READING

5 ide per te ndihmuar letersine per femije

5 ide per te ndihmuar letersine per femije

Lefteri Gjoshe*

Libri është një nga pasuritë e çmuara që trasmeton dije, informacion e njohuri për fëmijët e çdo moshe. Tekstet shkollore japin njohuritë bazë të programuara për fëmijët. Informacioni plotësues merret nëpërmjet librave jashtëshkollore; qofshin këto të përfshira në listën e titujve të miratuar nga Ministria e Arsimit, por edhe nga librat letraro-artistik e shkencor që mbushin raftet e librarive dhe bibliotekave.

Burim informacioni janë edhe librat që botohen çdo vit nga shkrimtarë e autorë librash për fëmijë vendas apo edhe të huaj që vijnë përmes përkthimeve në gjuhën shqipe. Kësisoj, mundësia për të marrë informacion e dije është e shumëllojshme, por aktualisht tek fëmijët tanë sot ka rënë shumë interesi për të lexuar, nëse e krahasojmë atë me fëmijët e shumë viteve më përpara. Kjo vjen si pasojë e zhvillimit të gjithanshëm të teknologjisë informative dhe formave të ndryshme të argëtimit të fëmijëve, ku ndër më kryesorët janë pajisjet smartphone, si edhe nga puna e pamjaftueshme e prindërve për ta bërë librin pjesë të përditshme të argëtimit të fëmijës qysh në vitet e para të jetës së tyre. Fëmijët duhet t’i edukojmë në mënyrë të tillë që ta dashurojnë librin.  

Për t’i bërë ballë kësaj situate kërkohet:

Së pari; një punë e mirëstudiuar në planifikimin e programeve mësimore, duke hartuar tekste që pasurojnë njohuritë dhe që zhvillojnë intuitën e fëmijëve. Një nga format e punës që ka dëmtuar unifikimin e arsimit në vendin tonë është ajo e hartimit të disa varianteve tekstesh shkollore me përzgjedhje për të gjitha lëndët. Që këtu fillon sabotimi që i është bërë sistemit tonë arsimor. Nuk është aspak e drejtë që shkolla tona, që nga Jugu e deri në Veri, të punojnë me tekste të ndryshme që janë hartuar nga grupe e individë, të përzgjedhur nga ana e komisioneve të ngarkuara për këtë fushë, sipas tarafit e preferencave të drejtuesve. Kësisoj, është ulur shumë cilësia e teksteve shkollore. Është e domosdoshme që ky difekt të korrigjohet sa më shpejt e të unifikohen programet e tekstet mbi bazën e një planifikimi serioz nga specialistë të zgjedhur dhe me integritet.

Së dyti; po përqendrohem tek lënda e letërsisë për fëmijë. Nga ana e Ministrisë së Arsimit është miratuar një listë e gjatë me libra jashtëshkollorë që orientohen të shfrytëzohen për lexime jashtëklase dhe për orët e lira. Në këtë listë përfshihen libra të vjetër prej disa dekadash, që kanë zënë vend e nuk ndryshohen e as rifreskohen me libra të rinj cilësorë të autorëve bashkëkohorë. Është qesharake të konstatosh që disa nga këto libra kanë qenë në listën e librave jashtëshkollorë, që kur prindërit e këtyre fëmijëve të cilët janë nxënës në shkollat fillore e 9 vjeçare, kanë qenë vetë nxënës në këto klasa. Ka ardhur koha që prej organeve të kësaj fushe të mendohet më shumë për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve, se sa për t’u bërë qejfin miqve e xhepave të pangopur. Fëmijët janë pasuria e këtij vendi. Ata duhen shpëtuar nga apatia që u është servirur gjatë viteve të këtij tranzicioni të stërgjatur, që po zbeh shumë vlerat njerëzore. Fëmijëve u duhen servirur materiale cilësore, u duhet planifikuar letërsi me libra që edukojnë ndjenja të patriotizmit, të atdhedashurisë, të mirësjelljes, të besimit e ndihmës reciproke midis njerëzve, të dashurisë për prindërit, për mësuesit, për shokët, të ndjeshmërisë për njerëzit në nevojë, libra që edukojnë vyrtytet e larta të mirënjohjes, besës etj.  Fëmijëve, sipas moshave e cikleve, u duhen përzgjedhur pjesë nga korifenjtë më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe botërore. Vetëm në këtë mënyrë mund të formojmë e të edukojmë njeriun që e kërkon koha sot dhe perspektiva e zhvillimit të shoqërisë për nesër.

Së treti; një rol të pazëvëndësueshëm në formimin e fëmijëve ka tërheqja e tyre drejt leximeve në fusha të ndryshme, sipas preferencave. Sot ka shumë autorë të mirë që shkruajnë për fëmijë. Nga ana e shtëpive botuese, nga mësuesit e gjuhës e letërsisë, nga vetë autorët bëhet një punë e madhe njohëse, propoganduese, orientuese për të përzgjedhur libra të ndryshëm artistikë ose shkencorë. Panairet e librave kanë shërbyer shumë për promovimin e librit në tërësi e të librit për fëmijë në veçanti. Me shumë vlera është edhe puna që po bëhet nga disa autorë librash nëpër takimet me fëmijët, duke u ngjallur interesin për të lexuar. Si autore librash për fëmijë, do të veçoja një nga format që mua më ka dhënë shumë rezultat. Nëpërmjet rubrikës “Ejani të lexojmë së bashku”, që është aplikuar në rrjetet sociale dhe në portalet televizive, është vënë re një interesim çdo ditë e më shumë prej fëmijëve. Modeli i të lexuarit prej autores së librit dhe tërheqja pas fabulës interesante të tregimit, përrallës, rrëfenjës e pjesëve nga librat, i bën fëmijët që të aktivizohen edhe vetë drejt leximeve e t’u lindë interesi për të lexuar.   

Së katërti, dua të jap mendimin tim në lidhje me stimujt vlerësues për botimet e reja të librave për fëmijë. Nëpër panairet e librave vihet re nje nënvleftësim i dukshëm në dhënien e çmimeve e stimujve për kontigjentin e librave për fëmijë.  Komisionet vlerësuese duhet ta shohin këtë problem me prioritet krahas vlerësimeve të librave për të rritur e të librave të përkthyer. Stimuli rrit konkurimin midis autorëve e njëkohësisht edhe nivelin cilësor të letërsisë për fëmijë. Fëmijët janë e ardhmja e kombit, kësisoj sa më shumë dije të marrin, aq më të zotë do të bëhen për jetën e tyre, për familjet dhe për vendin.

Së pesti; shteti duhet t’i kushtojë më tepër vëmendje politikave të botimeve e çmimeve të librave. Taksa e lartë e botimeve dhe çmimet e larta të letrës kanë rritur shumë koston e botimit të librave. Si pasojë, rriten edhe çmimet e vetë librave. Ky realitet nuk përputhet aspak me fuqinë blerëse të familjeve tona, prandaj edhe shitja e librave është shumë e kufizuar. Në këto kushte edhe vetë autorët e librave kanë nevojë për një mbështetje financiare për të përballuar kostot e larta të botimeve.

*Autorja e shkrimit është me profesion mësuese në pension dhe ka shkruar disa libra për fëmijë

Mendimet e shprehura në këtë artikulli janë qëndrimi i vetë autores dhe shërbejnë si një shtysë për debat, ku janë të ftuar të gjithë ekspertët për të ndarë opionionet e tyre në lidhje me letërsinë për fëmijë, promovimin e librit dhe nxitjen e leximit në mjediset e shkollës.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.