Tregim nga Anxhela Pashaj

Vizita

Lashtësia e planetit tonë është po aq sa ajo e Tokës. Disa nga ne mendojnë se ky yni është edhe më i lashtë, por ende nuk është provuar gjë. Këtu tek ne rrjedhin ujëvara nga të gjitha anët dhe gjelbërimi nuk ka fund. Më kanë thënë se edhe në Tokë kështu ka pasë qenë, por tash është jo më shumë se një pirg madhor dheu që nxjerr tym. Nuk kam qenë atje ndonjëherë, ama fort ma ka ënda të shkoj ta vizitoj.

Rrëfenja mahnitëse vijnë prej andej, të cilat dua t’i prek nga afër, për këtë arsye e kam ndarë  mendjen se më 31 dhjetor do të nisem për në Tokë. Me thënë të drejtën, kam prerë një biletë goxha të lirë, fat i madh që e kapa me atë çmim. Do të ulem në bisht të anijes nga ku është e vështirë të shihet hapësira. Oh, hapësira!

Ajo është një humnerë e stërmadhe ku vërtitet papushim gjithë pafundësia. Kur isha fëmijë, im atë më nxirrte shpesh në hapësirë,  që ta shihja nga afër terrin që qarkonte gjithçkanë. Ai përherë më tregonte se nga cili drejtim ishte e vendosur Toka, e unë e vështroja atë shkëlqimin e largët të saj sikurse një i dashuruar.  Kam përgatitur çdo gjë që mund të më duhet, duke filluar nga furça e dhëmbëve deri tek librat dhe teleskopi.

Oh sa shumë gëzim! Toka!

Nisja u bë herët në mëngjes. Ylli ynë i zjarrit ende nuk kishte lindur nga perëndimi. Në qiell dalloheshin shtëllunga të dendura resh që afroheshin rrufeshëm mbi qytetin e përgjumur, megjithatë nuk kërcënonin për ndonjë stuhi. Ishin rozë dhe kjo fliste se brenda tyre nuk kishte asnjë pikë rreziku që mund të derdhej mbi dhe.

U ula në bisht të anijes ashtu sikurse thuhej në biletë. Zemra më gufonte nga gëzimi. E ndjeja lëvizjen e anijes në ajër, e dija se bashkë me të lëvizja edhe unë. Kurioziteti për të parë sa larg dukej shtepia më ngriti nga vendi ku isha ulur dhe iu afrova një dritarëze të pazot për të vështruar jashtë saj. Shtëpia ishte shndrruar në një dritë të fuqishme që çante terrin. Isha larguar mjaft.

S’di pse në fytyrë më vrapoi shpejt një buzëqeshje. Nuk qëndrova gjatë pranë dritarëzës, u ktheva te vendi im. Hapa një libër që fliste për Tokën. Sa shumë që tregonte, me sa shumë gëzim i lexoja fjalët e ëmbla. S’di të them me saktësi sa kohë kaloi kur një zë robotik njoftoi se po i afroheshim Tokës. Ndjeva se si brenda kaharorit tim një zë bërtiti lumturisht fjalë që kurrë si kuptova.

Procesi i uljes zgjati gjithë një orë, domosdo duheshin të gjitha përgatitjet teknike të ishin në akord për të mos pasur ndonjë shqetësim nga ana e tokësorëve, të cilët shquheshin për kontrollet e tyre të shpeshta. Nuk e dija nëse kjo ishte prej pasigurisë apo korrektësisë.

Sapo dola nga anija kozmike m’u ngjesh furishëm pas fytyrës një avull i nxehtë që më bllokoi frymëmarrjen. Nuk më la kush të vështroja rrotull sepse menjëherë erdhën disa trupa të mëdhenj të cilët më mbërthyen nga krahët dhe më futen brenda një automjeti të shkuar kohe.

E para gjë që pashë ishte një zotëri, i cili qëndronte pas një tavoline dhe më shihte gjithë dyshim. Mendova ta përshëndesja, por nuk pata guxim. Ai mbante veshur një kostum blu të errët të cilin e kishte mbytur me dekorata e medalje. Nuk duhej shumë mend për të kuptuar që ishte një njeri i rëndësishëm.

Në fillim më çpoi me shikim e tij, me pas lëvizi pak buzën e poshtme si të lajmëronte të sipërmen se kushtet ishin pjekur dhe ishte koha të flisnin.

Zotëria:  Hera e parë në Tokë?

Unë: Po!

Zotëria:  Arsyeja e ardhjes?

Unë: Për një vizitë.

Zotëria:  Sa ditë do qëndroni?

Unë: Se kam menduar!

Zotëria:  Si kështu?! Po ku do qëndroni?

Unë: Në hotel.

Zotëria:  Në cilin hotel?

Unë: Nuk më kujtohet.

Zotëria:  Si kështu?!

Unë: Se di! Për momentin nuk më kujtohet.

Zotëria:  Në çantën tuaj gjetëm një teleskop dhe një krahë me libra.

Unë: Po.

Zotëria:  Përse ju duhen?

Unë: Nuk kuptoj!

Zotëria:  Librat, librat djalosh….! Shkruar në një gjuhë që nuk e njohim. Nuk mund t’i marrësh me vete!

Unë: Po ato janë gjithçka e imja!

Zotëria:  Më vjen keq! Këtu tek ne këta libra nuk futen!

Unë: Po …, a mund të më kthehen kur të largohem?

Zotëria:  Jo!

Si tha “Jo!” u ngrit prej vendit dhe doli jashtë.  

Më nuk e pashë.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.