MIGUEL DÍEZ R.
TREGIMI LETRAR APO INTENSITETI I KONCENTRUAR
Etimologjikisht, tregim vjen nga fjalori latin computum, cuenta ose calculo, që nga një fenomen përkthimi dhe kalimi semantik, kaloi nga shkallëzim i objekteve në atë të ngjarjeve të ndodhura, që ndodhin dhe ato të sajuara; siç thotë E. Anderson Imbert, computo u bë tregim. Në një mënyrë shumë të thjeshtë dhe të përgjithshme, tregimi mund të përkufizohej si narracioni i një veprimi fiktiv, me karakter të thjeshtë dhe shtrirje të vogël, me moral dhe argëtim, me tendenca të ndryshme përmes një tradite të pasur popullore dhe letrare. Ndryshimi mes tregimit popullor dhe atij letrar është i thjeshtë të vendoset. Para traditës dhe transmetimit gojor, anonimisë, karakterit të përgjithësuar, universalitetit, varianteve, thjeshtësisë, skematizimit dhe uniformitetit të tregimit popullor, tregimi letrar prezanton një vullnet të dallueshëm stili, që do të thotë, një formë letrare të ruajtur dhe specifike, këtë dhe jo tjetër – pa asnjë mundësi variantesh dhe ndryshimesh – krijuar nga një autor me emër dhe mbiemër, më një “këtu” dhe “tani” konkrete, që përmes një narracioni të shkurtër dhe dukje kaq delikate, përpiqet të transmetojë atë që, me imagjinatë të lirë dhe me vetëdije për origjinalitetin e vet, ka dashur të fiksionojë; pra, jetesa, ndjenjat dhe idetë, gëzimi dhe dhimbja “gëzimet dhe hijet” komplekse të botës ku jeton. Një narrator është dikush që sheh botën dhe njerëzit, dhe mbushet me gjithë kujtesën e tyre, që asgjë e njerëzve mos humbasë… një lloj detektivi, që vërtitet në ferr, tokë dhe qiell për të dhënë me një gjurmë njeriu, një histori njeriu, por ndoshta si një njeri që mbledh gjithë konfidencat e zërave dhe personazheve dhe i rrëfen. Ndryshimet mes tregimit dhe romanit – zhanri më i përdorur i narrativës moderne, më kompleksi dhe më i rëndësishmi – bazohen tek ajo se si një njeri vepron me shpejtësi, përqendrim dhe intensitet për të shprehur një realitet të menjëhershëm; gjë që romani e bën nga mbledhja dhe shtrirja duke futur krijimin e një bote të plotë. Le të sjellim një shembull duke krahasuar kinemanë me fotografinë. Në kinema shfaqen një shumësi skenarësh, veprimesh, personazhesh, me varietet planesh, si në roman. Në të kundërt, fotografia përjetëson momentin e një prej personazheve në një skenar dhe një kohë të vetme; dhe bukuria e saj qëndron tek intensiteti dhe mënyra si kapet ai moment. Por duhet saktësuar që tregimi, kjo e tashme e menjëhershme e realitetit, në ndryshim nga fotografia, gjithnjë vendos një përshkrim kohësor, dhe pse rezulton me zor i perceptueshëm. Dhe, menjëherë, tregimi duhet të prezantojë një densitet domethënës të veçantë dhe një përqendrim ekstrem në ekonominë e ndodhive, personazheve dhe fjalëve që pengojnë që lexuesi “të shpërqendrohet”. Veprimi i romanit komplikohet, në të kundërt, me numër më të madh episodesh dhe personazhesh, me kompleksitet më të madh psikologjik dhe kohor, përtej përshkrimeve të detajuara të vendeve, objekteve dhe personave…
Përktheu: Antonio Çikollari
NO COMMENT