WALLACE STEVENS (1879-1955)
TREMBËDHJETË MËNYRA PËR TË PARË NJË MËLLENJË
1.
Përgjatë njëzet malesh me borë
E vetmja gjë lëvizëse
Ishte syri i mëllenjës.
2.
Qeshë tri mendjesh,
Si pemë
Ku rrinë tri mëllenja.
3.
Mëllenja tretej ernave vjeshtore.
Ishte grimcë e pantomimës.
4.
Një burrë dhe një grua
Janë një.
Një burrë, një grua dhe një mëllenjë
Janë një.
5.
Nuk di kë të shijoj,
Bukuri përkuljesh,
Apo bukuri aluzionesh,
Pingërimën e mëllenjës
Apo atë që do ngjasë më pas.
6.
Dritaren e lartë
Krongjijtë e veshën me qelq primitiv.
Hija e mëllenjës
E përshkoi atë lart e poshtë.
Përgjonte te hija
Një shkak i pazbërthyeshëm.
7.
O burra thatimë të Hadamm-it,
Përse përfytyroni zogj të artë?
Nuk shihni se si mëllenja
Shetit rreth këmbëve
Të grave për ju?
8.
I njoh thekset e fisme
Dhe të kthjellëta, ritmet e pashmangshme.
Veçse e di, gjithashtu,
Që mëllenja u përfshi
Në atë që njoh.
9.
Kur mëllenja fluturoi te s’kap më syri,
Shenjoi skajin
E njërit prej shumë elipseve.
10.
Te pamja e mëllenjave
Përsipër një drite të gjelbër
Madje putanat zëëmbla
Do çirreshin vrazhdë.
11.
Ai shëtiti mbi Connecticut
Me ballon të qelqtë.
Njëherë, e kapi frika,
Kështu ngatërroi
Hijen e ekuipazhit të vet
Me mëllenja.
.
12.
Lumi rrjedh.
Mëllenjës i duhet të fluturojë.
13.
Ishte pasdite si mbrëmje.
Binte borë
E s’dukej se do reshtte.
Mëllenja ndali
Në degët e qitros.
PETER QUINCE NË KLAVIER
1.
Siç bëjnë muzikë gishtat e mi
Në taste, vetë ato tinguj
Më bëjnë muzikë në shpirt.
Muzika është ndjenjë, prandaj jo tingull;
Është ç’ndjej,
Këtu në dhomë, ndërsa të dëshiroj.
Kujtim i tëndit mendafsh blu
Është muzikë. Është tundimi
Q’u zgjoi Suzana plakushëve të lashtë.
Një mbrëmjë të gjelbër, të kthjellët, të ngrohtë,
Lahej në kopshtin e vet të qetë e, ndërsa,
Vështronte plakushët sykuq, u ndjeu
Baset e rektimave
Në korda magjie dhe gjakun
Q’u bënte picikate Hosanaje
2.
Në ujin e gjelbër, të kthjellët, të ngrohtë
Suzana u shtri.
Kërkoi
Prehje pranverash
E gjeti fytyrime të fshehura.
Psherëtiu
Për kaq shumë melodi.
Qëndroi mbi stol
Në fresk
Emocionesh të sosura.
Ndjeu, përmes gjethesh,
Vesë
Devocionesh të moçme.
Ende shtatdrithmuar
Shetiti mbi bar.
Flladet qenë shërbëtore
Këmbëzbathura.
I sjellin shallet
Nëpër valzime të lehta.
Një frymë mbi dorën e saj
Shushati natën.
Ajo u kthye –
Kërcitje çembali
Dhe korna shungulluese.
3.
Përnjëherësh, me zhurmë tamburini
Erdhën vizitorët bizantinë.
Mahniten tek shfrente Suzana
Ndër plakushë andej matanë.
Refreni, ndërsa secili pëshpëriu,
Është si shelg i hedhur nga shiu.
Tashti, flaka e llampës me vaj
Zbuloi Suzanën dhe nervat e saj
Pastaj zënë gafil bizantinët
Ia mbathën me gjithë tamburinët.
4.
Bukuria në mendje është kalimtare –
Kopjim jojetëgjatë qemeri.
Por mbetet ajo në trup përherë.
Trupi mbaron: bukuria trupore jeton.
Kaq mbrëmje vdesin me trupin e blerë,
Një valë që shket thellë te terri.
Kaq kopshte vdesin, t’i bëjnë aromim
Ndonjë kapuçi dimri në kalim.
Kaq virgjine vdesin, t’i falin prorë
Koralit të gjatë të kremte hyjnore.
Suzana preku telat e ndyrë
Të pleqve të bardhë: lë në ikje
Vetëm të vdekjes mbetje ironike.
Tashti, amshimit luan fort
Me korda viole të pastër kujtese
Dhe ngre për lavde një festë pamort.
përkth. Gazmend Krasniqi
NO COMMENT