READING

Skica të shkurtra nga Arlind Farizi

Skica të shkurtra nga Arlind Farizi

Arlind FARIZI

KANGË PËR DHIMBJEN…

Thjesht, vetëm e hetoj tek plandet rrufeshëm dashunia e tij e thyeshme si qelqi. U copëtue mu para kambëve t’saj. Kurse ajo asgja nuk pa. Mbështetun mbrapa dere, nga jashtë ndigjoi nji melodi t’njohun dhe i dhimbti diku…

 

KANGË PËR DASHUNINË

Qetësoj shpirtin ndërsa ti tretesh n’parakalim. E andërrt m’bahesh. M’i zgjat duart prej ku shtiresh se fle. Më merr përdore e më ngjit pranë vetes, si pjesën e mungueme të nji pazëlli. Vetëm atëherë ndjej se si gjaku dobësohet, se si andrra qetohet n’parajsën e anemisë.

Me dashunue, do me thanë me ndigjue se si rrjedhin lotët venave…

Nganjiherë, m’bahet se asht ma shumë se kaq, e nganjiherë, jam thuejse i sigurt se asht ma shumë se kaq.

 

KANGË PËR FILLIMIN

Në fillim ishte puthja. Dhe puthja ishte Perëndi. Iu falëm asaj dhe shpejt e rrëzuem nga froni. Mandej, do vrasje t’ngadalta telefonatash, letrash që u ftohen për nji çast.

N’fillim, zemra qe Ekuatori e, gjysmat ishin nji. Mandej, u banë t’huaj, sepse përdoren indiferencën. N’fillim qe heshtja me puthje – zani i heshtun i komunikimit, ma pas, biseda zhurm’madhe.

“T’due”… qenë fjalë t’nji kange që kurrë s’u shkrue. E lashë mbi buzët e saj t’mishta, n’fillim….

 

KANGË AROMË-TRANDAFILI…

E trandafiltë kjo botë, për ne të dy. Për krejt të dashunuemit. T’mbulon me petalet e kuqe të saj, dhe skuqesh prej t’puthunash t’fuqishme, t’fletëve që era i përkund. Me vesë mëngjesi kullon shpirtin. Rreze t’kithëta dielli thyejnë kryet.

M’vjen me t’pyet: mbi butësinë e flokëve fshihet bukuria jote apo ndër lule?!

 

KANGË PËR FUNDIN…

U shfaqe para meje n’momentin kur dashunia ime kërciste si karenat e Titanikut.

N’çastin e ndeshjes, t’besova me krejt lamshin e dyshimit për t’besue nji femën. Nji ditë pasioni im u ba nji me marrëzitë e tua dhe fundi do t’vinte si nji mallkim që të zen përfundi.

Erdhi momenti i kryqëzimit, o Krisht !

Puthja… e fundit, e ngrime t’ftohtit, puthje anemike.

Zemra e oqeanit më mori mes thellësive, të dërgova thirrjen e dhimbjes shpirtnore; t’fundmen ta dërgova, atë që s’e thashë – “Ah, n’këte botë t’madhe, vetëm unë e ti nuk do t’jemi t’lumtun ma”.

 

KANGA E LULEVE T’MARSIT

T’pandeha t’zhdukun dimnit, ndërsa ti kishe qenë aty ku t’lashë: as e vdekun as e gjallë. Kërcell, e veshun n’bisqe t’pafunda jete, si jeta vetë. Ndonëse e dërmueme, ringrihesh kërcnueshëm, njejtë si ato gjethe shprese që ranë t’pa fryma n’vjeshtën e sivjetme. Ma pas u ngritën e iu ngjitën degës së shpirtit.

Siç përpiqesh t’kapesh fort për jete, rikthehesh, rizgjohesh me at’ bukuri t’molisun. Vjeshta s’ishte e dashtun, mbeti vetëm nji mars me lule t’ftohta…

Ashtu qoftë!

 

KANGA E DASHUNISË SË MEKUN

Dashunia ra n’mes, si me qenë nji sovran që dorëhiqet. U mek, duke ndenjë mbështetë mbi supin e flijimit tim t’heshtun. Brenda fillimit dhe fundit t’pritshëm, si n’dyluftim, kemi ngrehë pamshirshëm shpatat, për me pre krenat e kujtimeve që s’jepen. Ç’luftë pa fitore!

Ndjeva nji tjetërsoj vdekjet. Asnji mendim s’m’ndizet n’krye, tytë jam; si me qenë nji shtëpi e vjedhun deri n’gjana t’panevojshme. Jam krejt i zbrazët, n’gjendje amorfe. Tmerr. Terr. Ndërkaq, vijoj e pres që, nga qielli i mendimit, t’më vijnë fjalët, t’më qepin t’çamet e shpirtit, t’asaj nate…

N’krejt këte terr ndigjoj nji za t’njohun: “hello darkness, my old friend, I come to talk with you again….”.

E diçka brenda meje jep shpirt…

Jepi za!

 

PERENDIMI I SYVE N’KANGË…

Ndjehem i rrahun nga vetja e djeshme. Mbi supe mbaj zhgënjimin e andërruesve. E gjithë bota asht n’anën e saj, ndërsa unë jam vetëm.

Kësaj nate t’pa emën kam me i vu emnin tand… Unë s’ngopem me fytyrën tande, afsh lexoj n’qafë, hutim n’sy; veshët ndigjojnë çdo grimcë qetësie, buzë t’trasha. Oh, puthjet tua, këto enigma t’zbulueme falenderuese, iluzionet e buta t’flokëve!

Oh, ti ban çdo gja për mue, sepse ti nuk don që un’ t’trishtohem. Unë vetë, kur s’jam me ty, trishtohem…

Vetminë e vret për vdekje prania jote, trupi yt fluid. Mos m’len vetëm. Mos m’len me u trishtue. Mos m’len t’m’ulen sytë…

Skicat janë marrë nga libri me skica, tregime dhe ese “Kur t’shtrij butë n’prozë” botuar vitin e kaluar në Prishtinë nga ARMAGEDONI


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.