Bajram Karabolli
KURTHI – Jorge Luis Borges
Që tmerri i tij të ishte i përsosur, kur Qezari, tek këmbët e statujës, i rrethuar dhe i goditur prej thikave të pandalshme të miqve, mes fytyrave dhe teheve zbulon atë të Mark Brutit, të preferuarit të tij, e pse jo birit të tij, dhe atëherë dorëzohet e thërret: “Tu quoque, Brute, fili mi?” (Edhe ti, Brut, biri im?!); një klithmë patetike kjo që e kanë rrokur Shekspiri dhe Kevedoja.
Fatit i pëlqejnë përsëritjet, variantet, simetritë; nëntëmbëdhjetë shekuj më vonë, në jug të provincës së Buenos Airesit, një fshatar sulmohet nga disa fshatarë të tjerë dhe, kur rrëzohet, njeh birin e tij të adaptuar dhe i thotë me qortim të butë dhe habi të plogët (këto fjalë duhen dëgjuar, jo lexuar): Pero, che! (Edhe ti, ore?!) Pastaj e vrasin dhe ai nuk e di se po vdes që të përsëritet një skenë.
“Kurthi” është një nga ato minitregimet e famshme të Borhesit, që janë vetëm koncentrat. Por dua të qëndroj te shprehja: Pero, che!, për të cilën vetë Borhesi thotë: këto fjalë duhen dëgjuar, jo lexuar. Dhe e ka fjalën për një lexues vendas (argjentinas), pale një i huaj. Personazhi i Borhesit ndodhet në të njëjtën situatë, si Jul Qezari, dhe njësoj si ai shqipton vetëm ato dy fjalë aq të shkurtra.
Por në këtë rast, fjala është tjetërkund. Te vështirësia e përkthyesit, që, nganjëherë, është gati e pakapërcyeshme.
Che (çe) është një fjalë që përdoret vetëm në Argjentinë dhe Uruguai dhe në asnjë vend tjetër spanjishtfolës. Në dy vendet e mësipërme, kështu i drejtohen një të afërmi, një shoku, një miku, qoftë mashkull apo femër. Është një mënyrë e veçantë të drejtuari që shpreh afëri, ngrohtësi, intimitet. Argjentinasi i famshëm, Ernesto Gevara (Ernesto Guevara) njihet Çe Gevara (Che Guevara), vetëm se në Meksikë, ku ishte student për mjekësi, u drejtohej shokëve dhe miqve të tij: Ej, Çe! Ç’kemi, Çe? Tungjatjeta, Çe!… Dhe të tjerët që s’e kishin dëgjuar, apo nuk e njihnin, këtë mënyrë të drejtuari, këtë fjalë, nisën ta quanin Çe dhe jo Ernesto.
Pero, che! Kaq thotë personazhi i Borhesit dhe i lë që ta vrasin. Ad literam, do të përkthehej: “Po ti, ore!” Ama, një lab, në një situatë të tillë do të thoshte: “Edhe ti, more derëbardhë?!”, apo: “Po ti, ç’pate, a tu shoftë?!”, etj. Një shkodran mund të thoshte: “Ç’ban, o nieri i mirë?!”. Po ka shprehje nga më të ndryshmet për të shprehur njëherazi, habi, dhimbje, lëshim, falje, e ku di unë, ama, kurrsesi mallkim, në një situatë të tillë.
Të gjithë e njohin shprehjen e famshme italiane: Traduttore, traditore. Sepse, në njëfarë mënyre, përkthyesi, patjetër, do të tradhtojë dikë: ose autorin, ose lexuesin; ose gjuhën origjinale, ose gjuhën tjetër, në të cilën e shpie origjinalin. Dhe kjo është një dilemë e madhe për të.
E shikoni pra, sa të vështirë e ka përkthyesi?!
NO COMMENT