Analizë e disa veprave letrare të autorëve shqiptarë dhe të huaj rreth “letërsisë së kufirit” përmes disiplinës së semiotikës sociale
Kufiri shkon gjithnjë në mes. Këtej është bota e mëparshme. Andej është ajo që ende duhet të vijë, dhe që ndoshta nuk do të vijë kurrë”[1]
Albert GJOKA
Sot ka shumë autorë shqiptarë dhe të huaj që lëvrojnë të ashtuquajturën “letërsi e emigracionit”, e cila trajton “sindromën e kufirit”[2]. Mbase, përkufizimi më i saktë do të ishte “letërsi e kufijve”, pasi “letërsia e emigracionit” ngjall gjithnjë e më shumë debate në pranimin apo refuzimin e një termi të tillë. “Unë nuk e di se çfarë do të thotë termi fiction emigracioni,’ – thotë Jhumpa Lahiri në një intervistë dhënë në vitin 2013 in “The Book Review. ‘Nëse libra të caktuar janë përkufizuar si fiction emigracioni, si do ta quajmë pjesën tjetër? Fiction kombëtar? Fiction puritan?”[3].
Që në fillesat e veta artet, dhe veçanërisht letërsia kanë synuar që të sheshojnë kufijt mes individëve dhe shoqërive, paçka se ato janë një realitet i pranishëm edhe në ditët tona.
“Ata që vuajnë nga sindroma e kufijve kanë origjina, emra, vendlindje të ndryshme. Por mënyra sesi ua ngulin sytë me përgjërim kufijve dhe mënyra sesi kufijtë i përgjigjen me armiqësi atij shikimi përgjërues, ngelen nëçdo kohë të pandryshuara”[4]. Gazmend Kapllani është njëri prej shkrimtarëve ndër më të spikaturit e“letërsisë së kufijve”. Pas viteve ’90 në letërsinë shqipe ka filluar që të trajtohet gjerësisht ky realitet social edhe në letërsi. Autorë të tjerë për tu përmendur janë: Faruk Myrtaj, Thanas Medi, Ardian Vehiu, Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Thanas Jorgji, Ardian Kyçyku, Stavri Pone, etj.Në Itali, një letërsi të tillë e ka lëvruar Alessandro Leograde[5], por mund të renditen edhe shkrimtarë të tjerë.Autorë që kanë trajtuar përvojat e emigracionit/kufirit sot në botë janë: Salman Rhuzhdie, Jhumpa Lahiri Chimamanda Adichie, Edëidge Danticat, Marivi Soliven, Esmeralda Santiago, Jeffrey Eugenides, Francine Prose, Terry Farish, Thanhha Lai, etj.
Ky punim merr në objekt shqyrtimi gjashtë vepra: “Ditar i shkurtër kufijsh” (Gazmend Kapllani), “Netët e Parisit” (Stavri Poni), “Kohë e djegur” (Thanas Medi), “Atdhe Tjetër” (Faruk Myrtaj) “Të pafajshmit” (Paola Calvetti) dhe “Qaj e qesh” (Andrej Grill), të cilat jodomosdoshmërisht janë më përfaqësuese mes atyre qëmund t’i kategorizojmë në familjen e letërsisësë kufijve. Katër autorë janë shqiptarë, ku thuajse kanë pasur edhe përvoja emigrimi apo që jetojnë aktualisht jashtë vendit të tyre të lindjes dhe dy autorëjo-shqiptarë.Enkas e kemi bërë përzgjedhjen me autorë shqiptarë dhe të huaj, pasi do të dallojmë mënyra të ndryshme të perceptimit/vrojtimit të kufijve, por ajo qëështë e përbashkët për të gjitha veprat e marra në shqyrtim është se kanëinventarë qëlidhen me Shqipërinë.
Ndonëse, në disa vepra rroken edhe kufijtë kohorë, ky studim i dedikohet vetëm kufirit hapsinor; asaj vije që ndan dy vende gjeografike, dy kontinente, dy botë me kultura, histori dhe mendësi të ndryshme ku personazhet ndërveprojnë me këto realitete të ndahen nga kufij.
Analiza është realizuar përmes disiplinave të semiotikës dhe “sociosemiotikës”[6], një disiplinëe përzjerëe cila gërsheton sociologjinë dhe semiotikën. Theo Van Leeuwen pohon se “Semiotika sociale është një lloj kërkimi. Ajo nuk ofron përgjigje të gatshme. Ajo formulon ide për shtrimin e ështjeve dhe mënyra kërkimi për përgjigjet”. “Sociosemiotika synon të lidhë filozofinë e ligjërimit” me analizën e dukurive shoqërore”[7].
Në këtë punim ne nuk synojmë të studiojmë tekstin në vetvete, në funksionin poetik të tij: Konkretisht, këtu autori nuk shihet thjeshtë si prodhues i fiction-it, por si skanues i një realiteti dhe fenomeneve sociale (në rastin konkret, tësindromës së kufirit).Autori bashkon rolin tematik (niveli diskursiv i tekstit) dhe rolin aktancial (niveli narrativ i tekstit), pra siç thotë semiologia Maria Pia Pozatta, autori ka dy shpirtra; diskursiv dhe narrativ.
Arti i rrëfimit në vetvete është një mjet” i mirë për tu përdorur nga sociologjia, për të parë gjendjen e shoqërisë në një moment të caktuar.Teoricistët e sociologjisë si Niklas Luhman dhe Raffaele de Giorgi e shohin artin si medie komunikimi, i cili ndryshe nga mediet e tjera, “përdor mediet e perceptimit ose intuitën në rastin e tregimtarisë”. “Arti nuk mbetet trillim. Ai prodhon një realitet që ka të drejtë për një objektivitet të vetin”[8].
Edhe veprat që janë objekt analize sjellin një proces dinamik transformimi të shoqërisë, nga një izolim total (rasti i Shqipërisë përgjatë komunizmit) në eksplorimin e botës së re, ku kufijtë shfaqen jo vetëm si pengesa fizike për tu kapërcyer, por edhe si barriera psikologjike, kulturore, etj. Në ditët tona flitet për kostot e shumëfishta të ekzistencës së kufijve[9]. Kufiri është një prag për tu kapërcyer, për të shkuar në një realitet të ri, për të dëshmuar vetveten, për të krijuar një identitet, dhe për të ndërvepruar në aspektin social me Tjetrin.
Fillimisht, le të prezantojmë shkurtimit gjashtë romanet e marra në analizë:
“Ditar i shkurtër kufijsh” i Gazmend Kapllanit ndërtohet mbi dy linja rrëfimi: Njëra, pjesë e realitetit shqiptar të para viteve ’90, në kohën e izolimit total, në komunizëm dhe tjetra, në aventurat e një grupi të rinjsh për të emigruar drejt Greqisë, në fillimine viteve 90. Janë episode sa reale, aq edhe absurde, njëherësh edhe komike, të përballjes për herë të parë të shqiptarëve me botë që nuk e kishin parë asnjëherë. Ky libër është një doracak i shkëlqyer për çdo lexues për të kuptuar të ashtuquajturën “sindromë e kufirit”, të cilën Kapllani e konsideron një sëmundje: “Sindroma e kufijve është po aq tinëzare sa edhe virusi i hepatitit, sepse edhe i vdekur kufoma e tij mbetet në organizëm, dhe asnjëherë nuk pastrohesh prej tij”[10].
“Netët e Parisit” i Stavri Pone trajton aventurat e Arben Simonit, apo Benit, një djaloshi shqiptar, emigrant i paligjshëm që përpiqet për të mbijetuar me çdo kusht dhe çdo mjet në Francë. Ai rastësisht ndodhet dëshmitar i njëtentative rrëmbimi, dhe futet në lojë, duke arritur që të shpëtojëEmën, një vajzëe pasur franceze, nga duart e rrëmbyesve, të cilët ishin punonjës në kompaninë e babait të saj. Kjo ngjarje e përkeqëson jetën e Benit, ndonëse Emae dashuron atë dhe është e gatshme që të sakrifikojë për të zgjidhur problemet që ka Arbeni. Përtej sakrificës që bëri djaloshi shqiptar, në fund, nuk arrin të realizojë qëllimin e tij, por as të gjejë mbështetje, pasi dëbohet nga territori i shtetit francez si klandestin.
“Kohë e djegur”i Thanas Medit rrëfen jetën e një personazhi të përzënë në dy kohë; edhe nga realiteti shqiptar, gjatë kohës së komunizmit, edhe pas viteve ‘90, por edhe nga realiteti ku emigron, në Greqi. Këtu zanafillon edhe titulli i romanit, pasi Azis Korbi, alias Ilia (emri që mori nëkohën e qëndrimit nëGreqi) ka fatin tragjik të dyfishtësepse është viktimë e realitetit shqiptar dhe grek nëkohëtë djegura: Në fundvitet ’80 në fshatin e lindjes; në emigrim në Greqi, ku nuk arrin të integrohet për shkak të pamundësisë së finalizimit të dashurisë me vajzën me kombësi greke, edhe pas rikthimit nga emigrimi në qytetin e Gjirokastrës.
“Atdhe Tjetër” i Faruk Myrtaj sjell historinë e një intelektuali që më në fund vendos të braktisë vendin e tij për të emigruar në Kanada: Ai niset për të kërkuar një atdhe më të mirë sesa i veti, por që nuk arrin ta realizojë qëllimin e tij, pasi ndalohet nga autoritetet e vendit ku emigroi. Ky roman sjell dramën tipike të intelektualit qëemigron.
“Qaj e qesh” e autores Andrea Grill tregon historinë e një vajze austriake dhe Galipit, një djalë shqiptar, i cili e kishte patur ëndërr të emigronte në një vend europian. Romani, i tipit epistolar, rrok anët tragjike dhe komike të këtij emigranti, i cili për të marrë pasaportën austriake, vë në lojë edhe gjërat më të shtrenjta të jetës së tij. “Qaj dhe qesh” është ndërtuar si një letërsi tipike kufijsh, ku vajza ndonëse nuk arrin të fitojë dashurinë e Galipit, kapërcen kufijtë dhe fiton dashurinë e vendit tëtë ish-dashurit të saj.
“Të pafajshmit” i Paola Calvettit na tregon historinë e Jakobit, një artisti italian që ishte rritur jetim, dhe Dasha Hasanit, një vajze nga Tepelena, që kishte studiuar për violinçel në Tiranë dhe që në fillim të viteve ’90 emigroi në mënyrë klandestine drejt Italisë. Profesioni si muzikantëu bë shkas që të bëhen bashkë të dy, por në momentin e sprovës, – kur vdes aksidentalisht motra e Dashës me bashkëshortin, dhe vendos që të marrë në Itali fëmijën e tyre, lind konflikti mes çiftit. Sakrifica e Dashës për të rritur djalin e motrës, është njëherë edhe mesazh kujtese për Jakobin të cilit i risjell ndërmend të kaluarën e tij si fëmijë i rritur pa prindër, por që në fund arrin ta sfidojë vetveten dhe tëribashkohet me të dashurën e tij. Dasha dhe Jakobi i rikthehen jetës nëçift falë fuqisë bashkuese që përcjell tek njerëzit muzika.
Historitë e gjashtë romaneve na sjellin një realitet social bashëkohorë që e kemi parë apo e përjetojmë edhe sot: Njëherësh, këto histori na dëshmojnë mënyrën sesi funksionojnë shoqëritë, dhe raportet mes njerëzve dhe vendeve ku ekzistojnë kufijtë. Shkrimtari/vrojtues na shfaq një sistem i individëve dhe shoqërive, ku nevoja e natyrshme e njerëzve për komunikim, shfaq diferencimet mes tyre.“Kuptimi i kufijve hapësinor qëndron në ndërvarësitë që ekzistojnë ndërmjet sistemit politik dhe sistemit të së drejtës nga njëra anë dhe sistemeve të tjera të funksioneve nga ana tjetër”[11]. Këto diferencime përpiqet që ti sheshojë komunikimi njerëzor.Letërsia e kufijve nxjerr në pah më mirë se askush tjetër, diferencimet e sistemeve shoqërore, ku realitetet e ndara nga kufijtë kanë sistemet e tyre të organizimit, kodet specifike të ligjërimit, etj.Në procesin e realizimit të hetimit semiotik në këto tekste, ndodhemi përballëngatërresës së niveleve të ligjërimit, sepse jemi në një sistem metaligjërimesh, madje edhe makrosemiotik, por, teksti në vetvete është produkt i disa lloje ligjërimesh. Si akt social, teksti është akt komunikimi, që përmban informacion (mesazh me funksione të shumëfishta) dhe ndërgjegje.Tek këto tekstene analizojmë realitetin që prodhojnë autorët; mënyrën sesi sillen aktorët[12] dhe aktantët[13]duke vijuar më tej, me Skemën Narrative Aktanciale[14]dhe me Skema Kanonike Narrative[15]për të shkuar më tej në nivelet më të thella të analizës, me Kuadratin semiotik të Identifikimit, shkaqet e pranisë së “sindromës së kufijve”, me pranimin/refuzimit, e emigrantëve, etj.
Autorët/vrojtues përdorin thuajse të njëjtin mekanizëm, duke iu nënshtruar disa rregullave që hasen në të gjitha tekstet: Aktorët gjenden në një izolim total dhe, këtu lind nevoja për komunikim, sepse ata duan të shohim se çfarë ka përtej: “Në ato rrethana, në subkoshiencën e shumë prej nesh, Bota-Matanë-Kufijve nuk ishte thjeshtë vazhdimi – në kohë dhe hapësirë – i një planeti të përbashkët. Sa më shumë kaloninvitet dhe izolimi i Shqipërisë nga bota bëhej më absolut, aq më shumë Bota-Matanë-Kufijve shndërrohej në një planet tjetër. Për disa ishte parajsa, për të tjerët ferri vetë. Por, një planet tjetër, sidoqoftë….”[16].
Aktorët ikin për shkaqe të ndryshme. Tek romani “Atdhe Tjetër”, shkak i emigrimit janë fëmijët: “Në emër të fëmijëve braktisnim vendlindjen, edhe pse ndërkohë betoheshim se ishim gati të jepnim jetën për të. Mbase edhe jetët e fëmijëve…”[17].
Të gjithë aktorët (personazhe) duan tëlargohen nga vendi i tyre dhe ta kërkojnë realizimin e vetvetes nënjëmjedis tjetër. “Mendimi se nesër më pret një jetë e re, e panjohur, më fal pak qetësi. Nuk e di sa orë kanë kaluar që kur “Iliria” më shkuli nga brigjet e mia, por kur tingulli i sirenave lajmëron mbërritjen tonë në Brindizi, si në një shkrirje sekuencash filmike, drita e vagët e mëngjesit ndriçon mijëra duar që ngrihen drejt qiellit dhe thërrasin njëzëri: “Italia!: “Italia!”, “Liri!”, “Liri!”[18].
Këtu shfaqet një inventar praktikash sociale[19] të cilat janë tipike për shoqëritë e izoluara që po transformohen. Ngjarjet sociale në secilin nga këto romane kanë thuajse të njëjtën skemëdhe ndjekin të njëjtat etapa:
- Janë të pakënaqur/ të parealizuar me vendin e tyre;
- Marrin vendimin për tu larguar nga atdheu;
- Hasin në pengesa të shumta gjatë udhëtimit, qoftë si emigrantë të rregullt, qoftë si klandestinë;
- Mahniten nga bukuritë dhe standardet e mirëqenies së vendit ku shkojnë;
- Fillojnë problemet e para në komunikim/integrim në vendin ku janë vendosur;
- Nis kërkimi i një pune. Jeta fillon dhe vështirësohet;
- Fillojnë zhgënjimet e para. Detyrohen të bëjnë aktivitete/punëqë nuk iu pëlqejnë ose që konsiderohen të paligjshme;
- Fillon distancimi real me shoqërinë në vendin ku janë në emigrim;
- Shfaqet nostalgjia, përmes kujtesës për vendin prej nga vijnë;
- Nuk arrijnë të integrohen në shoqërinë ku ndodhen dhe fillojnë të humbasin kontaktet me shoqërinë prej nga kanë ardhur;
- Dështojnë në realizimin e qëllimit të tyre (fitimi i të ardhurave, marrja e pasaportës) duke u ndëshkuar apo dëbuar në vendin e tyre;
Këto shërbejnë si burime semiotike[20]për të analizuar transformimin.
Në vijim të analizës, konstatojmëtre izotopi:
Atdheu, vendi i lindjes që nuk të ofron mundësitë për të jetuar;
Vendi i imagjinuar: Vend i zhvilluar, perëndimor, ku ka demokraci dhe të drejta njeriu, me të ardhura tëbollshme, mundësi të shumta, etj.
Bota real e emigracionit: Këtu ka vështirësi në komunikim, integrim, gjetje pune, etj.
Shoqëritë funksionojnw me kodet e tyre ku kemi disa lloje: Kode verbale, kode sjellje, kodet trupore, kode estetike, kodet shkencore, kodet e masmedias, etj. “Ne komunikojmë identitetet tona sociale përmes punës që bëjmë, mënyrën sesi flasim, rrobat që veshim, modelin e flokëve, zakonet tona të të ngrënit, mjediset e ndjesitë tona posesive, përdorimin e kohës, mënyrat tona të të udhëtuarit dhe kështu me radhë. Përdorimi i gjuhës vepron si shënjues kyç i identitetit tonë”[21].
Në procesin e komunikimit, shfaqet përmasa e Tjetrit, (i huaji) në një botë, e cila apriori është perceptuar/menduar si më e mirë se ajo e vendlindjes, më e zhvilluar dhe një perceptim i tillë vjen për shkak të kodeve, përfshirë edhe kodin ideologjik në vendlindje; pritja që kanë aktorët (personazhet) është se jashtë vendit të tyre do të gjejnë një botë të barabartë mes të barabartëve, një botë të drejtë dhe të mirë. Por, marrëdhënia me tjetrin nuk formohet vetëm në një dimension. Sipas Todorov, janë tre dimensione: Plani aksiologjik (tjetri është i mirë apo i keq; e dua apo nuk e dua; është i barabartë apo më poshtë se unë); Plani prakseologjik (i përqafoj vlerat e tjetrit, identifikohem me të, i imponoj imazhin tim), Plani epistemologjik (unë e njoh ose nuk e njoh identitetin e tjetrit)[22].
Në pamundësi zbulimi të tjetrit, të kuptimit të tjetrit, vjen paragjykimi apo refuzimi i tij. Ja sesi e shohin njëri-tjetrin aktorët në këto tekste: Fjalori që përdor Misheli për Benin (Netët e Parisit): Paloimigrant, rrjepacuk, i vdirë, kurrrkush, lamash, shpellar, zuzar, plehrë, legen). Tek “Ditar i shkurtër kufijsh” gjejmë një arsenal shprehjesh dhe etiketimesh: Askushi. Këto janë pjesë e një sjellje diskriminuese sociale të njohur gjerësisht. Etiketime të tilla janë në të gjitha gjuhët: Dreckiger Auslander (Gjermani), sale race (Francë), dirty greeks (Amerikë), svartskallar (Suedi), të cilat janë përdorur në kohë të ndryshme dhe sot shoqëria moderne i largon nga trupi i saj.Subjekti kërkon të njehsohet me Objektin, pra kërkon të ketë identitetin e tij, por në këtë program narrativ ka kundërshtar dhe ndihmës, pranohet dhe refuzohet. Këtë e shohim qartë tek Skema Narrative Aktanciale:
Në shumicën e rastve janëaktorët që vendosin marrëdhëniedashurie (Beni me Emën, Ilia me Elektrën, Jakobi me Dashën) apo raporte miqësore tek romani “Kohë e djegur” mes Iliasdhe Leonidhës apo tek “Ditar i shkurtër kufijsh” mes personazhit kryesor të rrëfyer në veten e parë dhe Kristos: “Do të vish me mua në Athinë? Më pyeti papritur Kristo. Çfarë të bëj në Athinë, – e pyeta. Të gjesh punë, – vazhdoi ai. Ti di kaq gjuhë tëe huaja, diçka do gjesh. Ndoshta në ndonjë gazetë. Sa të mësosh greqish mund të rrish në shtëpinë time. E gjitha kjo më dukej si ëndërr”[23]. Raportet pasionale të dashurisë, apo miqësisë tek aktorët shfaqen si indikatorë për shkrirjen e kufijve. Ashtu siç ka edhe aktorë qëshfaqen refuzues, mospranues.
Po ashtu, ka shumë aktantë që e pengojnë emigrantin nëprogramin e tij transformues për tu identifikuar; simedia, opinioni publik, tradita, origjina, besimi, ligjet e vendeve, policia, media, etj.
Ja rasti kur media pengon procesin e transformimit: “Tani televizioni është bërë makthi yt. Ekrani i tij projektin në përmasa gjigande fytyrën tënde të neveritshme, të deformuar, të frikshme. Ajo që dikur ishte dashuria jote më e madhe, tani është bërë armiku yt më i betuar. Ti ngre zërin dhe thua: Ky nuk është imazhi im i vërtetë”[24].
Rasti kur ndërron emrin për shkak të paragjykimeve të besimit: “Nuk isha ortodoksi i mirë e i sjellshëm Ilia siç kujtonin e dinin ata. Isha myslimani i pafytyrë Aziz. E kisha dnërruar emrin, si të gjithë muhamedanët e mërguar të Shqipërisë. E kisha vënë Ilia të më merrnin grekët me sy të mirë. Unë pra kisha mbajtur fshehur punën e emrit që të mos mësohej se isha mysliman”[25].
Rasti kur tradita bëhet pengesë në një marrëdhënie: “Tani dëgjoni. Çdo gjë bëhet sipas vendit dhe kuvendit. Cilëtdo qofshin mysafirët, ata janë të mirëpritur në shpellën time, por ka një gjë: respekti shkon sipas sërës. Kjo është një traditë që nuk kam pse e anashkaloj. Ema, shoqërojeni djaloshin tek shërbëtorët. Për sa kohë do të jetë brenda vilës Mortimer, z. Ben do të rrijë te shërbëtorët”[26].
Rastet kur origjina/kombësia shfaqet si kundërshtar: “Brenda njëzet e katër orëve të kesh ikur nga Elinohori! Po nuk ike, do vdesësh! Greqia është e grekëve, nuk do të bëhet kurrë e të huajve. Nuk u lëmë të na merrni bukën nga goja, as t’u qepeni vajzave tona. Bukuritë e këtij vendi janë për ne, jo për buzët tuaja. Të ikësh andej nga ke ardhur! Ndryshe…”[27].
Rasti kur ligjet bëhen pengesë në komunikimin mes njerëzve të dashur: “Pamundësia është reale por nuk ka të bëjë fare me të. As me mua. Ka të bëjë me rregullat, me vulat, me vizat. Ato janë një kafaz i tmerrshëm dhe dashuria ime me Nertilën është e burgosur në to, pa mundur të dalë jashtë tyre”[28].
I gjithë programi narrativ zhvillohet si më poshtë:
Dy romanet e autorëve Andrea Grill dhe Paola Calivetti kanë një skemë narrative kanonike të ndryshme, për shkak se programi narrativ i tyre është bashkimi, finalizimi në dashuri (personazhi vajzë me Dalipin dhe Jakobi me Dashën), në ndryshim nga romanet e shkruara nga autorë shqiptarë, të cilët synojnëidentifikimin;
Për të shkuara në nivelet më të thella na vjen në ndihmë kuadrati semiotik i Eric Landowskit për mënyrën sesi shikohet i huaji/emigranti në shoqëri. Ai ka ka quajtur Kuadrati i Identifikimit[29]:
Në nivelin e thellë narrativ kostatohet se personazhet janë të refuzuar/përjashtuar, pra iu imponohet përjashtimi, pasi nuk arrijnë të përshtaten[30], nuk bëhen legjitim[31]në mjedisin ku shkojnë. Personazhi tek romani Atdhe tjetër” ndalohet sapo i mbaron afati i vizës në Kanada. Të njëjtin fat ka edhe Arbeni tek romani “Netët e Parisit”. Azisi (Ilia) dëbohet nga Greqia nga “Djemtë e mbarë” (mbështetësit e Agimit të Artë). Drama shkon edhe më tej. Ata nuk mund të riintegrohen edhe në vendin prej nga kanë ardhur. Statusi i tyre në shoqëri mbetet i veçuar nga të tjerët. Tekstet letrare e çojnë më tej përmasën e dramës. Ata janë askushi, zhduken duke qenë të gjallë. Romani “Atdhe tjetër” është ndërtuar si një tekst mbi një tekst tjetër, pra, kuptimi i tij është intertekstual, pasi i referohet romanit “Amerika, ose i zhdukuri” i Franc Kafkës. Edhe aktori/personazh Karl Rossmann, pasi shkel në Amerikë, dhe sheh statujën e lirisë, na fton që të harrojmë atë që kemi mësuar më parë për Amerikën si vend i ëndrrave dhe mundësive. “Duke zëvendësuar flakën e Lirisë me shpatën e Drejtësisë, mund të mendohet se Kafka ka dashur të nënkuptojë se çfarë gjëje të tmerrshme mund të mbartë Liria, në të cilën bëhen të pakufishme si mundësitë e ngjitjes lart, ashtu edhe ato të dështimit”[32].Mitin e Amerikës e krijuan europianët në kohën kur europianët ishin në lufta; tamam siç shqiptarët krijuan mitin e perëndimit, kur ishin nën izolimin komunist. Miti dhe realja për Faruk Myrtaj janë tamam në paralelizmin kafkian tëëndrrës dhe realitetit të njeriut të emigruar, që përfundon me zhdukjen e identitetit/individualitetit.
Teksa kemi pranuar se shkrimtari është vëzhgues, pra ai në thelb realizon një proces vetëvrojtimi për realitetin shoqëror, tek autorët shqiptarë kufiri është tragjika e ekzistencës, megjithë përpjekjet për të kërkuar fat tjetër për aktorët në veprat e tyre:
Tek Andrea Grill, kemi një tjetër perspektivë, e cila është e kundërt me atë që ka programi narrativ i aktantit (Galipit, i cili kërkoi të martohej me austriaken/të huajën, thjeshtë për të marrë dokumentet e qëndrimit në vendin ku ka emigruar). Personazhi humb të dashurin, por kërkon të njohë realitetin e vendit të tij, sepse ka një tjetër koncept për kufinjt: “Sapo shkelet në kufi, fillojnë mrekullirat. Sapo shkel unë në kufij, filloj të bërtas”[33].
Letërsia ka kontribuar në një proces ç’territorializmi, duke thyer kode që ndërtojnë shoqëritë segmentare. Duke qenë një akt komunikimi që synon të eleminojë diferencimet, por për autorët shqiptarë prania e kufijve vazhdon të jetë e gjithë pranishme, dramatike: “Dikur nga vendi im i izoluar mund të iknin vetëm zogjtë, kur këtu, atdheu im është vetëm pallati, një hapësirë vetiu e mbyllur, me një portë dalje të vetme”.[34]
Shkrimtarët e shpalosin hapur idenë e tyre për një botë pa kufij: “Kam njëëndërr: Ëndrrën e një bote pa emigrantë dhe refugjatë. Por, një botë e tillë s’mund të ekzistojë. Sepse një botë pa emigrantë dhe refugjatë do ishte një botë pa tirani dhe varfëri: mbi të gjitha, do të ishte një botë pa dëshirën e pashuar të qenies njerëzre për të marrë”.
Këtu duhet lexuar procesi i vetëvrojtimit i shkrimtarëve shqiptarë, i cili është në thelb vetëpërshkrim i realitetit të emigrantit shqiptar. Ata nuk e ndryshojnë situatën sociale, ose e mendojnë ende shoqërinë që funksionin me rregullat e vjetra, duke qenë larg përfyrtyrimit dhe sendërtimit të një shoqërie moderne.Kjo duket tek diferencimet që shfaqen në marrëdhëniet sipas besimit (paragjykimi i besimit të tjetrit), refuzimi i martesës mes një shqiptari dhe të një nacionaliteti tjetër (Azizi me Elektrën, Arbeni me Emën, nuk e finalizojnë marrëdhënien e tyre). Ndryshe sendërtohet realiteti i veprës tek Paola Calvetti (ku nuk paragjykohet dhe as prishet marrëdhënia mes Jakobit dhe Dashës, apo tek Andrea Grill në romanin “Qaj e qesh”, ku Dalipi e lë vajzën austriake për tu martuar me një shqiptare, por që nuk ndërpritet marrëdhënia mes tyre.Nëse autorët shqiptarë e shohin emigrantin si një qenie pa identitet (askushi), Grill dhe Calvetti nuk e cënojnë thelbin e tij, nuk e asgjësojnëprocesin e njohjes së tjetrit. Tek romani “Të pafajshmit”, vajza shqiptare Dasha realizon një procesi kërkim rreth të kaluarës të Jakobit jetim dhe në fund vendos që të birësoj një fëmijë në Institutin e të Pafajshmëve.
Sindroma e kufirit shfaqet si sëmundje sociale, – një pengesë në komunikim mes njerëzve, tipar ky thelbësor në ekzistencën dhe zhvillimin e shoqërive. Czvetan Todorov thotë se “tjetri duhet zbuluar”, sepse njeriu nuk është kurrë vetëm dhe nuk do të ishte ai qëështë pa dimensionin e tij shoqëror”[35]. Letërsia po paralajmëron rrezikun e ekzistencëssë një sëmundje të tillë në raportet mes njerëzve të vendeve të ndryshme, dhe si e tillë, ajo mund të shndërrohet në një pengesë gjithnjë e më serioze në integrimin mes shoqërive. Emigrantët do të duhej të ishin aktorë reale të rritjes së ndërveprimit mes shoqërive, pra ura lidhëse mes popujve, por në rastin më të mirë, po kthehen në hapësira boshe mes tyre, apo edhe burim konfliktesh. Por, dëmi më i madh që na shfaqet është se ky proces prodhon në vetvete qenie pa identitet dhe shoqëritë dregradohen në rrugëtimin e tyre në kohë kur në gjirin e saj shtohen individët qëarrijnë të shpalosin identetetin e tyre.
TEKSTET LETRARE – OBJEKT ANALIZE
Gazmend KAPLLANI, “Ditar i shkurtër kufijsh”, (përktheu nga greqishtja në shqip Aida Karanxha) Shtëpia Botuese Neraida, Tiranë, 2016
Faruk MYRTAJ, “Atdhe tjetër”, Botimet Milosao. – Sarandë, 2012
Paola CALVETTI, “Të pafajshmit” (Gli Inonncenti), përktheu nga italishtja Romina Kasharaj, Botimet Living. – Tiranë, 2017
Thanas MEDI, “Kohë e djegur”, Botimet Onufri. – Tiranë 2016
Stavri PONE, “Netët e Parisit”, Botimet Dudaj. – Tiranë, 2016
Andrea GRILL, “Qaj e qesh”, Botimet IDK. – Tiranë
REFERENCAT
[1]“Kufiri”, Alexandro Leogrande, (përktheu në shqipAgim Doksani), Botimet Dudaj. Tiranë, 2017, f.303
[2]Termi është huazuar nga shkrimtari dhe studiuesi Gazmend Kapllani, i cili e ka përdorur në romin “Ditar i shkurtër kufijsh”, i botuar fillimisht në Greqi (2004) pastaj në Shqipëri (2016) dhe më pas në ShBA dhe Itali.
[3]Parul Sehgalmarch, “Newways of beng”, The New York Times, (10 mars 2016). Për më shumë, shih linkun:https://www.nytimes.com/2016/03/13/books/review/new-ways-of-being.html
[4]“Ditar i shkurtër kufijsh”, Gazm.end Kapllani, (përktheu nga greqishtja në shqip Aida Karanxha) Shtëpia Botuese Neraida, Tiranë, 2016, f. 163-164
[5]Shih romanin “Kufiri”, (La Frontiera), Prima edicione “Il Narratore”, novembre, 2015 Itali.
[6]Këtu jemi bazuar tek teoria e Theo Van Leeuwen, më konkretisht tek vepra “Introducing Social Semiotics”, botuar në vitin 2005 nga botimet Routledge, por edhe vepra të tjera si “Trupat shoqerore” (Corpi sociali) nga Gianfranco Marrone. Sipas Leeuwen, sociosemiotika nukë është teori e pastër, nuk është fushë e vetëpërcaktuar. Ajo shfaqet vetëm kur ajo aplikohet në instanca specifike dhe probleme specifice, dhe kërkon gjithmonë vete të brendshme jo tamam në konceptet dhe metodat semiotike por në një fushë tjetër. Shih: “Introducing Social Semiotics” Theo van Leeuwen, Routledge, first published 2005
[7]“Trupa shoqërorë, – proceset komunikuese dhe semiotika e tekstit”, Gianfranco Marrone, (përktheu: Dhurata Shehri, Persida Asllani ) Botimet Dudaj. – Tiranë, 2008, f. 17
[8]“Teoria e shoqërisë”, Niklas Luhman dhe Raffaele de Giorgi, (përktheu: Adriana Prizreni), Pika pa Sipërfaqe. – Tiranë, 2016, f. 160
[9]Gazetari dhe mendimtari utopist i ditëve tona Rutger Bregman flet për një kosto të jashtëzakonshme që kanë kufijtë për zhvillimin e botës. Ai rendit kostot njerëzore, (njerërzit që vdesin në aventurat e tyre drejt një bote më të mirë), kosto financiare (Bregman thotë se prania e kufijve I kushton ekonomisë globale mbi 650 miliardë dollar çdo vit) dhe kosto të tjera sociale dhe psikologjike, prandaj propozon heqjen e kufijve si një prej mënyrave për ta zhvilluar shoqërinë tonë. Për më shumë, shih “Utopia for Realists: How we can build the ideal world”, Rutger Bregman, Little, Brown and Company (March 14, 2017), pg. 336
[10]“Ditar i shkurtër kufijsh”, f. 158
[11]Teoria e shoqërisë”, f. 69
[12]Këtu i referohemi termit Actor: “Semiotika e përdor konceptin aktor për t’iu referuar çdo agjenti individual, antropomorfik, apo zoomorfik, në një grup apo një entiteti abstrakt si fati që është i perceptueshëm në nivelin diskursiv të të thënit dhe luan rol në një pjesë në histori. Në analizën semiotike, aktori ka zëvendësuar konceptet tradicionale të ‘personazhit’ apo ‘protagonistit’. Aktorët janë individualizues dhe paraqesin elemente konkrete figurative. Për më shumë, shih: “Dictionary of Semiotics” Bronwen Martin and Felizitas Ringham, Cassell, London New York, first edition 2000
[13]Këtu i referohemi termit Actant: “Një aktant është dikush ose diçka që që kryen ose
i nënshtrohet një akti. Mund të jetë një person, një agjent antropomorf ose zoomorfik, një gjë ose një entitet abstrakt”. Për më tepër, shiko: “Dictionary of Semiotics” Bronwen Martin and Felizitas Ringham, Cassell, London New York, first edition 2000.
[14]Skema Narrative Aktanciale është një strukturë narrative themelore universale që gjenden të gjitha tekstet. Ekzistojnë gjashtë role aktanciale kyçe, apo funksione në këtë strukturë të opozicioneve binare:Subjekti/Objekti; Dërguesi/Marrësi; Ndihmësi/Kundërshtari.
[15]Skema Narrative Kanonike paraqet një prototip universal pë strukturën narrative. Ajo është e përb♪7rë nga tre teste: testi kualifikues, testi deciziv, testi fitues, i cili shpaloset në një vazhdimësi logjike. Për mkë shumë, shih: “Dictionary of Semiotics” Bronwen Martin and Felizitas Ringham, Cassell, London New York, first edition 2000.
[16]“Ditar i shkurtër kufijsh”, f. 11
[17]Atdhe tjetër”, f. 12
[18]“Të pafajshmit”, f. 44
[19]Këtu i referohemi termit të përdorur nga Theo Van Leeuwen për praktikat sociale: “Praktikat sociale janë gjërat që bëjnë njerëzit me njëri-tjetrin për aq sa ndjekin modelet e pranuara. Elementet kryesore të praktikave sociale janë veprimet që i përbëjnë ato, mënyra në të cilën kryhen këto veprime, aktorët që marrin pjesë në veprime, burimet e nevojshme për të kryer veprimet, kohën dhe vendet e veprimeve. Kur veprimet janë të përfaqësuara, qoftë gjuhësisht apo në mënyra të tjera, kjo do të ndërmjetësohet nga një diskurs i cili do të përfshijë transformime. Praktikat sociale mund të ndahen në praktika komunikuese, pra praktikat që përfshijnë përfaqësimin e praktikave të tjera (‘zhanret’), dhe praktikat që nuk i përfshijnë ato.
[20]Këtu i referohem konceptit të Theo Van Leeuwen për burimet semiotike, të cilat janë: Burimet semiotike janë aksione, materiale apo artefakte që ne përdorim për qëllime komunikative;
[21] “The basic, – Semiotics”, Daniel Chandler, Routledge second edition, 2007, p.. 153
[22] Për më shumë, shih “Konkuista e Amerikës, – çështja e tjetrit”, Czvetan Todorov. Referenca është marrë nga botimi në shqip, përkthyer nga Primo Shllaku, Pika pa sipërfaqe. – Tiranë, 2017, f. 229
[23]Ditar i shkurtër kufijsh
[24]Ditar i shkurtër kufijsh, f. 108
[25]“Kohë e djegur:, f. 183 – 184
[26]“Netët e Parisit”, f. 263
[27]“Kohë e djegur”, f. 187
[28]“Netët e Paritsit”, f. 279
[29]Referenca është marrë nga libri “Semiotika e tekstit”, Maria Pia Pozzato, (përkthyer në shqip nga Dhurata Shehri), Botime EUT Press. Tirane, f.201
[30]Këtu i referohet termit të Theo Van Leeuewen, i cili thotë se:Konformiteti është një tip i regjimit semiotic në të cilin praktikat sociale drejtohen nga konformimi i sjelljes semiotike të pjesëmarrësve të tjerënë dhënien e një situate komunikative.
[31]Këtu i referohet termit të Theo Van Leeuewen, i cili thotë: Legjitimimet e praktikave sociale apo pjesëve të praktikave sociale formojnë pjesën e diskurseve rreth këtyre praktikave. Ato ofrojnë arsye pse praktika ezkiston dhe pse ajo merr formën që ajo bë.
[32]Bernard Lortolari, “Parathënie” e botimit në shqip të romanit Amerika, (përktheu Raif Hasani) Botimet Dritan. – Tiranë, 2017, f. 15
[33]“Qaj e qesh”, f. 159
[34]Athe tjetër”, f. 223
[35] Konkuista e Amerikës, – Çështja e tjetrit”, Tzvetan Todorov, Botimet Pika pa Sipërfaqe. Tiranë, 2017, f. 299
NO COMMENT