Tri poezi – Pal Ndrecaj

Pal Ndrecaj

 

POEZIA

 

Gjithçka ish’ zhytur në një prehje

të thellë

të rëndë mbytëse

Preheshin njerëzit bimët

ajri uji

akrepa busulla

Preheshin ngjyrat ndjesitë

foljet që u jepnin kuptime

Sende emra ngjarje

koha zhytur në prehje

Derisa një zog shpërthen

përmes plasaritjes së lëvozhgës së një emocioni

që s’përmbahet ma

dhe del e merr dynjanë

Pastaj krejt nisin me lëvizë përsëri…

 

 

BINARËT

 

A e ke vënë re si u zgjatën ata deri këtu

si u shkëpusnin trenat shkëndija me masë

ndonjë këngë nga njëri skaj do të jetë dëgju’

dhe në tjetrin ndonjë sorrë do ketë lëshuar një glasë

Tash imagjino se ti je binarët

që përthekojnë botën në të dyja skajet

dhe lexoje këtë si një ide të qartë

si bashkëjetojnë gëzimet dhe vajet

Kështu mes fitoresh e humbjesh

udha jote mbërrin në fund

në mbarim të betejës së pasosur

të dy flamujt njëlloj tund

 

 

YJET

 

Brenda mbështjellësit të madh të territ

ata janë dëshmia se ai mundet me u shpërthy’

janë rasti me të provoku’ mu tani

dhe me të ba me mendu’ se edhe ti je si ata

i mbështjellë me terrin tënd

dhe me të futë në konfliktin e madh

që betejat i zhvillon në zemër

me të ba dëshminë e te gjitha rivaliteteve

të atyre që shkojnë deri në fund dhe të atyre që thyhen

Kjo njësoj mbron arsyen për të cilën je

nëse i thyeri nuk është ai i munduri që fle

po ai që ringritet

edhe njëherë

I sheh yjet?

ata nuk tërhiqen

 

 

Pal Ndrecaj ka lindur më 1960 në fshatin Moglicë të Gjakovës. Ka mbaruar studimet në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar si mësimdhënës dhe gazetar më Kosovë.

Ka botuar: “Lule mbi plagë”, poezi, Rilindja, Prishtinë 1993; “Akti i krijimit”, poezi, “Rilindja”, 1998; “Lista e zezë”, roman, Gjakovë 2010. Ky roman ribotohet në Prishtinë nga “OM” më 2019. “Gdhendja e përmasave”, poezi, New York 2015. Këtë vit do të dalë edhe vëllimi i katërt poetik në Prishtinë.

Jeton ne SHBA prej vitit 2004.

Është drejtues i faqes në internet “Poezi elitare”

 

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.