READING

SI SHKRUAJMË DHE SI LEXOJMË

SI SHKRUAJMË DHE SI LEXOJMË

            SI SHKRUAJMË

            Gazmend Krasniqi

1. QASJE METODOLOGJIKE

Ku qëndron vështirësia e parë për përgjigjen e pyetjes: A i përdorim drejt termat “letërsi moderne, letërsi moderniste, letërsi postmoderniste apo modernitet estetik”? Ajo vjen nga mënyra e periodizmit të letërsisë shqipe, që përgjithësisht shfaqet në këtë mënyrë:- Letërsia e vjetër- Letërsia e Rilindjes- Letërsia e periudhës së Pavarësisë- Letërsia e viteve ’30-të (apo midis dy luftërave)
Pra, nuk vlerësohet ideja për një periodizim pastërtisht letrar. Vazhdon të shihet letërsia si pjesë e shoqërisë. Ndër të gjitha ato që përmendëm më parë, më e keqja është po t’ia nënshtronim studimin e letërsisë historisë, fenomen që në kulturën tonë e ka pasur dukurinë e vet, pasi trajtimi letrar do të humbiste shumë.
Studimi i gjithçkaje që ka të bëjë me historinë (e qytetërimit), në të vërtetë i kalon në plan të dytë studimet letrare. Fshihen kështu dallimet midis asaj çka është dhe asaj çka nuk është letërsi; për letërsinë fillojnë të zbatohen kritere jashtëletrare dhe, për rrjedhojë, letërsia do të quhet me vlerë për aq sa jep përfundime për këtë apo për atë disiplinë që është e afërt me të, identifikimi i letërsisë me historinë (e qytetërimit) është mohim i fushës specifike dhe i metodave specifike të studimit të letërsisë.
Edhe nocioni “brez” paraqet problemet e veta. Ai sjell izolim dhe shkëputje nga rrjedha e përgjithshme. Të gjitha këto forma të paraqitjes mund të sjellin vështirësi për studiuesin apo studentin për ta parë letërsinë shqipe si pjesë e procesit të zhvillimit të saj në kuadrin e letërsisë europiane dhe botërore.Atëherë, si mund t’i qasemi ne idesë së periodizimit me mjete pastërtisht letrare, duke pasur parasysh disa drejtime letrare që nuk mund të kuptohen pa njëra-tjetrën? Sipas romancierit Milan Kundera, romani e humbi mundësinë që i kishte dhënë romani i shek. XVIII, Tristram Shandy, vepër e Laurence Sterne, dhe Zhak Fatalisti, vepër e Denis Diderot . Sipas tij, do të imagjinohej një tjetër histori e romanit, nëse këto dy maja të lirisë krijuese, që nuk u tejkaluan kurrë, nuk do të zëvendësoheshin nga prirje të tjera. Çfarë ndodhi? … midis formave të panumërta të romanit e novelës, që kanë pushtuar ose dëfryer mendjen njerëzore, më i favorizuari ka qenë romani i dokeve e zakoneve, është ai që i përshtatet më mirë turmës, thotë në këtë kohë Charles Baudelaire, pararendësi i madh i modernizmit. Ashtu si Parisi do, mbi të gjitha, të dëgjojë të flitet për Parisin, turma kënaqet me pasqyrat ku sheh vetveten. Është lloji i letërsisë ku ai shikon shkëlqimin e një shkrimtari si Honore de Balzac.Padyshim, kjo thënie e tij përcakton realizmin, një term letrar, i cili, me tiparet e tij, na shërben për të përcaktuar tiparet e drejtimeve letrare që e pasojnë.Një herë e një kohë, letërsia nënkuptonte para së gjithash poezinë, por erdhi një kohë që romani e errësoi atë, si nga ajo që shkruajnë shkrimtarët, si nga ajo që lexojnë lexuesit. Këtë e pranon edhe Ezra Pound-i te eseja e tij “Si të lexojmë”. Ose se numri i durimmëdhenjve që e ndjekin tekstin deri në vargje, rrokje e fonema zvogëlohet gjithnjë më shumë, ose, siç kanë theksuar teoricienët:
historitë kanë si funksion të na mësojnë për botën, të na tregojnë se si punon ajo, duke na bërë të aftë që me anë të mjeteve të fokalizimit t’i shohim gjërat nga pika të tjera epërsie dhe të kuptojmë shtysat e të tjerëve, që në përgjithësi janë të padepërtueshme për ne.
Për të bërë përpara me idenë tonë, vijojnë pyetjet:
– Cilave tipare të realizmit të shek. XIX (që në Shqipëri lindi dhe u zhvillua më pas), kundërvënës ndaj romantizmit, që e quante “të shkëputur nga realiteti”, iu kundërvu modernizmi”? – Cilave tipare të modernizmit iu kundërvu postmodernizmi (i cili për letërsinë shqipe filloi jashtë kufijve politikë të një Shqipërie të mbyllur ndaj botës)?
Pra, cilat janë tiparet kryesore që na kanë dhënë vazhdimësinë e asaj që ndodhi në artin dhe mendimin letrar, jo vetëm në kulturën tonë, por edhe atë perëndimore, ku kërkon të rreshtohet letërsia jonë?Për të vazhduar, së pari, duhet të rreshtojmë disa prej tipareve të realizmit, tashmë jo të panjohura për studiuesit dhe dashamirësit e letërsisë, të cilat do të duhej të mbanin shigjetat e kritikës moderniste: karakteristika me të cilat realizmi iu pat kundërvënë dikur romantizmit.(Nënzhanret e tij – realizmi kritik, natyralizmi apo realizmi socialist – do të kërkonin një trajtim edhe më të veçantë) Sidoqoftë, studimet tona paraqesin të paktën dy vështirësi për klasifikimin e këtyre tipologjive:
– të mbirënduara nga periodizimi historicist, ato nuk kanë krijuar lista tipologjike të teksteve të krijuara nëpërmjet këtyre poetikave;- vetë tekstet shqipe, të krijuara përtej rrjedhave të caktuara kohore, nuk vijnë më të pastra, si pasojë e ndikimeve të vetëdijshme ose të pavetëdijshme nga dinamikat e reja në letërsi, të cilat djegin etapat.
Por trajtime të ndryshme, që merren me tiparet e një drejtimi letrar, bëhen mbështetëse të një baze teorike. Për shembull, veçojmë këto ide orientuese :
o Një vepër arti nuk është shembull a përfaqësuese e një klase apo lloji, por vetëm një pjesë që së bashku me shoqet e saj përbëjnë konceptin e periudhës si të tërë, ku secili moment i veçantë përcakton, në thelb, të tërën.o Lipset ditur mirë se periudha nuk është një tip ideal, por një hark kohor ku mbisundon një sistem tërësor normash o Në çdo periudhë gjejmë edhe mbeturinat e skemave paraardhëse të normave, por edhe embrionet e skemave pasardhëseo Lipset kapur rënia e një sistemi konvencionesh dhe lindja e sistemit të ri, ku shkaku është problem historik dhe nuk mund të zgjidhet me arsyetime të përgjithshmeo Është një proces i ndërlikuar, pjesërisht i brendshëm, i shkaktuar nga shterrimi i energjive dhe dëshira për ndryshime, por edhe i jashtëm, i shkaktuar nga ndryshime në jetën shoqërore, shpirtërore e në fusha të tjera të kulturëso Një fjalë e vetme nuk mund të shprehë të gjitha nuancat kuptimore, por po aq i gabuar është edhe përfundimi skeptik që kërkon të fshijë nga diskutimi këtë problem, pasi koncepti i periudhës letrare është padyshim një nga mjetet kryesore të njohjes teorike
Do të shohim se rindërtimi i ambientit realist, nga mënyra se si i qasemi, na kthen edhe te këto pyetje që bëhen dëshmitarë të asaj që ka ndodhur në kuadrin e ndryshimeve, sepse po të flisnim vetëm për postmodernizmin, nuk do të kishte vend për to:- Për kë shkruhet dhe si- Kush lexon dhe pse- Si duhet të sillet apo të flasë personazhi
Kjo qasje, duke pasur parasysh zhvillimet mes drejtimeve letrare, kërkon të japë dinamikën e shpejtë të zhvillimit të letërsisë dhe, rrjedhimisht, të mendimit letrar, për rreth 150 vjet, i cili duhet thënë se pëson shndërrime të skajshme, duke kaluar nëpër emra të shumtë teoricienësh dhe studiuesish, apo disiplinash specifike, të cilat japin nivelin e studimeve të sotme në këtë fushë. I marrim çështjet me radhë.

2. CILËT JANË KUFIJTË E AUDIENCËS

o Për tekstet realiste Kryesisht njerëz të shtresës së mesme, që kanë para, kohë leximi dhe duan të lexojnë për njerëz si puna e tyre, për doket e zakonet që i përcaktojnë ato.
o Për tekstet moderniste Kryesisht njerëz të shtresës mbi të mesmen, të arsimuar mirë. Modernizmi qe krejtësisht elitist dhe u drejtohej intelektualëve që donin të mendonin më shumë sesa njerëzit që thjesht donin të zbaviteshin. Letërsia moderniste shpesh është ndryshe për këtë arsye.
o Për tekstet postmoderniste Fiksioni postmodernist nuk njeh kufij audience. Zakonisht, është lojcak dhe eksperimental, kështu që ai karakterizohet nga kthjelltësia, por nuk është krejt zbavitje, sepse i kërkon lexuesit të mendojë mbi implikimet e asaj çfarë po thotë për narrativat, në të cilat tregohet vetëreflektues.

3. CILËT JANË KUFIJTË E FOKUSIMIT

o E teksteve realiste Sende, njerëz dhe vende të zakonshme : një botë që, siç u tha te audienca, lexuesi mund ta njohë si të veten. Romanet realiste paraqesin një botë materiale të përditshmërisë, duke ngulmuar në idenë se e imitojnë atë. Realizmi ka shqetësim kryesor anën e paraqitjes së “realitetit”, larg retorikës.
o E teksteve moderniste Gjëra, njerëz dhe vende të zakonshme, por në një botë të bërë jofamiljare. Një botë e zakonshme, por e parë nga pikëvështrimi i një ndërgjegjeje të veçantë, individuale. Imagjinata, shpikja e një bote fiksionale konceptojnë një realitet që është më tepër se kopja reale.
o E teksteve postmoderniste Postmodernizmi nuk njeh kufij fokusimesh. Përqendrimi i teksteve fiksionale postmoderniste është gjithmonë në marrëdhëniet midis njerëzve dhe gjuhës/ narrativës.

4. CILËT JANË KUFIJTË E SFONDIT

o Për tekstet realiste Vende reale që lexuesit mund t’i njohin. Realiteti shihet si stabël dhe zakonisht i kapshëm dhe se parimisht i nënshtrohet verifikimit sipas kritereve të ndryshme të logjikës.
o Për tekstet moderniste Vende reale, zakonisht në qytete, por të bëra jofamiljare, sepse janë të para nga pika e pamjes e një ndërgjegjeje të veçantë, individuale, e cila paraqet kufizimet e veta. o Për tekstet postmoderniste Nuk ka kufij për sfondet. Mund të jetë kudo dhe në çdo kohë. Ka shumë fiksione historike postmoderne që theksojnë se historia nuk është objektive, por varet se kush e shkruan.

5. CILAT JANË KUFIJTË TEMATIKË

o Tekstet realiste o Familja, dashuria, statusi shoqëror, lufta për të qenë i lumtur, i suksesshëm dhe i përmbushur si individ, si dhe lufta për të rrëmbyer ofiqe o Vështirësitë për femrën (që shpesh e gjejnë veten të kufizuara nga rregullat dhe morali i shoqërisë)o Përplasjet shoqërore
o Tekstet moderniste o Idetë e kuptimit në një botë moderne apo në një botë pa zot, përveç eksplorimit të realitetit të përvojës dhe kritikës së vlerave tradicionale të kulturës, janë parë si të frymëzuara nga realiteti shokues i luftërave botërore. Kritikohen vlerat tradicionale dhe diskutohen idetë e realitetit, duke paraqitur situatën absurde në të cilën zgjohet njeriu një ditë, ku e akuzojnë për një krim të cilin nuk ia sqaron askush.o Si e përjetojnë individët botën në vazhdimësi në ndërgjegjet e tyre dhe vështirësia e dhënies së një mase të besueshme të përvojës o Efekti i kujtesës dhe i pavetëdijes në vetvete, konfliktet dhe krizat e brendshme janë krijuar nga vetja “e dyzuar” prej kushteve të reja sociale dhe prej shkatërrimit të formave tradicionale të autoritetito Te kërkimi për kuptim në një botë moderne dukshëm pa kuptim, ndodh ndërgjegjësimi se njohja nuk është absolute, preokupimi me të brendshmen e njeriut, zëvendësimi i heroit ideal me anti-heroin, zëvendësimi i optimizmit me cinizmin dhe tëhuajsimin, nxjerrja e historisë prej një të shkuare mitologjike, nevoja e pasqyrimit të kompleksitetit të jetës urbane moderne apo thyerja e normave sociale dhe vlerave kulturore.
o Tekstet postmoderniste o Postmodernizmi nuk ka kufij tematikë. Ai eksploron vijën ndarëse ndërmjet “realitetit” dhe “fiksionit”, si dhe ndërmjet “realitetit” dhe të “vërtetës”. Ai tërheq vëmendjen se “realiteti’ njerëzor është si fiksion (sepse i tërë realiteti njerëzor është gjuhësor), si dhe se gjërat nuk duhet të jenë “reale” për të qenë “të vërteta”. Letërsia është një shembull i mirë i diçkaje “jo reale”, por që përmban “të vërtetën”o Postmodernizmi hulumton rreziqet dhe mundësitë e rrëfimeve. Nga njëra anë, njerëzit mund t’u përshtaten narrativave në mënyrë që t’i kontrollojnë ato; nga ana tjetër, këto rrëfime nuk janë fikse dhe kështu mund të ndryshoheno Letërsia postmoderniste është një vend që ofron dhe shpreh lloje të ndryshme të “së vërtetës”; është një vend i rezistencës ndaj pikëpamjeve totalizuese/ thelbësore të botës; ku mund të eksplorohen ide të reja; ku mund të hapet mendja; ku mund të shprehen gjëra të reja dhe ku njerëzit mund të mësojnë të ndiejnë keqardhje me të tjerët

6. CILËT JANË KUFIJTË E PIKËPAMJES SË VLERAVE

o Tekstet realiste o Çfarë mendon shtresa e mesme se është e rëndësishme në jetë o Aty ku hetojnë sjelljen morale të njeriut në shoqëri, romanet realiste shpesh janë moralizuese, duke këshilluar vlera “ideale”, “korrekte” përgjithësisht brenda stereotipave të tyre
o Tekstet moderniste o Modernizmi hedh poshtë vlerat e vjetra, konservatore, tradicionale, të klasës së mesme të familjes, klasës, vendit, fesë, gjinisë. Këto janë “vlera” që i bëjnë njerëzit të përshtaten në mënyrë që t’i kontrollojnë dhe kufizojnë individualitetin e tyre duke u imponuar “të vërteta” të rreme. Disa modernistë e përqafojnë këtë ndryshim; modernistët e tjerë ndihen shumë të shqetësuar/ nostalgjikë për këtë, sepse nuk është e qartë me çfarë do të zëvendësohen format e vjetra të autoritetito Shumica e modernistëve vlerësojnë përvojën individuale, subjektive, mbi përvojën e grupit, atë “objektive”. Për ta, “normale”/ “normalitet” thjesht do të thotë konformitet/ bindje ndaj diçkaje që në thelb është e pakuptimtë. o Shumë modernistë, të interesuar mbi përvojën ekstreme/ të pazakontë/ tronditëse, vlerësojnë eksperimentimin në jetë dhe në art apo pjesën e pavetëdijshme të mendjes, si çelësi për të kuptuar unin
o Tekstet postmoderniste o Postmodernizmi nuk shihet si afirmues vlerash fikse. Ai shpreh dyshim për narrativat e mëdha (“metanarrativat”), që pretendojnë se shprehin një të vërtetë universale (çfarë është natyrore) dhe/ ose të cilat përpiqen t’i detyrojnë njerëzit që t’u përshtaten atyre o Sipas postmodernizmit, e gjithë “e vërteta” është relative, në varësi të vlerave kulturore. Edhe morali, gjithashtu, duhet të jetë gjithmonë relativo Metanarrativat shpesh e fshehin faktin se njerëzit që i reklamojnë ato, përfitojnë pushtet prej tyre

7. KUSH JANË PERSONAZHET

o Teksteve realiste o Personazhet kryesore zakonisht janë të shtresës së mesme, të cilët lexuesit e po asaj shtrese mund t’i njohin si qenie të ngjashme me ta. Zakonisht zhvillohen gjatë romanit. Ato kanë qëllime shoqërisht të pranueshme (për shembull, martesa, pavarësia, pjekuria, dija, ofiqet), në varësi të klasës, moshës dhe gjinisëo Tekstet realiste interesohen për psikologjinë e personazheve në një sfond dhe ndërveprim shoqëror
o Teksteve moderniste o Personazhe që e shohin dhe e përjetojnë botën ndryshe nga njëri-tjetri (subjektivisht), kështu “realiteti” është (pjesërisht) i formuar në mënyrën që një ndërgjegje e veçantë individuale organizon “realitetin”. o Personazhe në pikat e shikimit të të cilëve “realiteti” është relativ. Ngjarjet/ njerëzit/ situatat e ndryshme janë përjetuar subjektivisht nga personazhe të ndryshme në të njëjtën kohë. Asnjëri prej versioneve nuk është “korrekt”, sepse pamja objektive e “realitetit” nuk është e mundur.o Personazhe për të cilët “Vetja e unifikuar” është një iluzion. Njerëzit shtypin mendime që nuk janë të pranueshme (dëshirat e tyre më të errëta, frikën e tyre më të errët, traumat të cilat dëshirojnë t’i harrojnë) në pavetëdije, por këto mendime të pavetëdijshme, për të cilat ato nuk janë në dijeni, vazhdojnë të kthehen për t’i shqetësuar. o Personazhe te të cilët uni është fluid, gjithmonë i formuar dhe i ri-formuar nga përvoja. Të kuptuarit e një personi varet nga aftësia për të kuptuar përvojat e tij, por kjo është e vështirë, sepse: (1) bota është e copëtuar, e ndërlikuar dhe e pakuptimtë; (2) shqisat tona na mashtrojnë; (3) gjuha është e pasigurt dhe nuk mund ta kapë botën në mënyrë objektive. A mund ta përshkruajmë vërtet veten ose botën, apo thjesht krijojmë një version subjektiv dhe jo të besueshëm? Modernizmi tregon luftën për t’i dhënë kuptim vetes dhe botës dhe pasojat e dyshimit për “të vërtetën” dhe “kuptimin” o Personazhe që përpiqen të mbajnë mend të kaluarën në mënyrë që të përpiqen të japin kuptim për veten e tyre në të tashmen, por kujtesa është e pamëshirshme (kujtojmë gjëra që nuk duam t’i mbajmë mend, harrojmë ato që duam t’i mbajmë mend, ose kemi kujtime të rreme, sepse po përpiqemi t;i fshehim diçka vetes)o Personazhe të hutuar, në krizë, të tjetërsuar sepse (1) bota moderne duket konfuze, e pakuptimtë dhe impersonale ; (2) uni modern është në konflikt midis egos (vetja racionale, e ndërgjegjshme, shoqërore) dhe id-isë (uni racional, i pavetëdijshëm me kërkesat dhe dëshirat e tij të paarsyeshme)o Personazhe që shpesh përjetojnë momente me “domethënie të madhe” në të cilat papritmas vjen në fokus bota (“epifania” moderniste)
o Teksteve postmoderniste o Postmodernizmi përpiqet të tregojë se sa iluzion i rrezikshëm është thelbi, prandaj përqendrimi i tij është gjithmonë tek identiteti – si formësohet, ndërtohet, realizohet, ndryshohet dhe mirëmbahet o Postmodernizmi shpeshherë përqendrohet te “Tjetri”, identitete tradicionalisht jo të privilegjuara: si e përjetojnë botën, gratë, homoseksualët, jo-evropianët? Si është bota nga këto perspektiva margjinale? Kështu hulumtohen mundësi të reja për pozitën e identitetit dhe identitetit “hibrid” – njerëz që kapen midis kulturave të ndryshme dhe shpesh tërhiqen në drejtime të ndryshme nga narrativat që “hahen” për tao Postmodernizmi thekson idenë se vetja është një personazh fiksional, rrëfen veten dhe është e rrëfyer nga të tjerët.

8. SI PUNON KOHA NARRATIVE

o Në tekstet realiste o Koha është lineare: ajo shkon drejt nga A te B, pa shumë kërcime në të shkuarën. Romanet realiste zakonisht përqendrohen në një periudhë të gjatë kohe, ku shtrihet jeta e plotë e personazhit kryesor, apo në një pjesë domethënëse të saj o Kujtesa nuk përbën temë për romanet realiste
o Në tekstet moderniste o Meqenëse kujtesa është një temë kryesore në modernizëm, koha në shkrimet moderniste është jo-lineare – ajo kërcen nga e kaluara në të tashmen dhe kthehet përsëri o Në letërsinë moderniste shohim se përdorimi i kohës shpesh është i pazakonshëm dhe domethënës. Shumë shkrimtarë modernistë e paraqesin atë si konstrukt simbolik dhe psikologjik, duke u dhënë mundësi atyre të kenë një përqasje jolineare në romanet e tyre, ose duke e kaluar atë shumë shpejt. o Koha përjetohet subjektivisht nga secili personazh, kështu që ngjishet ose zgjatet pafund, sipas parimit të mikroskopit ose teleskopit o Tekstet moderniste shpesh zhvillohen për periudha shumë të shkurtra kohore, sepse përshkruajnë përvojat e personazheve në vazhdimësi.
o Në tekstet postmoderniste Shkrimi postmodernist zakonisht është jolinear. Ai zhvillon më tej qasjen moderniste: koha shpesh zgjatet ose ngjishet, kërcen para ose prapa apo paraqitet si rryma paraleleo Shkrimi postmodernist shpesh nuk ka një fund të qartë: kjo pasqyron idenë postmoderne se historitë/ narrativat që formojnë “realitetin” njerëzor, nuk mbarojnë kurrë. “Realiteti” është vazhdimisht i hapur për të ndryshuar ashtu siç ndryshojnë kulturat njerëzore

9. KUSH FLET (NARRATORI)

o Në tekstet realiste o Narratori mund të jetë i vetës së parë dhe përshkruan çfarë ndodh në jetën e vet o Narratori mund të jetë i vetës së tretë dhe përshkruan çfarë ndodh nga një pozicion “mbi” apo “jashtë” historisë. Ky mund të jetë i drejtpërdrejtë (plotësisht i ndarë nga personazhet), ose jo i drejtpërdrejtë (ngjarjet janë të fokalizuara përmes një personazhi të veçantë dhe zëri i narratorit shkrihet me mendimet e personazhit). Shpesh, të dy mund të gjenden në të njëjtin tekst. o Narratorët e vetës së tretë janë si Zoti: janë të plotfuqishëm dhe dinë gjithçka. Duke treguar me hollësi ndjenjat dhe shtysat e fshehura të personazheve kryesore, si dhe duke shfaqur dijeni se si përmbyllen ngjarjet, mund të japin përshtypjen e kuptueshmërisë së botës. o Ata japin përshtypjen se janë objektivë, neutralë dhe racionalë (si bota që po përshkruajnë), si dhe janë të aftë të kapin “realitetin” e botës me vërtetësi.
o Në tekstet moderniste o Shkrimtarët modernistë parapëlqejnë të shkruajnë nga perspektiva e vetës së parë, për të marrë më shumë pikëshikime të historisë. Kjo u shërben për t’u dhënë shpjegimin e një natyre subjektive perspektivës dhe realitetit. Përroi i ndërgjegjes dhe monologu i brendshëm janë forma të zakonshme të rrëfimit të prozës moderniste. Ajo që marrim kështu është një përzierje e çrregullt e mendimit racional, përshtypjeve të ndërgjegjshme, përshtypjeve dhe asosacioneve të pavetëdijshme, momente ku ndërhyjnë mendime të pavetëdijshme, kujtime që kujtohen qëllimisht, kujtime që vijnë lirisht, si dhe përpjekje për të kujtuar gjërat. Kjo pasqyron idenë moderniste se mendimi nuk është (gjithmonë) racional, i organizuar, i strukturuar dhe i kontrolluaro Disa shkrimtarë modernistë përdorin rrëfim indirekt në vetën e tretë, por në një mënyrë me shumë më pak kontekstualizim sesa do të gjente në një tekst realisto Rrëfyesit modernistë në vetë të parë priren të jenë të pabesueshëm ekstremë: ata përpiqen të ndajnë përvojat e tyre të tashme dhe të kaluara së bashku, por shpesh bëjnë gabime. Kjo pasqyron idetë moderniste që (1) “realiteti” është kaq kompleks dhe mjetet tona për ta përshkruar atë aq të dobëta (shqisat tona jo të besueshme, gjuha jo e besueshme, kujtesa jo e besueshme, mënyrat e pabesueshme të të menduarit); (2) rrëfimet tregohen gjithmonë nga një këndvështrim subjektiv.
o Në tekstet postmoderniste o Narratorët postmodernistë shpesh janë të pabesueshëm, por ata janë të vetëdijshëm që edhe vetë janë personazhe në një fiksion. Kjo është një formë metafiksioni që (1) pasqyron idenë postmoderniste se jetët tona “reale” gjithashtu janë fiksionale dhe (2) i tërheq vëmendjen lexuesit mbi faktin se ai/ ajo po konsumon letërsi e cila nuk mund të jetë e njëjtë me jetën realeo Shpesh, narratorët postmodernistë u drejtohen dëgjuesve që janë të nënkuptuaro Teoricienët flasin për rrëfim vetë-reflektiv kur narratorët ngrenë diskutime për faktin që po tregojnë një histori, shprehin ngurrim për mënyrën se si ta bëjnë këtë, apo madje dorëzohen para faktit se si do të dalë tregimi. Ky rrëfim i vetë-reflektimit vë në dukje problemin e autoritetit narrativ.

10. CILËT JANË TIPAT E PARAQITJES (STILI)

o Në tekstet realiste o Romancieri përpiqet të shmangë vëmendjen nga fiksionaliteti i veprës, duke shmangur gjuhën e figurshme. Ai shkruan prozë neutrale, në formë reportazhi pa pasione, shumë pranë biografisë apo kronikës, sepse shumica e përshkrimeve dhe detajeve (përfshirë ato të mjedisit) japin “efektin e realitetit” o Personazhet përdorin gjuhën e përditshme, të zakonshme : narratori zakonisht ka një stil të shtresës së mesme o Romanet realiste përshkruajnë shoqëri ku secili është lojtar dhe njerëzit nuk mund të shprehen ndershmërisht/ drejtpërdrejt – personazhet duhet të jenë të vëmendshme te çfarë thotë shoqëria për to.
o Në tekstet moderniste o Ndodh abdikimi (braktisja) e mimesis, e paraqitjes, si qëllim i pranuar i ndërtimit letrar.o Te formalizmi modernist, që e bën veprën të pakapshme nga lexuesi mesatar, shihet mënyra e vetme për ta shpëtuar letërsinë nga mungesa e shijes dhe rënia e saj në një zbavitje të lehtë. o Gjuha nuk është kurrë neutrale. Për modernistët, roli i poezisë nuk ishte për të paraqitur botën jashtë gjuhës, por për të krijuar një fushë gjuhësore që kishte mënyrën e vet të të qenit. o Tekstet moderniste zakonisht ofrojnë pak ose aspak kontekst. Shpesh lexuesi thjesht hidhet në një rrëfim dhe duhet ta orientojë veten. Kjo është një mënyrë për të përsëritur se sa konfuze është botao Tekstet e modernistëve shpesh janë të fragmentuara dhe/ ose plot boshllëqe. Lexuesit duhet të “plotësojnë” boshllëqet dhe të lidhin vetë fragmentet e informacionit. Kjo është një mënyrë për të përsëritur se si ne krijojmë kuptim në botën realeo Shënuesi, zgjedhja e fjalës, ose ai që quhet ligjërimi modern përparon gjithnjë
o Në tekstet postmoderniste o Tekstet postmoderniste shpesh përmbajnë një përzierje të zhanreve, deri në zhvendosje të tyre, që tërheq vëmendjen e lexuesit se si përcaktohet dhe formësohet letërsia nga zhanret që krijohen o Letërsia postmoderne shpesh përmban metafiksion, i barabartë me veçoritë vetëreflektuese të shkrimit të prozës që i kujtojnë lexuesit se po lexon një shkrim fiksionalo (1) Ai i kujton lexuesit që disa narrativa që shpallin se janë objektive, natyrore dhe universale (për shembull, letërsia realiste, historia), në të vërtetë janë fiksione subjektive dhe selektive që shprehin një pikëpamje kulturalisht të njëanshme të botës. o (2) Ai i tërheq vëmendjen lexuesit të jetë i vëmendshëm te ajo që po lexon dhe të shohë mënyrat e fshehta prej të cilave mund të jetë manipuluar nga narrativat, veçanërisht nga narrativat fiksionaleo (3) Ai i kërkon lexuesit të mendojë se si janë ndërtuar letërsia dhe njëanshmëria në të tilla konstruksione. Për shembull, si mund të ishte një histori nëse do të tregohej nga pikëpamja e një personazhi tjetër.o Letërsia postmoderniste çon përpara qasjen moderniste: shpesh përmban narrativa paralele (e njëjta histori e treguar nga perspektiva të ndryshme). Kjo i tregon lexuesit se si është ndërtuar i njëjti realitet në mënyra të ndryshme nga pozicione të ndryshme subjektive

11. PËRFUNDIME – DALLIMET MES TIPAREVE THELBËSORE

Nga paraqitja e përplasjes së tipareve na rezulton se drejtimi letrar që shfaqet në skenë, ka kritikat e tij për atë që synon ta zëvendësojë.
Duhet thënë: Modernizmi nuk është një thyerje e parë dhe e pakrahasueshme: ns tërbimin e tij për të shkatërruar e sjellë risi rrënjësore, modernizmi ndjek në rendin kuturor, me një shekull distancë, veprën e shoqërive moderne që synojnë të ngrihen në mënyrë demokratike. (…) Ashtu si revolucioni demokratik e çliron shoqërinë nga forca e së padukshmes dhe të korrespondencës së saj, bashkimit hierarkik, po ashtu, modernizmi artistik i çliron artin dhe letërsinë nga kulti i traditës, nga respekti për mjeshtrit, nga kodi i imitimit.
Këto kritika mund t’i përmbledhim pak a shumë si vijon:


• Kritika që afirmon modernizmin
o Realiteti i artit “realist” nuk është realisht real.o Paraqitja e botës nga realizmi si racionale/ e njohshme/ e harmonishme/ e përshkrueshme me gjuhë objektive është iluzion, përderisa realiteti i veprës përbëhet prej krijimeve të imagjinatëso “Realiteti” që sugjeron realizmi është subjektiv (në varësi të perspektivës relative të shikuesit në hapësirë dhe në kohë). o Gjuha nuk është objektive. Ajo nuk e pasqyron botën qartë siç i duket realizmit. Shpesh, gjuha dështon (fjalët nuk japin kuptimin e menduar; fjalët mund të jenë të painterpretueshme, të pabesueshme ose çorientuese; gjuha përdoret me vështirësi). o Romanet realiste realisht nuk janë aq neutrale, sepse në të vërtetë po promovojnë vlerat/ moralin e shtresës së mesme të kohës kur shkruajnëo Modernizmi kërkon mënyra të reja, eksperimentale, të përshkrimit të botës, për të thënë se arti modernist është i vështirë, pasi “realiteti” i botës është i vështirë për t’u kapur.o Bota është irracionale, subjektive, komplekse, e pakuptim dhe e dyshimtë, kështu që edhe arti është i fragmentuar, irracional, subjektiv, kompleks, pakuptim dhe i dyshimtë.o Arti i romanit është retorik, po aq sa dhe paraqitës
Shohim se, nga disa anë, idetë postmoderniste mbi artin dhe filozofinë janë të ngjashme me ato të modernizmit:
o Qenia njerëzore është komplekseo Gjuha është problematike o “E vërteta”, “njohja” dhe “kuptimi” janë nocione relative


• Kritika që afirmon postmodernizmin
o Në modernizëm, “e vërteta” është e vështirë të zotërohet nga gjuha o Në postmodernizëm, “e vërteta” e plotë e “realitetit” është se ai është një produkt i gjuhës
Pamë se shumë përcaktimeve të bëra prej nesh, postmodernizmi iu përgjigj me “nuk”, duke treguar një shkallë të madhe largësie nga realizmi, por edhe nga modernizmi. Pamë se të gjitha idetë postmoderne varen nga pikëpamja e veçantë për gjuhën. Gjuha krijon një hendek midis njerëzve dhe botës: Ne nuk mund ta përjetojmë botën, përveçse përmes gjuhës, kështu që gjuha siguron koordinatat për vetë kuptimin tonë të “realitetit”. Hap pas hapi, postmodernizmi rrëzon çdo pengesë, saqë në një nga librat e fundit studiuesja Floresha Dado e quan: poetikë e “antirregullit”. Sigurisht, ai vendos rregullat e veta. Liotar-i e artikulon idenë kështu:
Artisti ose shkrimtari i postmodernës është në pozitën e filozofit: teksti që shkruan, vepra që krijon, nuk udhëhiqen vetëm nga rregullat tashmë të vendosura, prandaj për to nuk mund të gjykohet në mbështetje të një kriteri të përcaktuar, në të vërtetë, për këtë vepër, për këtë tekst nuk mund të përdoren kategoritë e njohura. Këo rregulla dhe këto kategori janë ato për të cilat gjurmon vepra.
Dominimi i dukshëm i mënyrës ironike të mendimit dhe shprehjes shihet si ndryshimi kryesor midis modernizmit dhe postmodernizmit. Është më shumë sesa thjesht një ndryshim në stilin letrar, apo në mënyrën se si veshja hyn dhe del nga moda. Ironia e postmodernizmit sinjalizon një ndërprerje me modernizmin për aq sa modernizmi barazohet me një lloj të veçantë të elitizmit dhe seriozitetit në art, ndërsa postmodernizmi kërkon mbylljen e hendekut midis kulturës “së lartë” dhe asaj popullore.Një kritik shkruan:
Ajo që mund të quhet kohë pas kohe eksperiment, në të vërtetë nuk është asgjë më shumë se një përpjekje komplekse, progresive, për të mënjanuar pashkathtësinë teknike. Më shumë se eksperiment kjo është përmirësim.
Ndërsa në punimin “A i erdhi fundi romanit”, Shkllovski thotë:
Arti nuk ka pushuar kurrë së ekzistuari, por gjithmonë mohon vetveten, duke ndërruar mënyrat e shprehjes, jo me qëllimin për të ndryshuar formën, por për të gjetur shprehjen e saktë në njëmendësinë e re…

.


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.