Nëse e përmend emrin e shtrenjtë të Rajner Maria Rilkes në këto faqe kushtuar ditëve të mia pariziane, megjithëse ishte poet gjerman, kjo ndodh ngaqë Parisi ka qenë vendi i takimeve tona më të shpeshta e më të këndshme, dhe ngaqë e shoh gjithmonë fytyrën e tij të ngrihet, ashtu si në tablotë e lashta, mbi sfondin e këtij qyteti, të cilin e ka dashur si asnjë qytet tjetër.
Kur kujtoj sot atë dhe tërë ata mjeshtër të tjerë të fjalës së skalitur si prej artit të madhërishëm të një argjendari, kur kujtoj ata emra të nderuar që e kanë ndriçuar rininë time si yjësi të paarritshme, s’më rrihet pa e bërë këtë pyetje melankolike: vallë a do të ketë përsëri, në këtë epokën tonë të tanishme të rrëmujës e rrëmetit universal, poetë po aq të kulluar e që t’i përkushtohen vetëm krijimtarisë lirike? E di fort mirë se mrekullia e një poeti rishfaqet përsëri nëpër kohëra dhe se ngushëllimi emocionues i Gëtes tek “Elegji për Lord Bajronin” mbetet si një e vërtetë e përjetshme:
“Se kjo tokë i lind prapë,
siç i ka lindur përherë.”
Njerëzimi do të shohë pareshtur rilindje fatlume poetësh të tillë, sepse pavdekësia ua jep herë pas here këtë peng të çmuar edhe epokave më të padenja. Dhe, duke i hedhur një vështrim jetës sime të shkuar, nuk zbuloj gati asnjë pasuri më të vyer sesa privilegjin që m’u dha për të qenë personalisht pranë disave prej tyre e të shikoja shpesh se si një miqësi jetëgjatë po puqej me nderimin tim të thellë e të hershëm.
Ndoshta asnjëri syresh s’ka bërë një jetë më të heshtur, më të mistershme e më të padukshme se Rilkja. Por kjo s’ishte një vetmi me dashje, e detyruar ose për t’u fshehur pas saj si ndonjë prift, siç qe, për shembull, rasti i Stefan Georges në Gjermani; heshtja e mbështillte, si të thuash, kudo që shkonte, kudo që ndodhej. Meqë i shmangej çdolloj zhurme, madje edhe lavdisë – kësaj “shume të të gjitha keqkuptimeve që grumbullohen rreth një emri”, sikurse u shpreh njëherë me aq lezet -, dallga bujëmadhe e kërshërisë lagte vetëm emrin e tij, por kurrë vetë atë si person.
Kjo thjeshtësi e kjo maturi njëherazi ushtronin një ndikim shumë të fortë tek të gjithë ata që rrinin me të. Sikurse ishte e pamundur të merrje me mend një Rilke të rrëmbyer, po ashtu ishte e paimagjinueshnme që ndokush në prani të tij të mos i ndrydhte shpërthimet e të mos flakte tutje çdolloj mendjemadhësie. Nën ndikimin e një lloj dridhjeje që buronte nga qetësia e tij, ajo vetëpërmbajtja që e karakterizonte përhapej rreth e rrotull si një forcë vepruese misterioze, si një forcë edukuese, si një forcë morale. Pas çdo bisede një çikë të gjatë me të, për orë e madje për ditë të tëra njeriu s’mund të bënte asgjë vulgare. Më anë tjetër, është e vërtetë se kjo natyrë vazhdimisht e matur, që s’donte kurrë të shpalosej e tëra, ngrinte shpejt barrierën e vet ndaj çdo përzemërsie të veçantë.
Besoj se janë të paktë ata njerëz që mund të mburren se kanë qenë “miq” të Rilkes. Në gjashtë vëllimet e botuara të korrespondencës së tij, ai nuk e përdor thuajse në asnjë rast këtë term për t’iu drejtuar atyre që u shkruan, ndërsa atë “ti”-në vëllazërore e familjare duket se nuk e ka zënë më me gojë gati për askënd qysh nga vitet e shkollës. Ndjeshmëria e tij e jashtëzakonshme s’duronte dot që diçka a dikush t’i afrohej shumë pranë, por sidomos një karakter mashkullor tepër i theksuar i shkaktonte një ndjenjë të mirëfilltë bezdie fizike. Me gratë hynte më lehtë në muhabet. Këtyre u shkruante shpesh e me qejf dhe ishte shumë më i lirshëm në prani të tyre. Mbase mungesa e bashkëtingëlloreve grykore në të folurën e grave i bënte mirë, sepse zërat e pakëndshëm i shkaktonin vuajtje të vërtetë. E kam ende para syve gjatë një bisede me një aristokrat të rangut të lartë: i kruspullosur i tëri, nuk ngrinte madje as sytë, që të mos tregonte se sa shumë po torturohej fizikisht nga ai falset i neveritshëm. Por ç’gjë e këndshme ishte të rrije me të kur tregohej i dashur! Atëherë e ndieje mirësinë e tij intime, megjithëse të kursyer në fjalë e në gjeste, si një rrezatim që të ngrohte e të shëronte gjer në skutat më të thella të shpirtit.
Përktheu: Aristidh RISTANI
(STEFAN ZWEIG: “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”,
Titulli i origjinalit: “Die Welt von Gestern – Erinnerungen
eines Europäers”, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2012)
NO COMMENT