Gazmend Krasniqi
Statusi i tekstit letrar
Sipas teorive letrare moderne, ka një çështje që na kthen në fillim të çdo punimi për letërsinë: pranimi i statusit të tekstit letrar[1]. Ajo na kthen te pyetja që qëndron para të gjithave:
A është e mundur të shkruhet një histori letërsie, pra – të shkruhet diçka që do të jetë edhe letërsi, edhe histori? Lypset pranuar se pjesa më e madhe e historive të letërsisë janë ose histori të jetës shoqërore, ose histori të mendimit shoqëror të ilustruara me vepra letrare, ose përmbledhje përshtypjesh e gjykimesh për vepra të veçanta të renditura pak a shumë në rend kronologjik.[2]
Rene Wellek dhe Austin Worren, autorët e librit Teoria e letërsisë, i cili tronditi mendimin letrar perëndimor (deri atëherë historicist) kur u shfaq rreth vitit 1950, i japin përcaktimet që i janë bërë letërsisë nëpërhistoritë e letërsisë te botimet e traditës (të gjitha na duken tënjohura, sepse e njëjta gjë ka ndodhur në të gjitha letërsitë emëdha, të cilat kanë qenë modele edhe për letërsinë tonë).[3]si “Biografi e kombit”, “Histori e shpirtit kombëtar”, “Funksion i veçantë i organizimit të shoqërisë në përgjithësi”, “Regjistron me besnikëri tiparet e kohës së vet”, apo “U transmeton brezave të ardhshëm një histori të vërtetë të jetës”.[4]
Për të dëshmuarlajthitjet që krijohen nga projektimi i asaj që nuk gjendet nëtekst, për ilustrim, do të veçonim shumë raste.Kjo ka zgjatur për shumë kohë, duke i pasur konseguencat edhe sot, edhe pse shohim që Martin Camaj shprehet që më 1959[5]:
– nji vepër letrare ma parë duhet të shikohet në vlerën e saj artistike e mandej do të studjohet funkcioni e morali i saj[6]
– nji kritik letrar apo historjak i letërsis sonë do ia vejë shumë menden sidomos rrymave artistike[7]
Sipas tij, kur të bëhet kjo zgjedhje, vërtetohet se shprehja e naltë artistike përmban në vete edhe ndjesin e naltë patriotike apo morale.
Teoritë letrare moderne na mësojnë se:
Ajo që dëshmon për ndërhyrjen e Poetikës, është evidentimi i artit që ka përdorur autori për të ndërtuar veprën e tij. Nëse pëlqehet ajo që poezia “thotë”, kjo mund të shterohet në një fjali proze. Atje do të jetë ideja, por diçka do t’i mungojë. Ajo që mungon do të jetë poezia.
Le të marrim kumtimin “unë jam i dashuruar”. Të shohim çfarë ndodh kur N. Frashëri shkruan të njëjtën gjë në poezi:
Do të shkrihem,
të venitem
si kandili, kur s’ka vaj,
balt’ e pluhur
do të bëhem
të më shkelnjë këmb’ e saj;
Shihet menjëherë që diçka ka ndodhur tek ideja: janë shtuar metri dhe loja virtuoze me të, si dhe loja e këndshme tingullore e rimave, fundore dhe të brendshme, sidomos zanorja “a” e ngulitur në fund të çdo strofimi, ku këngëzimi i fituar shfaq mrekullinë e rrallë të ndjenjës së dashurisë. Pra, kjo tregon se ne mund ta zbërthejmë poezinë, ashtu siç zbërthejmë një orë, e me pjesët e hapura ta ngremë sërish në këmbë, duke rikthyer shërbimin e saj. Sipas teorive letrare moderne që merren me tekstin letrar dhe ndërtimin e tij,[8] jo çdo bashkësi shenjash e frazash mund të merret si tekst artistik, sepse për të qenë e tillë ajo duhet të formojë një strukturë të dytë, të një rrafshi më të lartë se teksti thjesht gjuhësor.[9] Kështu, teksti artistik mund të paramendohet si mekanizëm i organizuar në mënyrë të veçantë, që ka aftësinë për të përmbajtur një informacion me përqendrim jashtëzakonisht të lartë,[10] i cili duhet të dalë nga analizat tekstore. Sasia e informacionit, në përgjithësi, lidhet me veçori të tilla strukturale si zhvendosja e dominanteve strukturale,[11] sepse teksti e ka vlerën te vetvetja ose, çfarë është quajtur funksioni estetik. Për të gjetur semantikën e një teksti poetik, kërkohet:
– ndarja e tekstit në rrafshe dhe grupe sipas rrafsheve të prerjeve sintagmatike (fonema, morfema, fjalë, fjali, vargje, strofa etj.)
Formalistët nuk e mohuan se teksti artistik integrohet domosdoshmërish në ndërtimet jashtëtekstore: nëse e përcaktojmë një tekst si poezi shqipe, mund të na shkojë mendja te një veçori e caktuar e saj, që lidhet me vargun a strofën. Nëse themi se është poezi shqipe e gjysmës së parë të shekullit XX, atëherë i afrohemi edhe më tepër identifikimit të saj. Nëse themi se është një sonet i shkruar në dialektin gegë, i jemi afruar shikimit të saj si poezi e Ndre Mjedjes.[12]
Pra, që të biem dakord se paradigma e Historisë Letrare njeh njërin prej statuseve themelore të operacioneve të saj – statusin e tekstit letrar,[13] duhet të përcaktojmë se perceptimi i strukturës së poezisë na bën të ndërgjegjshëm që:
– Shpleksja e organizimit të strategjive leksikore të tekstit poetik dhe mënyrës se si ai krijon mbetet detyrë e çdo leximi, duke e parë letërsinë në atë çfarë lexojmë dhe interpretojmë si letërsi;[14]
– Kur e vendosim poezinë në terma të marrëdhënieve të veçanta fonologjike, sintaksore apo semantike, e kemi vendosur në kufijtë e një teksti. Për ta ndërtuar këtë tekst poeti vendos konvencione të reja të cilat i dhunojnë normat e gjuhës standarde.
Statusi i sistemit letrar
Gjetja e parakushtit për të vizatuar një traditë, na kujton se te eseja “Tradita dhe talenti individual”, Eliot-i thotë se vetëdija historike e shtyn njeriun që të shkruajë jo vetëm nën ndikimin e brezit të tij, por me ndjenjën se mbarë letërsia evropiane, që nga Homeri e, në këtë kuadër, e tërë letërsia e vendit të vet, ka ekzistencë të njëkohësishme dhe përbën sistem të njëkohësishëm.[15] Asnjë poet nuk ka domethënie të plotë më vete, sepse rëndësia dhe vlerësimi i një poeti vjen nga raporti me poetët e tjerë. Je i detyruar ta vendosësh midis të tjerëve, për hir të kontrastit dhe krahasimit.
Në historinë e artit shohim se zgjidhja e një problemi lind probleme të reja, duke u dhënë mundësi të tjerëve të tregojnë se ç’mund të bëjnë: çdo artist varet prej traditës për atë formë nxitëse që u jep drejtim përpjekjeve të tij. E gjithë kjo përcaktohet jo nga përmirësimi i artit, por nga ndryshimi i materialit në zotërim, siç mund ta shohim kokretisht në teorimet dhe ngritjen e disa koncepteve nga formalistët. E parë gjithnjë e më thellë në këtë dinamikë ndryshimesh, tradita e ndriçon vazhdimisht thelbin e vet përballë koncepteve historike letrare, duke marrë gjithnjë e më shumë pamjen e atij që duhet të ishte objekti i një Historie Letrare. Është shumë i rëndësishëm fakti se si është receptuar vepra që krijon vlera[16] të reja, pasi historia e receptimeve mund të jetë historia e zhanreve të reja të një tradite.
Koncepti i sistemit na jep “të tashmen e letërsisë”, sipas një termi të Jakobsonit, e cila në rastin e romantizmit shqiptar, shfaqet e tillë:[17]
- Prodhon vepra
– ekziston një listë e gjatë e veprave që e kanë pasuruar letërsinë shqipe, sepse emrat e De Radës, Serembes, Naim Frashërit, Mjedjes, Zef Skiroit, Çajupit, Fishtës, Asdrenit, Poradecit, Koliqit, Poradecit, Migjenit, Kutelit, Kadaresë, Anton Pashkut, Frederik Reshpjesh e sa poetësh e shkrimtarësh dytanakë, na japin të drejtë ta themi këtë;
- Riaktualizon vepra
– studimet apo dhe vetë krijuesit e kanë hedhur herë pas here vështrimin nga tradita, për ta rivitalizuar atë, siç ndodh, me një pjese të krijimtarisë së patheksuar më parë nga Jul Variboba, Nikolla Filja, Pjetër Zarishi, Leonardo de Martino, Gaspër Pali, Ali Asllani, Vorea Ujko etj.
- Importon vepra
– këtë e tregojnë raportet e herëpashershme me letërsitë e Lindjes apo të Perëndimit, duke marrë shumë veçori që i ka natyralizuar si shqiptare, qoftë nga pikëpamja e motiveve apo formave poetike, qoftë nga pikëpamja e arritjeve metrike dhe e koncepteve të ndryshme;
- Përjashton, nuk mban as nga veprat kombëtare, as nga veprat e huaja
– vazhdimisht largohen nga qendra e sistemit vepra të imponuara dhunshëm ose jo, apo vepra që kanë depërtuar në saje të ndonjë prapambetjeje kulturore të momentit,[18] të cilat në të vërtet kanë qenë të parëndësishme për sistemin letrar shqiptar, sepse receptimi ka qenë shumë larg horizontit të pritej, siç do të thoshte teoria moderne e receptimit. Duhen përmendur vepra të sociologjizmit vulgar apo të realizmit socialist.[19]
Nëse praktikojmë pikëpamjet e mësipërme, nuk do të humbasim në detin e madh të botimeve, por do të ndalojmë përpara disa teksteve themelore, të cilat mund të anashkalohen nga pikëvështrime të tjera, të cilat nuk lidhen me vetë letërsinë si e tillë. Raste tipike të përjashtimit do të vëmë re te autorët që kanë prodhuar pak edhe pse bëhet fjalë për vlera të vërteta, që bëjnë thyerje në një letërsi.
Nëse shumë vepra që janë paraqitur fillimisht si origjinale, por më vonë është parë qartë se kanë një burim konkret, si duhet t’i shohim disa përkthime, apo më saktë përshtatje apo shqipërime? Në rastin e poezisë së Nolit, Kuteli thotë drejtpërdrejt se duhen përfshirë si të tijat.
Pa fjalë se këtu lënda e parë, thema, është e hojtur; po këtë lëndë shqipëronjësi e ka tretur krejt në flakën e gjeniut të vet duke na dhënë në ekuivalent shqipëtar të një vlere absolute.[20]
Noli mbetet në krye, por numri i atyre që i kanë bërë shërbime vjershërimit shqip me shqipërimet e tyre është shumë i madh, dhe fillon me Buzukun e Bogdanin e vjen deri në kohën tonë.
Kësaj ideje të Kutelit ia mbërrin, shumë vite para se të shprehej ajo, edhe Zef Kamarda me një përshtatje nga poezia rumune, duke dhënë figurën e Dora D’Istrias, në një sintezë rigoroze të formës me përmbajtjen.[21]
Gjithë sistemi mbetet i hapur dhe mirëpret çfarë ka “humbur”. Siç do të thoshte Asdreni, i ndërgjegjshëm për atë që ka bërë vetë dhe për atë që kanë bërë sivëllezërit e tij: Politikat dhe ideologjitë janë të përkohshme, ndërsa sistemi letrar vetëvepron në vazhdimësi.[22]
Horizonti i pritjes për veprën shtyhet gjithnjë e më tepër, sepse pikëvështrimet lëvizin. Për shembull, Byron-i i adhuruar nga Goethe dhe romantikë të tjerë, shikohet ndryshe nga brezi i Eliot-it, i cili, pasi ia lavdëron aftësinë për të rrëfyer, thotë se nuk i shton gjë gjuhës, nuk zbulon asgjë te tingulli, nuk zhvillon asgjë në kuptimin e fjalëve individuale.[23] Eliot-i shton se, kur poeti përfiton një masë të gjerë adhuruesish për një kohë të shkurtër, është rast mjaft i dyshimtë, sepse na shtyn të frikësohemi që ai nuk po bën diçka të re, vetëm se po u ofron njerëzve atë me të cilën jemi mësuar, pra atë që e kanë pasur nga poetët e brezit të kaluar.[24] Jo më kot shumë receptime të gabuara të kohës së sotme janë të lidhura me periudhën më të afërt, krijimtarinë e realizmit socialist.
Përplasje metodologjike historiografike
A mund të mbetet historiografia jonë letrare peng i atipizmit të zhvillimeve letrare shqipe?
Kjo është një pyetje që mund të shmanget gjithnjë e më pak.
Po çfarë e nxit shqetësimin që kërkon zhvendosjen e shikimit atipist për letërsinë tonë? Mënyra se si vazhdon të studiohet letërsia shqipe në shkollat tona – të shihet vetë formulimi historik: Letërsia e Rilindjes – nxit nevojën e një diskutimi metodologjik, të cilin po e fillojmë me fjalët e mëposhtme[25]:
Studimi i gjithçkaje që ka të bëjë me historinë (e qytetërimit), në të vërtetë i kalon në plan të dytë studimet letrare. Fshihen kështu dallimet midis asaj çka është dhe asaj çka nuk është letërsi; për letërsinë fillojnë të zbatohen kritere jashtëletrare dhe, për rrjedhojë, letërsia do të quhet me vlerë për aq sa jep përfundime për këtë apo për atë disiplinë që është e afërt me të, identifikimi i letërsisë me historinë (e qytetërimit) është mohim i fushës specifike dhe i metodave specifike të studimit të letërsisë.[26]
Shqetësimi që ngremë ne sot ekziston prej disa dekadash. Me nevojën për të vënë rregull e sistem në studimin e letërsisë, studiuesi Namik Ressuli, përgatitësi i botimit Shkrimtarë Shqiptarë,[27] pat shkruar në platformën e tij, para se botimi të dilte botimi nga shtypi:
Asnjë nga veprat që janë shkruar gjër më sot mbi historinë e letratyrës shqipe, si në gjuhën t’onë si në gjuhë të huaj, nukë na kanë dhënë ndonjë ndarje sistematike e të arsyetuar të lëndës që kanë pasur qëllim të studjojnë. E vërteta është se asnjë prej këtyre autorëve të huaj a shqipëtarë nukë kanë pasur ndër ment të studjojnë thellësisht vetëm nga pikëpamja letrare historinë e letratyrës t’onë, as që kanë pasur kujdes për pjesëtimin e saj.[28]
Kështu e shikonte ai shkakun e dështimit të këtyre punimeve të sajuara përgjithërisht pa kritere shkencore dhe të përbëra prej një numërimi të thatë faktesh e datash, të cilat nuk kanë asnjë rëndësi ashtu si janë renditur.
Por historia u tregua më e fortë sesa mund të mendohej, sepse edhe Ressuli vetë ra preh e një date politike historike, kur kërkoi që letërsia shqipe të ndahet në: 1. Prodhim letrar para Lidhjes së Prizrendit 2. Prodhim letrar pas Lidhjes së Prizrendit. Ai mendonte se vetëm grupi i dytë ia vlente të studiohej. Duke e lidhur vlerën e botimeve me përhapjen që ndodhi pas Shoqërisë së Stambollit (1879), arsyet e paraqitura për rrëzimin e grupit të parë u sollën rreth idesë se:
(1) qarqet kulturore veprojnë të shkëputura nga njëra-tjetra
(2) shkruhet një literaturë utilitare, për nevoja të besimit në grupimet kristjane, apo, kryesisht, të dëfrimit, satirës dhe didaktizmit në grupimin mysliman.
Ideve të Ressulit ia kundërvëmë këto argumente:
– Mjafton një vepër, edhe e zbuluar me vonesë, të zhvendosë gjithë sistemin e vlerave të një gjuhe
– Një vepër utilitare nuk është e thënë të jetë e privuar nga arti
Sepse:
- Brenda teksteve të tilla qëndrojnë zhanre dhe forma letrare dhe ne mund të shijojmë leximin e tyre, ku na japin “të tashmen” e letërsisë, sipas formalistëve rusë;[29]
- Siç thuhet në historitë e njohura të artit, ndërsa po hamë me një lugë druri, pra po përdorim një mjet utilitar, së pari mund ta admirojmë atë estetikisht.
Sot e dimë se botimi Shkrimtarë Shqiptarë nuk realizoi idenë
të studjojnë thellësisht vetëm nga pikëpamja letrare historinë e letratyrës t’onë. As kjo nuk mund të quhet histori e letërsisë shqipe, pranon Koliqi, mbikëqyrësi i botimit. Po nuk u studjue njiherë në vete çdo shkrimtar a plejadë auktorësh, çdo rrymbë a shkollë, i delet me shum vishtirsi në skaj qëllimit me pasë nji synthezë të përpikëshme, nji kuadër panoramik, nji tregim bindës nëpër të cilët të kndrojmë tue rrjedhë gjatë vargut të qindvjetve lumin e letërsis s’onë të pasunuem në kalim të vet me shina e prroje, me kroje e gurra të panjehuna.[30]
Ndoshta argumentin e “dështimit” mund ta gjejmë më qartë te fjalët e Karl Gurakuqit, që ishte njëri nga kujdesësit e këtij botimi:
Ky vëllim përmblodhi shkrimtarët e perjudhës së quejtun të Rilindjes, të cilët, në shumicën e vet, me pushkë në dorë e libër nën sjetull përhapshin pak vjetë ma parë iden e nji Shqipnije të lirë. Shumë prej sish u janë kushtuem letrave ma fort me nji qellim të jashtëm; patën parasysh ma tepër apostullimin kombtar – si e lypte n’natë kohë nevoja e atdheut – sesa artin, prandej vlefta e tyne, përgjithsisht tue folun, asht relative dhe e lidhun përherë me historin e zgjimit kombtar.[31]
Edhe koncepti i vitit 1971, i Arshi Pipës, noton në të njëjtat ujëra me konceptin e Ressulit[32], kur ngre këtë skemë:[33] 1. Mozaiku kulturor i periudhës parakombëtare: 1555-1881[34] 2. Letërsia romantike e Rilindjes Kombëtare: (1836) 1881-1912 (1924) Operimi me termat Shkrimtarët e hershëm kishtarë gegë katolikë, Shkrimtarët e hershëm kishtarë greko – ortodoksë italo – arbëreshë, Shkrimtarë myslimanë me alfabet arab, Shkrimtarë ortodoksë të diasporës me alfabet grek, arbëresho-kalabrezët dhe arbëresho-sicilianët, shkrimtarë laikë dhe klerikë, ideologë borgjezë dhe shkrimtarë demokrato – populistë. Siç mund të shihet, edhe kjo skemëçon ujin në konceptin e lartpërmendur të botimit “Shkrimtarë shqiptarë”.[35]
Pranimi i termit
Kemi një shkrim të vitit 1944 “Romantiçizmi në Shqipni”, që e dimë nëse është marrë ndonjëherë në konsideratë, megjithëse autori i tij nuk ka asnjë dyshim se ky drejtim letrar (ai e quan dhe e shtjellon si rrymë) është shtrirë këmbëkryq në letërsinë shqipe:
Romantiçizmi asht i vetmi drejtim letrar që kemi pasë dhe që kemi. Kjo rrymë letrare hyri si veprim letrar – patriotik. U zhvillue si e tillë. Mori trajta mjaft të mëdha: u ba e vetmja letërsi e vendit tonë. Edhe masi e kaluem krizën politike dhe fituem pamvarsin kombëtare, na vazhduem në kët drejtim.[36]
Sipas kujtimeve të ish-nxënësve, mësuesi i ri i gjimnazit të Shkodrës (1945-46), kritiku Qemal Draçini, u shpjegonte periudhën historike, vendet ku kishte nisur dhe ishte zhvilluar, duke dhënë karakteristikat kryesore të kësaj periudhe letrare:
1. Romantizmi lejon që poeti a shkrimtari ta lajë të lirë imagjinatën, ndijësitë e veta. (…)
2. Në romantizëm njeriu shndërrohet në shpirt, trupi humbë randësinë e vet.
3. Romantikët i sjellin sytë kah natyra. (…) Kjo natyrë merr pjesë në gjendjet e ndryshme shpirtnore të njerëzve.
4. Romantizmi e sjell kujdesin e vet gjuhës, të cilën e pasunon, knellë poezinë, gjallnon historinë (…)[37]
Më 1945, në punimin Romantizmi në Europën Lindore dhe Jugperëndimore dhe në literaturën shqiptare, Eqrem Çabej kishte hedhur idenë që letërsia e Rilindjes Kombëtare mund të quhet romantizmi shqiptar, por lindja e doktrinës së realizmit socialist, nën ndikimin sovjetik, kishte ide të tjera që u reflektuan në dy veprat që u botuan në këtë qark kohor (1960 dhe 1983), nga institucionet shtetërore përkatëse.
Në Kosovë, Rexhep Qosja botoi punimin Prej tipologjisë te periodizimi, i cili duket që nga titulli se pranon që periudhat e ndryshme të zhvillimit letrar të emërtohen me terminologji letrare, duke dhënë shpresë për qasjen ndryshe.
Po në Kosovë, te libri Shkollat letrare shqipe, Sabri Hamiti e përcakton letërsinë e Rilindjes si shkolla romantike, duke e përkufizuar si letërsi në rrafsh personal dhe kolektiv, ku ligjërimi i detyrohet shumë qëllimit dhe funksionit të tekstit,[38] ku format zotëruese letrare janë lirika e personalizuar dhe poema me pretendime sintetizuese apo fuqi narrative e argument heroik, me të cilat synohet zhvillimi i epopesë kombëtare dhe teksti merr karakterin e hyjnizimit, qoftë për shpërthimet personale, qoftë për projeksionet e mëdha nacionale.[39] Tërheq vëmendjen fakti se disa poetë, që për ne u përkasin frymëzimeve romantike, janë rreshtuar në shkollën që studiuesi e quan prerë shkolla kritike. Emrat Zef Skiroi, Ndre Mjedja, Gjergj Fishta e Çajupi e mbajnë diskutimin të hapur, pasi kështu mbrohet ideja e zhvillimit atipik të letërsisë shqipe, kur kujtojmë se në studimet perëndimore qe konsoliduar kjo skemë e përafërt:
Rilindja,
Baroku,
Neoklasicizmi,
Romantizmi,
Realizmi,
Modernizmi dhe
Postmodernizmi.[40]
Për të përforcuar idetë që dalin prej panoramës së mësipërme, kujtojmë edhe se Faik Konica i kishte trajtuar që më 1906[41] raportet arti – ideologjia, letërsia – ideologjia[42] (pra, arti veç dhe ideologjia veç[43]); se 6 vjet më vonë, Asdreni ka trajtuar raportin letërsia – politika, duke thënë se ka raste kur letërsia dhe politika shkojnë bashkë, siç qe ky momenti i Rilindjes apo romantizmit shqiptar, por vjen një moment që secila ndjek rrugën e vet.
Është me interes të kujtohet se ky shkrim i Asdrenit ka ardhur në studimet tona me kuptim tjetër: nuk përmendet pjesa e ndarjes, por vetëm e shkuarjes “dorë për dorë”.[44] Çka, sigurisht, i ngjet një manipulimi shumëvjeçar prej politikës, ideologjisë dhe vetë mendimit letrar.
Pas gjithë pasojave që shikohen në studimet tona të derimësotme, kemi të drejtë të pyesim:
- A nuk është një kufizim diskutimi në prizmin e ideve të një gjuhe të caktuar dhe vetëm duke iu drejtuar dokumenteve e teksteve në atë gjuhë?[45]
- A nuk e mjegullon problemin me ndjenja nacionaliste apo regjionale, diskutimi pa qartësinë e duhur teorike?
Vetëm kur të pranojmë se lidhjet e letërsisë në tërësi dhe letërsisë kombëtare duhet të jenë të ndërsjella, mund të shohim:
- Se si veçoritë e përbashkëta të mendimit letrar evropian mund të shfaqen të ndryshme në vende të ndryshme:
- Se si çdo vend ka qendrat e veta rrezatuese të rëndesës, artistët e vet të shquar, që shmangen nga rruga e përbashkët dhe që përcaktojnë një traditë kombëtare nga një tjetër.
Është e vërtetë që dikur historia, e përzier me letërsinë dhe me filozofinë, e ngjyrosur me patriotizëm, e ngjyrosur me anshmëri, ka pasur shanse të vogla të bëhej shkencë. Por sot kjo disiplinë është në një stad tjetër. Siç ka qenë e ditur, fundja, që në kohën e Aristotelit, sipas të cilit, dallimi i vërtetë midis historisë dhe poezisë qëndron në faktin se e para ka ndodhur, ndërsa e dyta mund të kishte ndodhur, prandaj letërsia është më filozofike, më e lartë: letërsia shpreh universalen, ndërsa historia të pjesshmen.
Rrjedhimisht, ato nuk mund të studiohen në të njëjtën mënyrë.
Dhe kjo duket si përgjigje e pyetjes që kemi ngritur. Pra, çdo letërsi pasqyron në njërën anë ligjësitë që burojnë nga veçantitë e traditave dhe të rrethanave të vendit, ndërsa nga ana tjetër ligjësitë e karakterit të përgjithshëm që përcaktohen nga karakteri i proceseve ndërletrare.
Por ne e dimë se nuk është e rëndësishme vetëm ndarja nga historia, sot, kur kanë ndodhur shumë gjëra në teorinë apo shkencën e letërsisë. Kur një sërë teoricienësh të letërsisë kanë vënë në pikëpyetje dy perceptime madhore romantike:
- Atë se teksti letrar është një “organizëm” i gjallë, i veçantë dhe i individualizuar;
- Atë se artisti është një gjeni jashtëzakonisht i pavarur që krijon vepra origjinale arti.
Sipas teorisë aktuale, vepra e veçantë dhe “e gjallë” është tretur në një det “intertekstualiteti”, që rrjedh nga/ dhe është pjesë e një rrjeti apo “arkivi” të teksteve të tjera – lloje të ndryshme diskursi, pjesë të kulturave të ndryshme, ku artisti sovran ka degraduar nga një veprues heroik, me vetëdije krijuese, në një “zë” kolektiv, më shumë i kontrolluar, sesa kontrollues, në kryqëzimin e zërave të tjerë, teksteve të tjera, varur nga mundësitë e diktuara nga sistemet, konvencionet dhe strukturat gjuhësore.[46]
Me këtë mënyrë qasjeje, studiuesit pranojnë se jemi te nevoja për ta parë historinë jo si dokument, por si monument. Shkenca e letërsisë, thotë Roland Barthes-i,
nuk mund të jetë shkencë e përmbajtjeve (të cilat mund t’i studiojë vetëm shkenca historike në kuptimin e ngushtë të fjalës, po shkencë e kushteve të përmbajtjes, përkatësisht e formave[47]
[1] Kjo çështje është parë më përpara te libri “Poezia shqipe, një histori letrare”, Ombra GVG, Tiranë 2016
[2] Uellek, Rene; Uorren, Ostin. Teoria e letërsisë. Sh.B. Enciklopedike, Tiranë 1993, fq. 239
[3] Arsyet që nuk ka pasur përpjekje për hetimin e evolucionit të letërsisë si art, dy studiuesit i kërkojnë në këtë mënyrë: 1) analiza paraprake e veprave të artit nuk është bërë konsekuente e sistematike, pasi mjaftohemi me kriteret e retorikës së vjetër, e cila rrëshqet në sipërfaqe të dukurive; 2) paragjykimi se historia e letërsisë mund të dalë vetëm si shpjegim kasual nga ndonjë veprimtari tjetër; 3) koncepti i zhvillimit të artit të letërsisë. (Krahaso, po aty, fq. 240)
[4] Po aty, fq. 239
[5] Letërkëmbimi Camaj – Pipa: 1959-1992. Botimet Princ, Tiranë 2022, fq. 47
[6] Po aty
[7] Po aty
[8] Lotman, J. Structure of artistic text, Michigan Slavic Contributiones, Michigan 1977
[9] Për Lotman-in, koncepti i ligjërimit ngërthen: a) gjuhët natyrore (shqipja, anglishtja, rusishtja etj.) b) gjuhët artificiale (ligjërimet e shkencave, metaligjërimet e përshkrimeve shkencore, ligjërimet e shenjave konvencionale si sinjalet e rrugëve etj. c) ligjërimet dytësore (strukturat e ligjërimit që i mbivendosen rrafshit natyral gjuhësor (miti, religjioni si dhe arti). Po aty, fq. 10
[10] Po aty, fq. 10
[11] Lotmani flet për parimin sintagmatik dhe parimin paradigmatik, ku: i pari i ndërton njësitë e tekstit në lidhje lineare mes tyre mbi baza kundërshtore; i dyti i ndërton njësitë e tekstit mbi bazën e mospranisë, pra mbi bazën e kundërvënies.
[12] Ilustrimi sipas: Ismajli, Rexhep. Shumësia e tekstit. Rilindja. Prishtinë 1980, fq. 79
[13] Edhe me Michael Rifaterre-n kemi zhvillimin e konceptit të formalistëve se vepra artistike nuk është pasqyrim i realitetit, por një domethënie e organizuar semiotikisht. Michael Rifaterre thotë se realiteti dhe autori janë zëvendësuar prej tekstit, se teksti është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të ketë nën kontroll deshifrimin e vet.
[14] Fjala letërsi, në gjuhët evropiane, është mjaft e re, ajo daton në shek. XIX. Për më tepër, shumë gjuhë (si ato të Afrikës, p.sh) nuk kanë ende asnjë term gjenerik për të shënuar (përcaktuar) letërsinë si një të tërë. Po kështu nga mënyra sesi është zhvilluar letërsia në vende dhe kohë të ndryshme nuk do të ishte shumë e lehtë që të vendosnim sot se çfarë është dhe çfarë nuk është letërsi, duke pasur parasysh diversitetin e dukshëm midis veprave të shkruara.
[15] Letërsia dhe tradita. Vatra. Shkup 2003, fq. 83
[16] Përmendoret që ekzistojnë, thotë Eliot-i, formojnë një sistem ideal mes tyre, i cili mund të ndryshojë vetëm me vendosjen e një vepre të re (vërtet të re) artistike. Sistemi apo rendi ekzistues është i plotë, derisa të paraqitet vepra e re: por, për të ruajtur rendin pas vendosjes së risive, mbarë rendi ose sistemi ekzistues, duhet të ndryshojë, ndërsa marrëdhëniet, përpjesëtimet, vlerat e çdo vepre artistike i përshtaten sërish tërësisë, duke ndodhur përkimi i së vjetrës me të renë. (Po aty. fq. 83)
[17] Sipas polisistemit të krijuar nga Zohar.
[18] Te Antologjia e lirikës shqipe, prej De Radës e këndej, Rexhep Qosja,studiuesi që është marrë më gjatë me studimin e letërsisë së Rilindjes Kombëtare, apo të romantizmit shqiptar, shkruan: Gjatë përpilimit të antologjisë, me keqardhje pata rastin të konstatoj se poezia jonë patriotike e periudhës së Rilindjes kombëtare, dhe një pjesë e saj sot e gjithë ditën, nuk qëndron në nivelin e poezisë së temave dhe motiveve të tjera. Është vetë studiuesi që ka shkruar për Naim Frashërin librin “Porosia e madhe”, që kuptohet nga vetë titulli për ngarkesat që ka: patriotike apo pozitiviste. (Qosja. Rexhep. Antologjia e lirikës shqipe, prej De Radës e këndej. Rilindja. Prishtinë 1970, fq. 384)
[19] Studiuesi Namik Ressuli flet për mbivlerësime që u janë bërë edhe poetëve se De Rada apo Naim Frashëri. Mbivlerësimet thotë ai janë bërë për arsye kombëtare, patriotike ose politike. Ata poetë janë të vetëmjaftueshëm për atë që janë. (Shkrimtarët shqiptarë, nga Namik Ressuli; Ernest Koliqi; Karl Gurakuqi. Pakti. Tiranë 2007, fq. 261)
[20] Muhametaj, Enver. Mendimi letrar shqiptar 1939-1944, 7 (Qendra e Studimeve Albanologjike; Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë). Bota shqiptare. Tiranë 2008, fq. 500
[21] E pash’ një motrë t’voglëzë/ akj’ të djeshme, akjë t’ëmblëzë!/ Si nj’ engjëll e bukrëz’ë./ Nai e sheh, ng’ e harron më./ Kështenjor isht kësheti;/ Siu i saj i rrimt si deti;/ më se xhiji e bardhëz’ë./ Nai e sheh, ng’ e harron më…
[22] Cit. nga Dado, Floresha. Intuitë dhe vetëdije kritike. Onufri. Tiranë 2006. Fq. 71
[23] Shih te Eliot, T.S. Ese të zgjedhura. Rilindja. Prishtinë 1982, fq. 212
[24] Shih po aty, fq. 67
[25] Shih edhe Krasniqi, Gazmend. Modernizmi dhe potmodernizmi në letërsi. Jozef. Durrës 2021
[26] Uellek, Rene; Uorren, Ostin. Teoria e letërsisë. Sh.B. Enciklopedike, Tiranë 1993
[27] Shkrimtarë shqiptarë. 2. Botim i dytë Pakti. Tiranë 2008
[28] Ressuli, Namik. Për një pjesëtim sistematik të letratyrës shqipe. Gaz. Shkolla kombtare. N. 19-20
[29] Në fakt, vetë studiuesi Ressuli na jep disa argumente për të kundërshtuar zhvleftësimin e letërsisë së vjetër, kur thotë (Muhametaj, Enver. Mendimi letrar shqiptar 1939-1944, 7, Qendra e Studimeve Albanologjike; Instituti i Gjuhësisë dhe i letërsisë. Bota shqiptare. Tiranë 2008, fq. 13): Këta shkrimtarë të vjetër të veriut nuk janë vetëm të parët që filluan një farë lëvizje kulturore në vëndin t’onë, nuk janë vetëm që i dhanë Shqipes një alfabet – alfabetin latin – po janë edhe të parët që mendojnë e punojnë, e qajnë, e vuajnë për atdhenë e gjuhën e tyre, për shqipen e Shqipërinë. Bile nga kjo pikëpamje kombtare ky prodhim mund të lidhej drejtë për drejtë me atë që erdhi pas Lidhjes së Prizrendit… Këto argumente mund t’i rreshtojmë si vijon: Po të marrim poezinë Këngë e përshpirtshme, e Lekë Matrëngës, nuk është e thënë t’i përgjigjemi thirrjes për në kishë që ta shijojmë atë. Sepse: Eksperimenti i parë – sipas Koliqit, i poezisë reflektive apo të përpunueme në gjuhën shqipe, përbahet nga 8 vargje njëmbëdhjerrokëshe me rimë të alternueme (pa vargjet e zakonshme finale me rimë të puthun) – vjen si vijon: Gjithëve u thërres, kush do ndëjesë,/ të mirë të krështe, burra e gra,/ mbë fjalët të Tinzot të shihi meshë,/ se s’ishtë njeri nesh çë mkate s’ka;/ e lum kush e kujton se ka të vdesë,/ e mentë bashk’ mbë Tënëzon’ i ka,/ se Krishti ndë Parajsit i bën pjesë,/ e bën për bir të tij e për vëlla. Nëse do të kishte dyshime për poezi si kjo, do të mjaftonte përmendja e poemës “Milosao” të De Radës.
[30] Po aty, fq. 11
[31] Shkrimtarë shqiptarë. 2. Botim i dytë Pakti. Tiranë 2008, fq. 360
[32] Për hir të së vërtetës, ai nuk kishte kërkuar largimin e letërsisë së vjetër, veçse kishte hedhur idenë që vetëm grupi i letërsisë kombëtare mund të studiohej si letërsi. Në një shkrim të tij te gazeta “Shkolla kombtare” i kishte sqaruar këto ide, siç u përgjigjej atyre që e akuzonin. (Muhametaj, Enver. Mendimi letrar shqiptar 1939-1944, 7, Qendra e Studimeve Albanologjike; Instituti i Gjuhësisë dhe i letërsisë. Bota shqiptare. Tiranë 2008, Polemika me Filip Fishtën)
[33] Skema: 1. Mozaiku kulturor i periudhës parakombëtare: 1555-1881 – 1a. Shkrimtarët e hershëm kishtarë gegë katolikë: punime doktrinare dhe gjuhësore (mes shek. 16-të – në fillim të shek. 18-të) 1b. Shkrimtarët e hershëm kishtarë greko – ortodoksë italo – arbëreshë: punime doktrinare dhe didaktike (fund shek. 16-të – fund shek. 18-të 1c. Shkrimtarë myslimanë me alfabet arab: poezi erotike, satirike dhe didaktike (fillim shek. 18-të – fillim shek. 19-të) 1ç. Shkrimtarë ortodoksë të diasporës me alfabet grek: leksikografi, mbledhje folklori dhe përkthim i biblës (shek. 19-të) 2. Letërsia romantike e Rilindjes Kombëtare: (1836) 1881-1912 (1924) 2a. Romantizmi arbëresh: arbëresho-kalabrezët dhe arbëresho-sicilianët (1836-1924) 2b. Romantizmi shkodran: shkrimtarë laikë dhe klerikë (1881-1924) 2c. Letërsia romantike në mërgim: ideologë borgjezë dhe shkrimtarë demokrato – populistë (1886-1924) (Pipa, Arshi. Letërsia shqipe: perspektiva shoqërore. Princi. Tiranë 2013)
[34] Pipa, Arshi. Letërsia shqipe: perspektiva shoqërore. Princi. Tiranë 2013, fq. 182-184. Po aty, fq. 184-187
[35] Nuk harrojmë se punimi i Pipës titullohet Letërsia shqipe: perspektiva shoqërore, dhe kjo është arsyeja që ai ndihet mirë me këto listime.
[36] Muhametaj, Enver. Mendimi letrar shqiptar 1939-1944, 7, Qendra e Studimeve Albanologjike; Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Bota shqiptare. Tiranë 2008, fq. 41. Shtjellim i mëtejshëm i pikëpamjeve të shkrimit.
[37] Draçini, Qemal. Era. Muzeu historik i Shkodrës. Shkodër 1995, fq, 48
[38] Hamiti, Sabri. Shkollat letrare shqipe. Faik Konica. Prishtinë 2004, fq. 13
[39] Po aty. Fq. 13-14
[40] Uellek, Rene; Uorren, Ostin. Teoria e letërsisë. Sh.B. Enciklopedike, Tiranë 1993,. Dhe Chevrel, fq.
[41] Shih interpretimet e I. Rugovës te libri “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983”
[42] Në një takim në universitetin e Shkodrës, Arshi Pipa i pyetur për çfarë ka shkruar Qosja për Naimin, u përgjigj: Ai e ngre Naimin në qiell, pastaj e përplas për tokë. Ai nuk e shtjelloi idenë e tij, por mendojmë se, me këtë përgjigje, ai shprehte pikërisht këtë kontradiktë për të cilën po flasim
[43] Duhet theksuar se studiuesi Sabri Hamiti e ka treguar disa herë që është më se i qartë në këtë pikë.
[44] Historia e letërsisë shqipe II. Tiranë 1960, fq. 488
[45] Shih Uellek, Rene; Uorren, Ostin. Teoria e letërsisë. Sh.B. Enciklopedike, Tiranë 1993, fq. 44-45
[46] Në artikullin “Teoria e metodës letrare”, Eikhenbaum shkruante: 1) Nisur nga kundërvënia e gjuhës poetike ndaj gjuhës së përditshme, ne arritëm në diferencimin, duke ndjekur diferencat e tyre të funksioneve, të nocionit të gjuhës së përditshme (L. Jakubinski), dhe në kufizimin e metodave të gjuhës poetike dhe emocionale (R. Jakobson); 2) Nisur nga nocioni i përgjithshëm i formës në konceptimin e ri të saj, ne arritëm në nocionin e procedesë dhe përmes saj në nocionin e funksionit; 3) Nisur nga ritmi poetik, përballë metrit dhe nocionit të ritmit, si faktor ndërtues i vargut, në njësinë e tij, ne arritëm të konceptojmë vargun si një formë e veçantë e ligjërimit, që ka cilësitë e veta gjuhësore (sintaktike, leksikore dhe semantike); 4) Nisur nga nocioni i subjektit si ndërtim, ne arritëm në nocionin e materialit si motivim, dhe ashtu ta konceptojmë materialin si element që merr pjesë në ndërtim, gjithnjë i varur nga dominantja ndërtuese; 5) Nisur nga përcaktimi i identitetit të procedesë mbi materialet e ndryshme dhe të diferencimit të procedesë sipas funksioneve të saj, ne arritëm në çështjen e evolucionit të formave, domethënë te problemet e studimit të historisë së letërsisë. (Marrë nga Dado, Floresha, në “Problematika e kritereve të historisë së letërsisë” (Historia e letërsisë shqipe (Materialet e konferencës shkencore, 30-31 tetor 2009, në Prishtinë. Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Prishtinë 2010), fq. 55
[47] Bart, Roland. Aventura semiologjike. Rilindja. Prishtinë 1987, fq. 223
NO COMMENT