vjetër, ndërsa ajo shumë e re. Si mundej një krijesë, që i gjithë fshati e konsideronte shenjt, të bënte një gjë kaq të pahijshme?! Por, si u kthjellova, e kuptova se të dashuroje nuk ishte aspak e pahijshme, edhe po të ishe dervish, edhe po të ishe plak. Sidomos po të kishe parasysh se ç’krijesë e mrekullueshme qe Lulja. Pastaj vëmendja ime u përqendrua te dordoleci. Kjo puna e tij nuk merrte kollaj shpjegim. Si kishte mundësi që dordoleci prej kashte të binte në dashuri me një njeri? Por ja që bënte vaki. Gjithsesi, sërish më dukej punë shumë e ngatërruar.

– Siç e shihni, – e mori fjalën dervishi, – të tre dashurojmë të njëjtën vajzë, por që të tre kemi nga një mangësi të madhe, që nuk na favorizon aspak. Unë jam shumë i vjetër për të, ky, – duke drejtuar gishtin nga unë, – është shumë i ri, ndërsa ti, – i tha dordolecit, – je prej kashte. Por, gjithashtu, të tre kemi nga një pikë të fortë, që ndoshta na favorizon në sytë e saj.

– Ti ke urtësinë, – tha dordoleci, duke ia ndërprerë fjalën në mes. – Ky ka hovin rinor. Ndërsa unë kam zemrën e zezë e të errët si dheu, që do ta digjte gjithë fshatin, pastaj veten, për ta shtënë Lulen në dorë. Ju e dini kush jam dhe si jam mpleksur, – vazhdoi dhe nënqeshi, pa e lëvizur fare fytyrën.

– Ndërkohë, më e mira për ne, – ndërhyri dervishi, – do jetë të biem në ujdi. Po ti, ç’ke për të thënë? – m’u drejtua.

– Po ja, – thashë, – sot e mora vesh që edhe ju të dy dashuroni Lulen. Por, më vjen keq për ju, pasi Lulja nuk do njeri tjetër veç meje.

Dervishi nënqeshi me shpoti. Po ashtu edhe dordoleci.

– Nuk më besoni? Atëherë që nesër do vete te Zalo Samtinara dhe do t’i kërkoj të bijën për nuse. Më lëntë rrufeja përmbys po nuk vajta!

– Dëgjo, – ma preu fjalën dervishi, – duhet të kuptosh diçka, biri im: ne të tre nuk dalim nga kjo dhomë pa rënë në ujdi. Por kemi kohë gjer në agim. Pastaj dordoleci duhet të kthehet atje ku e ka vendin, ndërsa unë do çel portën e kasolles për të pritur ata që kërkojnë derman, siç bëj prej kusur vjetësh. Gjithsesi, nesër, meqë ra fjala, nuk do ta kërkosh dot dorën e saj, – vazhdoi dervish Selimi, dukshëm pak i nevrikosur.

– Pse? – e pyeta shpërfillës.

– Sepse në mëngjes ajo do dalë të korrë arën dhe do ta pickojë gjarpri.

– Si kështu? – brofa.

-Po, – më tha, – por mos u shqetëso, se do t’i kalojë. Kam gatitur enkas një melhem me manaferra për të dhe do bëhet mirë.

– Prandaj kishe dalë sot? – e pyeta. – Të mblidhje manaferra?

– Po, – ma ktheu.

Ndërkohë, herë pas here, dëgjohej kënga e një gjeli të egër, çka tregonte se mëngjesi qe afër.

– Kjo punë do zgjidhet kështu, – tha dervishi. – Kur Lulen ta pickojë gjarpri duke korrur misër, dordoleci do t’i japë ndihmën e parë, gjersa të mbërrijë Zaloj. Ti do ta mbash në krahë gjer në kasollen time, ndërsa unë do ta shëroj.

M’u drodh zemra.

– Gjatë kësaj kohe, ajo do jetë në gjumë të thellë dhe, kur të zgjohet, do ta ketë vendosur se kë do zgjedhë.

– Po sikur të vdesë? – pyeta me frikë.

– Jo, nuk vdes, – tha dervishi.

– Po ti mund ta parashikosh kë do zgjedhë ajo. Ç’na duhet prova? – shtova.

– Biri im, – më tha gjithë qesëndi dervishi. – Unë shoh vegime dhe parashikoj ato që ndodhin së jashtmi, por nuk kam forcë të shikoj brenda kokës apo zemrës së njeriut. Po të qe kështu, ju lija të dyve, ty dhe këtë edepsëzin, me gisht në gojë. Por ja pra, që në punët e zemrës jam krejt i pafuqishëm. Veç di të them këtë: ndiej se kjo dashuri është përvëluese sa vetë flaka e zjarrit për të tre.

Pas kësaj deklarate nuk folëm më. U ndamë dhe ikëm. Rrugës u ktheva vetëm, pa dordolecin, se ai i ra një rruge tjetër. Por as unë nuk kisha qejf ta bëja rrugën me të.

Kur zbardhi dita, u zgjova i këputur, ngaqë nuk fjeta shumë. Ende pa e marrë mirë veten, në vesh më erdhën britmat e nënës:

– Lulen e ka pickuar gjarpri te ara.

Brofa i lebetitur, si të më kishte ngrënë mua gjarpri dhe frymën e mbajta për atje. Kur mbërrita, ishin mbledhur shumë njerëz. Në mes tyre qëndronte Lulja, e bukur dhe e bardhë. Ndërsa dordoleci qe rrëzuar fare pranë saj. Pamja e tij e shëmtuar karshi fytyrës së bukur të Lules ma helmoi zemrën. Por nuk e dhashë veten. M’u duk se ai e kuptoi dhe më nënqeshi, por s’i dhashë rëndësi. Lulen e vunë në një tezgë dhe e çuan në shtëpinë e Samtinarëve. Kur e panë se nuk kishte asnjë përmirësim, e nisën drejt kasolles së dervish Selimit. Tezgën e  mbanim unë dhe Zalo Samtinara. Rrugës ajo vuajti shumë; buzët i mbusheshin me një shkumë të bardhë nga helmi, që e mbyste. Mbërritëm te dervishi, që na priste me derën hapur. Më pa vëngër, por nuk ia vara. Mendjen e kisha vetëm te Lulja. Unë dhe Zaloj u larguam, se ai nuk na deshi aty. Rrugës së kthimit takuam Zarifen, që po shkonte te kasollja e dervishit.

Lulja ndenji atje rreth një javë. Zarifja, e ëma, tregonte se në kllapi, e bija fliste përçart një emër, që ajo nuk e kishte kuptuar, por, nga kjo, dervishi qe tronditur aq shumë, sa zinte veshët me duar si të kishte të paudhin në bark, ngaqë nuk donte ta dëgjonte. Ditën që Lulja qe shëruar dhe u largua, ai pat mbyllur derën e kasolles dhe kish qarë. Qante me zë dhe dëgjohej që jasht.

Po atë mbrëmje erdhi lajmi se kasollja e dervish Selimit pati marrë zjarr. Ata që shkuan ta ndihmonin, e kishin gjetur kasollen të shkrumbuar, ndërsa dervishin të vdekur. Unë, që bashkë me nënën kisha shkuar për vizitë te Samtinarët, ngaqë kishim miqësi me ta, shtrëngova fort dorën e Lules, pa më vënë re njeri. Pikërisht atë çast, brenda ia behu Zaloja, që i shqetësuar mbante në duar një copë rreckë të djegur, ndoshta një xhaketë.

– Mallkime të renda po ndodhin, –  tha, – edhe dordolecit tonë dikush i kishte vënë zjarrin.

Nuk u befasova,  por nuk më erdhi keq as për dervishin, as për dordolecin. Vetëm vështrova Lulen me zemrën plot. Ajo më kishte zgjedhur mua dhe dashuria jonë fliste ashtu siç tha dervishi, me gjuhën e zjarrit.

Korrik, 2023

RRETH AUTORIT

Ervin Nezha është një emër i ri në letërsinë bashkëkohore shqipe. Ka përfunduar studimet në Fakultetin Histori – Filologji, dega letërsi, në Universitetin e Tiranës. Përmbledhja me tregime “Të vdesësh nën diell”, hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Albas shfaqi profilin e tij si tregimtar. Nezha u bë pjesë e konkursit të Karantinës, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Vepra e tij u vlerësua mes tre krijimeve më të mira në konkurim. Më pas ky autor doli me romanin “Erërat që trazojnë mjegullën”. E gjithë krijimtaria e tij është botuar nga Albas. Ky autor ka përfaqësuar Shqipërinë në Panairin e Librit në Laipcig (Gjermani) me krijimtarinë e tij së bashku me disa shkrimtarë të tjerë shqiptarë. Ervin Nezha ushtron profesionin e mësuesit dhe jeton në Qarkun e Elbasanit.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.