GAZMEND KRASNIQI
Në disa prej takimeve tona, Gjon Shllaku, përkthyesi i njohur i Iliadës, më ka folur me entuziazëm për një tekst të vjetër, të njohur vetëm prej ndonjë bibliofili maniak, me autor një farë Heleni, bir i mbretit Priam të Trojës, plaçkë lufte te akejtë, pas përfundimit të luftës dhjetëvjeçare. Përkthyesi, i cili ka nxjerrë njëqind e shtatëdhjetë fjalë shqipe nga teksti i Iliadës, shpresonte të nxirrte edhe më shumë nga tjetri, pasi ky, për shkak të njohjes më të pakët, nuk duhej të kishte kaluar edhe aq nëpër duart e shkruesve grekë, për t’iu larguar shumë autenticitetit. Në pranverën e vitit 2005, Gjon Shllaku nuk jetonte më kur unë e gjeta këtë tekst në një bibliotekë universiteti në Londër. Teksti, tashmë jo në vargje, por në prozë, qe në anglishten e sotme. Gjithmonë për t’i ndejtur sa më pranë autenticitetit, nuk mëtova ta kthej atë në hekzametër, apo në 11-rrokësh, siç kishte bërë përkthyesi i Iliadës. Ja teksti i kthyer me besnikëri, pa titull në origjinal, derisa të biem ndonjë ditë në gjurmë të origjinalit të mirëfilltë:
Këndo, o Muzë, mëninë e njërit për tjetrin, të bekoftë Heshtia, hyjnesha e vatrës familjare.
Deri dje flitej për luftë, sot flitet për punë. Thonë se Homeri dhe Hesiodi, aedët më të mëdhenj të kohës sonë, janë takuar në Eube, në oborrin e mbretit të atjeshëm, dhe janë vënë në garë. Disa thonë se është nderuar Homeri, të tjerë thonë se ka fituar Hesiodi. Burimet më të besueshme thonë që gjyqtari i kësaj gare ka shpallur se kurorën e meriton ai i cili i këndon bujqësisë dhe zejeve të qeta, jo ai që i bën të pavdekshme luftërat e vrasjet. Por ithtarët e Homerit janë gjallë dhe të shumtë: për ta lufta është më e lehtë se puna, prandaj ngrenë në qiell idhullin e tyre dhe shajnë Hesiodin. Askush deri më sot s’e priste të dalë dikush e t’i thotë Odisesë: “Gjuha është begatia më e madhe e njerëzve, nëse ajo përdoret me maturi”. Askush s’e priste ta vlerësojnë punën, aq sa e vlerëson Homeri trimërinë, duke thënë kaq prerë: “Kurrë s’do t’i mbushë hambarët përtaci, as ai që s’di të kursejë”.
Sidoqoftë, për njerëzit është e qartë se nuk është më si dje: heronjtë ose kanë vdekur, ose nuk dinë si të sillen më në këtë botën tonë. Për fat (nëse mund të thuhet kështu), tashti që e shua Troja, askush s’po ia del të shpikë diçka tjetër si ajo, diçka që mund ta hedhë në luftë gjithë botën, megjithëse ata që s’e duan punën, duhet të mendojnë ditë e natë për të.
Çfarë dinë për luftën këta të rinj që u xixëllojnë sytë, kur përmenden heronjtë? Nga të gjithë këta njerëz që më rrethojnë këtu në Buthrot, askush s’mund ta imagjinojë si unë tmerrin e Trojës, sepse e kam jetuar atë si bir i Priamit dhe i Hekubës, si vëlla i Hektorit dhe i Paridit, si vëlla i Kasandrës dhe i Poliksenës, si xhaxha i Astianaksit të vogël, birit të Hektorit, emrat e të cilëve tashmë i njeh gjitha bota.
Anekënd dheut aedët i këndojnë kësaj lufte, pa e ditur se çfarë bëjnë me zemrat e këtyre të rinjve. E pra, dy nga heronjtë më përcaktues (njëri për vazhdimësinë, tjetri për finalen e saj) fillimisht kanë bërë çmos për t’iu shmangur asaj. Shumëkush e di se Odisea është hequr si i marrë, duke mbjellë tokat e veta me kripë, derisa ia vunë djalin Telemak përpara plugut. Nga ana tjetër, Akili u fsheh në oborrin e mbretit Likomed, në ujdhesën Skiros, ku i takoi të bijën, Deidameian, me të cilën pati djalin Neoptolem.
Siç thonë këngët e Homerit, historia e djalit Telemak mbisundohet nga historia e heroit Odise, por historia e djalit Neoptolem, megjithëse e shkurtër si ajo e të atit, vazhdon pothuajse me të njëjtin rrëmbim: këtë e dëshmoj unë, që qeshë plaçka e tij e luftës, sepse sot nuk mund t’u besohet të gjithë atyre që marrin përsipër të këndojnë. Në lindje, është quajtur Pirro, për shkak të flokëve të çelët, më vonë është quajtur Neoptolem, sepse erdhi vonë në Luftën e Trojës. Këto i di mirë, sepse qeshë unë arsyeja që erdhi atje: për fatin tim të keq, zotat kishin kumtuar te unë se Troja nuk do të binte pa ndihmën e tij. Për këtë e bindi Odisea, pasi ky tashti trashëgonte pajimet e luftës së heroit Akil. Zotat nuk donin që fati i luftës të merrte fund këtu: thanë se duhej të vinte edhe Filokteti, shoku i Herkulit, harkun dhe shigjetat e helmëta të të cilit i trashëgonte. Neoptolemi duhej të bindte Filoktetin e braktisur nga shokët në ishullin Lemnos, pasi e kishte kafshuar një gjarpër. Dëshmoj, gjithashtu, se Neoptolemi qe në barkun e Kalit të Drunjtë. Ma ka thënë vetë: qe diçka me të cilën krenohej.
Kështu bëri për vite me radhë: u krenua për vrasjen e Priamit, tim eti, të cilin e tërhoqi zvarrë nëpër tempullin e Zeusit, u krenua për vrasjen e Poliksenës, sime motre, meqë kur po ndahej plaçka e luftës, fantazma e Akilit kërkoi t’i flijohej kjo grua. Neoptolemi ia preu fytin të gjorës mu sipër varrit të heroit të paqetë. Ai krenohej për vrasjen e Astianaksit kërthi, por unë kam dyshuar gjithmonë se këtë duhej ta kishte bërë Odisea. Ma tha shumë vonë, në një çast zemërthyerjeje, se i kishte bërë këto bëma ngaqë ndjehej i shtypur nga fama e të atit. Kur i ra vlimi i gjakut dhe e kuptoi se qe edhe vetë qenie e vdekshme, si gjithë të tjerët, do të donte t’i harronte të gjitha, por ishte tepër vonë, pasi e shkuara nuk zhbëhej më, megjithëse këtë pata parasysh kur e porosita t’i linte të gjitha trashëgimitë për një mbretëri të re në një vend më të epërm, në Epir.
Megjithëse plaçka lufte, na trajtoi mirë edhe mua, edhe Andromakën, gruan e Hektorit të ndjerë, e cila i dha tre djem: Mollosin, Pergamin dhe Pielin. Deshën zotat, edhe ai nuk u zhgënjye prej nesh. Pas kthimit të Odisesë në Itakë, Neoptolemi u bind se ia kisha kursyer unë të gjithë ato që pat hequr shpikësi i Kalit të Drunjtë, sepse kur e takuam itakasin para nisjes nga Troja, i pata thënë zotërisë tim se “ai burrë do të ketë në shpinë zemërimin e Poseidonit, zotit të detrave, prandaj i duhen dhjetë vjet të tëra për të mbërritur në shtëpinë e vet”. E thashë këtë me një farë gëzimi, se nuk më hiqej nga mendja fakti që ishte ai flakësi i Astianaksit të vogël nga bedenat. Historia dëshmon se, më vonë, e shpëtova unë Enean (djalin e Ankizit) nga Skila e Haridba, kur kaloi këndej nëpër Buthrotum, me synimin për të kapërcyer detin e perëndimit: e mësova se si t’u shmangej atyre përbindëshave, që do t’ia përpinin shokët Odisesë. Në atë kohë e dija se pas dhunimit nga Ajaksi, mu në tempullin e Athinasë, të sime motre, Kasandrës, stuhia do të mbyste gjithë flotën akeje. Ka zëra që thonë se Neoptolemi u këshillua nga gjyshja Teti, perëndesha e detit, por s’kishte nevojë të vinte ajo nereidë mes nesh, të vdekshmëve: pra, qeshë unë që këshillova se duhej udhëtuar nëpër tokë, konkretisht nëpër Thrakë e Maqedoni.
Kur vendosi të martohej me Hermionën, vajzën e Helenës dhe Menelaut, premtim i cili i qe bërë sapo iu bashkua ushtrisë që do të pushtonte Trojën, Neoptolemi na la të lirë mua dhe Andromakën, duke na dhënë leje që të martohemi dhe të qeverisim qytetin e bukur Buthrotum, ku gjendem sot e kësaj dite e këndoj travajet e një jete njerëzore, i braktisur nga zotat dhe kohët heroike, sepse qysh nga vdekja e Neoptolemit askush nuk ka më nevojë për mua. Djali i Akilit nuk vdiq në pallatet e Atridëve, siç duan të thonë disa, por mu te tempulli i Apollonit në Delf: për të zbutur zemërimin e Apollonit, vrasësit të të atit, vendosi dhurata përkushtimi dhe ndezi pishtarë në tempull. Disa thonë se e vrau prifti i Apollonit, ndërsa të tjerë thonë se e vrau mbreti i Fokisë, vendit ku ndodhet tempulli.
Vetëm atëherë e gëzoi Hermionën Oresti, biri i Agamemnonit dhe Klitemnestrës.
Djali Mollos ka një mbretëri në veri të Epirit. Është vend trimash dhe një ditë do t’i dalë zëri për këtë.
Djali Pergam shkoi në Mysi, ku pushtoi qytetin e Teuthranisë dhe e quajti me emrin e vet. Është vend kulture dhe së shpejti do ta ketë namin nëpër botë.
Për djalin e tretë nuk di asgjë: tashti jam plak dhe prej kohësh nuk e luaj këmbën nga Buthrotumi. Më duket sikur jetova kaq gjatë vetëm e vetëm për ta përcjellë gjithandej këtë histori, edhe pse zemrës nuk i vjen të këndojë.
Nganjëherë vjen Deidameia e takon Andromakën: mbështesin kokat e bardha te njëra-tjetra dhe nuk nxjerrin asnjë fjalë.
Prandaj ka Hesiodi jehonë në zemrat e njerëzve: pasi arriti kulmin me Luftën e Trojës, jeta kalorësiake ia la vendin brengave të jetës së përditshme, në qytet e në fshat. Gjendja e re dhe e qetë nuk ndodhi asnjëherë: shumë që u larguan nga atdheu dhe shkuan nëpër koloni, filluan të kthehen prej andej të zhgënjyer.
Ndryshe nga unë, shumëkush e ka një atdhe ku të kthehet. Për fat të keq, atdheu im është mbjellë me kripë.
Dodona nuk është larg prej këtu, por nuk ma mban të shkoj, sepse nuk ma mban të përballem me zotat. Apolloni ia bëri sime motre të pavlefshme cilësinë e shortares, në orët e tmerrshme të Kalit të Drunjtë, sepse ajo nuk e dashuroi, por unë s’e gjej pse ma kanë hequr fare.
Aq më pak mund të shkoj në Delf, ku e dinë se çfarë qeshë unë për Neoptolemin.
Herë-herë, më duket se është më mirë që të mos di asgjë: nuk mund ta përballoj më një ngjarje të re.
Shënim i botuesit. Siç mund të dallohet lehtë, që në vargun e parë kemi fjalët shqipe, të cilat i kanë qëndruar kohës:
mëni-në (toskërisht, mëri-në)
Heshtia (heshtja, paqja)
NO COMMENT