READING

Si të shesësh një libër si “Mjaltë në teh”?...

Si të shesësh një libër si “Mjaltë në teh”?

Blerina KANXHA

Në tregun e librave dëshmohet ankth për sa i përket të paturit e librave të rëndësishëm (të pëlqyeshëm), libra që shiten shumë. Libri duhet të jetë sa objekt i cili zotërohet nga ata që e duan, por më shumë se kaq, nga ata që e blejnë. Ky qerthull pulson nga ankthi se libri duhet të shitet me të njëjtën lavdi si librat e kanonit. E kjo lëvizje impulsive e tregut të librit vjen nga ankthi “lexuesi nuk lexon”.

Nga ana tjetër, është dëshira për sukses, për një fushatë publicitare të fuqishme, postera paralajmërues se një libër i tillë do të vijë në treg, emisione televizive të cilat do të bindin lexuesin paraprakisht që ky libër në mos duhet blerë, duhet lexuar. Duket qartazi që botimi i këtij libri (pra “Mjaltë në teh”) nuk ka ndjekur një rrugë të tillë; madje, në mes nesh, edhe nëse do të ribotohej, as që do të ndiqej kjo rrugë tanimë klasike e botimit të librave. Nuk do të përndiqej nga kjo kulturë që e konsumon librin që para se të gjendet në librari.

Është i drejtë që sot të bëhet ky diskutim, sepse, libri është mall si gjithë të tjerët. Një mall sikurse një kavanoz me mjaltë në market. Sërish, mund të duket diskutim i cekët, por është një nga problemet që ndikon në mosreceptimin e letërsisë së botuar.  Ndaj, i referohem këtij libri si rasti  tipik i një libri që me siguri do të mbesë ndër librat shqip të shkruar më mirë ndër kohëra, por që nuk ka patur shitje të jashtëzakonshme. Është i natyrshëm përdorimi i cilësimeve sipërore pasi janë kësoj tipi cilësimesh me të cilat bashkëshoqërohen promovimet e librave kudo.
Botimi i këtij libri është ngjarje e rëndësishme për letërsinë që shkruhet në gjuhën shqipe, ndërkaq marrëdhënia me tregun duket të jetë e vakët. Rrjedhimisht pyetjet do të vijonin si më poshtë:
1-Përse ky libër dhe jo libra të tjerë?
2-A është e domosdoshme që një libër i mirë duhet të shesë shumë?
3-A ka parametra të cilat duhet të plotësojë një libër për të qenë i mirë?

Për sa i përket pyetjes së parë, ky libër nuk është i zakontë si nga mënyra se si “shitet” (pra kopertina) e mandej për sa i përket mënyrës së shkrimit, por që në këtë pjesë të parë le të mendojmë se nuk kemi dëgjuar asnjëherë për këtë libër dhe njihemi me të për here të parë në librari.)

Natyrisht, që pyetja e dytë ka një përgjigje të qartë dhe është “jo”;  madje e fortë. Historia e letërsisë ka treguar shumë herë se librat e mirë, klasikë, të kanonit nuk janë domosdoshmërisht libra që kanë shitur shumë. Madje, shihet në rrethet letrare si një tregues i keq ai i shitjes në masë të një libri.
Ndërkaq, pyetjes së tretë mund t’i përshtaten shumë përgjigje, por ndër elementët kryesorë që e bëjnë një libër të mirë (dhe e përkundërta nuk është absolutisht “libër i keq”) është të ofrojë diçka të re në sistemin letrar dhe të mbesë i lexuar për një kohë të gjatë. Natyrisht “Mjaltë në teh” do të jetë një libër i tillë.
Për të vazhduar “të shesim” librin, diskutimi është ky: Si mund të shesësh një libër që nuk i përngjan aspak librave të tjerë përbri? Kopertina e të cilit, nuk ka një portret, nuk ka ngjyra të forta, aspekti vizual të tradhton. Është shumë ngjashëm me librat të natyrës studimore të cilat për hir të seriozitetit mbajnë kopertina njëngjyrëshe dhe nuk luajnë me aspektin vizual.
Ky libër ka kopertinë të trashë, ngjyrë blu të errët dhe në të të shkruar në shkronja në të pjerrëta titullin e librit dhe emrin e autorit. As citime nga kritika, as recensione të shkurtra nga shkrimtarë të tjerë, as vlerësime të shkëputura nga periodikët.

Duke marrë parasysh modelin tipik të blerësit që nuk sheh televizion, nuk lexon periodikët, nuk interesohet për rubrikat kulturore të lajmeve, ky libër është gati mision i pamundur për të mbërritur në duart e tij. Duket si librat që ua heq mveshjen prej letre pasi të bezdis gjatë leximit ndaj në duar të jep ndjesinë e rehatisë.
Por, pasi e merr  librin ashtu si personazhi i Kalvinos në “Nëse një natë dimri një udhëtar”, teksa përpiqesh të gjesh këndin tënd të shenjtë në të cilin drita nuk t’i vret sytë e librin mund ta shfletosh lehtësisht nga ai kënd. Pasi kurrizi është mbështetur mirë e mbulueset janë në pozicionin e duhur, të siguroj, që do të qëndrosh ashtu deri në përfundim të librit.

Mjaltë në teh” është një tjetër koracë nën të cilën gëlon mishi i butë i jetës. Një rrëfim pa një personazh që të udhëheq nga fillimi e deri në fund pasi secili nga personazhet ka një dhomë më vete. Një libër që personazh kryesor ka “gjuhën”(në thonjëza për të nënkuptuar që është një nga elementët më dominantë në libër).

Por, sërish në mes nesh, sa prej të rinjve do të lexonin një libër për një fshat të izoluar, banorët e të cilit janë të çartur, gjuha i mëkon dhe i mallkon. Një kthim në vitet kur feja u ndalua dhe personazhet janë të shtrënguar të përballen me regjimin e ri dhe nuk ka asnjë argëtim.
Me siguri reklamimi më i mirë që mund t’i bëhet një libri në Shqipëri është të bindësh lexuesit se përse duhet të shpenzojë për një libër.

Sepse, ‘Mjaltë në teh’ të argëton. Një nga funksionet e tekstit letrar është të argëtojë. Ndaj koha e shpenzuar me këtë libër do të ishte e përkryer.
Sepse në këtë libër gjen paragrafë të tillë : “Û, mbamë vesh mirë dhe shko, pastaja, pa u errur, e thuaje në tërë fshanë, û, kur u thom të sëmurëve të hapën gojën, nuk u vështroj vetëm gjuhën, u vështoj më tutje, më përbrënda, u vështroj gurmazin, mushkëritë dhe, në funt, në funt fare, u shquaj shpirtin”.

Sepse, ‘Mjaltë në teh’ të bën të reflektosh. Të reflektosh për rëndësinë e gjuhës. Mbi jetën e njerëzve që jetojnë në të njëjtin fraksion toke, nën të njëjtin qiell dhe jeta në periferi duket të ketë gjithë dramat e mundshme të cilat qendra do t’i kishte zili. Njihemi me një të shkolluar në Austri i cili të vetmen gjë të re që solli në fshat nuk ja vlente as një dyshkë, apo me një njeri që fjala i kushton vërtetë jetën apo një prifti që fjalën e bën dysh.

Sepse, ‘Mjalt në teh’ të bën për të qeshur. Shumë prej atyre që e kanë lexuar thonë se është dialekti ai që sjell të qeshura, në fakt është mënyra se si ky libër është shkruar.

Sepse, ‘Mjaltë në teh’ sjell tërë stereotipet e personazheve që ti mendon se secili prej tyre do të meritonte një libër më vete.

Sepse, ‘Mjaltë në teh’ ua përkëdhel shijen edhe atyre që i zgjedhin librat me gishtin e vogël të dorës. Është për ata që dashurojnë gjuhën, dialektet. Për ata që dashurojnë komizmin e hollë dhe dramat në jetët e vogla të njerëzve. Është për ata që kanë lexuar ‘Kronikë në gur’ edhe për ata që nuk e kanë lexuar. Është për ata që kanë lexuar ‘Krishti kryqëzohet përsëri’, por edhe për ata që e duan poezinë.

Është libër i cili ja vlen të jetë në listat e shkollave si lexim i sugjeruar/detyruar. Një libër tej mase i mirë për t’u ofruar si lexim jashtëklase. Një libër për studentët të cilët do të binden se po ka letërsi të mirë shqiptare. Është po ashtu për ata që kanë humbur besimin se një autor shqiptar mund të shkruajë një libër që mbetet në mendje gjatë. Është një libër për t’u dhuruar, shkëmbyer, dashur.
Ndaj “kërreje përjashta malulen” nëse ende nuk e ke blerë këtë libër.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.