Gazmend Krasniqi
SI TA LEXOJMË LETËRSINË SHQIPE
Si në të gjitha fushat e artit, edhe në letërsi funksionon parimi: Kur të kërkohen vlerat… Domethënë, disa tekste janë shkruar për të zënë vend “atje ku është e vështirë të hiqen qafe”.
Si ndodh ky proces? Çfarë mekanizmi e ndikon? Cilat janë disa nga hallkat e këtij mekanizmi? Çfarë mund të korrigjohet?
Të ndalojmë te disa nga këto hallka.
Çështja e kurrikulave shkollore
Kurrikulat shkollore pritet të jenë një nga mjetet kryesore për të krijuar shijen e leximit.
Po çfarë thuhet konkretisht atje?
Letërsia është një nga lëndët kryesore në arsimin e mesëm të lartë. (Kurrikula e klasës XII të gjimnazit). Dhe: Ajo ndikon në formimin estetik dhe letrar, në rritjen e aftësive krijuese dhe në pasurimin e aftësive shprehëse të nxënësve. Kjo lëndë, gjithashtu, mundëson krijimin e një raporti pozitiv dhe të qëndrueshëm mes nxënësve dhe artit të letërsisë. Në arsimin e mesëm të lartë, letërsia studiohet si veprimtari krijuese, subjektive dhe e vetëmjaftueshme. Ajo shihet e lidhur me zhvillimin historik e shoqëror, me filozofinë e kohës, por jo si mjet i thjeshtë që ilustron historinë. Letërsia shqipe do të studiohet paralelisht me letërsinë botërore duke u kushtuar vëmendje të përbashkëtave dhe dallimeve mes tyre. Në këtë mënyrë, nxënësit do të kuptojnë që letërsia shqipe nuk është një njësi e veçuar dhe e ndarë, por pjesë e pasurisë letrare botërore.
Po cila është rruga në të cilën i arrin gjimnazisti këto objektiva?
– Analizon risitë që sollën shkrimtarët që ndoqën rrugën e letërsisë realiste të shekullit XIX.
Si mund të gjejmë risi te shkrimtarët që ndjekin prirjen e një rruge të mbyllur?
– Përcakton gjinitë dhe llojet letrare që lëvruan më shumë shkrimtarët që ndoqën prirjen realiste (Drajzer, Remark, Cvajg, Heminguej etj.)
Përse duhet të përcaktojmë gjinitë dhe llojet letrare të një grupi shkrimtarësh jashtë kohe, kur Ernest Koliqi mu në dekadën e Modernizmit të Lartë (1929) përdor mjetet kryesore të modernizmit, monologun e brendshëm dhe përroin e ndërgjegjes? Kur, mu në vitet që shkëlqen Franc Kafka me Metamorfozën, Koliqi përdor në mënyrë mjeshtërore zhvendosjen moderniste të realiteteve, duke u rreshtuar me bashkëkohësit evropianë?
– Përcakton veçoritë kryesore të letërsisë moderniste;
– Dallon dhe analizon drejtimet (rrymat) kryesore letrare të letërsisë moderne të shekullit XX.
A mund të vijë modernja pas modernizmit?
– Veçon dhe analizon risitë që sjell Agolli në letërsi pas viteve ’90.
Po a pati risi të tilla?
– Interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.
Çfarë do të ndodhë në konceptin e gjimnazistit për letërsinë, kur pas modernizmit të “Metamorfozës” së Kafkës, duhet të lexojë një roman për luftën kundër burokratizmit?
– Interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson romanin “Pallati i ëndrrave”.
E pse të mos ia kursejmë gjimnazistit narrativat socio-politike, pa lidhje me letërsinë, kur mund të mësonte të lexonte e shijonte letërsinë e mirë të romanit “Kronikë në gur”?
Si bëhen tekstet e bazuara mbi këto kurrikula? Jemi dëshmitar për studentë pa lexime dhe pa njohje bazike të letërsisë. Për më tepër, shtrembërimi është aq i madh saqë u janë mbyllur mundësitë për të marrë diçka që do ta bënte mësues i së ardhmes. Kështu, dëmi dyfishohet e trefishohet.
Çështjet e letërsisë dhe të autorit
Në librat e njohur të teorisë letrare (shih, për shembull, Jonathan Culler) na thonë se kuptimi modern i letërsisë perëndimore si letërsi e ndjeshmërisë dhe e imagjinatës mund të jetë nxjerrë në pah nga teoricienët romantikë gjermanë në fund të shekullit XVIII. Me rëndësi të veçantë shihet libri i baroneshës franceze Madame de Staël, Mbi letërsinë të shqyrtuar në marrëdhënie me institucionet shoqërore (1800).
Pra, mund të themi se pyetja: “Çfarë është letërsia”?, është ngritur kaq qartë para dyqind vjetësh. Para vitit 1800, letërsia dhe termat përkatës në gjuhët evropiane kishin kuptimin e shkrimeve apo librave njohës. Këtu ndodhi ndarja e letërsisë si letërsi nga tekstet e tjera. Veprat që sot shqyrtohen si letërsi, nëpër shkolla e universitete trajtoheshin si shembuj të përdorimit të gjuhës dhe elementeve të retorikës. Studentëve nuk u kërkohej t’i interpretonin si i interpretojmë sot veprat letrare, por si shembuj të kategorive të praktikave të shkrimit dhe mendimit, që përfshinin ligjërimin, predikimin, historinë dhe filozofinë.
Studentët i mësonin tekstet përmendësh, studionin gramatikat e tyre, identifikonin figurat retorike, strukturat apo procedimet e argumentimit. Eneida apo vepra të tjera shqyrtoheshin krejt ndryshe nga sa i studiojmë sot.
Nëse teoria përfshinte ide nga filozofia, historia apo teoria politike, pse duhej të shqetësoheshin teoricienët për vetë natyrën e veprës letrare?
Pyetja e mësipërme: “Çfarë është letërsia”?, ndoshta duhet shndërruar në pyetjen: “Çfarë na bën ta trajtojmë diçka si letërsi”?
Një çështje tjetër që ka sjellë ndërlikimet e veta ka qenë figura e “Autorit”, e cila sot mendohet (Roland Barthes) se është dukuri moderne. Në Mesjetë kemi pasur letërsinë e kompiluar (dhe tekstet Gjon Buzukut, Pjetër Budit e Pjetër Bogdanit), ku pra autori qe një kompilues i teksteve, derisa të shfaqej empirizmi anglez, racionalizmi francez apo reformacioni me bazë gjermane, që sollën atë që u quajt “personaliteti njerëzor”. Duke shtuar pozitivizmin, i cili e rriti rëndësinë e personit të “autorit”.
Me shpalljen e “vdekjes së autorit” nga Roland Barthes, ja ku lexuesi u ndodh i vetëm përballë Tekstit.
A mund të ndërtojmë një sistem qasjeje, në të cilin flasim me terminologji letrare, kur jemi të njohur me atë që quhet teoria letrare moderne dhe letërsia shqipe, në një kohë hapjeje të plotë, kërkon të jetë në të njëjtën rrjedhë me letërsinë e përbotshme?
Si ta shohim periudhën parakombëtare të letërsisë sonë, e quajtura letërsi e qarqeve kulturore, mjaft e ndërlikuar për nga paraqitja: edhe si letërsi e kompiluar edhe si letërsi e kultivuar e me vlera të caktuara artistike! Qasja ndaj asaj letërsie si monument, përveçse si dokument, ende nuk ka marrë pamjen që do të donim. Sot na intereson se çfarë është letërsia. Ose, që është e njëjta gjë, çfarë të marrim si letërsi.
Çështjet e terminologjisë
Përdorimi i duhur, marrëdhënia organike mes kuptimit që shënjojnë dhe përdorimit të drejtë apo edhe vetëdija për një stabilizim, në terma ndërkombëtarë, të terminologjisë letrare – ka shoqëruar vazhdimisht debatin akademik perëndimor, i cili ka prodhuar vazhdimisht literaturë për këtë çështje.
Cila është gjendja e terminologjisë letrare në studimet tona? A ka zënë vend një shqetësim i tillë në lidhje me funksionimin real të termave letrare në procesin e gjykimit të letërsisë?
Duke qenë se letërsia shqipe i ka të vona preokupimet për çështje themelore teorike, sepse nuk rezonuan me kohën kur u shfaqën, çështja e terminologjisë duket se nuk ka qenë në rrezen e trajtesave, diskutimeve, shënimeve kritike që kanë marrë vend në formatet letrare apo në librat e paktë teorikë gjatë gjysmës së parë të shek. XX.
Sidoqoftë, në këtë periudhë (sidomos vitet 30-40) vihet re fakti se:
– së pari, kryesisht ngritja e diskutimeve mbi problematika të ndryshme të letërsisë bëhet nga perspektiva e letrares;
– së dyti, terminologjia, ilustrimet (në pjesën më të madhe) dhe qasja mbështeten kryesisht mbi bazën e ngulitur të literaturës klasike.
Sot jemi dëshmitarë të faktit se pas viteve ’40, për 45 vjet (1945-1990), atmosfera e diskutimeve mbi krijimin letrar, letërsinë dhe krijuesin do të ngarkohet me një gjuhë ideologjikisht diktuese. Terminologjia letrare që shoqëron studimet dhe shkrimet kritike do të ngatërrohet me terminologjinë ideologjike, deri në atë masë sa do t’i japë kësaj të fundit arbitrarisht statusin e mbikëqyrësit dhe të shtrembëruesit të koncepteve letrare.
Evidentimi i instrumenteve politike si masë vlerësimi për termat, shpesh edhe si kategori letrare, do të reflektohet edhe në dy fjalorët e parë të termave letrarë që do të shfaqen, njëri, në mes të viteve ’60-të: dhe tjetri, në fillim të viteve ’70-të. Në këta fjalorë do të institucionalizohet absurditeti i kahjes ideologjike që do të marrin shënjuesit e domethënies së terminologjisë letrare.
Problematika që shfaqin të dy fjalorët është e njëjtë dhe mund të grupohet në dy çështje:
1. Interpretimi i termave letrarë me frymën ideologjike;
2. Përfshirja dhe interpretimi i termave ideologjikë në funksion letrar.
Vjen me trajtim ideologjik drejtimi letrar i realizmit, me përqendrimin te i parapëlqyeri realizmi kritik. Trajtimi dhe përcaktimi pastërtish ideologjik i termit romantizëm vjen me ndarjet ekstraletrare romantizëm reaksionar dhe përparimtar,
Në të gjitha këto trajtesa, argumentet ideologjike bëhen shënjues të kuptimit e ngjyresës që marrin termat letrarë.
Për shkak të kësaj situate, fillimvitet ’90 gjetën një studiues dhe lexues të indoktrinuar dhe konfuz në përdorimin e termave letrarë. Ndonëse në procesin e krijimit kemi rigjetjen e vetes brenda rrjedhave të zhvillimeve moderniste, nuk ndryshoi asgjë në aspektin e reflektimit të teknikave dhe mjeteve letrare në një fjalor të ri të termave letrarë.
“Fjalor i termave të letërsisë” i viti 1972 vjen e përpunuar vetëm në vitin 2013, i pasuruar në zëra, por që sërish janë të kufizuar dhe të pa trajtuar thellë, duke pasur parasysh zhvillimet në fushën e teorive letrare dhe të mjeteve e teknikave të krijimit. Ndonëse në aspektin e përdorimit të zërave të terminologjisë letrare klasike ky fjalor mund të lavdërohet, ai mbetet i kufizuar në disa funksione të tjera të tij.
a) Për shembull, për shkak të moskonsultimit me literaturë të kohës, zërat mbi modernizmin si lëvizje dhe teknikat që shoqërojnë procesin krijues të tij janë trajtuar përciptazi, vagullt ose mungojnë plotësisht.
b) Po ashtu, mungon plotësisht trajtimi i postmodernizmit. Parodia, ironia, grotesku shihen vetëm brenda domethënieve dhe përdorimit që u ka dhënë retorika klasike, sepse funksioni që kanë marrë në letërsinë moderniste e postmoderniste nuk përmendet.
c) Mungesa pothuajse e plotë ndjehet edhe në ansamblin e zërave të poetikave të narrativës. Në fjalor, vetë termi narrativë shihet në linjën e retorikës antike, thjesht si tregimtari: një përkufizim që i rri shumë larg përcaktimeve të teorive të sotme të narratives.
ç) Një tjetër problematikë është se ilustrimet e termave kufizohen pothuajse tërësisht te autorët tanë të gjysmës së parë të shek. XX dhe te ata të letërsisë së huaj, duke lënë jashtë (përjashtuar vetëm disa emra) letërsinë e gjysmës së dytë të shek. XX dhe atë të krijuar pas viteve ‘90.
Çështja e kanonit letrar
Termi klasik “kanon letrar” i referohet një klasifikimi të letërsisë, i përdorur për t’iu referuar disa normave dhe një grupi veprash letrare që konsiderohen më të rëndësishme për një periudhë kohe ose vend të caktuar dhe shikohen si autoritare. Është vlerësuar se kanoni përbëhet nga ata shkrimtarë që duhet t’i njohin të tjerët dhe të matin veten me to. Kanoni i një kulture është një konsensus në zhvillim i kanoneve individuale. Shkrimtarët kanonikë ndryshuan mediumin, gjuhën në të cilën punonin. Kësisoj, kanoni u shtri si paradigmë.
Disa nga këto kanone letrare mund t’i rendisim:
Pararomantizmi
Modelet e poezisë reflektive
Modelet e poezisë klasike
Modelet e poezisë neoklasike
Romantizmi
Modeli i frymëzimeve nga folklori (Jeronim De Rada)
Modeli i frymëzimeve panteiste dhe i patriotizmit pasionant (Naim Frashëri)
Modeli i romantikut evropian (Zef Serembe)
Shkrimtarët tanë të periudhës midis romantizmit dhe modernizmit e nisin si romantikë, pra me frymëzime romantike. Pastaj, ose i çelin rrugën modernizmit, ose japin kontribut drejtpërdrejt për modernizmin
Midis romantizmit dhe drejtimeve të tjera letrare (Ndre Mjedja)
Midis romantizmit dhe kërkimeve të reja (Aleks Stavre Drenova – Asdreni, Lasgush Poradeci)
Modernizmi & Postmodernizmi
Tregimi modernist dhe zhanret e ndërmjetme (Ernest Koliqi)
Fundi i formës së mbyllur(Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni)
Krijimi i vargut të lirë(Gaspër Pali)
Dialogjizmi, Midis fantastikes dhe realizmit magjik(Mitrush Kuteli)
Nga tradicionalja, te modernizmi dhe postmodernizmi(Martin Camaj)
Kriza e diskursit dhe komunikimi poetik(Anton Pashku)
Lexuesi i nënkuptuar ose model(Frederik Rreshpja)
Midis misionarit dhe artistit(Ismail Kadare)
Postmodernizmit shqiptar i mungojnë studimet sistematizuese për shkrimtarët, por mund të flitet për çështjet kyçe:
Intertekstualiteti
Metafiksioni
Histori apo fiksion
Kundërvënia ndaj simbolizmit modernist
NO COMMENT