SI TA LEXOJMË LETËRSINË SHQIPE

Romantizmi si drejtim letrar

Gazmend Krasniqi

Njohja e modelit klasik dhe neoklasik është shumë e rëndësishme kur flasim për çështjen e periodizimit.

A mund ta vërtetojmë se romantizmi shqiptar është një kontekst i romantizmit në përgjithësi, qoftë edhe pak periferik, siç ishte në përgjithësi për shumë vende të Evropës? Cilado mënyrë verifikimi do të zgjedhej vetëm në plan krahasues, siç kanë bërë edhe popujt e tjerë, duke e parë në një raport progresiv.

Në përgjigje të pyetjes: Çfarë solli romantizmi?, kujtojmë që para se të themelohej si shkollë në Gjermani nga fillimi i shekullit XIX, dhe përpara se të dilte vetë emri “romantik”, romantizmi ishte përgatitur si frymë e kohës dhe si atmosferë shpirtërore që në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, përmes disa cilësish, si:

  • Mbledhja e krijimtarisë popullore

Më 1765, në Angli qenë botuar në anglisht këngë epike gale, të gjuhës kelte, të mbledhura, siç pretendon poeti skocez James Macpherson, nën titullin Këngët e Osianit, sipas emrit të një bardi legjendar. Kjo vepër dhe të tjera si ajo, ndezën shpirtrat e kontinentit, midis të tjerëve edhe Goethe-n e ri, si dhe nxitën kudo që ta imitojnë atë. Disa kritikë të rëndësishëm britanikë e quajtën mashtrues, se i kishte shkruar vete ato këngë epike, por të tjerë kritikë e mbrojnë, duke pretenduar se ka këngë të vjetra në gjuhën keltike. Letërsia që u ndikua nga kjo mënyrë shkrimi, u quajt osianizëm.

Në letërsinë shqipe, krijimtaria popullore që u mblodh nga George Hahn, Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine etj.,[1] qe përcaktuese në krijimtarinë e Jeronim de Radës, Gavril Darës (i Riu) dhe Zef Skiroit, të cilët i ngritën vargjet poetike drejtpërdrejt nga vargu popullor arbëresh, prandaj mund t’i quajmë osianike, por edhe të Fishtës, Çajupit etj., lënda e të cilëve shpesh është aq popullore, siç e vërtetojnë studiues të ndryshëm.

  • Kthimi në natyrë

Në Francë, Jean Jacques Rousseau-i (Zhan Zhak Ruso) e merr termin “romantizëm” në kuptimin e piktoreskes e të melankolikes, për të treguar një ndjenjë a gjendje të këndshme shpirtërore, shpesh nostalgjike, që shkaktohet nga kundrimi i peizazhit. Pra, përballë njeriut të qytetëruar ai kishte nxjerrë tipin e njeriut të natyrës. Me këtë ai themeloi kultin modern të natyrës.

Në letërsinë shqipe, kultin e natyrës e gjejmë te De Rada, Serembe, Naim Frashëri dhe te të gjithë ata që kaluan përmes frymëzimesh romantike.

  • Jeta në armiqësi me mjedisin

Shkrimtari François-René de Chateaubriand-i (Fransua Rene de Shatobrian) solli në literaturën frënge atë mall për vende të mërguara dhe atë ndjenjë religjioze që u bënë më vonë elemente kryesore për romantizmin. Në veprat e këtij shkrimtari na del përpara shtati i heroit që, duke jetuar në armiqësi me mjedisin, mbetet përgjithmonë rob i pesimizmit në jetë, i mal du siẻcle – it. Ky hero rron i vetmuar, prandaj edhe romantizmi është poezia e vetmisë.

Në letërsinë shqipe, heroi i vetmuar dhe poezia e vetmisë gjendet në masë të madhe te Serembe, por disa herë edhe në frymëzimet romantike të disa poetëve te tjerë, si Çajupi apo Asdreni.

Kujtojmë që termi “romantik” qe shfaqur pёr herё tё parё nё Angli dhe kishte kuptimin e poezisë romane, që ishte ndryshe nga poezia e trashëgimisë greko – romake. Mё pas, me termin “romane” parakuptohej poezia franceze, e cila ishte njё poezi qё bazohej te ndjenja, derisa ky term mori tё tjera ngjyresa, sepse pёrfshinte piktoresken, primitiven, nostalgjinë dhe njё vepёr qё bazohej te ndjeshmёria dhe fantazia.

Nё Gjermani krijohen parimet themelore estetike dhe filozofike mbi tё cilat ngrihet romantizmi europian. Do tё jetё poeti Novalis, i cili ia kundёrvuri termin romantik letёrsisё tradicionale, duke thënë qё tashmё nevojitet njё shprehi e re poetike, e cila duhej bazuar nё njё program konkret estetik.[2]

Studiuesit ia kanë dalë të ndërtojnë historinë e këtij drejtimi letrar, duke na dhënë edhe përcaktimin e tij. Nëse i referohemi një përcaktimi të karakterit enciklopedik, aty romantizmi përshkruhet si:

  • Një lëvizje letrare dhe një ndryshim i thellë në ndjeshmëri, që ndodhi në Britani dhe në të gjithë Evropën afërsisht midis 1770 dhe 1848.
  • Intelektualisht shënoi një reagim të dhunshëm ndaj iluminizmit.
  • Politikisht ishte i frymëzuar nga revolucionet në Amerikë dhe Francë…
  • Emocionalisht shprehte një pohim ekstrem të vetvetes dhe të vlerës së përvojës individuale… së bashku me sensin e së pafundmes dhe transcendentales.
  • Shoqërisht mbrojti shkaqe progresive…
  • Kryefjala stilistike e romantizmit është intensiteti, ndërsa kryefjala e tij është Imagjinata.[3]

Atyre që nuk e pranuan romantizmin si një lëvizje e konsoliduar, iu kundërvu kritiku dhe teoricieni  René Wellek, në punimin “Koncepti i romantizmit në historinë letrare”:    

Nëse shqyrtojmë karakteristikat e letërsisë aktuale, që u vetëquajt ose u quajt “romantike”, gjejmë, në të gjithë Evropën, të njëjtat koncepte për poezinë, për funksionimin dhe natyrën e imagjinatës poetike, i njëjti konceptim për natyrën dhe raportin e saj me njeriun, dhe në thelb i njëjti stil poetik.

Duke u kthyer te Anglia, mund të shohim një marrëveshje të plotë me francezët dhe gjermanët në të gjitha pikat thelbësore. Poetët e mëdhenj të lëvizjes së romantizmit anglez, përbëjnë një grup mjaft koherent, me të njëjtin këndvështrim për poezinë dhe i njëjti konceptim i imagjinatës, e njëjta pikëpamje e natyrës dhe mendjes. Ata ndajnë gjithashtu një stil poetik, një përdorim të imazheve, simbolizmit dhe mitit, që është mjaft e dallueshme nga çdo gjë që ishte praktikuar deri në shekullin XVIII, dhe që u ndje nga bashkëkohësit e tyre si e errët dhe pothuajse e pakuptueshme.[4]

Pra, ideali romantik, në kundërshtim me idealin konkret dhe të arritshëm për mishërim të klasicistëve, u shfaq në kundërshtim të përjetshëm me realitetin kalimtar: bota është e përsosur si ide, por e papërsosur si mishërim, sepse realiteti është larg idealit, dhe ëndrra duket e parealizueshme. Te aspirata drejt asaj që mungon (mungon qetësia dhe plotësia shpirtërore), ai mori forma nga më të ndryshmet.

A mund të veçojmë disa përcaktime dhe të përpiqemi të kuptojmë se si ndodhi përplasja e tij me neoklasicizmin të cilin po e zëvendësonte? Për më tepër, a mund ta shohim të aplikuar këtë në letërsinë shqipe.

Neoklasicistët – Siç kemi thënë më parë, shqyrtonin shoqërinë dhe tregonin interes për realen dhe për arsyen, duke u dhënë rëndësi logjikës dhe arsyes (pra, njeri i drejtuar nga koka), si dhe duke theksuar strukturën, përmbajtjen dhe objektivitetin. Ishin të interesuar për kënaqësitë të bëra familjare, për të njohurat dhe ato konvencionale – siç e pamë në ilustrimet nga Fishta, apo do ta shohim në ato nga Nicolas Boileau dhe Horaci – si dhe kishin një vizion të një bote statike, një natyrë që pasqyron rendin dhe harmoninë e Zotit. I referoheshin Greqisë dhe Romës së lashtë, duke përdorur tema nga mitologjia dhe historia klasike dhe duke i imituar ato. Krijimi artistik, ashtu si shkenca, ndiqte rregulla të sakta dhe bazohej në arsye:

“Në Artin e mirë, frymëzimi duhet të kontrollohet nga gjykimi” (Boileau)

Romantikët – Shqyrtuan natyrën dhe treguan interes për idealen, ndjenjat dhe emocionet, duke i dhënë rëndësi përvojës së vetvetes (pra, njeri i udhëhequr nga zemra), si dhe duke theksuar imagjinatën, emocionin dhe subjektivitetin. U interesuan në kërkimin e ndjesisë, në të panjohurën dhe në të mbinatyrshmen si dhe kishin një vizion të një universi dinamik: universi ishte një forcë krijuese, e papërsosur dhe e ndryshueshme, duke rikrijuar gjithmonë vetveten. Iu referuan mesjetës, por jo duke e imituar; e rishikuan përmes imagjinatës së tyre. Krijimi artistik duhej të ishte një proces spontan natyror dhe origjinal që dilte nga shpirti i brendshëm:

“Nëse Arti nuk vjen spontanisht, pothuajse në mënyrë të pavetëdijshme si gjethet në një pemë, më mirë të mos vinte fare” (Keats)

Nga Milosao:

Një hare m’u rrodh te kurmi,

si harea mbrëmjes te shtrati,                 

kur vajza e ngrohët

ndien për të parëzën

sist çë m’i frihen.

Neoklasicistët – Përdornin kryesisht kupletin heroik[5]. Përmendim me këtë rast veprën madhore të neoklasicizmit “Arti poetik”, të Nicolas Boileau (Nikola Bualo), e cila edhe në shqip ka ardhur me vargun e origjinalit, vargun aleksandrin: 12-rrokëshi francez që në shqip vjen si 14-rrokësh.

Më kot nj’autor i krisur, mes artit t’poezisë,

N’Parnas mendon t’arrijë në kulm të lartësisë:

Nëse nuk ndien nga qielli atë ndikim të fsheht’;

Nëse nuk është thënë të lindet një poet.[6]

Romantikët – Përdorën forma vargjesh të larmishme. Në romantizmin evropian i jepet një vend i rëndësishëmpoezisë lirikenë klasifikimin zhanror. De Rada e kishte shkruar te punimi i tij Parimet e estetikës se thelbi i artit është poezia. Në Shqipëri, siç kishte ndodhur edhe në disa vende ballkanike, u kultivuan edhe eposet.

Forma vargjesh të larmishme u përdorën edhe në romantizmin shqiptar, që nga vargu popullor arbëresh e deri të poezitë e Naimit, Serembes, Mjedjes, Çajupit, Fishtës, Asdrenit etj. Naimi e dyzon 8-rrokëshin:

            Tek këndon thëllëza me gaz edhe zogu me dëshirë,

e qyqeja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,

Por përdor edhe një varg të rrallë, 2-rrokëshin:

Zot! 
Sot 
Jam, 
Kam, 
Shoh, 
Njoh, 
Rronj, 
Shkonj; 

Odejau çlirua prej disa pengesave formale nga romantizmi. Në parim, nuk ruajti formë të sakta. Kujtojmë poezinë e Preng Doçit, për shembull. Ose Nji lule vjeshtet. Elegjia, në frymën e lartpërmendur të odes, qe një nga format më të shpeshta të poezisë lirike romantike.

Neoklasicistët – Mendonin se roli i poetit ishte të rishprehte njohuritë e tij për botën në mënyrë racionale dhe objektive pa lejuar që emocionet të ndikojnë tek ai. Përdornin një ton të qetë dhe racional.

Vazhdojmë me një ilustrim tjetër nga “Arti poetik”:

Ndërkohë, thonë, një ditë, kjo Perëndi mendoi

T’i zemërojë vjershëtarët francez’ mes një sekretit.

Dhe shpejt shpiku ligjet e rrepta të sonetit.

Kërkoi që në dy strofa katërshe dhe njëlloj,

Me dy tingëllima rima tet’ herë të kumbojë[7]

Ia vlen të kujtojmë modelin klasik ku është mbështetur, që është “Arti poetik” i Horacit.

Mirëpo, mos i vër në skenë veprimet që duhen kryer jashtë

dhe largoji sysh ato që aktori do t’i thotë vetë.

Të mos i mbys Medeja fëmijët e vet para botës,

o të mos i ziejë zorrët e njeriut Atreu jashtë

ose të mos shndërrohet Prokna në zog, e Kadmi në gjarpër.

Kështu çdo gjë që të më tregosh, e urrej si të pabesueshme.[8]

Një ilustrim me shumë vlerë, meqë këtu kemi një krijim të shqipes, do të ishte fragmenti nga poezia e gjatë e Fishtës Prozedi latine, Rregulla të përgjithshme mbi shkurtësinë e gjatësinë e rrokjeve (Perkthime prej latinishtes), por të dhëna në tercina danteske, ilustrimin e të cilit e kemi dhënë tashmë.

Romantikët – Mendonin se roli i poetit ishte të shprehte ndjenjat e tij pa lejuar që rregullat e jashtme të ndikonin tek ai. Kujtojmë shpërthimet e Serembes:

Iktin retë: e qielli u buthtua

I stolisur illesh e gëzoj dhenë.

Zemra ime, thellë në gji,

Te një det idhënimesh mbitet.

Gjithashtu, përdorën një ton spontan dhe (shpesh) me humor. Asdreni, për shembull.

Dil hënë

Ndaj dera,

Ço zënë

Si shqerra!

Dil çupë

Se ngriva –

Ngrit kupë.

U piva.

Sa shije

Ka vera!

Është pije

Për derra.

Neoklasicistët – Diksioni i tyre poetik qe një gjuhë artificiale, që përdorte fjalë të pazakonta dhe të mësuara, latinizma dhe perifraza, siç pamë tek ilustrimet nga Fishta, Nicola Boileau dhe Horaci. Arti poetik tërhiqte vëmendjen:

Përkundrazi, ky tjetri, me një gjuhë vulgari,

U vë në gojë barinjve një t’folme prej fshatari;[9]

Këtu është ideja është se për neoklasicistët edhe idilet duheshin trajtuar me frymë madhështore.

Romantikët – Siç thamë, romantikët e panë diksionin poetik të neoklasicistëve si një bashkim normash që marrin në konsideratë një frazeologji artificiale, një përdorim sajesash për të lartësuar ligjërimin, por që teprohet me të. Si një trashëgimi që poetët duhet ta mbajnë si të detyrueshme, por që nuk ka të bëjë me efikasitetin e poezisë.

Si rezultat, romantikët u përpoqën të përvetësonin një gjuhë shumë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, atë të folur vërtet nga njeriu dhe që ishte më afër masave. Sipas Wordsworth, duheshin ndodhi dhe situata nga jeta e zakonshme, duke i rrëfyer “me një përzgjedhje të ligjërimit që përdoret zakonisht nga njerëzit”.[10] Ai mendonte se poezia nuk duhet të jetë një ushtrim i ftohtë retorik. Mësimet e tij depërtuan gjithandej, duke çelur dyer të reja për një poezi që do të shkruhej atëherë, por edhe për një poezi që do të vinte më vonë: një poezi ku poeti i këndon ndjenjave të veta, shpesh edhe me një gjuhë narrative.

Fakti që shumë poezi u bënë popullore, tregon se edhe romantikët tanë i kushtuan rëndësi këtij aspekti: pra përdorimit të gjuhës së folur. Kujtojmë Pashko Vasën dhe Naim Frashërin. Duhet përmendur se, kur romantikët flasin për poezinë popullore, nuk kanë parasysh medoemos një poezi të lindur nga populli, por edhe një poezi që do të shijohet nga shtresat e gjera të shoqërisë. Kjo për shembull ndodh me romantikët italianë.[11] Në letërsinë shqipe ky është shembulli naimian. Poezia e Naimit nuk i kishte burimet në popull, por në ndikimet sidomos nga poezia e Orientit, sidoqoftë ajo kërkonte rrugët e një komunikimi sa më të efektshëm me lexuesin shqiptar. Këtë komunikim e synoi edhe Ndre Mjedja me Vajin e bylbylit, ku kërkoi leksikun e përdorimit të përditshëm, megjithëse qe poet i formimit klasik dhe tregonte kujdes të veçantë për vargun, strofën apo ndërtimin sintaktik. Kjo ishte më e thjeshtë për De Radën apo Zef Skiroin, për Fishtën apo Çajupin, që i kishin rrënjët te poezia e popullit.

Si përfundim: mund të themi se tiparet e mësipërme na ndihmojnë të hulumtojmë për periudhën kohore ku shtrihet në letërsinë shqipe drejtimi letrar i quajtur romantizëm. Apo edhe si metodë akohore. Kështu mund të vëmë në dukje tekstet:

  • që jepnin frymën e parë romantike
  • që plotësonin shumë nga kushtet e këtij drejtimi letrar
  • që mbartnin frymën e tij, kur ky drejtim letrar filloi të zbehej dhe t’i mbetej vetëm kujtimi

[1] Gottfried Bürger (1747-1794),një nga poetët kryesorë të grupimit “Stuhi e Vrull”, autor i shumë baladave, romansave dhe soneteve, midis të cilave edhe balada e mirënjohur “Leonora”. “Nëna Lenora dhe djali Wiliam”, që rrëfen se i vdekuri, për të vënë në vend fjalën e dhënë për së gjalli, ngrihet nga varri e vete e merr të gjallën. Kjo baladë me bukurinë e saj ndikoi që të përdorej përvoja e folklorit gati nga gjithë poetët romantikë të Gjermanisë. “Qysh në shekullin e XVIII u kërkua dhe doli se variantet e kësaj balade të mrekullueshme, me ndryshime të pjesëshme të ndonjë detaji ose emri e gjuhe (Lenorë, Ellenorë) etj., ekzistonin edhe në folklorin e shumë vendeve të tjerë. Variantet e kësaj balade në folklorin e vendeve ballkanike i pat studiuar hollësisht dijetari bullgar Shishmanov. Të shumta kanë qenë variantet e këngës së Lenorës edhe në viset e ndryshme të banuara nga shqiptarë. sidomos M.Lamberci, por edhe albanologët të tjerë gjermanë kanë qenë interesuar për veçoritë e varianteve të folklorit tonë dhe me studimin e moshës, gjuhës, krahinave të shtrirjes së saj dhe kanë dalluar variantet e arbëreshëve të Italisë në botime të De Radës, Dhimitër Kamardës, Zef Skiroi etj. Edhe në vendbanime të tjera shqiptare si në jug (varianti pa emër i Th.Mitkos), i Zagories e Përmetit, por edhe tek arbëreshët, arvanitasit e Greqisë. Dallohen emrat sipas krahinave të ndryshme (në Itali quhet kënga e Konstandinit dhe Garentisë, ose Doruntinës). Në Veri quhet Halili ose Alija i Vogël, kurse në Çamëri përmendet me emrin e Kostës së vogël dhe Dhoqinës. Spikat ndër varintet e folklorit tonë se vdekja e “nëntë fëmijëve shkaktohet nga lufta” dhe përsëritet gjithnjë martesa në vende të largëta, që e thërret nëna e ve t’i kthehet, sipas besës së dhënë nga Kostandini, i cili del nga varri dhe e sjell të motrën që e takon me të ëmën dhe vdesin të dyja në përqafim nga malli dhe nga helmi. Dhe si plotëson besën e dhënë, Konstandini kthehet rishtas në varr. kjo baladë është shfrytëzuar në veprat letrare të disa poetëve arbëreshë e shqiptarë, përgjithësisht, të krahut romantik. (E.Çabej – Në botën e arbëreshëve të Italisë, 1987).

[2] Koncepti romantik si vetëdije krijuese, me njё program tё shkruar kulturor dhe estetik, nisi nё Gjermani nё vitet 1798-1800 nёn drejtimin e Fridrih Shlegel-it, i cili nё vitin 1798 boton në revistёn “Atheneum” manifestin e romantizmit. Ky manifest hartohet nё bashkëpunim me Novalis-in dhe Shelling-un. Manifesti i romantizmit kёrkon njё qytetërim tё ri, njё estetikë tё re, njё filozofi tё re, njё konceptim ndryshe tё religjionit dhe patjetër njё letërsi tё re.

[3] Në botimin e pestë të The Oxford Companion to English Literature (Drabble 1985: 842–43)

[4] Wellek, Rene.  The Concept of “Romanticism” in Literary History’ (Wellek 1949: 147, 158–59)

[5] Varg karakteristik i klasicizmit. Një kuplet i zakonshëm përbëhet prej dy vargjesh që ndjekin njëri – tjetrin, përgjithësisht duke rimuar dhe me të njëjtën gjatësi metrike. Një kuplet heroik është ai tip i kupletit që shtjellon tema heroike. Në poezinë angleze u përdor pentametri jambik. Në poezinë franceze vargu aleksandrin. Gjithsesi, gjatësiae vargjeve varion. Në poezinë shqipe, për inerci, sidomos në epikë, u përdor edhe në romantizëm. Mund të themi se te Lahuta e Malcis Fishta përdori si kuplet 8-rrokëshin shqiptar. Pater Gjoni, Zot! ç’u bâ?/ Fill te Pasha po kisht’ rrâ.

[6] Bualo, Nikola. Arti poetik. Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2012, fq. 41

[7] Bualo, Nikola. Arti poetik. Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2012, fq. 59

[8] (Horaci, Letër…,182-188), përkthim i Engjëll Sedajt.

[9] Po aty, fq. 54

[10] Sipas D’Angelo. Paolo. Estetika e romantizmit. Albas. Tiranë 2020, fq. 148

[11] Po aty


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.