
Kasem Trebeshina
Lajmi për ndarjen nga jeta të Kasem Trebeshinës ka sjellë reagime dhe komente nga studiues, lexues, dashamirës, por edhe politikanë të ndryshëm. Bukinist ka përzgjedhur vetëm disa prej tyre, të cilat i gjeni si më poshtë:
Edi Rama, kryeministër
Mirëmëngjesi dhe lejomëni të ndaj me ju trishtimin për ndarjen nga jeta të Kasëm Trebeshinës, një njeriu krejt të posaçëm, shqiptar kokëfortë si pakkush dhe i fortë si më të rrallët e këtij vendi në mbrojtje të lirisë e të ideve të veta, të cilin pata fatin ta njoh në kohën e ndërrimit të epokave, kur i thoshte të vërtetat e veta me mprehtësinë e një shpate të pathyeshme. Ndjesë dhe një ditë të mbarë të gjithëve
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës
Homazh për Kasem Trebeshinen!
E kam njohur shkrimtarin Kasem Trebeshina, në vitin 1992, e kam njohur me kureshtjen e zbulimit të personazhit për të cilin të gjithë flisnin por pak e njihnin. Ende s’e kisha lexuar.
Fati prej përkthyeseje ma solli që ta lexoja për së pari si lexuese shumë e vëmendshme. Përktheva në frëngjisht një prej pjesëve të tij teatrale, “Historia e atyre që s’janë”. Për disa muaj punuam bashkë për çdo faqe, ku njoha shkrimtarin që vinte shpesh në dyshim krijimin e vet si në një proces të komplikuar autopsie tekstuale, duke qëmtuar shkronjat, fjalët, rreshtat. Njohje e çuditshme dhe komunikim me retrospektivën që e kishte bërë Trebeshinën të shkruante një tekst që nuk ta rrokte mendja se mund të shkruhej në vitet e diktaturës.
Më pas, në po atë vit, “L’histoire de ceux qui ne sont plus” u vu në skenë ne Paris në teatrin e Shkolles së Lartë të Teatrit “Pierre Debauche”.
Ministria e Jashtme franceze ftoi autorin dhe përkthyesen e tij në Francë për të marrë pjesë në premierë dhe për një vizitë kulturore në Paris.
Njoha në atë javë njeriun Kasem Trebeshina, i thjeshtë dhe befasues në mënyrën se si vëzhgonte ngultaz veprat e artit në muzetë e famshëm të kryeqytetit frëng të cilit ia njihte fort mirë historinë.
Më vonë i lexova veprën ndryshe, ndërsa njeriu pa bujë që na la sot më mbet në mendje përherë.
Dr. Anila Mullahi, pedagoge e letërsisë, studiuese e veprës së Kasem Trebeshinës
Në moshën 91–vjeçare u nda nga ne shkrimtari i madh i letërsisë shqipe, Kasëm Trebeshina. Trebeshina është shkrimtari që lëvroi pothuajse të gjithë zhanret letrare. Pas kaq vitesh, shkrimtarit i janë botuar vëllime me poezi, novela, romane, drama, ese, etj. Ai është autor i veprave “Odin Mondvalsen”, “Stina e stinëve”, “Fshati mbi shatë kodrina”, “Qezari niset për luftë”, “Rruga e Golgotës”, “Kënga shqiptare” si dhe i shumë dramave si “Muzeu”, “Tiranozauri” etj. Fati i tij si shkrimtar është i çuditshëm. Mos botimi, mos kontakti me lexuesin për një periudhë të gjatë para ’90, nuk e pengoi të vazhdonte të shkruante. Ai e dinte se një ditë ata do të shikonin dritën e botimit. Ai tashmë është pjesë e padiskutueshme e traditës më të mirë letrare në shqip. I përjetshëm qoftë kujtimi yt.
Edon Zeneli, drejtues i Shtëpisë Botuese Buzuku, e cila ka botuar një pjesë të mirë të veprës së Kasëm Trebeshinës
Kasëm Trebeshina na la sot, fizikisht. Realisht, na kishte lënë që në vitin 2006. Qe viti kur përfundoi librin autobiografik “Një ditë në natën pafund” ku edhe na kumtoi lajmin se me kaq kishte përfunduar misioni i tij i shenjtë. Një njeri, emri i të cilit shërbeu si tabelë qitjeje për kaq shumë manipulues e oborrtarë, shërbëtorë të kauzave të rrejshme e pakurrizorë por që s’përbënin kurrfarë peshe rënduese për supet e tij. Aftësinë e pashoq të injorimit e kish. Por edhe fjalën e thënë pa drojë. Shumë e keqkuptuan, shumë qenë dashakeqës ndaj tij, shumë e donin në heshtje e jo pak dhanë shumë për veprën e tij. Lidhja e lexuesit me shkrimtarin bëhet gjithnjë përmes urës së quajtur libër. Trebeshinës urat u përpoqën me mish e me shpirt t’ia rrënojnë, mirëpo, afërmendsh që një gjë e tillë nuk u arrit. Kasëmi ka lënë gjurmë të pashlyeshme të historisë bashkëkohore, jo vetëm në letërsi. Furtuna e kaosi janë ende këtu, por, emri i tij është i shënuar me shkronja të mëdha në letërsinë shqipe dhe do të jetë gjithnjë aty.
Kasëm, u prehsh në paqe! Do të mbahesh mend, gjithnjë!
Behar Gjoka, studiues, njohës i veprës së Kasem Trebeshinës
Ndërroi jetë Kasëm Trebeshina
Në moshën 91 vjeç shuhet shkrimtari Kasëm Trebeshina. Njeriu që nuk pa një ditë të bardhë, në jetën e shtrirë në dy shekuj. Pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore, ndonëse me komunizmin u vë në luftë të ashpër. Jeta e tij ishte një betejë me botën e mashtrimit, me hipokrizinë e kohës ku të gjithë spiunonin, e prandaj dënohet disa herë duke bërë 17 vite burgim e vite të tëra persekutim. Letërsia qe atdheu i Trebeshinës, me të gjithë kuptimin e fjalës. Ai shkëlqeu në të gjitha gjinitë dhe zhanret letrare, në poezi, prozë, dramatikë. Pena magjike e Trebeshinës endi me mijëra faqe letërsisë të përkorë, ndonëse ende vijon që të mbetet, Ajsbergu i letrave shqipe, sepse pjesa e dërrmuese e veprës letrare vijon të mbetet në sirtar. Nga pjesa e botuar, tekstet të tilla, si Kënga Shqiptare, Odin Mondvalsen, Tregtari i skeleteve, Çezari niset për luftë, Trebeshina ka endur surrealizmin. Në dramaturgji, për vlerat e shumëfishta, Trebeshina, mbetet Shekspiri i letrave shqipe. Nëse në gjallje nuk e kuptuam, madje e përgojuam, tani në amshim, kemi shansin të lexojmë universin letrar të Trebeshinës. Fati i shkrimtarëve të mëdhenj, është i njëjtë, nuk kupotohen nga bashkëkohësit, sepse vepra e tyre, pra vepra e Trebeshinës i përkon gjithkohësisë…Paqe mjeshtër, në amshim
Ylli Demneri, shkrimtar
Dikush sot, më 7 nëntor 2017, përhapi në rrjetet sociale lajmin e rremë se kishte vdekur Milan Kundera. Me ta lexuar, para se të përgënjeshtrohej lajmi, mendova se vdekja e Kunderës kishte përkuar me 100-vjetorin e revolucionit sovjetik, atij revolucioni që do të linte gjurmë në jetën dhe veprën e tij. Por lajmi i vdekjes së Kasem Trebeshinës, në moshën 91-vjeçare, nuk ishte i rremë. Trebeshina kishte vdekur vërtet në përvjetorin e revolucionit të tetorit që gjithashtu do të ndikonte në jetën dhe veprën e tij (njëri nga viktimat).
Unë i përkas atij brezi që veprën e Kasem Trebeshinës e zbuloi pas viteve ’90, kur i ishim afruar të tridhjetave. Zbuluam ekzistencën e saj, por nuk arritëm ta njohim atë. Mendoj se ajo erdhi vonë për ne (ka ca libra që vijnë vonë. E kam patur këtë përvojë gjatë qëndrimit në Francë ku mund të lexoja çdo autor), por erdhi edhe në një kohë kur shqetësimi kryesor ishte të mbijetuarit. Rifillimi i jetës. Për mua, më shqetësuesja është se edhe ata që u ngritën në mbrojtje të shkrimtarit nuk na përcollën entuziazmin e njohjes së veprës së tij. Jo aq studimet akademike që më shumë bëhen për vetë «akademikun», sesa përcjelljen e emocioneve të lexuesit të ndjeshëm e të kulturuar ; mikut të veprës së Trebeshinës. Të gjithë u morën me ballafaqimin e krahasimin e tij me Kadarenë, sikur të mos kishte vend për të dy. Edhe në këtë rast, urretja u bë motori i shkrimeve. Edhe këtë herë, si shqiptarë të kulluar, duhej që patjetër të dilte se kush ishte Njëshi/Njishi (« Kush janë aktorët më të mirë në Francë? », më pyeste im atë në vitet e para kur shkova për studime atje. Dhe unë i thoja disa emra. « Mirë, mirë, po më i miri kush është? », vazhdonte ai.) Mirë shqiptarët, por edhe ata pak të huaj njohës të letërsisë shqipe, (më shqiptarë se shqiptarët !) nuk i shpëtuan kësaj mendësie.
Vdekja e Trebeshinës sot, më shumë se mundësinë për të na nxitur drejt leximit të veprës së tij, zgjoi përsëri kampet luftarake. Përsëri do merren me gjëra kalimtare e jashtëletrare që koha do t’i harrojë, por që për ta mbeten gjithmonë më të rëndësishme se vlera e tij si shkrimtar.

Libra te Kasem Trebeshines, botuar nga Buzuku, Prishtinë
NO COMMENT