READING

TREGIM – Jam në buzët e tua, në fjalët e tua...

TREGIM – Jam në buzët e tua, në fjalët e tua

Foto ilustruese

Alberto Ruy SÁNCHEZ

Atari, kur u kthye në barnatoren e tij, më foli për shumë veçori të Azizit. Pastaj, shkoi drejt një poliedri të kristaltë që kishte në barnatore. Duke prekur çdo faqe të kristalit, e ngriti atë para syve të mi dhe më tha: “Ja, kështu është shpirti i Azizit: alkimist, heretik, fisnik, bukurshkrues, filozof, i dashuruar me Havanë, pararendës i gjithë Ëndërruesve, ndërtues pallatesh dhe kopshtesh imagjinare, poet. Lexoje me vëmendje, përhape atë që ai ka shkruar”.

Dhe Atari ma dha dorëshkrimin e Azizit. Më paralajmëroi për vlerën e tij. Më tha që të mos e lija asnjë minutë në dorën e askujt. Se aty kishte njerëz që ishin gati të të vrisnin për të. “Madje, për të marrë këtë, kanë ardhur edhe të vdekur, edhe fantazma, dhe e kërkonin me ngulm, sepse magjia e tij është tejet e saktë. Pra, mos e lësho nga dora për asnjë çast”. E mora “Traktatin e të padukshmit në dashuri” dhe e futa në gji, nën rroba. Kjo i pëlqeu Atarit.

Më tha: “Mos harro, ruaje mirë, nga të gjallët dhe nga të vdekurit”.

Ishte natë. Sapo u largova disa metra nga barnatorja, përpara më doli një grua. Sytë e saj u ngulën shpues mbi sytë e mi. Më kapi për dore. Më çoi nëpër rrugët labirint të Mgadorit. Për habinë time, isha duke përjetuar me këtë grua pikërisht të njëjtën gjë që kisha dëgjuar të këndonte një halaikí*. Duke bërë dashuri në rrugë, më thoshte në vesh gjithçka që kishin thënë Azizi dhe Havaja me njëri-tjetrin. Nuk më besohej. Nuk më çuditi që, kur e pyeta për emrin, më tha se quhej Hava. Falënderova një mijë herë kalkulimin gjeometrik të Azizit dhe interesin pervers të Abdel Kaderit. Iu fala gjithë Perëndive që munda të kujtoj në ato çaste dhe i falënderova që sollën në duart e mia një grua, që ishte si një vegim, e sapombërritur dhe plot histori, e papritur dhe e thellë, lëmake dhe e mrekullueshme. Një fantazmë përthithëse. Gruaja e fatit tim.

Bukurinë e saj nuk mund ta kishte askush në këtë jetë. Ose, ashtu më dukej mua. Sytë e saj madhështorë depërtonin në lëkurën time. Duart e saj po më mësonin çdo gjë përsëri. Ishte dashnorja më e paparë, më e ëmbël, më e zjarrtë, më e vrullshme, më e thellë. Doja që dashuria me të të mos kishte të mbaruar. Me duar, me hundë, me veshë, me çdo gjë më bënte t’i dorëzohesha tërësisht.

Shkuam në dhomën time, në hotel. Çdo zhurmë që vinte poshtë nga sheshi dhe që futej nga dritarja na mbushte me gëzim. Na dukej sikur muzikantët atje poshtë interpretonin posaçërisht për ne. Havaja kishte në bark një tatuazh shumë të ngjashëm me atë timin. Kur bënim dashuri, duart tona me tatuazh dukeshin saktësisht të njëjta. Gjithçka jona përkonte. Edhe emri i saj po ashtu, si emblemë e kërkimit tim prej Ëndërruesi. Grua jaguar, grua rrëké: grua ëndërr.

…Menjëherë, kuptova se kishin kaluar më shumë se nëntë orë qysh kur kisha nisur të shkruaj këtë histori, aty në dhomën e hotelit të qytetit Mogador, duke pritur Havanë. Tashmë kishte rënë muzgu. Duhet të ketë kaluar ora gjashtë e mbrëmjes, thashë me vete. Pa pritur, më pushtoi një ankth i tmerrshëm. Më hyri frika se Havaja nuk do të vinte në takim. Kërkova orën për ta parë sa ishte, por nuk e gjeta. Kërkova dorëshkrimin e Azizit, por as atë nuk e gjeta. Nuk ishte gjëkundi as portofoli im dhe as pasaporta ime. Kërkova gjithandej. Asgjë. Në Mogador, askush nuk dinte gjë për Havanë. Shkova te shtëpia e Abdel Kaderit në Tanger. Shtëpia qe braktisur dhe qe bërë rrëmujë. Fëmijët që më çuan atje më thanë se, pothuaj gjithë vitin, ajo shtëpi ishte e pabanuar. Më thanë se qenkësh një magjistar fantazmë që vidhte shpirtrat dhe i fuste në libra… I mërzitur dhe i paduruar, u thashë se nuk ishte një magjistar, por një mashtrues. Nuk më besuan. Ama, edhe unë vetë, tani nuk dija çfarë të mendoja.

A kishte qenë mashtrues apo unë vazhdoja të isha pjesë e një loje, që nuk arrija ta kuptoja, dhe që ishte edhe më e madhe nga ç’më kishin shpjeguar? Vërtet bëra dashuri me një fantazmë, me një mashtruese, apo gjithçka ishte një delir tejet i vërtetë, një delir somnambul? Vazhdoj ta kërkoj atë femër duke ndjekur ende gjurmët e Azizit dhe të dorëshkrimit të tij. Shpejt apo vonë, do të mësoj më shumë për të dy. Si m’u futën ashtu nëpër gishta sikur të qenkëshin ujë?! Ne Ëndërrimtarët jemi të destinuar të na pushtojnë fantazmat e çastshme, sepse jemi po ashtu si fantazmat që na dëshirojnë me mendje. Dhe, nëse nuk na dëshiron askush, atëherë jemi fantazma të zbrazëta.

Poshtë shtratit tim në hotelin e Mogadorit, ishte harruar një fletë e librit të ëndrrave. Ishte një pjesë e ëndrrës numër trembëdhjetë, që thoshte:

Besova se të kisha në ëndërr,

por as në ëndërr nuk më ishe ti.

Edhe ëndrrat e përbashkëta

Kishin ikur bashkë me ty.

U zgjova pa ty, gjithçka m’u shkretua.

Ti s’ishe po ç’më kishte mbetur?

Vetëm ëndrra e zbrazët ishte me mua

*Halaikí – tregimtar ritual historish të botës arabe

Shqipëroi Bajram Karabolli

Alberto Ruy Sánchez (1951) – poet, prozator dhe eseist meksikan. Krijimtaria e deritanishme: 8 romane, 4 vëllime me tregime, 12 libra me ese dhe 6 vëllime poetike. Është ndër shkrimtarët e rrallë në histori që brenda 20 vjetësh ka marrë 22 çmime letrare të rëndësishme, kombëtare e ndërkombëtare. Librat e tij i boton Shtëpia Botuese Alfaguara, më prestigjiozja në gjithë botën hispanike.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.