Viviane CIAMPI (Itali) – 5 poezi

Viviane CIAMPI (Itali)

 

 

*

Di që shpesh

të dashuruar

e shtjellim gravitetin.

Di që zëri ynë

do të firoset i përdyshur.

Di që goja jote

është streha e paqtë

e alfabetit të heshtur.

Brenda dhe jashtë nesh,

një çasti i vetëm.

Folmë si resë së humbur

shkruamë një letër imagjinare.

Harroje seksin.

Thyeje akullin

jemi vetë afshi.

 

 

*

Shikoj

varka përpirëse

shumëmijëshe.

Ndiej vrer

nën gjuhë.

E pështyj.

Nuk bëzaj.

Deti ndërrohet

deti shquan

deti e di

kush i flet nën ujë

demonit epokal.

 

 

*

Çudi që bota të jetë këtu krejt rastësisht.

Herahershëm një vetëtimë

dhe sa shumë tutje.

Gjërat nuk shpleksen

i merr ndër duar

i emërton

i kalamend

të duket sikur frymojnë

– ndoshta frymojnë –

por nuk shpleksen.

Çudi që bota të jetë këtu krejt rastësisht.

Nuk është heshtja froni i saj

edhe nëse do të ishte,

ajo flakon, ende.

Si gjësende të çdo ferri.

Njerëzit kalojnë caqet e gjumit

shkojnë deri në kufijtë e agut

me ngulë gozhdët e ardhmënisë.

Buçitje, në brendi.

Një hije arrin

të na rrënqethë.

Ndërsa kafja derdhet.

 

 

E përplota e çastit

 

Nëse vallëzoj

vallëzoj

nuk cimbisem

e ngrirë në krevat

nëse fle

fle

dhe nuk i flas hënës

dhe nuk ndryshoj dhomë.

 

 

Për ata që flenë

 

Shpirtra të shuar zgjohuni

ndizni dritat tuaja

lërini flakët t’ju kacavirren tejpërtej

qepni dromcat e lëkurës tokësore

çmontoni dyert e marrëzisë

mbushni barqet e boshta të vëllezërve të largët

kapërdini një tjetër emër të pashqiptueshëm

kthehuni te rrushi dhe te dheu

te vaji i ëmbël i kodrinave

përpini fjalët e  atyre librave

tek të cilët njohët madhështinë

e të dëgjuarit.

 

 

Përktheu nga origjinali: Anxhela LEPURI


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.