READING

Vështrim panoramik mbi letërsinë austriake

Vështrim panoramik mbi letërsinë austriake

Ne foto: Ministrja e Kultures, Mirela Kumbaro, zv.ambasadorja e Austrise ne Tirane, drejtoresha e BKSH, Prof. Persida Asllani dhe pedagoge Marsela Likaj ne lancimin e klubit të letërsië austriake

Marsela Likaj

Letërsia austriake është pjesë e literaturës në gjuhën gjermane. Ajo njihet ndryshe edhe si „Letërsi në gjuhën gjermane e zonës kulturore të Austrisë“. Para themelimit të Republikës së Austrisë në vitin 1918, termi “letërsi austriake” u aplikua në thelb për autorët gjermanë të lindur në monarkinë e Habsburgëve dhe/ose  që jetonin atje. Meqenëse shumë nga këta autorë kanë lindur jashtë territorit të sotëm austriak dhe kanë ardhur nga zonat gjermanofolëse, si Bohemia, Hungaria apo Transilvania (jugu i Karpateve), termi “austriak” mund të shkaktojë keqkuptime.

Në Mesjetë, në përgjithësi është e vështirë të përcaktohet saktësisht se nga vjen një poet i veçantë (nëse ai njihet me emër). Edhe më pas, koncepti i kombit nuk qe i zhvilluar. Përveç kësaj, gjuha mbizotëruese letrare ishte latinishtja. Në shekullin e 19-të, në vazhdën e romantizmit dhe fillimit të ringjalljes së gjuhësisë dhe letërsisë së Evropës Lindore, filloi një diferencim midis shtetit dhe gjuhës. Në shtetin multietnik të Austrisë të gjitha kombësitë e ndryshme jetonin së bashku: boshnjakët, bullgarët, gjermanët, italianët, kroatët, rumunët, serbët, sllovakët, sllovenët, çekët, hungarezët, ukrainasit etj. Konflikti kombëtar brenda strukturës së madhe shtetërore krijonte një atmosferë kulturore mes bashkimit dhe armiqësisë. Letersia nga Austria është kryesisht e shkruar në gjermanisht, por për shkak të kushteve të kornizës historike dhe sociale i bindet ligjeve krejtësisht të ndryshme, edhe për sa i përket formës dhe përmbajtjes.

Në fillim të Mesjetës, letersia transmetohej pothuajse vetëm gojarisht. Për këtë arsye një pjesë e madhe ka humbur. Edukimi dhe kultura ishin të kufizuara në manastire, prandaj shumica e shkrimeve të kësaj periudhë kanë funksion fetar, si për shembull: këngët heroike, këngët narrative dhe “folklori” lirik (valle, këngë dashurie, vajtime etj.). Veprat individuale u përmblodhën shpesh në të ashtuquajturat dorëshkrime. Veprat më të vjetra të njohura janë:

  • Psalmet “Wiener Hundesegen”/, Bekimi (vjenez) për qentë (thirrja e Shën Martinit për të shpëtuar qentë nga rreziku, sidomos nga ujqërit, fundi i shekullit të 9-të deri në fillim të shekullit të 10-të.)
  • Zanafilla e gjermanishtes se vjeter” (fundi i shekullit të 12-të) dhe
  • Dorëshkrimi (benediktin) „Millstätter“ (rreth vitit 1200).

Poetja e parë e njohur me emër në tekstet letrare të shkruara në gjuhën gjermane është Zonja Ava, e njohur gjithashtu si Ava von Göttweig ose Ava von Melk (1060-1127). Zonja Ava, një besimtare e devotshme, u martua dhe kishte dy djem, Hartmann-in dhe Heinrich-un. Si e ve, ajo u tërhoq në një manastir në një moshë të pjekur. Dy djemtë e saj, të cilët me gjasë ishin klerikë, e ndihmuan në krijimet e saj fetare. Në poezinë „Gjykimi i Fundit“, në të cilën rrëfen për bijtë e saj, ajo përmend në fund edhe emrin e saj. Në shekullin e 12-të shfaqet emri i Der von Kurenberg-ut, një tjetër poet i këngëve të dashurisë (Minnelieder). Në dekadat pas 1150, filloi një epokë e artë e letërsisë gjermane. Në oborret e fisnikërisë feudale, u përhap një praktikë e kultivuar letrare e bazuar në modelin romanik: e ashtuquajtur letërsi e oborreve.Walther von der Vogelweide njihet si poeti më në zë i mesjetës. Codex Manesse është një dorëshkrim i vitit 1300 dhe përmban vepra poetike në gjuhën gjermane, të ashtuquajturat Minnelieder). Deri tani, koleksioni më i madh i poezive të Walther von der Vogelweide-s gjendet në të ashtuquajturin Dorëshkrimi i madh i këngëve të Heidelberg-ut (“Großer Heidelberger Liederhandschrift“ )

Në periudhën e barokut Austria mori një hov zhvillimi. Oborret e aristokracisë shërbyen si qendra kulturore të kohës. Në këtë periudhë, dallimet midis letërsisë austriake dhe bavareze me atë të Gjermanisë Veriore u bënë më të qarta. Në veri, baroku mori elemente të klasicizmit francez, ndërsa në jug ndikohej nga baroku italian dhe spanjoll.

Gjatë Iluminizmit, Maria Theresa e lehtësoi censurën dhe, për të qenë në gjendje të modernizonte shtetin duhej të pranonte idetë e Iluminizmit, të shkëputej nga Kundër-reformacioni dhe supremacia e kishës. Ndërsa Romantizmi është një epokë pothuajse e huaj për Austrinë. Paralelisht me romantizmin, në Austri u zhvillua nga njëra anë, rryma e Biedermeier-it dhe, nga ana tjetër, një klasicizëm austriak, i cili përfaqësohet kryesisht nga Franz Grillparzer-i. Termi Biedermeier i referohet kulturës së gjallë dhe artit të borgjezisë së vogël, të cilat u konsideruan si “shtëpiake” dhe “konservatore”.

Në fundin e shekullit të 19-të spikasin dramaturgët Adalbert Stifter-i, Franz Grillparzer-i dhe Johann Nepomuk Nestroy-i. Vera e vonë (1857) është një roman në tre vëllime nga Adalbert Stifter-i, një nga romanet më të mira me karakter edukues të shekullit të 19-të, në të cilin përshkruhet rruga e një të riu në rritje. Ndërsa si autorë të Realizmit mund të përmendim Marie von Ebner-Eschenbach-un (1830–1916), Ferdinand von Saar-in (1833–1906) dhe Peter Rosegger-in (1843–1918).

Ndërrimi i shekujve (1900) shënon fillimin e  modernizmit vjenez (Wiener Moderne). Ky ishte fillimi i epokës më domethënëse dhe me ndikim të artit austriak. Në këtë periudhë nuk mund të flitet më për një epokë stilistikore, sepse stilet mbivendoseshin në kohë dhe shumë autorë e ndryshuan vazhdimisht stilin gjatë zhvillimit të tyre. Motivet qendrore të epokës së re janë: “rënia e vlerave morale të kohës”, “fundi i botës së rraskapitur” etj. Hermann Bahr-i,  lindur në 1863 në Linz dhe ndarë nga jeta në  1934 në Mynih, është një ndër penat e njohura në letërsinë austriake si dramaturg, kritik teatri dhe kritik letrar. Ai konsiderohet si zëdhënës i rrymave letrare që nga natyralizmi, modernizmi vjenez e deri tek ekspresionizmi. Emri i Bahr-it lidhet me krijimin e grupimit letrar Vjena e re (Jung Wien), autorët e të cilit nxitën shfaqjen e modernizmit letrar në Austri dhe më gjerë në botën gjermanofone. Emra të rëndësishëm të shekullit të 20-të si Robert Musil-i, Joseph Roth-i dhe Ödön von Horvát-u u ndikuan ndjeshëm nga ky grupim.

Përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të kësaj periudhe janë: Arthur Schnitzler-i (1862-1931), Rainer Maria Rilke (1875-1926), Hugo von Hofmannsthal-i (1874-1929),   që i përkasin stilit impresionist dhe simbolist të fundshekullit (fin de siècle). Arthur Schnitzler-i (1862-1931) ishte mjek, prozator dhe dramaturg. Si shkrimtar, ai konsiderohet si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të modernizmit të Vjenës. Dramat e Schnitzler-it merren me tema të tilla si tradhtia bashkëshortore (p.sh. në dramën Reigen/Vallja), të fshehtat dhe heronjtë e grave. Në veprat e tij, ai hedh dritë mbi gjendjen mendore të shoqërisë borgjeze vjeneze. Togeri Gustl (1900) është teksti i parë i letërsisë në gjuhën gjermane, i cili është konceptuar tërësisht si një monolog i brendshëm.

Ne foto: Nga diskutimi i romanit “Peshtjellimet e Terlesit” të Robert Musil në Klubin e Letërsisë Austriake

Hofmannsthal-i u zhvillua si autor lirik simbolist, libretist dhe autor i fragmenteve të dramës. Ndërsa Rilke, krahas lirikës simboliste njihet edhe për prozën impresioniste. Romani Shënimet e Malte Laurids Brigge-it (1910) tematizon strukturën sociale dhe kushtet e padenja të jetesës në qytetet e mëdha, de-individualizimin, anonimizimin, ftohtësinë sociale.Edhe Ekspresionizmi përfaqësohet me figura si: Georg Trakl-i dhe Oskar Kokoschka.

Fillimi i shekullit të 20-të sjell plot emra shkrimtarësh të rëndësishëm në letërsinë austriake: Stefan Zweig-u, veprat e njohura të të cilit janë të përkthyera më së shumti dhe në shqip; Robert Musil-i i njohur me  romanin e shekullit Njeriu pa vlera; Joseph Roth-i, i cili në romanin e tij Marshi i Radetzky-it (Radetzkymarsch) përshkruan fundin e monarkisë në Austri.

Nuk mund të lëmë pa përmendur Karl Kraus-in (1899). Ai ishte një publicist, satirist, autor lirik dhe dramatik, promotor i autorëve të rinj, kritik i gjuhës dhe kulturës dhe mbi të gjitha një kritik i ashpër i shtypit. Më 1 prill 1899 Karl Kraus themeloi revistën “Pishtari”. Të famshme mbeten vargjet e tij satirike:

“Në fillim ishte shtypi

dhe pastaj u shfaq bota…”

Literatura austriake lulëzoi sërish pas luftës, në vitet 1960 dhe 1970, me autorë si Peter Handke (* 1942), Ingeborg Bachmann-i (1926-1973) dhe Thomas Bernhard-i (1931-1989).

Elias Kaneti (Elias Canetti) (1905-1994) është simbol i artistit, jeta e të cilit shtrihet në shumë kultura dhe në shumë gjuhë. Një hebre i lindur në Bullgari, i rritur në Angli, Zvicër, Austri dhe Gjermani, ai jetoi pas emigrimit më 1938 në Londër. Këtë përvojë e përshkruan në autobiografinë e tij me disa vëllime. Temën e kërkimit të vetvetes e gjejmë tek Peter Handke (1942). Me teatrin e tij politik “Sharjet e publikut“ (Publikumsbeschimpfung) 1966 dhe tregimin „Letra e shkurtër për ndarjen e gjatë“ (Der kurze Brief zum langen Abschied) 1972, një dramë për marrëdhëniet subtile burrë grua, ai arriti publik të gjerë. Pjesëmarrja e Handkes dhe fjalimi i tij në varrimin e Sllobodan Millosheviçit, i kushtoi atij si shkrimtar shumë antipati në Gjermani .

Në letërsinë austriake të shekullit të 20-të bien në sy një sërë autoresh femra, ndër të cilat veçojmë Elfriede Jelinek-un (1946), nderuar me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 2004. Tekstet dhe dramat e saj – Pianistja „Die Klavierspielerin“, dhe “Ulrike Maria Stuart” tregojnë si ndikojnë dhuna dhe racizmi, përjashtimi dhe urrejtja ndaj grave. Sw fundi do tw pwrmendim shkrimtarin gjermano-austriak Daniel Kehlmann (1975, lindur në Mynih jeton aktualisht midis Vjenës dhe Berlinit). Një shkrimtar i talentuar, njeri i lexuar, me penë mjeshtërore dhe ide të shumta. Romani i tij „Matja e botës“ (Die Vermessung der Welt) që flet për dy figura të historisë gjermane, matematicienin Johann Carl Friedrich Gauß dhe natyralistin Alexander von Humboldt, ishte një sukses i papritur. Ai tregon që një libër i mençur mund të kthehet në Besteller. Një roman plot aludime dhe ironi të hollë.

Materiali botohet në kuadrin e vitit kulturor Shqipëri-Austri

Shkrimi u botua në revistën kulturore- letrare Palimpsest, në numrin e dytë të saj, në versionin digjital


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.