Vitet e mbytura – George Szirtes

George Szirtes

VITET E MBYTURA

Krijimi i çmimit Man Booker International për prozën e përkthyer në vitin 2016 e fuqizoi në mënyrë të ndjeshme profilin e një numri shkrimtarësh dhe të përkthyesve të tyre. Më parë qe çmimi Independent Foreign Fiction Prize për prozën e huaj, por Man Booker pati një impakt më të fortë. Ja, ku kemi më në fund një pikë kthese.

Kjo është ajo që ndodh me prozën. Poezia e përkthyer, si edhe poezia në përgjithësi, është më pak e ekspozuar, por revista të tilla si Modern Poetry in Translation, që botohet prej 53 vitesh, dhe Asymptote i kanë dhënë hapësirë poezisë së përkthyer nga një numër i madh gjuhësh, dhe shtëpi botuese të tilla si Bloodaxe, Carcanet, Shearsman dhe Arc, kanë botuar vazhdimisht poetë prej gjuhëve të tjera, sidomos kjo e fundit, me botimet bilinguale.

Më i njohuri, ndoshta i vetmi shkrimtar modern shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, është romancieri Ismail Kadare, vepra e të cilit i përket periudhës totalitare komuniste, kryesisht të sundimit të Enver Hoxhës, dhe reflekton situatën e asaj kohe. Poetja kryesuese shqiptare që i përket brezit tjetër, është Luljeta Lleshanaku, e lindur në vitin 1968. “Negative space” është libri i saj i dytë i botuar në Mbretërinë e Bashkuar, pas “Heywire: New and Selected poems” (Bloodaxe 2011), megjithëse New Directions në Shtetet e Bashkuara e ka botuar autoren që në vitin 2002. Ajo vetë është një fëmijë i diktaturës dhe ka kaluar një pjesë të jetës së saj e përndjekur politikisht, pa mundur të botojë poezitë e saj deri në ndryshimin e sistemit në vitin 1990.

“Negative space”është një përmbledhje e dy librave me poezi të botuar në shqip “Pothuajse dje” (2012), dhe “Homo antarcticus”(2015). Dy librat janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por dëshmojnë të njëjtin sy filmik, që e fotografon botën përmes kontekstit të imazheve brilante, e gjitha e ndërtuar mbi një truall historie të fshirë dhe përvoje personale. Ashtu siç shkruan në poezinë “Stacionet e vegjël”:

 

Nuk harrohen lehtë stacionet e vegjël,

ndalesat e shkurtra me xhepa të mëdhenj.

Duke fiksuar çdo detaj,

ata do të jenë alibia jonë për mos-mbërritjen në kohë

ose për mos-mbërritjen kurrë,

atje për ku ishim nisur.

 

Por ndërsa poezitë e saj duken sikur kompozohen nga stacione të vegjël province, nga detaje konkrete, përtej detajeve, ndjehet makthi i zhdukjes së historisë, si tek poezia “Fëmijët e moralit”:

 

Një derë u hap pa dashje, drita çau me forcë,

Dhe si në një laborator filmi,

Ajo shkërmoqi portretet e tyre në bromid argjendi,

Që dikur, mund të kenë qenë prej mishi dhe kocke.

 

Poema “Hapësira negative”, e cila i jep edhe titullin botimit në anglisht, është pjesë e librit “Pothuajse dje”. Në këtë poemë të konceptuar në tetë pjesë, që është edhe një nga më të gjatat, autorja e fillon rrëfimin me lindjen e saj dhe më pas e ndjek historinë nga ky këndvështrim, nga koncepti i hapësirës negative, hapësirë pas hapësire negative. Engjëlli Gabriel i shfaqet dhe i thotë ‘lexo’,në një kohë kur “zbulimi im, është veç një udhëtim në të shkuarën,/

në një galaktikë tashmë të vdekur, të shuar,/ një lajm, të cilit iu deshën miliona vjet/

për të mbërritur tek unë.)

Kjo e bën veprën e saj të tingëllojë si një dëshmi historike rrënimi, por që njëkohësisht është kaq e mbushur me jetë dhe detaje të gjalla, saqë të mbështjell me shpresë dhe qëllim ripërtëritës. Stacionet e vegjël, me detajet e tyre të holla janë pjesë e një sistemi shumë herë më të madh, të një kozmologjie që zgjerohet përtej Shqipërisë dhe sferës së autokracisë. Dhe kjo bëhet veçanërisht e dukshme në poemat e saj të gjata, që shpalosen para nesh si një kozmologji humane e të kuptuarit dhe arsyetimit logjik mbi botën.

Poema “Homo antarcticus”, e marrë nga libri me të njëjtin titull, është në thelb historia e krahut të djathtë të Ernest Shakëltonit, FrenkWild-it. Kjo poemë, nga njëra anë është një analizim i botës mashkullore in extremis, nën kushtet e akullit, urisë dhe vështirësive, ku “vetëm një burrë zgjedh të pushtojë errësirën e mendjes/ përmes errësirës së trupit,” dhe ku recetat e një libri gatimi (nga të paktat sende që u shpëtuan prej anijes së mbytur), trajtohen “fshehurazi,/ si një fetish,/ si të ishin të brendshme intime gruaje… ”Këtu “një gjuhë e re është si një peshk;/ duhet t’i heqësh shtyllën kurrizore në fillim,/ për ta përtypur pastaj ngadalë dhe me kujdes…” Kjo poemë nuk ofron teori mbi maskilizmin; ajo ofron një formë të jetës njerëzore, të tillë që mund ta interpretosh, dhe çdo vragë të së cilës, mund ta “numërosh me një gjest indiferent, fëminor, epik.”

Poema tjetër e gjatë, “Ujë dhe karbon”, është një meditim i mrekullueshëm mbi vlerën e botës fizike, në këndvështrimin e pastër materialist të njerëzimit. E çfarë është lakuriqësia? E çfarë do të thotë të arrish plotësimin fizik dhe pastaj ta kapërcesh atë? Dhe pastaj vjen ëmbëlsia, delikatesa absolute e gjërave, si në poezinë“Plakja”:

 

Pyet të t’ëmë, çfarë di për plakjen. Pyet gratë e moshuara të fisit,

ashtu, të stivosura bukur,

si një takëm lugësh prej argjendi në një kuti kartoni,

në pritje të një darke që mbase nuk vjen kurrë…

 

Të njëjtat pyetje bëjmë edhe ne. Përkthimet e poezive, nga Ani Gjika, përcjellin pikërisht këtë linjë vitaliteti, duke na mbajtur edhe ne të lidhur pas tyre.

 

Botuar në The Poetry Review, Volumi 108, 2.

 

Luljeta Lleshanaku

 

STACIONET E VEGJËL

Trenat afrohen drejt tyre si fantazma.

siç futet nën shtroje burri që kthehet në mesnatë

duke mbajtur larg këmbët e tij të ftohta.

 

Posta, kioska e biletarisë dhe ora e mbetur prapa në peron.

Pasagjerët e paktë, aty, në pritje prej orësh,

sepse e dinë se je ti që duhet të presësh për momentin

dhe nuk është momenti që pret për ty.

 

Të paktë ata që ngjiten; më të paktë atë që zbresin.

Burri i ulur në një stol në platformë,

zbath kohën, mbi një gazetë lokale të hapur në mes.

 

Ndalesat e trenit janë një rutinë,

përveçse për djalin e fshehur pas shtyllës

me jakën e uniformës shkollore, të shkuar shtrembër.

Ai nuk është i parëlinduri, por djali plangprishës,

i paracaktuari për aventurë dhe parabolën e rikthimit,

 

Petulla, sheqerka, arançiata me mente…!

Djali që u shet pasagjerëve nga dritaret

me një dorë merr paratë, dhe tjetrën zgjat mallin.

Është pigmenti i errët, që e ruan nga ndrojtja.

Xhepat e tij janë të zbrazët, por të thellë,

pas gishtave të tij me saharozë

ngjitet lehtë pluhuri, një fije floku

dhe në mbrëmje, nganjëherë, një qytet i tërë.

 

Nuk harrohen lehtë stacionet e vegjël,

ndalesat e shkurtra me xhepa të mëdhenj.

Duke fiksuar çdo detaj,

ata do të jenë alibia jonë, për mosmbërritjen në kohë

ose për mosmbërritjen kurrë,

atje për ku ishim nisur.

 

 

FËMIJËT E MORALIT

Ishin evropianët, të parët që u mësuan indigjenëve turpin

duke filluar nga mbulimi i pjesëve intime.

 

Popuj të tjerë, kanë qenë më me fat

Morali u ka ardhur i gatshëm nga lart,

i shkruar në pllaka guri.

 

Atje ku unë jam rritur, morali kishte formë, trup dhe emër:

një Kain, një Maria Magdalenë e papenduar, një Ruth, Dalilë e Rashelë.

 

Morali tregohej lehtësisht me gishtin me bojë të një shtatëvjeçari

shembuj të përkryer vesi e virtyti,

atje ku koha i lëshon vezët mbi moçal.

 

Kështu, pra, mësimet e para të moralit, i mora pa i përtypur

si shurup për kollë;

çdo gjë tjetër ishte më abstrakte,

nën një çati tjegullthyer.

 

Dhe çuditërisht ata s’të zhgënjenin as në brezninë e dytë:

pasardhësit e tyre,

ishin një tjetër Kain, një tjetër Ruth, një tjetër Maria Magdalenë,

që nuk rriteshin; klisheja ishte njëkohësisht rreziku dhe mbrojtja për ta,

si dëbora e thatë për igloot eskimeze.

 

Tani di shumë më tepër për moralin, madje mund të jem një moraliste,

me gishtin tregues, si pjesë të retorikës.

Por pa referencë. Ç’u bë me ta?

 

Një derë u hap padashje, drita çau me forcë,

dhe si në një laborator filmi,

ajo shkërmoqi portretet e tyre në bromid argjendi,

që dikur, mund të kenë qenë prej mishi dhe kocke.

 

 

PLAKJA

Po afrohet. Ndjehet, pa e parë,

siç ndjen praninë e detit që ndodhet diku afër.

Detit ku derdhen gjithë lumenjtë e botës, edhe i yti bashkë me ta,

që nga i ëmbël,

brenda pak sekondave bëhet i kripur,

dhe i hidhur zeher pak më thellë.

 

Pasqyra zgjohet çdo ditë me humor të keq.

Përtej dritares,

një fushë e pafund zbardh nga lakrat dhe bryma.

 

Janë vjeljet e vona, dhe asgjë më shumë.

Alarmohesh:

a ke ushqim mjaftueshëm për të kaluar dimrin?

A ke çfarë të përtypësh, a ke çfarë të kujtosh?

Edhe pse disa prej tyre,

akoma kërkojnë stomak të fortë.

 

Pyet të t’ëmë, çfarë di për plakjen. Pyet gratë e moshuara të fisit,

ashtu, të stivosura bukur,

si një takëm lugësh prej argjendi në një kuti kartoni,

në pritje të një darke që mbase nuk vjen kurrë…

 

Pyeti, si ia dolën? Mbase kanë ndonjë këshillë.

Dhe drejt teje zgjatet po ajo pëllëmbë e ngrohtë dhe e squllët mashtruese

që kur ishe e vogël, të çoi për të shpuar veshët për vathë:

“Nuk të dhemb fare! Është veç një pickim.”

 

Nuk kanë se ç’të japin. Mësimet janë kaq personale,

si shamia e hundëve, si brisku i rrojes, si një palë proteza.

Dhe as që e dinë,

që të moshuarit dikur kishin perëndinë e tyre, Saturnin,

që kujdesej për ta, në kohën që i mbetej

nga të vjelat, meditimi për kohën dhe gostitë.

 

Po afrohet… Do të vazhdojë gjatë dhe pa ngut,

si muzika simfonike që mbush kanalet e radios orëve të vona,

e ndërprerë rrallë për ndonjë lajm të shpejtë,

dhe pa kërkuar ndjesë,

dhe për të vazhduar prapë aje ku e la, në Toccata et fugue,

solo me flaut.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.