READING

Zilja e ndrojtur (Gravura nga Buenos Airesi, 1933)...

Zilja e ndrojtur (Gravura nga Buenos Airesi, 1933) – Roberto Arlt

 

ROBERTO ARLT

(Argjentinë, 1900 – 1942)

 

GRAVURA NGA BUENOS AIRESI, 1933

ZILJA E NDROJTUR

 

“Ndërsa lag sytë e mi të sëmurë, me një kolir të errët”, shkruan Orasio; në epistulën e pestë të vëllimit të parë tek “Satirat”.

Padyshim, jam fiksuar pas Oftalmologjisë. E vetmja gjë që më ngushëllon, është që edhe një poet romak, njësoj si dhe unë, ka hequr një mijë e një të zeza para shumë shekujsh; por, meqenëse s´kam ndërmend ta zgjas duke folur për gjëra të mërzitshme, le të nisim, atëherë, të merremi me njeriun e ziles së ndrojtur… keni për ta parë se ia vlen.

Edhe pse jam përkohësisht i verbër nga njëri sy (nuk e di nëse, tre miqtë e mi, oftalmologët, nuk do ma qorrojnë njëherë e mirë), eci nëpër rrugë duke këqyrur, me të vetmin sy që kam në rregull, gjithçka që më intereson, por gjithashtu edhe ato që s´më interesojnë.

Pra kështu, sot në dymbëdhjetë e gjysmë u bëra dëshmitar i kësaj ngjarjeje kaq të parëndësishme, por që kallëzon një botë të tërë.

Një djalë aty mes njëzet e tre a njëzet e pesë vjeç, i veshur keq, me një fytyrë që shprehte zgjuarsi, u afrua tek një portë e lartë dhe madhështore në rrugën Çarkas dhe i ra dy herë ziles. Mirë pra; nëse ju do ta kishit këqyrur se me sa ndrojtje e shtypi butonin e ziles ai njeri, se me sa kujdes, pasi i ra ziles, u tërhoq larg derës dhe nxori një letër nga xhepi; nëse ju do ta kishit parë këtë, do ta kuptonit qartë se ai djalë kishte shkuar tek ajo ndërtesë për të kërkuar diçka dhe për ta kërkuar me ndrojtje, sepse ata që nuk shkojnë për të kërkuar, zakonisht i bien ziles deri sa të mbarojë bateria.

Ajo zile aq e ndrojtur, më preku. Kuptova gjithë tragjedinë që fshihej brenda tij: sepse vetëm dikush që ka kaluar çaste të hidhura në jetë, e di se në ç´mënyrë mbështetet gishti tek zilja e godinës ku banon një balenë e pushtetshme apo një peshkaqen i babëzitur.

Jam bashkë me një mikun tim dhe sapo i them mendimin tim për mënyrën sesi djaloshi i ra ziles së portës, m´u përgjigj:

– Të njëjtin hamendësim, që po më thua, sapo e bëra dhe unë.

U ndalëm dhe pritëm në bordurën e trotuarit për të parë se ç´do të ndodhte.

Pas një minute, doli portieri dhe djali e përshëndeti me mirësjellje. Tjetri i hodhi sytë, mori letrën dhe e mbylli sërish portën në fytyrën e nevojtarit të mundshëm. Përherë ndodh kështu. Ai i shkallës më të ulët është më i vrazhdi me nevojtarin.

Peshkaqenët, gabat dhe balenat, gjithmonë e kanë një lustër kulture që i bën ta presin me njëfarë njerëzie që, gjithsesi, edhe pse e ftohtë, për nevojtarin është njerëzi.

Ndërsa, portieri i gabës apo i peshkaqenit nuk e ka hiç. Ai është më i serti me nevojtarin. Është pika tragjike e tij. Përballja me rojën e portës, është çasti më i dhimbshëm në udhën e kryqit (via crucis) të njeriut që duhet të lypë diçka, kur i ka këpucët e grisura dhe kostumin të çngjyrosur apo të ngrënë tek bërrylat.

Portieri kurrë nuk i përgjigjet përshëndetjes së një njeriu të veshur keq. Dhe jo vetëm që nuk i përgjigjet, por ia mbyll derën në fytyrë madje, sikur të trembej se ky do të vidhte ndonjë gjë nga salloni.

Sapo portieri përshquan një nevojtar, e para gjë që bën është mbajtja e dorezës së portës me njërën dorë dhe këqyrja e brashnjave të fatziut. Dhe pasi i ka këqyrur brashnjat, merr letrën, e vështron nga të dy anët, mbyll portën dhe zhduket.

Ky vështrim ia bën kallkan zemrën nevojtarit. Kupton se armiku i tij i parë, se i pari që do t´ia mohojë një gotë ujë, është ky i paedukatë që rastësisht ecën me dy këmbë.

Dhe sapo zhduket pamja fyese e portierit, tek nevojtari lind një ndjesi tmerrësisht brengosëse. Tani ndien se ngeli në rrugë, në rrugën e qytetit, sepse nuk ka gjë më poshtëruese sesa kjo: të presësh përballë një porte të mbyllur, duke e ditur se njerëzit që kalojnë të shohin dhe thonë me vete që po pret aty për të lypur diçka. Janë një apo dy minuta, por dy minuta të ngjashme me ato që mund të kalonte një njeri i ndershëm i lidhur pas një shtylle, përballë tëré atyre vështrimeve që e zhveshin, që i rëndojnë si plumb dhe e degdisin në një nga skutat e ferrit të fatkeqësisë.

Ndërkohë që shkojnë ato minuta, nevojtari mendon për pritjen qé do t´i bëjë gaba; vret mendjen nëse do ta presë apo jo dhe nëse po, në ç´mënyrë; madje përgatit edhe fjalët me të cilat do të bëjë kërkesën. Një situatë therëse, në këtë çast shpirti i nevojtarit përmbytet me shpresë dhe hidhërim; e di se tërë poshtërimet e tij janë të kota, se ajo letër, që portieri e mori tërë bezdi, nuk do të ketë hiç peshë tek marrësi i saj, por, sidoqoftë, si dikush që mbytet, ai mbërthehet pas asaj dërrase të vetme, sepse asnjë njeri nuk mund të jetonte në realitet, nëse nuk do të ishte i mbërthyer me thonj pas një gënjeshtre apo një iluzioni.

Më kujtohet një horr i njohur që, dikur, më tha:

– Në qoftë se do që të të trajtojnë me respekt, mos harro se gjithmonë duhet të kesh në dollap një kostum të ri dhe një palë këpucë fringo. Edhe sikur pa bukë të jesh, kurrsesi nuk duhet të të mungojnë dorashkat apo bastuni. Rruaju, edhe po s´pate brisk, rruaju me një copë qelqi dhe në vend të pastës së rrojës përdor çfarëdo solucioni për pastrimin e metaleve, por ama, nëse shkon të kërkosh diçka, shko me kryelartësinë e një zotërie të rëndë dhe arrogancën e një princi. Në këtë vend, njerëzit respektojnë vetëm arrogantët dhe të paedukatët. Nëse hynë në ndonjë gjykatë apo komisariat, duke u çjerrë me zë të lartë dhe pa e hequr kapelën, të gjithë punonjësit do të të presin me respekt, të trembur se mos je ndonjë cub që ke miq politikanë.

E njëjta gjë ndodh me portierët. Respektojnë vetëm këpucët e lustruara dhe kostumet e reja. E pra, miku im nevojtar, kërko, por kërko pa ndrojtje, sikur t´i bëje ti nder atij, të cilit shkon për t´i kërkuar.

 

Përktheu, Erion Karabolli

 

Një nga gravurat (siç i quan Arlt) e Buenos Airesit të 1933-shit, një fragment i sistemit, një fragment kafkian (më kujton portën para ligjit), që kaq shumë përkon me realitetin tonë. Një skicë mbi letër kalk që kaq përputhshëm mund të mbivendoset tek pamja e piramidës së arrogancës të këtij vendi. Por me nuancën që, në pjesën dërrmuese, “gabat” tona nuk e kanë as atë lustër kulture që përmend Arlt-i.

Një fragment që zë vetëm një apo dy minuta, por që shtrihet në tërë Historinë, apo “një ngjarje kaq e parëndësishme, por që kallëzon një botë të tërë”, me fjalët e Arlt-it.

(Përkthyesi)


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.