READING

“Tokë e shkretë’’ e T.S Eliotit, poemë e kujtesës ...

“Tokë e shkretë’’ e T.S Eliotit, poemë e kujtesës dhe dëshirës

100 vjetori i botimit të “Tokë e shkretë”

 

Nancy K. Gish

“Tokë e shkretë’’ e T.S Eliotit, poemë e kujtesës dhe dëshirës

Rëndësia e veprës

Çështja e vlerës letrare është e ndërlikuar. Më së pari, duhet të dallojmë mirë,  ndryshimin mes rëndësisë së letërsisë në jetët tona dhe rëndësisë së ndonjë teksti të veçantë. Letërsia përcakton dhe krijon botën tonë. Me anë të poezive, dramave, romaneve, tregimeve ne njohim botën dhe vetveten. Letërsia është diçka themelore ngase ajo rikrijon vazhdimisht dhe e zgjeron mundësinë e të kuptuarit tonë të njerëzimit.

Kjo, sidoqoftë, nuk do të thotë, se ne e shohim letërsinë fundekrye si diçka që ka të njëjtën rëndësi. Disa vepra duket se ia kanë arritur të nyjëtohen më gjithmbarshëm dhe tronditshëm se të tjerat, ndërsa të tjera kanë tërhequr fuqishëm vëmendjen e shumë brezave. Kjo është e njëmendtë në rastin e Tokë e shkretë. Elioti është mbajtur jo pak si poeti më i rëndësishëm i kohës së vet, e megjithëse edhe ky gjykim është vënë në dyshim, poezia e tij vazhdon të lexohet, të studiohet dhe adhurohet. Për të risjellë dhe mbajtur gjithherë një reagim të këtillë, një vepër arti, duhet që të të japë kënaqësi edhe estetikisht edhe intelektualisht. Kjo do të thotë se duhet të jetë edhe burim kënaqësie edhe mënyrë e njohjes së botës.

Me figura, imazhe të gjalla, tingëllimin e epërm muzikor, ndërlikueshmërinë e formës, Tokë e shkretë u ka dhënë shumicës së lexuesve kënaqësi në një nivel të fundmë. Për më tepër, në kohën e vet ajo shihej si shumë origjinale, risuese me teknikën e përdorur. Ndërkohë që ne jemi mësuar tashtimë me teknika të tilla poetike sikundër aluzioni, pranëvënia ironike, zhvendosjet e befasishtme në stil dhe imazhe, përdorimi i tyre prej Eliotit ngjante jashtëzakonisht risues në 1922; ato i shtuan ndërlikueshmërisë së idesë ndërlikueshmërinë e një stili jo të zakonshëm.

Efekti i këtyre teknikave e ruan ende vlerën e tyre. Po ta lexojë poemën me kujdes, lexuesi shpërblehet me shoqërizime të shumta dhe të befasishme. Në pjesën hyrëse, për shembull, shiu i shkurtër pranveror është më helmues për lidhjen që ka me shiun shqetësues të prillit. Dhe flokët e lagur të vajzës së zambakëve të ndërmend shiun pranveror sërish për të shoqërizuar të parandjerit e dashurisë me ripërtëritjen herake të jetës dhe lulëzimin e saj. Mjeshtëria poetike e Eliotit shkon përtej imazheve. Ai ka një vesh të mprehtë për ritmin, efektin muzikor, aftësinë për të krijuar shumë gjendje dhe tone. Mjeshtëria e Eliotit në përdorimin e shumëllojëshmërisë metrike dhe imazheve të sakta dhe kuptimisht të dendura vihet re pjesë pas pjese.

Ritmet dhe imazhet e Tokë e shkretë e tërheqin dhe përhumbin lexuesin. Por poema nuk do të ishte kaq e rëndësishme nëse përsosmëria e saj do të qe vetëm teknike. Vlera më e madhe dhe e qëndrueshme ka të bëjë me në mënyrën se si aftësia poetike shpërfaq një mënyrë të menduarit për botën. Poema u drejtohet çështjeve themelore të jetës dhe vdekjes, dëshirës së ethshme njerëzore për kuptim dhe vlera. Në vitet midis luftërave njësimi i ndjenjës së humbjes dhe dëshirës duket të ketë nyjëtuar thelbin e përvojës moderne. Po meqenëse Elioti e vendosi këtë ndjesi humbjeje dhe dëshire në mitet e lashta, poema kishte gjasa të shprehte edhe një gjendje të përhershme njerëzore dhe kësisoj të përbënte një grishje të shumanshme të vazhdueshme.

Përvoja psikologjike dhe shpirtërore e dhënë te Tokë e shkretë mund të lexohet si një vizion i gjendjes njerëzore, i shkëputur prej vlerave të qëndrueshme, prej qëllimit hyjnor, ose prej dashurisë njerëzore, dhe si një dëshirë e ethshme për ripërtëritje të jetës. Po kështu mund të lexohet si një ankth vetjak dhe i fuqishëm përballë një prej frikërave më të mëdha ndaj vdekjes, humbjes dhe tradhëtisë. Ajo ka mundur të risjellë në kujtesë paprajshëm një kuptim të shtresëzuar të asaj se çka do të thotë të jesh vdekëtar, i kufizuar, i ndërgjegjshëm për dështimin, dhe sidoqoftë të përpiqesh për të arritur një mundësi të pashprehshme.

Meqenëse Tokë e shkretë dha kaq shkëlqyeshëm atë çfarë shumë lexues në vitin 1920 shihnin si gjendjen e tyre të ekzistencës, për të u diskutua menjëherë pas botimit dhe u vlerësua prej kritikëve dhe shkrimtarëve. Ngaqë adhurohej prej atyre që kërkonin rrugë të reja të shprehjes së përvojës moderne, mendohej se kësisoj përligjte stilet dhe temat e ndryshuara rrënjësisht. Poetë më të rinj u ndikuan prej saj duke shkruar në mënyrë të ngjashme, ndërsa kritikët e mbanin si një model për të dhënë gjykime kritike për veprat e tjera. Ajo u bë e rëndësishme për shkak të shprehjes së gjendjes në të cilën ndodhej koha e tij ashtu si dhe për ndikimin e madh që pati për sa i përket vlerave dhe teknikave të mëparshme poetike. Në një farë mënyre, ajo që quhet “moderne’’ është ajo çfarë ngjan me Tokë e shkretë në temë dhe stil.

Ngaqë pati një ndikim kaq të madh tek lexuesit dhe poezinë e mëpasme, Tokë e shkretë duhet të shihet si e rëndësishme nga pikëpamja historike, por vlera e saj për ne varet nga reagimi i lexuesve që gjejnë tek ajo lexime të ndryshme. Një mënyrë e të gjykuarit për të është parashtrimi i pyetjes nëse vazhdojmë të marrim kënaqësi prej figurshmërisë dhe muzikalitetit, ndërkohë që pyesim se a vazhdojmë të gjejmë tek ajo mënyra të reja dhe interesante për të kuptuar përvojën njerëzore.

Megjithëse poezia shkruhet sot ndryshe, lexuesit vazhdojnë të komunikojnë me kontrollin ritmik të Eliotit apo ndërlikueshmërinë e formës. Ndërlikueshmëria dhe shumëllojshmëria mundësojnë freski të përhershme, një ndjesi zbulimi. Për më tepër, përvoja dhe kuptimi i poemës nuk janë as të thjeshta dhe as të fundme. Interpretime të kohëve të fundit kanë zhvendosur vëmendjen prej strukturave të mitit që duket të shtresëzohen në poemë tek emocioni thellësisht vetjak që shpërfaq. Sikundër dramat e Shekspirit ose romanet e Xhorxh Eliotit, ajo arrin të përcjellë kuptime të tjera për lexues të rinj. Rëndësia e saj e vazhdueshme varet nga aftësia për të nxitur dhe zbuluar mënyra të reja të të njohurit të botës. Çdocili lexues përfshihet në bashkimin e vlerës së saj personale dhe historike.

Receptimi kritik

Ndryshe nga shumë shkrimtarë vepra e të cilëve mundi të bëhet e njohur ngadalë pas një farë kohe, T. S. Elioti pati një famë të hershme dhe të gjithmonshme. Shumë prej bashkohësve të tij, përfshirë Uilljam Karlos Uiliamsin, dhe deri në një farë pike madje edhe Ezra Paundin, janë vlerësuar gjithnjë e më shumë tek kemi mësuar se si ta lexojmë veprën e tyre, ndërsa kemi nisur të njohim madhështinë e të tjerëve, sikurse atë të poetit skocez Hju Mekdërmid, por shkrimtarët dhe kritikët menjëherë bënë studime dhe i thurën lavde poemës Tokë e shkretë. Në vitin 1930 poema ishte bërë objekt i një vëmendjeje serioze akademike, dhe u përfshi në antologji dhe kurse universitare. Elioti vetë, citohej, nderohej dhe shpërblehej me çmime për atë çfarë kishte bërë në letërsi. Tokë e shkretë vazhdon të jetë tekst mësimor në të gjitha kurset që kanë të bëjnë me poezinë po ashtu si në kurset e letërsisë moderne, ndërsa Elioti mbetet një figurë qendrore në poezinë moderne.

Recensionet e para për Tokë e shkretë, ishin të ndryshme. Disa prej tyre ishin skajshmërisht negative. Kundërtitë e kanë ndjekur kësisoj prej fillimit, por edhe kur mbanin qëndrim lavdërues ose mohues, kritikët vazhdimisht i kanë kushtuar vëmendje poemës dhe kanë qenë në një mendje se, për mirë apo për keq, ajo është e rëndësishme. Recensionet e vitit 1922 dhe 1923 përcaktuan tonet dhe kushtet e debatit. Po të citojmë mendimet negative për të ajo u quajt “përzierje e çmendur” një “krijim i pakënaqshëm”, dhe “shpenzim i madh letre”. Stili u përshkrua të ishte “i mangët”, parodi pa shije dhe pa mjeshtëri. Shënimet e saj u interpretuan si mungesë e poezisë dhe citimet si mangësi origjinaliteti. F.L. Lukasi, duke bërë recensionin e poemës, me pak fjalë u shpreh se: “Gjithçka është shumë e vështirë; sikurse Dr. Xhonsoni tha në rrethana të ngjashme “Uroj që kjo të kishte qenë e pamundur.” Por ndikimi i saj i madh bëri që Tokë e shkretë të shpallej si një sukses madhor. Botuesit e revistës Dajëll, që  e botuan për herë të parë poemën në Amerikë në vitin 1922, ishin të përkushtuar për vlerësimin e saj. Ata i dhanë Eliotit çmimin vjetor të saj prej dy mijë dollarësh, dhe bashkë me Gilbert Seldsin, menaxherin e botimit, porositën një recension prej Edmund Uillsonit, ndërsa shkruan vetë për të te revista Nejshën. Selldsi, teksa e lavdëron poemën për aftësinë poetike dhe përmbajtjen, e lidhi atë me Uliksin e Xhojsit si një vepër që “kishte shprehur diçka me domethënie të epërme për jetën tonë të tashme me gjuhën e përjetshme të artit.” Duke hedhur poshtë kritikat për paformësinë e hamendësuar, ai mendonte se pas një këqyrje më të afërt, poema shfaqte edhe formën e saj të fshehtë bashkë me nevojën e asaj nevoje për shkak të emocionit të veçante që krijonte. Recensioni që mori nga Uillsoni u botua tek Dajëll në dhjetor 1922 dhe u përshi më vonë në librin e autoritetshëm të Uillsonit Kështjella e Aleksit. Ai e lavdëronte veprën e Eliotit për sjelljen e një ritmi vetjak në gjuhë, shprehjen e përvojës dhe gjendjes së botës së pasluftës.

Zëra të tjerë iu bashkuan atyre që lavdëronin poemën e re; ishin Ezra Paundi i cili e quajti “një kryevepër, ndër 19 faqet më të rëndësishme në gjuhën angleze’’. Konrad Ajkeni botoi një shkrim të gjatë në vitin 1923, duke e quajtur “një nga poemat më tronditëse dhe origjinale të kohës sonë” pavarësisht nga ajo që ai e quante mungesë vijueshmërie ose uniteti. “Ia doli mbanë”, – shkroi ai “me anë të pavijueshmërisë, jo prej të menduarit të saj.” Në vitin 1928-të E. M. Forsti  tha se Elioti ishte poet i një brezi të tërë. Lexues dhe kritikë të mëvonshëm e kanë pranuar këtë gjykim, dhe me pak përjashtime, mbështetësit e hershëm pranuan se  kishin pëlqyer një vepër madhore të kohës sonë.

Ndërkohë që vlerësimi pozitiv i Tokë e shkretë triumfoi, debatet mbi kuptimin, vijueshmërinë dhe formën e saj poetike vazhduan. Shkrimet e mëhershme, pozitive dhe negative, hapën një debat që vazhdon edhe sot. Mes disa qëndrimeve ndaj, disa çështje thelbësore për të cilat u diskutua mbetën të njëjta për kritikën edhe më vonë.  Ndoshta më i menjëhershmi dhe i rëndësishmi ishte vlera dhe funksioni i shënimeve të Eliotit. Atyre që nuk e pëlqenin poemën, erudicioni u dukej shpërqendrues, ngatërrues, për të mos thënë pedant dhe jo poetik. Ata që e pëlqenin i përligjnin burimet e cituara dhe aluzionet si themelet e rëndësishme të një teknike të re dhe domethënëse. 

Një çështje tjetër që kishte të bënte me të parën ishte ajo e formës. A kishte poema ndonjë unitet apo lëvizje, dhe            nëse po, çfarë ishte ai? Madje edhe Konrad Ejkëni që e adhuronte, nuk pranoi se kishte vijueshmëri. Në anën tjetër, Edmund Uillsoni e quante shprehje të plotë të temës së urisë emocionale dhe këmbëngulte që Elioti mundi të sjellë të gjitha burimet e tij të ndryshme në një marrëdhënie të vijueshme.

Çështja e tretë që diskutohej ishte shqetësimi qendror i poemës si një rravgim vetjak apo një kritikë sociale dhe kulturore. Ishte tema e saj kryesore vetjake apo sociale? Për Ejkënin ishte grishje për mendim, ndërgjegje; për C.D. Luisin ishte “më së shumti e rëndësishme si dokument social.”

Çështja e katërt, e cila ishte mbase më shumë e diskutuara dhe për shkak të kësaj ngrihej  kohë pas kohe, është aftësia poetike dhe efekti i pasazheve të veçanta ashtu sikundër janë kur shihen në tërësi. Akuza se poema ishte mbushur me parodi, “poza’’ dhe citime të ndërfutura pa vend merrte kundërpërgjigjen e të pasurit një organizim muzikor, ritme të parezistueshme, zotërim të “ kalimeve të vështira” dhe “idiomave delikate.” Të marra së bashku, këto katër çështjeshqetësuese për citimet dhe shënimet, unitetin dhe zhvillimin, rravgimin vetjak apo social, si dhe cilësinë poetike mund të shihen në një formë ose një tjetër si fijet drejtuese në gati gjithë komentet kritike për Tokë e shkretë.

Një nga shkrimet më të rëndësishme të fillimit qe shkruar nga I. A.Riçardsi në vitin 1926. Ai përfshiu një diskutim për Tokë e shkretë në librin me titull Parimet e kritikës së letërsisë. Në këtë libër parashtroi secilën nga këto katër çështje thelbësore dhe në secilin rast gjeti një vlerë pozitive tek metoda e Eliotit. Ai mbrojti përdorimin e aluzionit dhe citimit si një teknikë që dendësonte kuptimin duke quajtur meritë mungesën e çdo lloj filli logjik të vijueshëm intelektual. “Pjesët e poemës”, tha ai, “janë të bashkuara prej harmonisë, kontrastit, dhe ndërveprimit të efekteve të tyre emocionale. Ajo çfarë ato përfundimisht shprehin është mallkimi i një brezi të tërë, dhe e bëjnë këtë me vulën e origjinalitetit. Vetëm këta njerëz të pafat që e kanë të pamundur leximin e poezisë,” – shkroi Riçardsi, “mund t’i rezistojnë ritmeve të zotit Eliot”.

Në vitin 1930 tre kritikë nyjëtuan atë që u bë për disa dekada interpretimi mbizotërues i poemës. Ata pranuan idetë e Riçardsit se aluzionet bashkë me citimet shërbenin për të dendësuar shumë ndjenja dhe ide të ndërlikuara në imazhe të gjalla, të fuqishme dhe se poema ishte shumë sociale për sa i përket temës, duke pasur të njëjtin adhurim për poemën, por mendonin se uniteti ishte i nevojshëm në çdolloj vepre arti, dhanë argumente se Tokë e shkretë, kishte, në të vërtetë, një unitet të tillë të paramenduar me kujdes. Komentet kritike të F. R. Levisit, F. O. Methajzenit, dhe Klinthi Bruksit u bënë komente klasike, ku u mbështet pjesa më e madhe e kritikës së mëvonshme.

Levisi pranoi atë që ai quajti “çorganizim i frytshëm i poemës” por mori si pikënisje shënimet e Eliotit për Tiresian duke pranuar gjithashtu një unitet thelbësor. Ajo kishte, sipas Levisit, unitetin e një ndërgjegjeje përfshirëse që përfaqësohej nga Tiresia. Pavijueshmërinë në dukje e shpjegonte si shprehje të gjendjes së atëkohshme të qytetërimit në të cilën kulturat dhe traditat përzihen, por e kaluara antropologjike risillte një ndjesi të unitetit të jetës. Kësodore, ajo çka Levisi bëri ishte përdorimi i doktrinave kritike të pavetësisë dhe strukturës mitike me qëllim që të shpjegojë poemën, në mënyrë të veçantë duke përdorur pohimin e Eliotit se miti është kombinim i të gjitha figurave në poemë dhe lidh të kaluarën me të tashmen, mashkullin me femrën, ashtu sikurse nocionin se uniteti rrjedh prej përdorimit të mitit.

Përdorimi i shkrimeve për kritikën të Eliotit për të shpjeguar veprën e tij u çuamë tej prej F.O Methajzenit. Tek studimi Arritja e T.S.Eliotit ai u luhat vazhdimisht mes kritikës dhe poemës, duke treguar se si njëra prej tyre mund të përdorej për të kuptuar tjetrën. Duke shqyrtuar Tokë e shkretë u mbështet në shënimet e Eliotit se struktura e përgjithshme e poemës në të vërtetë ishe mbështetur tek ritualet e pjellorisë dhe legjendat e kupës së Graalit të përshkruar në librin e Xhesi Uestonit Prej ritualit te romanca. Duke përdorur analizën që i kishte bërë Elioti Uliksit të Xhejms Xhojsit, Methajzeni përdori të njëjtën metodë për të zbërthyer Tokë e shkretë. Elioti kishte thëne se Xhojsi përdori mitin për t’i dhënë formë dhe vënë rregull tek paformësia e përvojës moderne, ndërsa Methajzeni argumentoi se Elioti kishte gjetur tek Uestoni të njëjtin funksion. Xhojsi ofroi një ngrehinëpër poemën, një parim uniteti në të cilën të gjitha llojet e ndryshme të materialve mund të përfshiheshin. Kësisoj, i shtoi deklarimit të Levisit për unitet të ndërgjegjes mëtimin e unitetit të përmbatjes, që do të thotë, një histori në sfond brenda të cilës të gjitha referencat mund të përfshihen. Sipas tij aluzionet nuk ishin të ndashme dhe të palidhura por pjesë e një sistemi idesh.

Kleinthi Bruks e çoi më tej analizën me një interpretim të detajuar dhe të plotë të poemës si tërësi e ndërlikuar por e strukturuar me kujdes. Ai pranoi se studimi i një sistemi simbolesh mund të jetë thjeshtë ngrehina e poemës, por e shihte këtë si thelbësore për kuptimin. Analiza e tij përqendrohej te tema e përdorur, të cilën e përkufizonte si kundërvënia e dy lloje jetësh dhe dy lloje vdekjesh: “Jeta pa kuptim është vdekje; flijim, madje edhe vdekja flijuese, mund të jetë jetëdhënëse, zgjim në jetë.” Bruksi e demonstroi shqyrtimin e kësaj teme me anë të një analize pjesë pas pjese të poemës, duke u përqendruar tek burimet dhe citimet si një seri simbolesh të ndërlidhura e mbizotëruar prej ritualit të pjellorisë/dhe historisë së legjendës së Graalit të përshkruar tek Uestoni.

Megjithëse Levisi, Methajzeni dhe Bruksi ndryshonin në detaje, ata ishin të një mendje në lidhje me disa pika thelbësore. Të tre e quajtën Tokë e shkretë një vepër arti e përshkuar prej unitetit në të cilat aluzionet dhe citimet përbënin një parim strukturor themelor. Ata e pranuan doktrinën e Eliotit mbi pavetësinë e poezisë dhe e përkufizuan poemën si një kritikë kulturore ose sociale, në të cilën përvoja vetjake, nëse ishte e pranishme, ishte bërë universale dhe simbolikë e ndërgjegjes moderne. Ishin të një mendje për sa i përket përsosmërisë poetike dhe rëndësisë së saj.

Këto qëndrime, mbetën mbizotëruese te kritika ndaj veprës së Eliotit në tre dekadat e mëvonshme, dhe janë me ndikim edhe sot. Mospajtimi me to, nganjëherë i ashpër, është nyjëtuar jo rrallë. Ajvër Uintërsi në vitin 1943, Karl Shapiro dhe Graham Hough më 1960, për shembull, nuk pranonin që poema të kishte unitet ose të shfaqte aftësi të shquara poetike, por i pranonin çështjet tashmë të parashtruara të debatit duke argumentuar se çështja e unitetit ishte kryesore. Më së shumti, kritikët, pas kësaj vazhduan të shqyrtonin dhe përpunonin idetë mbizotëruese.

Gjatë viteve 1940 dhe 1950 studime të ndryshme të rëndësishme përpunuan disa mënyra të caktuara dhe të detajuara leximi të Tokë e shkretë dhe pati lexime të reja  prej qasjesh të tjera. Elizabeth Drew e mbështeti analizën e unitetit në psikologjinë e Jungut. Grover Smith shkroi një studim skajshmërisht të detajuar për përdorimin e burimeve të cituara, duke përdorur metodën e Bruksit në caqet e saj më të fundme. Theksi u vu nganjëherë te përvoja personale e poemës, por ata që e shihnin atë nga ky këndvështrim nuk përjashtuan domethënien e materies mitike. Kristian Smidt te Poezia dhe besimi në veprën e T. S. Eliotit, mohoi nocionin se poema shprehte “zhgënjimin e një brezi” dhe e pa përkundrazi si një dilemë personale që shprehte një problematikë të përgjithshme moderne, humbjen absolute të besimit. Te Një udhëzim për lexuesin te poezia e T. S. Eliotit Xhorxh Uilliamsoni vuri re se Elioti gjeti te përvoja vetjake një përvojë të qëndrueshme njerëzore dhe u dha më shumë pas mprehtësisë së ndjenjës në poemë. Megjithëse e pranoi që interpretimi i tij mund “të minimizojë kuadrin antropologjik,” ai nuk pranoi se poema mund të kuptohej në mënyrë të duhur veçan atij kuadri. Përpos studimeve të poemës si një e tërë, shumë studime u përqendruan tek gjurmimi i burimeve që nuk ishin përfshirë tek shënimet sikurse tek identiteti i Maries ose fjalët e një kënge të vërtetë të titulluar “Zhelet e Shekspirit’’. Vështirësia e imazheve individuale dhe efekti kryesor i pjesëve të saj u analizua me detaje.

Por pavarësisht nga sasia dhe përpunueshmëria e shpjegimit, poemës nuk mund t’i jepej një shpjegim shterrues. Brenda kuadrit të përgjithshëm të marrëveshjes, pati debate, mbase më shumë të dukshme për shkallën e lëvizjes që vihet re poemë dhe për natyrën e përfundimit. Për disa lexues, historia e Graalit krijonye një rrëfim burimi i të cilit mund të gjendej në vijueshmërinë e skenave të Eliotit. Për të tjerë, përbënte  një koncept të gjerë të përvojës thelbësore njerëzore mbi të cilën Tokë e shkretë mund të mbështetej për krahasime, kundërvënie, dhe jehona. Kësisoj për Grouver Smithin kërkimi i Graalit mund të vihej re në poemë vetëm me ndryshime të pakta, ndërsa për Williamson-in dhe Drew-in poema nuk kishte zhvillim, lëvizje,  pavarësisht prej unitetit të saj ose temës. Kështu, kritikët të cilët ishin të një mendje rreth mendimit se poema portretizonte një rravgim për shpëtim nuk binin dakord në lidhje me faktin nëse mbyllja ofronte një përgjigje. A ishte poema një refuzim i besimit dhe klithje dëshpërimi apo një rravgim për një besim të ringjallur që mbaron me ripërtëritjen e tokës dhe ardhjen e shiut?

Ndërsa çështjet e unitetit të poemës, erudicionit, fokusit social apo personal, dhe cilësia ka vazhduar të shqetësojë kritikët – studimi sistematik i F.C. Mekgrethit mbi përdorimin e librit të Uestonit u botua më 1976, dhe kjo vë në pah se një interes i një natyre tjetër po tregohej në 1960-tën bashkë me disa refuzime të fuqishme për të mos pranuar leximet tradicionale. Kritikë të tjerë vunë në pikëpyetje dyshimet e përgjithshme dhe miratimin e pranuar të stilit. Dejvid Kregu e quajti atë disfatist; C.K. Steadi refuzoi të përqendrohej vëmendja te shënimet dhe burimet në vend të poemës; po kështu shumë kritikë sikurse Frenk Kermoudi, tërhiqnin vëmendjen për domosdoshmërinë e mënyrave të reja leximore.

Ndoshta zhvillimi më interesant ishte interesi gjithnjë e në rritje për krijimin dhe historinë e botimit të tekstit. Një studiues i rëndësishëm modern, Hju Kenëri, ishte i interesuar qysh herët në detajet e krijimit të poemës. Tek Poeti i padukshëm (1959) ai përfshiu pjesën më ta madhe të informacionit të gjeratëhershëm dhe pa se poema nuk qe shkruar si një vepër e veçantë vijuese, por ishte shkëputur prej një grupi poemash më të gjata që bashkoheshin së largu. Ai hamendësoi se origjinali përbënte një të tërë më të gjerë dhe se shënimi për Tiresian ishte një përpjekje për ta bërë poemën me “rrëfim të shenjueshëm”. Një tjetër studiues, Daniel H. Uduordi, gjurmoi më shumë informacion, dhe në vitin 1964 shkroi një artikull të titulluar “Shënime mbi historinë e botimit të tekstit të Tokë e shkretë.” Këto studime shtuan interesin në lidhje me atë çfarëderi më tash njihej si një tekst i ndryshuar pavarësisht nga çfarëdolloj origjinali që mund ta kishte paraprirë atë.

Në vitin 1968 u zbulua dorëshkrimi origjinal i Tokë e shkretë, dhe në 1971 u botua një faksimile e saj. Versioni origjinal u pa të jetë jo vetëm shumë më i gjatë por në shumë mënyra krejt i ndryshëm prej tekstit të botuar. Pas këtij zbulimi, interesi për poemën u ripërtëri fuqishëm dhe u drejtua në kahe të ndryshme. S’dukej të kishte gjasa që të mbështeste mendimin e të qenit të poemës një tërësi e unifikuar, e organizuar në model sipas librit të Xhesi Uestonit. Po kështu as shpjegimet standarde të temës dhe simbolizmit s’dukej se mund të ndihmonin për të hedhur dritë mbi origjinalin apo natyrën e ndryshimeve. Dy përmbledhje me ese mbi poemën shembullzonin kahe të reja për kritikën: Toka e shkretë me zëra të ndryshëm, botuar prej A. D. Moody (1974), dhe Elioti në kohën e tij, botuar prej A. Walton Litz (1973). Të dyja merren me mënyra të reja të menduari për poemën në dritën e zbulimeve të reja rreth krijimit të saj. Esetë e përmbledhjes së Mudit përqendrohen në përdorimin prej Eliotit të burimeve të tjera veçmas atij të Uestonit dhe mbi lidhjet e tij me muzikën dhe pikturën moderne. Ato të botuara prej Litz-it përqendrohen tek teksti si i tillë, te historia e krijimit të saj, dhe domethënia e formës origjinale, ndryshimet e bëra prej Eliotit.

Pjesa më e madhe e vëmendjes ndaj Eliotit në vitin 1970 ishte e drejtuar nga biografia. Shkrimet kritike të vetë Eliotit e kishin mohuar vlerën e autobiografisë kur interpretohet poezia, dhe pjesa më e madhe e kritikëve e kishin pranuar këtë pikëpamje gjatë leximit të veprës së tij. Po ndërsa memuaret nisën të botohen pas vdekjes, lidhja mes veprës dhe jetës së tij erdhi dhe u bë gjithnjë e më e shpeshtë. U botua një seri librash autobiografikë, të cilët para së gjithash përqendroheshin në kujtime personale. Më vonë Lindëll Gordon, me librin Vitet e hershme të Eliotit, botoi së bashku informacion të rëndësishëm biografik shoqëruar me një një studim të poezisë së hershme. Libri më i vonë i këtij lloji , T. S. Eliot: një jetë (1984) i Pitër Akroidit, është një biografi e plotë dhe e detajuar.

Kombinimi i informacionit biografik me studimet e krijimit të tekstit kanë çuardrejt mënyrave të reja të të menduarit për Tokë e shkretë si një vepër më shumë personale, e menjëhershme, dhe e fragmentuar se sa mendohej sipas leximeve tradicionale. Në të njëjtën kohë, prania në tekst e referencave ndaj një miti përbashkues është dashur të merret parasysh. Kjo ka çuar te një rishtrim i çështjeve dikur të mbyllura dhe te një hapje e vazhdueshme ndaj qasjeve të tjera. Për më tepër, studiuesit e tanishëm priren të jenë dyshues ndaj hamendësive të unitetit dhe kuptimësisë së vijueshme në çdo lloj teksti. Pasuria dhe ndërlikueshmëria e tekstit, shumëllojshmëria e konotacioneve apo referencave, do të thotë se çdotekst mund të ketë lexime të ndryshme. Me një tekst kaq të ndërlikuar dhe të shtresëzuar sa Tokë e shkretë, s’duket të ketë asnjë mundësie leximi zbulues i autoritetshëm që mund të quhet “kuptimi” i saj.

Një kritik e ka shtruar çështjen në mënyrë të tillë, duke sugjeruar që poema në vetvete është rreth besueshmërisë së gjuhës pasi analizon të gjitha llojet e gjuhës së përdorur, sikurse citimet, ligjërimin bisedor, ligjërimin oratorik, ligjërimin profetik, dhe me gjasë edhe ligjërimin mbinatyror. Të tjerë kanë diskutuar për sistemin e aluzioneve si një lidhje mes lexuesit dhe autorit, për lidhjen mes tekstit dhe shënimeve si mënyra të ndryshme të të menduarit, format e gjuhës si një mënyrë e të shenjuarit të vetë gjuhës se sa të një kuptimi të jashtëm

Ashtu sikur interesi për biografinë ose krijimin tekstor, vëmendja ndaj gjuhës në vetvete lë të hapur për Tokë e shkretë shtegun ndaj brendakqyrjeve dhe perceptimeve që shkojnë përtej një interpretimi të caktuar dhe reflektojnë mbi vendin e poezisë në jetën njerëzore, në të dyve, të Eliotit dhe të lexuesit. Tani, për shembull, ne e dimë se gjendja e tij personale dhe psikologjike në kohën e shkrimit të poemës ndihmuan në krijimin e gjendjes dhe formës së saj. Në të njëjtën kohë, poema si e tillë, mund të sugjerojë mënyrën se si funksionon e gjithë gjuha.

Ndërsa gjurmuam receptimin kritik të Tokë e shkretë u përqendruam në qasjet akademike të shqyrtimit të saj dhe te mënyrat me të cilën studiuesit dhe poetët e kanë vlerësuar atë ngase vështirësia kryesore e poemës e ka përcaktuar në pjesën më të madhe receptuesin. Elioti një herë u shpreh se do të donte të shkruante për një receptues të paarsimar, por lexuesit e tij kanë qenë më së shumti të arsimuar. Breza të tërë studentësh universitetesh kanë lexuar, studiuar dhe janë tronditur prej poemës, e cila vazhdon të përfshihet në antologji dhe të mësohet si një vepër qendrore moderniste.

Ndërkohë që vështirësia e saj meqenëse e ka përcaktuar receptuesin e vet është artikuluar prej shumëkujt si një vepër që e ndan artin nga lexuesi masiv, në të njëjtën kohë është argumentuar si një mënyrë e të ndryshuarit të të menduarit dhe të ndjerit tonë në mënyrë krijuese. Ajo çka është më e rëndësishme, ndoshta, është fakti se pasuria dhe mundësia që përmban kjo vështirësi lejojnë një rishqyrtim dhe riinterpretim të vazhdueshëm. Duke u mbijetuar formulave të pafundme për ta shpjeguar, Tokë e shkretë vë në provë lidhjen jetësore dhe mahnitëse midis artit dhe të kuptuarit njerëzor.

Nancy K. Gish ka dhënë mësim në Universitetin e Miçiganit, në universitetin shtetëror të Wayne dhe në Universitetin e Pensilvanisë. Studimet e saj përfshijnë tre libra studimorë për T. S. Eliotin, dy për Hugh MacDiarmid-in, dhe shumë artikuj për poetët modernë dhe poetet gra skoceze.

Përktheu: Granit Zela


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.