*
ngushtue asht shtriga e shtrueme ujnash
me e paditë vorbën e arrnave që ia përflakin shtatin
mandej flatrimit i jepet kah t`dojë
me e thur me e hangër ndokendin
kundruell këtij uji t`lum` që vjen bashkë me qiell
përdritun prej shtjella e shtjella zogjsh tunduesa
m`lëshon zanun njak ndoj andrre përzie
me trupin zhveshun marrjet gjuejtun ngulun n`ushujza
nji kah nji therrat e territ ngjeshun shtihen ndër fshehtësi
shtriga e shortì n`mue tëhollin e ntrashin vorbulla
n`gjetjen e fundme t`ndoj langu t`zi gjith` i fshehun
shpirtit tem që zhgul rrethin e tokës e bahet Diell
*
ajri pështjellues asht litanì e mbrame
brigjesh t`pandeshuna endet
për diell t`mbaruem e jerm
e nuk lëshohet n`kurrnji za
veç ndjesive i vjen
e shfryn sysh e gjymtyrësh t`errëta
eja eja n`barkën teme
se natë asht nata e dita shëmtì
e un` jam i zi e t`grishi n`barkën teme
zhveshun rremash e shenjash për me u mbërri
me ia ba liqen liqenit
MBI KRIJIMTARINË POETIKE TË LEDIA DUSHIT
Ka një poetikë dominante në krijimtarinë poetike të Ledia Dushit: ajo ndjehet e përmbushur plotësisht në përcaktimin e filozofit dhe estetit italian Xhabatista Viko, se poezia është “ligjërim i imazheve të fëmijërisë”. Poetja u vesh ndjenja të trazuara dhe pasione sendeve dhe gjërave të pandjeshme, duke ia heqë frerët imagjinatës. Fëmijëria zgjatet në të gjitha moshat, gjithmonë duke mbartur idiomën e mjedisit rrethues.
Syri i vëmendshëm mund t’i kapë lëvizjet nga kjo dominante. Në librin e dytë, sipas mësimit të amerikanit Ezra Pound, se poezia moderne duhet të matet më prozën, aty-këtu futën disa “histori” të vogla të personazheve që burojnë prej asaj imagjinate.
Një lëvizje tjetër është theksimi i mëtejshëm i ritmit. Libri i tretë i autores këtë e thekson që në titull: “Më mujt me fjet… me ardhjen e shpendve”, për të kaluar më pas nëpër krijimet e ndryshme.
Në fund të fundit, gjitha këto mjete i shërbejnë autores për t’ua dhënë çasteve poetike përjetësinë.
Dr. Gazmend Krasniqi
NO COMMENT