Gazmend Krasniqi
MODELI I FRYMËZIMEVE PANTEISTE DHE I ROMANTIZMIT PASIONANT
(Naim Frashëri)
Njihet ideja se Zëri i dytë është ai me të cilin poeti i drejtohet një auditori, të madh apo të vogël, prandaj në studimet tona, për këtë arsye, Naim Frashëri është parë përgjithësisht si zëri i dytë në poezi.
Por kjo e vërtetë çalon. Është e vërtetë se te poezitë patriotike i drejtohet një auditori të caktuar, si: O vëllezër shqipëtarë… etj., por nuk është gjithmonë ashtu. Ai hyn në letërsi si zëri i parë. Zëri i parë është ai i poetit duke i folur vetes – ose askujt. Ai bëhet zë i dytë kur mendon se mund t’i ndihmojë çështjes kombëtare, pasi shfaqet një liri e shkurtër politike ku mund të gjendet kjo hapësirë.
I rritur fillimisht me frymën poetike të bejtexhinjve, Naimi, në fakt, për shkak të njohjeve shumë të mira të disa gjuhëve, asaj perse sidomos, erdhi në poezinë shqipe nga shkolla e poezisë mistike të Lindjes. Një nga konceptet kryesore të kësaj shkolle qe Zemra e hapur. Zemra e qenies njerëzore trajtohet si shtëpia e Zotit: të shikosh në zemër do të thotë të shikosh në drejtim të qenies hyjnore. Naimi ka shkruar më shumë se një poezi me titullin Zemra apo Zemrës. Kështu që ai e pati të lehtë t’i bashkohej romantizmit evropian, ku nuk po kërkohej një njeri i drejtuar nga koka, siç bënin neoklasikët, por nga zemra. Në fakt, doza iluministe, për shkak të njohjes së gjuhës dhe kulturës franceze, ka në përdorim edhe kokën e tij.
Qerthulli ku lëviz krijimtaria më e madhe e Naim Frashërit, bëhet romantizmi i Evropës Juglindore, ku ndryshe nga romantizmi i Evropës Perëndimore – që kishte lindur si reaksion ndaj klasicizmit francez, tek përjashtonte parimet iluministe dhe theksonte përparësinë e parimit të ndjenjës para parimit të arsyes – shohim një bashkëdyzim të iluminizmit, didaktizmit dhe romantikes panteiste.
Padyshim që bukolikat dhe poezia virgjiljane janë të pranishme në kornizimin e kësaj vepre, thotë Gradilone. Ky besim buron nga ideja se në gjimnazin Zosimea Naimi i studioi veprat e antikitetit[1]. Gradilone e paraqet Naimin si lexues entuziast të poezisë virgjiljane, ku përdoren shpesh ëndrrat. Ai sheh paralele mes shfaqjes së Hektorit te Enea, dhe shfaqjes së babait Gjon te Skënderbeu[2].
Lirika patriotike
Është e vërtetë se me vargjet e poemës Bagëti e Bujqësia, me poemën Historia e Skënderbeut dhe disa lirika të tjera, Naim Frashëri, nën një patriotizëm pasionant, përmbledh dy shfaqjet kryesore të romantizmit shqiptar:
- dashurinë e thellë për natyrën e atdheut
- fokusin mbi historinë, por në shërbim të së sotmes
Dashuria për atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij, por duke trajtuar tema të reja, ai e afroi letërsinë me problematikat e kohës, duke e shtyrë analizën e saj drejt kontekstit. Siç thamë më lart, ai nuk mund të identifikohet vetëm me këtë.
Te “Lulet e verës”, që pranohet si arritja më e madhe artistike, do t’i gjejmë të ndërthurura të gjitha llojet e lirikave që përbëjnë thelbin e tij romantik. Ai rron më shpresë se dita e lirisë do të vijë.[3] Të mos harrojmë poezitë për gjuhën shqipe, një tjetër motiv romantik: gjuha shqipe.[4]
Po në këto motive, shpesh, mbizotëron një retorikë e komunikimit të drejtpërdrejtë, e një romantizmi pasionant, pra e zërit të dytë, që sot duket e tejkaluar.
Lirika e natyrës
Në natyrën e atdheut poeti gjen krenarinë kombëtare, por ndryshe prej shumë romantikëve, nuk e përjashton elementin njerëzor prej saj. Për shembull, portretizimi i bareshës shihet si tipik romantik.[5] Është theksuar cilësia mistike e peizazhit, i cili nuk e njeh dhimbjen apo vuajtjen e punës së paprerë.[6] Perifrazat, një retorikë e zgjatur që thotë një gjë të vetme, vijnë si reminishenca të neoklasicizmit në ikje. Ose të poezisë së Lindjes. Atë e shohim edhe te lirikat, por është shumë e njohur edhe nga Bagëti e bujqësia.[7]
Në këtë ndërtim madhështor poetik, gjithsesi, nga pikëpamja e konceptit të Roland Barthes-it për ligjërimin, kemi një ligjërim klasik, diçka si “mendim i vënë në vargje”. Sidoqoftë, pas Milosaos, dhe Vajit të Bylbylit më pas, poema Bagëti e bujqësia tregoi mundësitë e prodhimit letrar të shqipes. Kujtojmë se te “Bagëti e Bujqësia” mund të takohen poezia e atdhedashurisë,[8] poezia bukolike[9] dhe një stil sentimentalist ala rusoian.[10]
Lirika filozofike
Botëkuptimi panteist, por ndryshe nga De Rada, tashti bektashi, i përshtatej aq mirë motivit filozofik të romantizmit evropian, pra perëndia është njësh me botën, ka ekzistuar dhe ekziston përjetësisht në të. Vetë njeriu është pjesë e kësaj Njësie.[11]
Veçse, si romantik, Naimi nuk është subjektivist, siç është kjo veti e romantizmit në përgjithësi. Këtu do të na hynte në puna analiza me formën e heroit lirik, që ekziston pothuajse gjithmonë jashtë kohës dhe hapësirës: përvojat, ndjenjat, emocionet e tij rrjedhin “gjithmonë” dhe “kudo”. Naimi shkruan rrallë për veten.[12]
Ia vlen të ndalemi te poezia “Koh’ e shkuarë”, një titull që fare lehtë mund të shndërrohej në “Melankolia”, si një moment i dijes njerëzore. Me një perifrazë mjaft të gjatë me figurën e zogut që zhytet në dimër, ndërtohet melankolia që në estetikën kantiane barazohet me vetminë e pikëllimin, por si kategori superore, përtej të bukurës, duke kaluar te e madhërishmja.[13]
As besimi panteist nuk e ngushëllon.[14]
Vlen të përmenden edhe disa vargje, ku, ndërsa përpiqet të gjejë shkakun e gjërave, hiqen paralele me romantikun italian Leopardi:[15]
Lirikë e dashurisë
Cikli “Bukuria” mbetet një nga krijimet më të përsosura të Naimit, por për studiuesit është e vështirë të thuhet nëse kjo lirikë niset nga baza reale, subjektiviste, si të romantikët e tjerë, apo janë poezi konvencionale, si poezitë e Lindjes, sepse Naimi, sipas tyre, në jetë nuk shihet si një dashnor i zjarrtë. Pra, poezitë nuk i përkasin ndonjë aventure dashurore, siç ndodhte përgjithësisht me romantikët, por janë shprehje e adhurimit mistik për Bukurinë që shfaqet te deti i Njësisë, sipas besimit panteist.[16]
Rezultati janë 16 lirika që bëjnë një poemë eterne, e cila i shpëton ndrydhjeve muzeale apo referenciale, duke siguruar “të tashmen” e saj, sipas konceptit të formalistëve. Lirikat nuk kanë data, kështu që shohim një vetëdije të lartë për procesin e vazhdueshëm në laboratorin krijues, që na shtyn të mendojmë se ai e dinte atë që shprehu Asdreni më vonë: që një ditë politika e letërsia ndahen veç e veç.
Roli i poetit udhëheqës ose kanon dhe kritika ndaj tij
Naimi është poeti udhëheqës për poetët e Shqipërisë, sidomos ata të të Jugut, si Çajupi, Asdreni etj. Ndikimi naimjan te Çajupi duket nga vargjet e mëposhtme, të cilat Naimi i pat shkruar në poezinë Atdheu:
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
……….
Pranë teje patën qeshur, patën qarë
Ndërsa te poezia Mëmëdheu Çajupi shkruan:
Stërgjyshërit e mi ku kanë qënë
Dhe varret q’i kanë vënë
……………
Ku kam qeshur, ku kam qarë
Edhe te motivi i dashurisë, Çajupi është dishepull i Naimit. Krijon një cikël me titullin Dashuria, por, në thelb, edhe ndryshon prej tij.
Naimi e fillon kështu ciklin Bukurija:
Do të këndoj Bukurinë,
E të lëvdonj Perëndinë.
Ndërsa Çajupi e fillon kështu ciklin Dashuria:
Do të lëvdoj Dashurinë
Barambar me Perëndinë.
………..
S’e kam parë Bukurinë,
Shoh ngaherë Dashurinë.
Për të thënë se ku mund të jetë ndikuar Çajupi nga Naimi, duhet të sjellim ndërmend vargjet ku përfytyrohet natyra e Labërisë, të cilat të sjellin ndërmend pjesë nga “Bagëti e Bujqësia”, por me një peizazh më tepër romantik, ku shkohet drejt një simbolike që pasqyron botën e brendshme të heroit lirik, sesa bukolik,[17] si për të thënë se, pavarësisht ndikimit, ai ka sytë e tij për të parë, duke bërë një farë defamiljarizimi, siç do të thoshin formalistët rusë.[18]
Te poezia “Mister”[19] Asdreni, për të zgjidhur misterin e shpirtit dhe frymës i drejtohet fenomenit të metempsikozës që, edhe pse vjen nga kohët mitologjike, është fenomen i modernitetit, pra pasneoklasik. Metempsikoza, si zhvendosje shpirtrash nga një trup në tjetrin, është mistike, kështu kjo poezi e tregon Asdrenin vazhdues të panteizmit naimian.[20]
Mëshimi i idesë së filozofisë së tij panteiste, duhet kuptuar jo si mendim panteist i vënë në vargje, po si shfrytëzohet panteizmi për të bërë poezi. Duhet thënë se Naimi e pat shprehur panteizmin edhe në vjershërime që nuk bënin poezi,[21] por thjesht enumeracione të shumta, të cilat, meqë i përdor shumë, Koliqi ia shikon si e metë që i vjen nga letërsia lindore. Funksioni poetik nuk vjen bindës.
Ndryshon puna kur flasim për poezinë Zëmëra, ku mbizotëron metoda romantike e paralelizmit psikologjik midis natyrës dhe gjendjes shpirtërore. Ose e analogjisë. Pra, peizazhi është në shërbim të meditacionit filozofik. Te Naimi, ndryshe nga romantikët, natyra nuk është konkrete, por në përmasat e mistikës. Si te romantikët kemi ndjenjën e nënshtrimit dhe të trishtimit, por te Naimi këto zbuten me eliksirin panteist. Nëse do të mbeteshim te interpretimi për mistiken e shtrirë në vargje, do të flisnim thjesht për një mendim të vënë në vargje, por Naimi i shpëton kësaj. Ai e shpëton poezinë me një gjetje poetike, kur thotë:
O det i thell’ e pa anë!
Që ke brënda gjithësînë,
Nga ti dalin gjithë ç’ janë,
Edhé prapë tek ti vinë.
Gjer sa të vinj’e të bjerë
Pik’ e shpirtit t’ im si lumi,
Në det të math e të gjerë,
Zëmrën t’ime s’e zë gjumi!
Pra, heroi lirik nuk është vetëm njeriu që mendon e arsyeton si neoklasik, por edhe njeriu që ndjen si romantik.
Ia vlen të kujtohet strofa që qëndron sipër këtyre dyjave. Duket sikur imazhi i saj është marrë drejtpërdrejt nga natyra, ndryshe nga zakonisht, dhe e afërt me poezitë e imazhinistëve. Është një strofë që duhej të kishte hapur rrugë të reja për poezinë shqipe:
Shiu bje, dheu gjelbërohet
Dhe vera vjen e gjen varrë,
Varri me fletë mbulohet
Dhe rrëkeja shkon ta marrë.
Për një kohë relativisht të shkurtër, shkroi, pa harruar prozën, rreth 30.000 vargje, saqë duket sikur nuk ka kohë t’i ripunojë, apo t’i shpëtojë proliksitetit dhe përsëritjeve, megjithatë te “Lulet e verës” (më saktë, te cikli “Bukurija”) ai la disa nga vargjet më të bukura të shkruara në shqip.
Një punë të veçantë bëri për pasurimin e prozodisë shqiptare. Ai përdori strofat më të zakonshme të bejtexhinjve – ABAB, AAAB – por solli edhe vargje e strofa të reja nga letërsitë evropiane, që qenë përdorur edhe nga Zarishi e De Martino; këto qenë vargjet teke, 10-rrokëshi i dyzuar, vjershat ne vargje të përziera apo strofat gjashtëshe.[22]
Kemi parë se bën thyerje interesante të vargjeve. Megjithëse shumë rrallë, ai përdor bartjen, si te poezia “Gjuha jonë”:
Po sot pendë e kartë
Na duhet, nukë tjetër.
Ja dhe një apokopë mjeshtërore, nga poezia për fëmijë “Zogu dhe djali”:
Mua të lirë më bën Zoti,
Përse më bën rop’ nga unë ç’do ti?
Konica – më 1897, duke pasur parasysh Lulet e verës, i quan ato poezi gracioze e të freskëta, por Konica – më 1901, kërkonte prej tij gjëra më pak të nevojshme, pra më të bukura – kriza e romantizmit shqiptar – dhe jo të vëna në shërbim drejtpërdrejt. Pastaj Konica – 1906, e mohon plotësisht – si atdhetar i nxehtë,
Me tone më të zbutura, sigurisht, edhe Çabej mbron këtë ide: Pak krijimtari të nivelit artistik. Çabej vazhdon: Naimi patriot panshqiptar e jo lokalist, Naimi idealist është bërë me të drejtë një simbol për nacionin shqiptar, gati një mit, një legjendar. Nga ana tjetër, kritika letrare duhet të studiojë shkrimtarin.[23]
Përgjigjen e pyetjes së mësipërme ndoshta duhet ta kërkojmë te fjalët e Ernest Koliqit:
Nga diçka që përbën thelbin e poezisë së tij – Mistika orientale në rrobën e bektashizmit, e cila shprehte veti të romantizmit shqiptar e evropian:
Dashuria ndaj natyrës dhe të tjerëve, një vëllazëri mes njerëzve.
Ose:
Naimi na ka falun i pari dashuninë për natyrë. Ai nuk don qiellën e rrëzshme, malin e kjedhtë, fushën e blertë për kënaquni bukurie qi u dhurojnë syve të tij, por se janë simbol i gjalljes, i pastrimit të shpirtit. Shpirti bahet dritë, shkrihet në erë të luleve, dridhet në ujna ndritë në hyj, bashkohet me çdo thermi, noton në detin e gjithsisë, me vargjet që ai na la i dha letërsisë sonë ndiesitë mistike panteistikë.
Çajupi, Asdreni apo Poradeci u shprehën me anë të ndikimit, jo të pakët, që patën prej tij.
Është shumë e rëndësishme të vëmë në dukje se servirja e Naimit si një poet thjesht misionar, e ka vrarë poezinë e tij. Ai ka çfarë t’i thotë poezisë shqipe jo vetëm si misionar, por edhe thjesht si poet. Si përgatitës tekstesh shkollore për fëmijët, Naimi nuk mund t’i shpëtonte poezisë didaktike, por ashtu si De Rada, ai mbetet për t’u parë, duke e qëmtuar në vargjet më të arrira, edhe si poet i modernitetit shqiptar.
[1] Shejzat (Le pleiadi) , vjeti I, 1958, nr. 07-08, fq. 254
[2] Shejzat (Le pleiadi) , vjeti I, nr. 04-05, Fq. 116
[3] As hidhe gardhë,/ Shpejto pakë,/ O dit’ e bardhë, (Përse)
[4] Gjuha jonë sa e mirë,/ sa e ëmbël, sa e gjerë…
[5] Vashë bukurosh’ e bariut, që vjen me llërë përveshur,/ Me zëmërë të dëfryer, e më buzëtë të qeshur,/ Me dy shqerrazë ndër duar të bukura si edhe vetë,/ Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur në jetë.
[6] Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbl’i bagëtisë,/ Qëngji dhe kec’i bukur, që rri mbi gjunj e pi sisë!
[7] Kur dëgjon zëthin e s’ëmës, qysh e le qengji kopenë,/ blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,/ edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë/ e ta trembin, ai s’kthehet, po shkon në mest si shigjetë,/ ashtu edhe zemëra ime më le këtu tek jam mua,/vjen me vrap e me dëshirë aty ndër viset e tua.
[8] Ti Shqipëri më ep nderë, më ep emërin shqipëtar…
[9] Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë…
[10] Mëndje, merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,/ nga brenga, nga thashëthemet, nga rrëmuja dhe rrëmeti.
[11] Po shpirti që s’vdes/ S’ka mbrëm’e mëngjes…/ Se vdekja s’e zë dot.
[12] Siç ndoshta mund të duket në këto vargje:/ M’iku me vrap djalëria/ E më la mbi dhe të shkretë,/ Më erdh shtriga pleqëria/ Pshehtazi, si qen i qetë…
[13] O moj kohëz’ e djalërisë,/ Sa me vrap ike dhe shkove!
[14] Le të bëhet urdhëri yt,/ Zot’ i madh e i vërtetë./ Po pse të na mbetej në syt’/ Kjo koh’ e shkuar e shkretë?
[15] “Po vall ku vanë?/ Përjetë u mërguan?/ Apo u ndryshuan/Po shpirti që s’vdes/ S’ka mbrëmje mëngjes/ Ku ka fluturuar?”/ “Njeriu i shkretë/ Lindtka për të vuar?” Kemi te Leopardi: …Thuajmë ku synon/ Ravgimi im i shkurtër?/ Çfarë bën ajri i pafund, ajo pafundësi/ E thellë dhe e kthjelltë? Ç’do të thotë / Kjo vetmi e pamasë? Po aty (përkthim i Kostaq Cipos) Shih Jorgaqi, Nasho. Antologji e mendimit estetik shqiptar. Dituria. Tiranë 2000, fq. 202
[16] Do të këndoj Bukurinë/ E të lëvdonj Perëndinë.
[17] Ndryshe nga Naimi, Çajupi nuk e fsheh anën e papëlqyeshme dhe nganjëherë të shëmtuar të jetës fshatarake: Bariu, shokë, bariu, / Kur gjëmon e fryn veriu,/ Është përjashta fatziu,/ E rreh breshri edhe shiu. Apo: Burrat nënë hije/ Lozin, kuvendojnë,/ Pika që s’u bie, Se nga gratë rrojnë. Shpesh këto poezi duken të ftohta, sikur janë mimesis, por shërbejnë si sfond për të shpërthyer ndjenjat e poetit. Moj e mjera grua/ Ç’e do burrë zinë/ Që ftohet në krua/ Dhe ti mban shtëpinë! Me këto lirika ai hedh hapin nga realizmi, të cilin do ta shohim sidomos te poema dramatike “14 vjeç dhëndërr”.
[18] O Labëri, sa të dua,/ pyjet e kodrat e tua,/ ato gryka, ato male/ ku dhe zogu shkon ngadale;/ shkëmbenj dhe shpella si thikë,/ që t’i shikojsh të vjen frikë/ …/ Udhëtari nga të vejë,/ Mal këtejë, mal andejë;/ Ndë mes, një lum i habitur/ Vërtitet duke buçitur./ Lisa të gjer’e të gjatë/e bëjnë ditën natë.
[19] Nuk di, në trupin tim në kam/ Një shpirt, dikur që munt ka rrojtur/ Që munt ka qeshur a vojtur,/ Nuk di, në brum’ i tija jam.
[20] Raportin e vet me Naimin Asdreni e jep atëherë kur shkruan: Naim Frashëri në vjershat e tij s’ka pasë metrikë, ashtu siç e don rregulli i poezisë, edhe unë, tue e marrë atë shpeshherë si pasqyrë, nuk u kujdesova për të ramë pas metrikës; në vëllimin e parë kjo, pastaj në të dytin “Ëndrra e lotë” e ndryshova sistemin, por jo të pakta ishin edhe kuvendimet që pata dendur me të ndjehunit Luigj Gurakuqi. (Jorgaqi, Nasho. Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944. Naim Frashëri. Tiranë 2000, fq. 218)
[21] Kudo është Bukurija,/ Në qiej, në dhe, në hënë,/ Në diell, në shenjë, në yj,/ Ndër lule, ndër drurë, ndë pyje/ Çdo vënt që të ketë zënë,/ Atje tfaqet Perëndija,/ Po këtu është e tërë/ Dhe ajo tin është bërë.
[22] Po aty
[23] Jorgaqi, Nasho. Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944. Dituria. Tiranë 2000, fq. 208
NO COMMENT