
Foto ilustruese
Nhat Hanh*
Nëse hidhni një dorë me kripë në një filxhan me ujë, uji do të jetë i papijshëm. Por nëse e hidhni atë në lum, njerëzit do të vazhdojnë të marrin ujë prej tij për të gatuar, për larje dhe për të pirë.
Lumi është i pafundëm, dhe ai ka kapacitet për të marrë, për të përqafuar dhe për t’u transformuar.
Kur zemrat tona janë të vogla, edhe kuptimi dhe dhembshuria jonë janë të kufizuara, dhe për pasojë ne vuajmë. Por, kur zemrat tona zgjerohen, këto gjëra nuk na bëjnë më për të vuajtur.
Ne do të kuptojmë më shumë dhe do të jemi më të dhëmbshur dhe kështu do t’i përqafojmë edhe të tjerët.
Ne i pranojmë të tjerët ashtu siç ata janë, dhe më pas ata do të kenë një mundësi për t’u transformuar.
Kur ne ushqejmë dhe mbështesim vet lumturinë tonë, ne jemi duke ushqyer edhe aftësinë tonë për të dashuruar. Kjo është arsyeja përse të dashurosh, do të thotë të mësosh artin e ushqyerjes së vetë lumturisë tënde.
Të kuptosh vuajtjen e dikujt është dhurata më e bukur që mund t’i bëni një personi tjetër. Të kuptosh është emri tjetër i dashurisë. Nëse nuk kupton, nuk mund të dashurosh.
Nëse prindërit tanë nuk e kanë kuptuar dhe dashuruar njëri-tjetrin, nga do ta dimë se çfarë pamje ka dashuria?…
Trashëgimia më e rëndësishme që prindërit mund t’u lënë fëmijëve të tyre është vetë lumturia e tyre. Prindërit tanë mund të jenë në gjendje të na lënë trashëgimi para, shtëpi, dhe toka, por ata mund të mos jenë njerëz të lumtur. Nëse kemi prindër të lumtur, atëherë kemi marrë trashëgiminë më të rëndësishme nga të gjitha.
Shpesh, ne biem në dashuri me të tjerë, jo sepse jemi të dashuruar dhe i kuptojmë ata me të vërtetë, por për t’u shpërqëndruar nga vetë vuajtjet tona. Kur mësojmë të dashurojmë dhe të kuptojmë vetveten dhe kemi dhembshuri të vërtetë për vetveten, atëherë do të jemi të aftë të dashurojmë dhe të kuptojmë me të vërtetë një njeri tjetër.
Ndonjëherë, ne ndjehemi bosh; jemi të zbrazët, ndjejmë mungesën e madhe të diçkaje. Nuk na duhet të dimë shkakun; është shumë e vagullt, por ajo ndjesia e të qenit bosh nga brenda është shumë e fortë. Ne presim dhe shpresojmë për diçka më të mirë, në mënyrë që të ndjehemi më pak bosh, më pak vetëm. Të dëshirosh të kuptosh veten dhe të kuptosh jetën, është një etje e thellë. Ekziston gjithashtu edhe etja e thellë për të dashuruar dhe për tu dashuruar nga të tjerë.
Ne jemi gati të duam dhe të na duan. Kjo është shumë natyrale. Por për shkak se ne ndjehemi bosh, ne përpiqemi që të gjejmë një objekt për dashurinë tonë. Ndonjëherë, nuk kemi pasur kohë të kuptojmë vetveten, dhe megjithatë ne e kemi gjetur objektin e dashurisë sonë.
Dhe, kur ne e kuptojmë që të gjitha shpresat dhe pritshmëritë tona nuk mund të përmbushen nga një person tjetër, ne vazhdojmë të mbetemi bosh. Ne duam të gjejmë diçka, por ne nuk dimë se çfarë të kërkojmë. Tek çdo njeri ka dëshira dhe pritshmëri të vazhdueshme; thellë brenda vetes, ne presim që të ndodhë diçka më e mirë. Kjo është arsyeja përse ne kontrollojmë e-mail-in shumë herë gjatë ditës!
Thelbi i mirësisë së të dashurit është të jesh i aftë që të ofrosh lumturi. Ti mund të jesh diell për një njeri tjetër. Ti nuk do të jesh në gjendje të ofrosh lumturi deri sa ta kesh këtë diell për vetvete. Kështu që ndërto një shtëpi brenda vetes duke pranuar vetveten dhe mëso të duash dhe të shërosh vetveten. Mëso se si të praktikosh të qenit i vetëdijshëm në një mënyrë të tillë që të mund të krijosh çaste lumturie dhe gëzimi në vet ushqyerjen tënde. Vetëm atëherë do të kesh diçka për të ofruar tek një person tjetër.
Nëse ke dashuri dhe kuptim të mjaftueshëm brenda vetes, atëherë çdo çast, – qoftë i shpenzuar duke përgatitur mëngjesin, duke i dhënë makinës, duke ujitur kopshtin, ose duke bërë diçka tjetër gjatë ditë suaj – të gjitha këto do të jenë çaste gëzimi.
Në një marrëdhënie të thellë, nuk ka më një kufi ndërmjet teje dhe personit tjetër. Ti je ajo dhe ajo është ti. Vuajtjet e tua janë vuajtjet e saj. Kuptimi që ti ke mbi vetë vuajtjet e tua e ndihmon njeriun që ti do që të vuajë më pak. Vuajtja dhe lumturia nuk janë më një çështje individuale. Ajo që të ndodh ty, i ndodh edhe njeriut që ti do. Ajo që i ndodh njeriut që ti do, të ndodh edhe ty.
Në dashurinë e vërtetë, nuk ka as ndarje dhe as diskriminim. Lumturia e tij, është lumturia juaj. Vuajtjet e tua janë vuajtjet e tij. Nuk mund të thuash më, “Ky është problemi yt”.
Ku ti do dikë, duhet të kesh besim. Dashuria pa besim nuk është ende dashuri. Sigurisht, në fillim të duhet të kesh besim dhe respekt në vetvete. Të besosh se ke një natyrë të mirë dhe të dhembshur. Ti je pjesë e universit; ti je i përbërë nga yje. Kur shikon njeriun që do, ti shikon që edhe ai është gjithashtu i përbërë nga yje dhe se mban brenda vetes përjetësinë. Të shikosh në këtë mënyrë, ne, në mënyrë të natyrshme do të ndjejmë nderim. Nuk mund të ketë dashuri të vërtetë pa besim dhe respekt në vetvete dhe tek personi tjetër.
Të dashurosh pa ditur se si të dashurosh, e lëndon njeriun tjetër. Që të dimë se si të dashurojmë dikë, duhet t’i kuptojmë ata. Që të kuptosh, duhet të dëgjosh.
Kur doni dikë, duhet të keni kapacitetin për të sjellë çlirim dhe ta ndihmoni njeriun që doni që të vuajë më pak. Ky është art më vete. Nëse nuk kuptoni rrënjët e vuajtjeve të tij, ju nuk do tëjeni në gjendje që t’i ndihmoni ata, ashtu siç një doktor nuk mund të ndihmojë në shërimin e një sëmundje të cilës ai nuk i njeh shkakun. Duhet të kuptosh shkakon e vuajtjeve të njeriut që do në mënyrë që t’i ndihmosh ata duke u sjellë çlirim.
Sa më shumë të kuptosh, aq më shumë do të dashurosh; sa më shumë të dashurosh, aq më shumë do të kuptosh. Këto janë dy anët e realitetit. Mendja e dashurisë dhe mendja e të kuptuarit, janë e njëjta gjë.
Shpesh, kur ne themi, “Të dua”, ne përqendrohemi më shumë tek ideja “Unë” që po bëj këtë pjesën e të dashurit dhe më pak në cilësinë e dashurisë që po ofrohet. Kjo është arsyeja përse ngërthehemi në idenë e vetes. Ne mendojmë se kemi një vete. Por nuk ekziston një gjë e tillë si vetja e juaj individuale e ndarë.
Një lule është e përbërë vetëm nga elementë që nuk janë prej luleje, të tilla si – klorofili, drita e diellit, dhe uji. Nëse do të hiqnim të gjithë këto elementë jo prej luleje, atëherë nuk do të kishim asnjë lule. Lulja nuk mund të ekzistojë më vete. Një lule vetëm mund të ndërjetë/ndërekzistojë me të gjithë ne…Edhe njerëzit janë kështu. Ne nuk mund të ekzistojmë më vete. Ne vetëm mund të ndërjemi/të ndërekzistojmë. Unë jam e përbërë vetëm nga elementë që nuk janë unë, të tilla si – toka, dielli, prindërit, dhe paraardhësit e mi.
Në një marrëdhënie, nëse mund të shikoni këtë natyrë në të ndërqenit/të ndërekzistuarit ndërmjet jush dhe një njeriu tjetër, atëhëre do të shikoni që vuajtjet e tij janë vuajtjet tuaja, dhe se vet lumturia e tyre është vet lumturia juaj. Të shikosh në këtë mënyrë, do t’ju bëj që të flisni dhe të silleni ndryshe. Kjo në vetvete mund të çlirojë shumë vuajtje.
*Autori i shkrimit është mjeshtër Zen
Përzgjodhi dhe përktheu nga anglishtja – Enkeleda Suti.
NO COMMENT