SI TA LEXOJMË LETËRSINË SHQIPE

MODELE KRIJUESE PARAROMANTIKE

Gazmend Krasniqi

                Statusi i krijuesit pararomantik, që zhvillohet në kushtet e një letërsie të qarqeve kulturore, do të na ndihmonte ta kishim më të qartë statusin e krijuesit romantik, që do ta pasonte atë.

                Humanizmi që zhvillohet në latinitetin arbër (shqiptar), me vepra me tematikë tipike humaniste, si ato të Barletit, Historia e Skënderbeut apo Rrethimi i Shkodrës, apo Apologjia e Skënderbeut e Pashk Bardhit, nuk na lejon ta shohim atë si letërsi shqipe, që do ta shtrinte ndikimin në atë që do të vinte më pas, po vetëm si shqiptare, siç është parë në botimin Historia e letërsisë shqiptare (1983).

            Ndërsa të shikuarit e letërsisë sonë pararomantike si objekt i kritikës, interpretimit dhe teorisë letrare, do të saktësonte dhe shpjegonte edhe probleme të letërsisë së romantizmit, si dhe të asaj të më pasme.

            Historia e letërsisë na flet për konceptin auctor – kompilues të letërsisë së mesjetës. Sa na ndihmon kjo?

            Me këtë rast, do të shohim se kemi letërsi (të parë në terma relativë)

            – të përkthyer, Meshari i Buzukut

            – me nota të krijimit origjinal, poezi dhe prozë, Budi

            – me një vepër të plotë origjinale, Çeta e profetëve, e Bogdanit

            Pra, letërsia shqipe dalëngadalë bëhet aktive. Me këtë rast, konceptit auctor Rugova i shton edhe konceptin shkrimtar.

            Për të parin, ai do të thoshte se i jep idetë e veta duke u mbështetur në autoritetet e tjera, ndërsa si komentator i bën tekstet të lexueshme dhe të kuptueshme, në një farë mënyre me autoritetin që ka sot një shkrimtar i madh.

            Për të dytin, ai do të thoshte se si transmetues riudhëheq një materie absolute që është një burim i autoritetit, ndërsa si kombinator ka të drejtë të rikompozojë, përmes analizës së vet.

            Këtë e sqaron vetë Bogdani në parathënie, ku thotë se nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe, por veproi siç vepruan të parët, duke na dhënë idenë që kishin për autorin në kohën e tij.

            Modeli i poezisë reflektive

Koliqi e shikon ndarjen e poezisë nga oralja me termin poezia reflektive. Sipas tij, ajo del nga oralja, duke i marrë asaj motive ose imazhe formale, të cilat do të përpunohen nga një interes artistik në rritje[1], por shpjegimet nuk shkojnë më tej. Do të shtonim se reflektivja shfaqet me një poetikë dalluese nga lirika, sepse në dallim nga shfrimi i ndjenjave lirike, bazohet në një gjendje shpirtërore, duke përdorur imazhe dhe simbole që i krahason ato me objekte dhe skena të jetës reale.

Koliqi e shikon eksperimentin e parë të poezisë reflektive “apo të përpunueme” te poezia e njohur e Lekë Matrëngës (1592). Me këtë poezi Matrënga i këshillon lexuesit të jenë kristianë të mirë, por mbi këtë bosht reflektiv shohim: Njëmbëdhjetërrokëshat, ndërtue me një theks të qartë ritmik, rrjedhin kthjellorë dhe kumbues dhe na bindin për zotnimin e leksikut e të metrikës[2]

Prej tij e deri te Variboba vjen një listë e gjatë poetësh të cilët mund t’i shijojmë edhe sot.

            Nëpër këtë rrugë kalojnë vargjet e Budit dhe ato të Bogdanit. Bogdani shkrimtar (poet) na jep edhe ciklin e Sibilave.

            A është origjinal ky cikël poetik?

            Bogdani shpjegon se Virgjili e kishte marrë lëndën për Sibilën Kumea nga lënda që ekzistonte më gjuhën greke, por nuk na thotë se nga e nxori ai vetë lëndën për poezitë e tij. Rugova thotë se Bogdani u frymëzua nga lënda në greqisht, por realisht kjo nuk na rezulton, sepse duket se është keqkuptuar te shprehja se Virgjili e kishte marrë lëndën për Sibilën Kumea nga lënda që ekzistonte në gjuhën greke.

            Në ato kohë qarkullonte një libër[3] brenda të cilit gjendeshin përshkrime të sibilave[4]. Mos ndoshta Bogdani u frymëzua nga ky libër?

            Atje lënda na paraqitet në prozë, por me një këndvështrim poetik. Sibila Libika, gjithashtu. Profecia e saj:

                Ja, do të vijë dita – Zoti do të ndriçojë errësirën – Do të zgjidhen lidhjet e sinagogës – Buzët e njerëzve do të priten kur të shohin Mbretin e të gjallëve – Ai do të mbajë në gji Zonja e virgjër e kombeve – Ai do të mbretërojë në mëshirë – barku i nënës së tij do të jetë ngushëlluesi i kujdestarëve. Prej andej do të vijë në duart e të ligjve, prej andej në duart e të ligjve – ata do të godasin Zotin me duart e incestit të mëshirshëm – ai do të jetë i pamëshirshëm dhe do t’u japë shpresë të mjerëve.[5]

            Bogdani jo vetëm që ndërton një vjershë nga kjo lëndë, por e kapërcen atë. Kapërcimi nuk vjen vetëm nga kalimi nga një gjini në tjetrën, por edhe nga vetë lënda që ndërton poezinë, leksiku dhe shembujt që janë përdorur për të karakterizuar Krishtin dhe Shën Mërinë.

            Po ta marrim të mirëqenë një fakt të tillë, na rezulton se doza e krijimit është shumë e lartë, nëse lexojmë çfarë është përftuar prej saj. Shohim burimin, por poezia e kalon përkthimin, edhe kur ai vjen si rikrijim[6].

Si nieri po vjen, ndër nierëz dvekëtar,
me dvekunë, e me mortè vet me shëlbuem
shekullin’; e mëngjī lëngimevet pa bar
dritë syvet e veshëvet të ndëgiuem,
t’shkjepunet t’ecunë dërejt, pa pag, as ar;
idhujit’ e mortnë nesh, jashtë me dvuem.
Nji bir të vetëmë, qi ama e pat për mall
së dvekuni ja kthej e n dorë ja dha gjall.
Me dielli veshun’, e mbathunë me hanë,
me yj kryetë rreth ngjeshunë kunorë
vajza Mri, e bukura ma fort se zanë,
djalinë Jezu kërthi mbaj ngrykè ndore.
Për cmir ani jevrejtë me të pëganë,
tu kujtuem keq me kuvend për gjith’herë,
zunë fill djalinë Jezu fort me përzanë:
as vend ndë dhet e pushim me mos i lanë.

            Teknika e realizmit është për t’u vënë dukje. Si edhe te poezia e parë na bie në sy elementi i bartjes. Kemi rimën e brendshme, por edhe atë të kryqëzuar.

Me dielli veshun’, e mbathunë me hanë,
me yj kryetë rreth
ngjeshunë kunorë
vajza
Mri, e bukura ma fort se zanë,
djalinë Jezu
kërthi mbaj ngrykè ndore.

            Këtu, thotë Rugova, gjejmë një nga metaforat më të formësuara dhe të bukura në poezinë tonë.[7] Apo, marrë në tërësi, si për nga struktura ritmike dhe ajo rimore e semantike, është një nga vjershat më të bukura, më antologjike në poezinë tonë dhe atë të mesjetës në përgjithësi… Rugova vë në dukje edhe disa shembuj të tjerë metaforikë nga këngët e tjera, të cilët janë të shumtë.

            Gjithsesi, ne jemi të vetëdijshëm, se si përkthyes i shumë citateve nga bibla, Bogdani e mori vargun Me dielli veshun, e mbathunë me hanë, me yj kryetë rreth ngjeshunë kunorë nga Zbulesa, 12, që në shqip ka ardhur: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje![8] Frazën Me hënë nën këmbë, e shohim mbathunë te Bogdani, por nuk e dimë nëse ka ardhur në këtë formë që nga fillimi apo kur është vënë në vjershë, dhe më fort se me metaforë kemi të bëjmë me një katakrezë: pra një metaforë që i është nënshtruar gjuhës së përdorimit të përditshëm. Forma me mbathë këpucët apo sandalet, vazhdon të jetë e përdorimit të përgjithshëm.

            Siç do ta shohim më vonë, raste të tilla intertekstualiteti, sidomos në çastet kur po krijohet letërsia kombëtare (të tilla si Romantizmi apo Rilindja Kombëtare), do t’i kemi me shumicë. Deri te Migjeni. Po për to do të flasim në kohën e tyre. E rëndësishme është të themi se kështu kemi fituar një pamje tjetër të tipologjisë së shkrimtarit.

            Duke u thelluar në tipologjinë e këtij shkrimtari, është interesante të flasim për çështjen e rimave të brendshme, një fenomen që kishte kaluar nga proza në poezi, ku rima e brendshme kalon nga vargu në varg.[9] Kjo na ndihmon të zbërthejmë një poet si Jul Variboba, te poemthi Gjella e Shën Mëris Virgjër. Te Noli, më vonë.

            Mendojmë se me këtë mënyrë diskutimi, mund të shohim te Bogdani një kanon letrar, i cili na mundëson t’i qasemi pjesës më të madhe të kësaj letërsie, duke përfshirë edhe letërsinë arbëreshe.

            Mirëpo letërsia arbëreshe na ofron edhe pamje të tjera përveç përshpirtjeve reflektive, letërsinë origjinale (duke shkruar poezi për veten), apo e përshtatur (si në rastin kur Nikolla Filja përshtat nga poezia italiane)[10]. Pa harruar letërsinë e bejtexhinjve, të cilës më vonë i paguan haraçe një poet si Naim Frashëri. Këto do të kërkonin trajtesa më vete. Këto trajtesa do të na ndihmonin edhe për të parë dallimin dhe të përbashkëtat me poezi didaktike, deskriptive dhe lirike.

            Sidoqoftë, e përgjithshmja që i karakterizon këto krijime është gjetja e burimeve, apo siç do të quhet më vonë e intertekstuales, që do ta na lejonin për shkallën e vlerave të tyre krijuese dhe ndikuese për prozodinë, zhanret e së ardhmes apo vetë evolucionin letrar. Studiuesit i njohin shumë prej burimeve, por nëse kërkohet më tepër, kjo vetëm se do të zgjerojë njohjet tona dhe mundësitë e thellimit të diskutimit.

            Modeli i poezisë klasike

            Shohim një poezi që studiuesit ia kanë gjetur burimin e saktë.

            Te komenti për poezinë Rruzullimi Rugova e shtjellon idenë e Bogdanit – Mimesis natyra natyrans – si të prejardhur nga religjioni, sepse ajo i plotëson kushtet e një Zanafille. Rugova gjen aty elementet e krijimit, të pajtueshme me ato te religjionit. Ajri, Zjarri, Dheu dhe Uji.

Parëse Qiellja, Dheu, Deti e Zjarmi
            Ishte: kje, Zjarmi, Dheu, Qiellja e Deti
            Ma shempton Qiellja Dhenë, e Detinë Zjarmi

Se ku ish Qiellja, Dheu, Zjarmi e Deti

Aty ish Dheu, Qiellja, Deti e Zjarmi

Dheu Qiellnë mbëlon, e Zjarminë Deti;

Qiellja Deti ende Zjarmi, ishte ende Dhet,

            Dheu, Zjarmi, ende Qiellja ishte ndë Det

            Mbë Qiellt nuk’ ishte as yll, as Dielli
            Qi me dritetë vet zbardhen drite të re
            As Hana delte me dy të rgjanta bri
            As prej qiellshit vinte ndonji Reze për dhe
            As dheu si Shqype nalt’ qendron, e ri,
            As niegullë me shi, as breshën, as Rëfe,
            As Deti me Valë epte të madhe gjamë,
            As lymenatë me Breg, ishin zanë.

Ngaqë është shkruar nga një klerik i lartë katolik, a nuk është kjo një poezi kristiane, të cilën e pëlqente romantizmi? Dimë se kur e pat njohur së pari këtë krijim, Lasgushi qe shprehur: Nga pikëpamja e konceptimit origjinal, e idesë së fuqishme dhe formës së veçantë të saj, jam i mendimit se duhet konsideruar një monument letrar jo vetëm i gjuhës shqipe, po i republikës së letrave përgjithësisht.

Nga ky kompliment i Lasgushit, pas zbulimesh të reja për tekstin, mbetet vetëm mendimi “forma e veçantë e bën monument letrar të gjuhës shqipe”. Pikat e tjera bien. Duke folur për Kaosin, Bogdani thotë “posi thotë Poeta” (come il Poeta), duke hedhur një tekst të cituar nga një burim i paidentifikuar. Të bën përshtypje edhe shquarsia e emrit, me një antonomazë. Bogdani kështu i referohet vetëm Aristotelit: “Thotë Filozofi…”.

Zbulimet e reja propozojnë se antonomaza Poeti i përket poetit latin Ovidi.[11] Si Shën Agustini, Bogdani nuk e fsheh se i ka lexuar antikët grekë apo romakë. Mu te libri në fjalë ai përkthen Virgjilin, kur i duhen argumente për Sibilat pagane. Në situata të veçanta ato i përdorën dhe dottorët e fesë. Edhe këtu, Bogdani vepron si Shën Agustini.

Vargjet e Ovidit gjenden në hyrje të veprës “Metamorfozat”. Në përkthimin 11-rrokësh, ato vijnë kështu:

Kur ende s’kishte det e tok’ e qiell

që gjithësinë rrok, natyra tërë

e bota mbarë s’ishte veç një Kaos,

një grumbull i pagdhendë pa farë trajte[12]

Ndërsa në përkthimin në hekzametër, ato vijnë kështu:

Para detit e dheut e qiellit, që kemi përsipër

Gjithë natyra në botë veç nji fytyrë ajo kishte,

Që na e quejshim Kaos: nji lamsh i vrazhdë e i përziem[13]

Pra, shembull i poezisë klasike si mimesis në letërsinë tonë mund të merret krijimi “Krijimi i rruzullimit”, i Pjetër Bogdanit. (Titulli i krijimit është vendosur më vonë nga Rugova, studiuesi i tij më i mirë, pasi nuk kishte pasur titull më parë.)

Siç thotë Rugova, është strofa tipike e epit italian të shekullit XV-XVI, që përhapet në saje të epit të Tasso-s Jeruzalemi i çliruar (Gerusalemme liberata). Strofa është e përbërë nga 11-rrokësh, me renditjen rimore abababcc. (Këtë formë Bogdani do ta përdorë edhe më vonë. Për shembull, te poezia Sibila Libica).

A ka perifrazuar Bogdani? Siç thoshte Budi, nçtuom o menguom (pak duke shtuar e pak duke hequr), studiuesit kanë gjetur ngjashmëri me një përkthim në italisht, nga poeti italian Giovani Andrea dell’Anguillara (1517-1579). Djathtas, Bogdani ai ka dhënë edhe tekstin italisht, i cili i ka çuar studiuesit drejt zbulimit të së vërtetës.

Pria che il Ciel fose il Mar, la Terra, e il Foco

Era il Foco, la Terra il Ciel, e’l Mare:

Ma’l mar rendeua il ciel, la terra, e’l foco,

Deforme il foco, il ciel, la terra, e’l mare

Che iui era e terra, e cielo, e mare, e foco;

Duoe era e cielo, e terra, e foco, e mare:

La terra, il foco, e’l mare era nel cielo;

Nel mar, nel foco, e nela terra il cielo.

Non u’era chi postase e il nouo giorno

Col maggior lume in Oriente acceso.

Ne ronouaua mai la Luna il corno,

Ne l’altre Stelle hauean lor cofo preso.

Ne pendeua la terra intorno intorno

Librata in aere dal suo proprio peso

Ne il mare hauea a col suo perpetuo grido

Fatto intorno a la terra il uario lido.

Me sa duket bëhet fjalë për një tekst të njohur në kohën e Bogdanit, që ai nuk e ka ndier nevojën të thoshte se kujt i takonte përkthimi. Çfarë është e rëndësishme për trajtesën tonë, kemi një ndërtim mimetik, përshkrues a riprodhues, që na jep një pamje të tipologjisë së krijuesit. Kjo na ndihmon ta vëmë atë përballë konceptit romantik të poezisë, i cili do ta na ndihmojë ta qartësojmë më mirë konceptin e ekspresionit, si modernitet i artit.

Sigurisht, nga ana e formës kemi një zhvendosje: nuk kemi vargun latin, por një varg dhe një strofë më moderne.

Kjo trajtesë na ndihmon që të kuptojmë më mirë tipologjinë e poezisë romantike.

Modeli i poezisë neoklasiciste

Një tjetër model që do të na ndihmojë që të kuptojmë më mirë tipologjinë e poezisë romantike, është edhe modeli i modeli i poezisë neoklasiciste.

A e zotëron poezia shqipe këtë model? Nga pikëpamja e rendit që zë kjo në poezinë perëndimore, jo, por mund ta kërkojmë atë jashtë këtij rendi, siç ndodh edhe me lëvizje të tjera letrare në letërsinë tonë.

Këtë do ta shikojmë në trajtesën në vijim, ku do ta bëjmë të qartë se cilin drejtim letrar zëvendësoi romantizmi.

Neoklasicistët shqyrtonin shoqërinë dhe tregonin interes për realen dhe për arsyen, duke u dhënë rëndësi logjikës dhe arsyes (pra, njeri i drejtuar nga koka), si dhe duke theksuar strukturën, përmbajtjen dhe objektivitetin. Ishin të interesuar për kënaqësitë të bëra familjare, për të njohurat dhe ato konvencionale. Një ilustrim me shumë vlerë, meqë këtu kemi një krijim të shqipes, do të ishte fragmenti nga poezia e gjatë e Fishtës Prozedi latine, Rregulla të përgjithshme mbi shkurtësinë e gjatësinë e rrokjeve (Perkthime prej latinishtes), por të dhëna në tercina danteske.

T’parën zanore, ndër dy ngjitë, latini
Të shkurtë e pret; por n’ Fio za’ e zgjati
Sa herë që R në shtill të fjalës s’i hini.


E-në edhe t’gjatë gjithmonë ndër emna e mati,
Kurdo që rasa e s’pestës n’Ei i mori;
Por n’Fidei, Spei e Rei të shkurtë piskati

Jus gjithsi t’dojë e merr ndër kangë vjershëtori,

Porposë’ n’Alius, tingullin gjate ku e tirë,

E n’fjale Alterius t’shkurtë ia qet krahnori.

Kështu kur f’shan Eheu! n’ndonjë shteg të vështirë

Të gjatë shqiptoi ai E-në, si edhe n’Pompei;

Por Ohe! t’gjatë a t’shkurtë me e thanë asht e lirë.

Kur fjala greke detin t’kapërcejë,

Dangall s’i ven n’Auzone Poezia,

Përse’ tash gjatë, tash shkurt i lëshohet te’i.

Keshtu gjatë shqiptohet Aer e Thalia,

Si edhe Corea, Dia, Cytherea;

Por n’vjershë e shkurtë gjithmonë del Symphonia.

Vec çka se n’Cytherea e në Corea

Shumë herë vjershëtori zanin e përdini,

Si edhe prej s’gjatës ai nxuer dy rrokje t’reja.

Diftongun zgjati greku edhe latini.

Vec Prae, kur para ndonjë zanoreje t’rrijë,

Atëherë – si në Praeustus – t’shkurtë ta dini.

Ndoshta kjo duhet parë si një lojë, në një kohë të caktuar, e Fishtës. Ajo nuk e mohon qenien e Fishtës romantik, për të cilën është shprehur në krijimtari dhe në shënime teorike. Te Shënime estetike ai shkruan:

Dikush pat dvetë një herë Rafaelin, tue i thanë se kah e nxierte at bukuri aq të bindshme të “Madonne-vet” të veta: “Da una verta idea”, i përgjigjet Rafaeli. Pra, jo prej ndonji ideje të zakonshme të sendevet si gjenden në natyrë, por prej një ideje të përftueme në intuicjon në mendje t’artistit mbi sendin, si ky gjendet i smadhuem në fantazi. Prandej gabojnë ata qi thojnë se arti asht nji ndërndjeksim a imitacion i natyrës…[14]

Sidoqoftë, edhe pse me vonesë në kohë, si model poetik ajo poezi na vjen si neoklasicizëm shqiptar.


[1] Koliqi, Ernest. Kritikë dhe estetikë. Fq. 30

[2] Po aty

[3] Guillaume Rouillé: Promputarii iconum insigniorum A’ seculo hominum, subiectis eorum vitis, per compendium ex probatissimis autoribus desumptis. Prima pars. Lugduni, 1553, fq. 38.

[4] Indikacion i dhënë nga studiuesi Bardhyl Demiraj

[5] Sipas një përkthimi të bërë nga D. Gila.

[6] Shih Përkthimi si krijim , te Poezia shqipe, një histori letrare, apo Arti i poezisë,, fq. 

[7] Ibrahim Rugova, Kritika. Prishtinë 2007, fq. 534

[8] Angl. “And there appeared a great wonder in heaven; a woman clothed with the sun, and the moon under her feet, and upon her head a crown of twelve stars.” It. “Nel cielo apparve poi un segno grandioso: una donna vestita di sole, con la luna sotto i suoi piedi e sul suo capo una corona di dodici stelle.”

[9] Rugova e gjen shpjegimin te një autor si Kurtius, autoritet për studimet e kësaj periudhe. Fq. 533

[10] 28. Kam qar’ e qaj posi qau Tobia,/ si qau Filomena edhe Tereu;/ kam qar’ e bën’ një lum lotët e mia…/ Po gjith’ të qarit tim çë më vëleu?/ Isht e bjerrë për mua lipisia,/ e nuk e di mbi dhe si më mban dheu… Një zonjë më tha mbrëmë: – Eja të shpia./ I vajta e ajo fazezë më gënjeu. (Sipas poezisë së poetit siçilian ….. Të dhëna të përcjella nga studiuesi arbëresh Mato Mandala).

[11] Shih Breca, Ilir. Vargjet e Ovidit në veprën e Bogdanit; Symbol – Cultural Studies Journal No 19, 2020, Bard Books, f. 67-84

[12] Ovidi. Metamorfozat, Onufri. Tiranë 1998, fq. 17

[13] Antologji e poezisë së madhe botërore. Naim Frashëri. Tiranë  fq. 229

[14] Fishta. Estetikë dhe kritikë. Hylli i Dritës & Shtëpia e Librit. Tiranë  1999, fq. 25


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.