READING

Unë dhe zonjusha Mandible – Donald Barthelme...

Unë dhe zonjusha Mandible – Donald Barthelme

Donald Barthelme

UNË DHE ZONJUSHA MANDIBLE

 

13 shtator

Zonjusha Mandible dëshiron të bëjë dashuri me mua, por ngurron sepse zyrtarisht jam fëmijë; sipas regjistrit, sipas librit të klasifikimeve, sipas treguesit në dokumentet kryesore, unë jam njëmbëdhjetë vjeç. Ka një keqkuptim në këtë mes, diçka që nuk e kam sqaruar ende. Në fakt, unë jam tridhjetë e pesë vjeç, kam qenë në ushtri, jam gjashtë këmbë i gjatë, kam qenë në vendet e duhura, zëri im është zë bariton, di mirë çfarë të bëj me zonjushën Mandible nëse e çon ndonjëherë ndërmend.

Ndërkohë, po studiojmë gjërat e përditshme. Jam i përgjegjshëm për shumë gjëra, të paktën për shumë prej tyre (ka gjëra që nuk i kujtoj). Por pëlqej të ulem në këtë bankë tepër të vogël duke shtrënguar shalët dhe duke kundruar botën rreth meje. Jemi tridhjetë e dy vetë në klasë, ku mësimi fillon çdo ditë me betimin për besnikëri para flamurit. Besnikëria ime, në këtë çast, ndahet midis zonjushës Mandible dhe Sue Ann Brownly-t, e cila rri në rreshtin përballë gjithë ditën e gjatë dhe është, si zonjusha Mandible, e marrosur pas dashurisë. Midis të dyjave, sot veçoj Sue Ann-in; megjithëse midis njëmbëdhjetë vjeçe e njëmbëdhjetë vjeçe e gjysmë (nuk e thotë moshën e saktë) është grua e vërtetë, me sulm të maskuar dhe kontradikta tipike gruaje. Çuditërisht, as ajo e as ndonjë prej fëmijëve të tjerë nuk duket se shohin ndonjë gjë që s’shkon me praninë time.

 

15 shtator

Për fat të mirë, teksti i gjeografisë, i cili përfshin harta nga e gjithë bota, është aq i madh sa të fshehë ditarin tim të hedhur në bllok të zi. Çdo ditë duhet të pres orën e gjeografisë për të hedhur mendimet që kam pasur gjatë mëngjesit rreth situatave dhe vëzhgimeve të mia. Jam munduar të shkruaj në kohë të tjera, por nuk ia dola. Edhe mësuesja shkon e vjen midis rreshtave (qëllon, për fat, të ngulet te harta në murin përballë), edhe Bobby Vanderbilt-i, që rri prapa meje, më godet me grusht në shpinë dhe do të dijë se çfarë po bëj. Vanderbilt-i, e kam marrë vesh nga disa biseda të rastit në shesh të lojërave, është i dhënë pas makinave të garave, një tifoz i vjetër i pistave të garimit. Kështu shpjegohen tingujt e vazhdueshëm gjëmues që vijnë nga banka e tij; ai po nxjerr një album të regjistruar të quajtur Tingujt e Sebring-ut.1

 

19 shtator

Vetëm unë, nganjëherë (vetëm nganjëherë), kuptoj që është bërë një gabim, pasi jam në një vend ku nuk më takon të jem. Mundet që zonjusha Mandible ta dijë, afërsisht, si qëndron puna, por për arsye të pakuptueshme prej meje, e zgjat këtë lojë. Kur u caktova këtu së pari, desha të protestoj, gabimi qe i dukshëm për këdo, edhe drejtuesit më të marrë e kuptonin; por u ndërgjegjësova ditë për ditë se qe e mirëmenduar, se isha unë gabim.

Tashti gjërat po më bëhen më të qarta. Ky rol jete është aq interesant sa roli i dikurshëm, ai i një ndreqësi për Shoqërinë e Madhe të Sigurimeve të Veriut, një detyrë që ma çonte kohën midis shkatërrimeve të qytetërimit tonë: masa mbrojtjeje të rrokullisura, hangarë pa çati, rrangalla shtëpie, gjymtyrë të thyera. Pas dhjetë vjetësh të tillë njeriu priret ta shohë botën depo të madhe vjeturinash, tek shqyrton dikë dhe sheh vetëm gjymtyrë të sakatuara rëndshëm, tek hyn te një shtëpi vetëm për të ndjekur rrugën e zjarrit të pashmangshëm. Prandaj kur më ngulën këtu, megjithëse e dija se qe bërë  gabim, e miratova, u tregova finok; isha i vetëdijshëm që mund të kishte disa përparësi për të dalë i fituar aty ku dukej vetë dështimi. Roli i Ndreqësit dikë-dikë e mëson shumë.

 

22 shtator

Jam shumë i kërkuar për skuadrën e volejbollit. E kundërshtova, duke refuzuar që të marr përfitime të padrejta nga shtatlartësia ime.

 

23 shtator

Çdo mëngjes apeli ka qenë ky: Besstvina, Bokenfohr, Broan, Brownly, Cone, Coyle, Crecelius, Darin, Durbin, Geiger, Guiswite, Heckler, Jacobs, Kleinschmidt, Lay, Logan, Masei, Mitgang, Pfeilsticker. Ishte si litania e kënduar në agimet pa shkëlqim e të mërzitshme të Texas-it prej rreshterit të shoqërisë sonë qendrore të stërvitjes.

Në ushtri, gjithashtu, isha nganjëherë po kaq keq. Duhej kohë tepër e gjatë për të realizuar diçka që të tjerët e kishin kapur menjëherë: e gjitha ajo që po bënim dukej kaq pa kuptim, pa arsye. Më mbërthente habia. Pastaj ndodhi diçka prej nga dola me një pyetje të re. Po lyenim me gëlqere  trungjet e pemëve në zonën e stërvitjes. Tetari që jepte urdhërat, qe nervoz dhe e përligjte këtë gjë. Më vonë, një kapiten i liruar, që shëtiti andej, na pa, spërkatur me të bardhë dhe krejt të lodhur, hapërdarë nëpër pamjet e çuditshme që kishim krijuar. Iku duke sharë e mallkuar. E kuptova parimin (urdhrat janë urdhra), veçse e pyeta veten: kush vendos?

 

29 shtator  

Sue Ann-i është një çudi. Dje m’i ra fort nyellit të këmbës ngaqë s’e pata mendjen kur përpiqej të ma kalonte një shënim në orën e historisë. Nyelli vazhdon të jetë i ënjtur. Zonjusha Mandible po më shikonte, kështu që nuk mund të bëja asgjë. Çuditërisht Sue Ann-i më kujton gruan që kisha dikur, ndërsa zonjusha Mandible më duket si fëmijë. Kjo më ndoqi pa m’i ndarë sytë, duke u përpjekur për të mbajtur domethënien seksuale në vështrim; unë u frikësova sepse fëmijë e tjerë e kanë kuptuar. Kam dëgjuar tashmë në atë ngjeshjen vegullore, që është mënyra e komunikimit të klasës, fjalët “i përkëdheluri i mësueses!”

 

2 tetor

Disa herë spekuloj me natyrën e vërtetë të së fshehtës që më solli këtu. Më parë besoja që ishte shtyrë prej ish-bashkëshortes sime, emri i të cilës është… Vetëm se bëra sikur harrova. E di mirë emrin e saj, po aq mirë sa e di vajin e mëparshëm të motorit (Quaker State), ose numrin tim të ushtrisë (US 54109268). Emri i saj është Brenda dhe biseda që kujtoj më mirë, një që më bën mosbesues tashti, ndodhi ditën e ndarjes. “Ti ke shpirt lavireje,” i thashë, pa i rënë anash. “Ti,” m’u përgjigj, “je një i mjerë, një ndyrësirë dhe fëmijë. Po të lë përgjithmonë dhe besoj se pa mua do të kalbesh në problemet e tua. Të cilat të dalin e të teprojnë.”

U drodha nga kujtimi i kësaj bisede dhe Sue Ann-i më mëshiroi ligësisht. E ka vënë re mospërputhjen midis masës së bankës dhe masës sime, por e sheh atë si tregues të joshjes, të qenies së pazbërthyeshme prej njeriu të shëtitur.

 

7 tetor 

Njëherë shkova vjedhurazi te tavolina e zonjushës Mandible (kur nuk ishte askush në klasë) dhe kundrova sipërfaqen e saj. Zbulova se zonjusha Mandible është një mësuese tavolinëpastër. Nuk kishte gjë tjetër aty, përveç regjistrit (në të cilin isha i gjashti) dhe një libri të hapur te faqja me titull Përgatitja, proceset kuptimplotë. Lexova: “Shumë nxënës i gëzohen punëve kur e kuptojnë se çfarë po bëjnë. Kanë besim në aftësitë e tyre për të bërë përpara dhe për të gjetur përgjigjen e duhur. Sidoqoftë, për t’i dhënë problemit një domethënie të plotë shoqërore, është e natyrshme që shumë situata realiste, të cilat i kërkojnë proceset, të zbulohen. Duke zhvilluar përdorimin e pjesëve të veçanta, shumë probleme interesante dhe jetike do të gjenin zgjidhje…”

 

8 tetor

Nuk jam i acaruar prej ndjenjës së të qenurit dikur brenda kësaj. Gjërat janë krejt ndryshe tashti. Fëmijët, për më tepër, janë larg atyre gjërave që më shoqëruan mua në udhëtimin e parë nëpër shkollat e ciklit tetëvjeçar: “Kanë besim në aftësitë e tyre për të bërë përpara dhe për të gjetur përgjigjen e duhur.” Kjo është plotësisht e vërtetë. Kur Bobby Vanderbilt-t, që rri prapa meje dhe ka përparësinë e madhe taktike për të përfituar prej mbulimit tim të pazakonshëm, i shkrepet të qëllojë në fytyrë një shok klase, së pari i kërkon zonjushës Mandible të ulë perden duke thënë se ia vret sytë dielli. Dhe e realizon atë që kërkon, pikërisht kur perdja e tërhequr bën “prraf”! Brezi im nuk mund të ishte kurrë i aftë të mashtronte kaq lehtësisht.

 

13 tetor

Mund të jetë ky gabimi i parë – u impresionova tepër prej autoriteteve (kush e vendos?) se paskan vendosur drejt dhe në mënyrën e duhur për mua – që e ngatërrova autoritetin me jetën vetë. Rruga ime nuk është pjesë e zgjedhjes sime. Karriera shtrihet përpara meje si një gjah letre dhe unë e kam për detyrë që të kap të dhënat. Kur u shkëputa herën e parë nga shkolla, e ndjeva që kjo llogari ishte thellësisht e drejtë dhe e kërkova gjahun ethshëm. Gjeta të dhëna me tepri: diploma, karta anëtarësie, turrë kopsash, një dëshmi martese, forma sigurimi, letra rekomandimi, evazion taksash, çertifikata nderi. Ato qenë prova që qe gjithçka në rregull me mua. Por kjo ishte përpara gabimit tim tragjik me mëtimin e zonjës Anton Bichek.

Lexova gabim një të dhënë. Mos më keqkuptoni: ishte tragjedi vetëm nga pikëpamja e autoriteteve. E vendosa që ishte detyra ime për t’ia siguruar shpërblimin nga kompania të fyerës, zonjë në moshë (jo madje ndonjë prej të siguruarave tona, por një ankuese kundër Korporatës Big Ben Bartje&Magazinim). Shlyerja ishte 165.000$; ende besoj që ky qe mëtimi. Por pa nxitjen time zonja Bichek nuk do të kishte pasur kurrë egoizmin për të vlerësuar fyerjen e saj kaq fort. Shoqëria e shpërbleu, por besimi te unë, në efikasitetin e rolit tim, qe rrënuar. Henry Goodykind, menaxheri rajonal, e shprehu këtë mendim në pak fjalë antipatie dhe më tha në të njëjtën kohë që do të kisha një detyrë të re. Gjëja tjetër që di, është se jam këtu te kjo shkollë, nën shikimin e paturpshëm të zonjushës Mandible.

 

17 tetor

Sot do të kemi një manovër zjarri. E di këtë sepse jam marshall zjarrfikës jo vetëm për klasën por edhe për krahun e djathtë të katit të dytë. Kjo veçanti, të cilën e kam vetëm prej arritjeve të mia, është interpretuar prej disave si shenjë tjetër e marrëdhënieve të dyshimta me mësuesen. Shiriti në krah, i kuq dhe me germa të bardha ku lexon Zjarr, rri nën kapakun e bankës sime, nga ana tjetër e çantës kafe ku mbaj drekën, që plot kujdes e bëj gati çdo mëngjes. Njëra prej përparësive të paketimit të drekës sime (nuk kam kush të ma paketojë) është se mund ta mbush me gjëra që më pëlqejnë. Sanduiçi me gjalpë që e bënte nëna ime dikur, shumë vite më parë, është zëvendësuar prej proshutës dhe djathit. Kam zbuluar se kjo dietë e ka rregulluar në mënyrë misterioze situatën time të re; nuk pi më, për shembull, dhe kur tymos, bëhet fjalë për diçka çunash, si kushdo tjetër. Kur mbaron shkolla, nuk pi duhan fare. Vetëm në problemin e seksit e ndjej moshën e vërtetë; duket qartë që nëse e mësove një herë, nuk e harron më. E shtyj me frikën se zonjushë Mandible do të më mbajë një ditë pas mësimit dhe, kur të jemi vetëm, do të krijojë situatën e kompromisit. Për të shmangur këtë gjë, jam bërë nxënës model: arsye tjetër për pakënaqësinë që më shprehet në semestrin e fundit. Por nuk mund ta mohoj se jam i përzhitur nga shikimet e shpejta të saj; zonjusha Mandible është, në shumë drejtime, sidomos për nga trupi, një copë shumë e shijshme.

 

24 tetor 

Ka sfida të veçuara ndaj madhësisë time, pozitës prej Guliveri. Shumica e shokëve të klasës ma respektojnë këtë gjë, si të kisha një sy, apo këmbë të trasha, me pafta metali. Shihem si shndërrim i llojit, por në thelb i barabartë. Sidoqoftë, Harry Broan, babai i të cilit është pasuruar me Rubineta Banjoje Broan (Harry gjithmonë pyet se si shkojnë punët në këtë fushë), sot deshi të dijë nëse do të ndeshesha me të. Grupi i ndjekësve të tij qe mbledhur për të ndaluar këtë vetëvrasje. U përgjigja se nuk isha në lartësinë e tij,  gjë për të cilën ai qe dukshëm mirënjohës. Tashti jemi shokë të përjetshëm. Me një pamje modeste për të qeshur, më ka dhënë të kuptoj se më jep të gjithë rubinetat për të cilat kam nevojë.

 

25 tetor

“Duke zhvilluar përdorimin e së veçuarës, shumë probleme interesante dhe jetike mund të gjejnë zgjidhje…” Teoricienët dështojnë në realizimin e kësaj, sepse çdo gjë që është edhe interesante edhe jetike, në klasë zhvillohet nga çfarë do t’i quanin marrëdhënie ndërpersonale: Sue Ann Brownly që më godet në nyellin e këmbës. Sa jetëgjallë, sa femërore, është përkujdesja e saj e ëmbël pas veprimit! Krenaria e saj, përballë çalimit që më shkaktoi, është shumë e lexueshme; gjithkush e di që më ka lënë shenjë, që kjo është një fitore në luftën e pabarabartë me zonjushën Mandible për zemrën time të madhe, të pamasë. Madje, zonjusha Mandible e di dhe ia kthen goditjen në mënyrën e vetme që mundet, me sarkazëm. “Mos je lënduar, Joseph?” Zjarre të mëdha digjen pas qerpikëve të saj, me dëshirën e ndezur për marshallin zjarrfikës që ia turbullon shikimin. Murmuris me zë të ulët se kam vrarë këmbën.

 

30 tetor

Kthehem vazhdimisht te problemi i së ardhmes sime.

 

4 nëntor

Libraria qarkullimfshehtë ka sjellë një kopje të Sekrete të Filmit televiziv, ku kopertina shumëngjyrëshe ka stemën me titull “Takimi i Debbie-t e fyen Liz-in!” Ajo është dhuratë nga Frankie Randolf-i, një vajzë mjaft e thjeshtë që deri më sot nuk më ka folur asnjëherë, dërguar me anë të Bobby Vanderbilt-t. Unë përkula kokën dhe buzëqesha mbi supin tim për falenderim; Frankie e fshehu kokën nën bankë. I kam parë këto revista duke kaluar nëpër duart e vajzave (shpesh herë ndonjëri prej djemve do të begeniste të këqyrte pjesërisht një kopertinë sensacionale). Zonjusha Mandible i konfiskonte kudo që i gjente. Shfletova Sekrete të Filmit televiziv dhe i hodha një shikim të plotë. “Pamja e veçantë e këtyre faqeve nuk është ajo që duket. Ne e dimë si duket dhe çfarë do të bëjë thashethemnaja. Kështu, për interesat e një djaloshi të mirë po i publikojmë faktet nga e para. Këtu është në të vërtetë ajo që ndodhi.” Pamja tregonte një idhull të ri filmi në shtrat, që po zgjohej nga gjumi, me pizhama dhe symjegulluar, ndërsa një femër e pakrehur si ai, dukej e tronditur pranë tij. Gëzohem që e di se pamja nuk është me të vërtetë ajo që duket; ajo s’duhet të jetë më pak se sa një shfaqje divorci.

Çfarë mendojnë këta njëmbëdhjetë vjeçarë pa këllqe, kur hasin, në të njëjtën revistë, faqen e plotë për Maurice de Paree, ku reklamohet “Hip helpers”2 dhe duket prapanica e pambukuar? (Një agjent i vërtetë i fshehtë ndihmon që të duken më joshëse paranicat dhe prapanicat!) Nëse ata nuk e deshifrojnë gjuhën, ilustrimet nuk u lënë asgjë në imagjinatë. “Lëvize atë të çmendur…” vazhdon kopja. Ndoshta kjo shpjegon përkujdesjen e Bobby Vanderbilt-it me Lancias dhe Maseratis; ajo është një mbrojtje përballë qenies një i çmendur i hedhur matanë.

Sue Ann-i ka vëzhguar afrimin e Frankie Randolph-it dhe, duke ma kapur shikimin, nxjerr nga çanta jo më pak se shtatëmbëdhjetë prej këtyre revistave dhe i shtyn drejt meje, si për të treguar që asnjëri prej rivalëve të saj nuk ka për të ofruar gjë, se ajo do të kryesojë. Unë hedh një shikim të zvarrë nëpër to, duke veçuar hapësirën e gjerë editoriale:

“Të vegjlit e Debbie-t po qajnë”

“Eddie pyet Debbie-n: do të…?”

“Ankthet që ka Liz-i për Eddie-n!”

“Gjërat që Debbie mund të thotë për Eddie-n”

“Jeta private e Eddie-t dhe e Liz-it”

“A ia kthen Debbie shpinën asaj?”

“Një jetë e re për Liz-in”

“Dashuria është dredharake”

“Eddie, Taylor – çerdhe dashurie.”

“Si ia bëri Liz-i një burri si Debbie?”

“A kanë plane të jetojnë së bashku?”

“A s’është koha për të ndalur shqelmat e Eddie-t?”

“Dilema e Debbie-t”

“Debbie bëhet përsëri baba”

“A po planifikon Debbie një martesë tjetër?”

“A mundet Liz-i ta përmbushë veten?”

“Pse Debbie është i sëmuri i Hollywood-it?”

Kush janë këta njerëz, Debbie, Eddie, Liz, dhe si e kuptojnë veten në një të tillë telash të tmerrshëm? Sue Ann-i e di, jam i sigurtë, është e qartë se e ka studiuar historinë e tyre si guidë të asaj kur befas do të jetë e lirë nga kjo klasë e zymtë dhe monotone.

Nxehem dhe i shtyj revistat drejt saj, madje, pa asnjë pëshpërimë falënderimi.

 

5 nëntor

Klasa e gjashtë e shkollës Horace Greeley është furrë dashurie, dashurie, dashurie. Sot është ditë me shi, por brenda ajri është i rënduar dhe i tendosur me pasion. Sue Ann-i mungon; mendoj se sfida e djeshme i është përplasur mu te shtrati. Fajin ma hedh mua. Nuk e ka mendjen, e di, te ajo që lexon, te modelet që ia propozojnë nga një industri e korruptuar publiciteti; nuk duhej të isha kaq i pashpirt. Ndoshta është vetëm rrufë.

Askund nuk kam ndeshur një atmosferë të ngarkuar me kaq seksualitet të ndërprerë si ky. Zonjusha Mandible është e pafuqishme; sot asgjë nuk shkon si duhet. Amos Darin është gjetur duke vizatuar një pamje të pistë në tualet. E pandreqshme dhe e pasaktë, ajo nuk ofrohej si shenjë e diçkaje tjetër, por si vetë akti i dashurisë. I ka eksituar madje edhe ata që nuk e panë, madje edhe ata që e panë, por vetëm kuptuan që ishte e pistë. Klasa gumëzhin nga kilikosjet e pakapshme. Amos rri nga dera, duke pritur që ta marrin në zyrën e drejtorit. Ai luhatet midis frikës dhe gëzimit të famës së përkohshme. Herë pas here, zonjusha Mandible vështron nga unë me qortim, duke më fajësuar për prishjen e qetësisë. Por nuk e krijoj unë këtë atmosferë, jam kapur brenda saj si gjithë të tjerët.

 

8 nëntor

Është premtuar çdo gjë prej meje dhe shokëve të klasës, përmbi të gjitha e ardhmja. I pranojmë mosbesimet fyese pa dridhje qerpiku.

 

9 nëntor

Përfundimisht kam marrë guxim që të kërkoj një bankë më të madhe. Në pushim të orëve eci rëndshëm; këmbët e shtyjnë me zor njëra-tjetrën. Zonjusha Mandible shprehet se nuk do t’i thotë kujdestarit që ta çojë lart. Është e shqetësuar për natyrën e motiveve të mia. A s’paskam përfituar ndihmë, thotë. Për një çast, gati i tregoj historinë time. Diçka, sidoqoftë, më këshillon të mos e bëj. Këtu kam mbështetje, kam strehë; nuk dua ta lëshoj veten si dikur te tekat e autoritetit. Vendosa që t’i realizoj çështjet e mia më pak të veçanta në të ardhmen.

 

11 nëntor

Një martesë e dështuar, një karrierë e dështuar ndreqësi, një parantezë e zymtë në ushtri, ku isha pothuajse pa identitet. Kjo është shuma e përvojave të mia që jep një të përgjithshme të trishtueshme. E habitshme që riedukimi u duk shpresa ime e vetme. Është e qartë madje te unë që kam nevojë të ripunoj në disa mënyra themelore. Sa e frytshme është shoqëria që kujdeset në këtë mënyrë për shpëtimin e pjesës më të pavlefshme të saj!

Duke marrë guxim nga jeta e shqyrtuar midis të rinjve amerikanë të kënaqur, të dëshpëruar, të kamur, flakur keqas në hapësirë dhe kohë, fillova të kuptoj se nuk i kam punët mirë, se ne të gjithë nuk i kemi punët mirë. (Megjithëse kjo është diçka tjetër nga ç’kishin parasysh ata që më sollën këtu; ata kërkuan vetëm që unë të jem në rregull.)

 

14 nëntor

Dallimi midis fëmijëve dhe të rriturve, që e përdorin për disa qëllime, në fund të fundit është diçka e shtirë, mendoj. Ka vetëm ego individuale, të lojtur pas dashurisë.

 

15 nëntor

Kujdestari e ka informuar zonjushën Mandible që bankat janë krejt të sakta për klasën e gjashtë, kështu është thënë prej Bordit të Vlerësimit dhe furnizimit të shkollave nga Korporata e Mbështetjes së Arsimit. Ai ka thënë se banka është në rregull, por nxënësi nuk duhet të jetë në rregull. Zonjusha Mandible, tashmë e pajtuar me të njëjtin mendim, ngurron ta shtyjë këtë çështje më tej. Mendoj se e di pse-në. Një kërkesë në administratë mund të rezultonte me largimin tim nga klasa, me një transferim të llojit të organizimit për “fëmijë të veçantë”. Ky do të ishte shkatërrim i shkallës së parë. Të ndenjurit në një dhomë me gjeni të vegjël (apo, më bukur, fëmijë që janë “të vonuar”) do të më rrëgjonte brenda javës. Le t’i përkasë përvoja ime ecurisë së përbashkët, them; le të jem, të lutem, o Zot, tipik.

 

20 nëntor

I lexojmë shenjat si premtime. Zonjusha Mandible e kupton prej shtatit tim, prej zërit kumbues, që do ta kem një ditë në shtrat. Sue Ann-i i interpreton të njëjtat shenja për të thënë që unë jam i vetmi midis njohjeve të saj mashkullore, prandaj më i dëshirueshmi, si rrjedhim vetia e saj e veçantë kështu është – çdo gjë që është Më e dëshirueshmja. Nëse asnjëri prej këtyre parashtrimeve nuk del, jeta do të ketë besimin e thyer për to.

Unë vetë, me përvojën time, e lexoj moton e kompanisë (Ndihmë në kohë nevoje) si një lloj detyre të ndreqësit, që mungon tepër në përkujdesjet më të thella të saj. Besoj se kështu e kam fituar një grua që përbëhej prej shenjash-grua (bukuri, joshje, butësi, aromë, gatim), duke gjetur dashurinë. Brenda, duke lexuar të njëjtat shenja që tani kanë mashtruar zonjushën Mandible dhe Sue Ann Brownly-n, e ndjeu që ishte zotuar se nuk do t’i nxirrte  më telashe vetes. Të gjithë ne, zonjusha Mandible, Sue Ann-i, unë vetë, Brenda, z.Goodykynd, ende besojmë që flamuri amerikan tregon një lloj drejtësie të përgjithshme.

Por unë them, duke parë rreth meje në këtë inkubator qytetarësh të ardhshëm, që shenjat janë shenja dhe disa prej tyre gënjejnë. Ky është zbulimi i madh që kam bërë këtu.

 

23 nëntor

Mund të jetë kjo përvojë prej fëmije që do të më mbrojë në fund të fundit. Nëse do të rri i qetë në këtë klasë, duke bërë shënimet e mia, ndërsa Napoleoni vuan mespërmes Rusisë në zërin monoton të Harry Broan-it, që lexon me zë të lartë tekstin e historisë. Të gjitha misteret që më hutojnë si të rritur e kanë origjinën këtu, ku i numëroj një nga një, duke ua ndriçuar burimin. Zonjusha Mandible është kundra mbetjes sime një i parritur. Duart e saj rrinë tepër nxehtësisht dhe për një kohë të gjatë mbi shpatullat e mia.

 

7 dhjetor

Janë garancitë që jep ky vend, garancitë që nuk mund të shlyhen, të cilat më ngatërrojnë dhe më pas më bëjnë të ndjehem se nuk po shkoj askund. Çdo gjë paraqitet si rezultat i disa proceseve të njohshme; nëse dua të arrij te katra, mbledh dy e dy. Nëse dua të djeg Moskën, rruga që duhet të ndjek është përcaktuar prej dikujt tjetër. Nëse, si Bobby Vandervilt-i, kam mall për timonin e Lancia-s, do të shkoj vetëm nëpërmjet proceseve të duhura, që janë paratë. Nëse është paraja vetë që dëshiroj, duhet ta fitoj atë. Të gjithë këto synime janë barabar të mrekullueshëm në sytë e Bordit të Vlerësimit; dëshmia është kudo rreth nesh, në shëmtinë ashiqare të kësaj ndërtese me çelik e xham, në prakticitetin e thatë me të cilin zonjusha Mandible trajton disa prej luftërave tona më pak të nderuara. Kush e vë në dukje që rregullimet disa herë nuk zënë vend, që janë bërë gabime, që shenjat janë keqlexuar? “Ata kanë besim në aftësinë për të bërë përpara dhe për të gjetur përgjigjet e duhura.” Unë bëj ecjen që duhet, fitoj përgjigjet e sakta dhe gruaja më lë për një tjetër.

 

8 dhjetor

Ndriçimi im po përparon mrekullisht.

 

9 dhjetor

Dështim tjetër. Nesër duhet të jem te mjeku për vëzhgim. Sue Ann-i na gjeti mua dhe zonjushën Mandible në garderobë, gjatë pushimit, dhe pothuajse e kapi një krizë. Për një çast mendova se e la fryma. Doli nga dhoma duke qarë, drejt e për në zyrën e drejtorit, e sigurt tashti se cili prej nesh ishte Debbie, Eddie, Liz. Më vjen shumë keq që jam arsyeja e zhgënjimit të saj, por e di që ajo do ta kalojë. Zonjusha Mandible ia mbathi, veçse krejt e përmbushur në vetvete. Megjithëse do të akuzohet për shkeljen e të drejtave të një të mituri, duket e qetë; ia arriti qëllimit që i kishte vënë vetes. Tashti ajo e di se çdo gjë që ka thënë për jetën, për Amerikën, është e vërtetë.

Unë jam përpjekur të bind autoritet e shkollës që jam i mitur vetëm në një kuptim të veçantë, që jam në fakt i përgjegjshëm për pjesën më të madhe – por kjo nuk bëri dobi. Janë aq kokëngjeshur. Bashkëkohësit habiten që e paraqes veten asgjë më shumë se një viktimë e pafajshme. Si gardisti i vjetër që marshon nëpër hapësirën ruse, klasa marshon në përfundimin se e vërteta është dënim.

 

Në ndarje Bobby Vandebilt-i më ka dhënë një kopje të Tingujve të Sebring-ut.

 

 

1 markë makine

2  pambukore për pjesën e nënbarkut te fëmijë nga gjashtë muajsh deri në tre vjeç

 

përktheu: Gazmend Krasniqi


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.