READING

Shënime për librin “Historitë e 1001 ditëve”...

Shënime për librin “Historitë e 1001 ditëve”

          Gazmend Krasniqi

Shënime për librin “Historitë e 1001 ditëve”

Që në dekadat e para të shekullit XX, Walter Benjamin-i (1892-1940) e ka parë humbjen e terrenit nga tregimi si një pasojë e përhapjes së informacionit, pas shumëfishimit të numrit të gazetave në tregun europian. Nëse kujtojmë se ai nuk i njihte mundësitë e telefonit celular, mund të kuptojmë stadin e sotëm të idesë së tij. Pra, si të mos mjaftonin tv-të e gazetat, informacionet për çfarë ndodh dhe shpesh për çfarë ka ndodhur, na vijnë në telefonët celularë, plot e përplot me shënime. Si rrjedhojë, natyra e tregimit, nëse duam ta shohim si gjini arti, nuk mund të mbetet e njëjta me natyrën e këtij informacioni, prandaj lexuesit nuk i jepet më lidhja e brendshme psikologjike, sepse këtij tregimi i duhet të fitojë hapësirë veprimi mbi informacionin, që ka vlerë vetëm për sa kohë është i freskët, ndërsa tregimi i shpalos forcat edhe pas shumë kohësh.

Kjo logjikë e shtyn Benjamin-in të mendojë se tregimtari i parë në histori të jetë Herodoti (autor i dashur për Borges), rrëfenja të të cilit i qëndrojnë edhe sot interpretimit, duke na habitur dhe emocionuar në qasjet tona për të hedhur dritë mbi to, por pa rënë në një mendje. Sa më i natyrshëm është procesi gjatë të cilit tregimtari heq dorë nga hijesimet psikologjike, thotë Benjamini, aq më shumë shanse fiton tregimi për të zënë një vend në kujtesën e dëgjuesit (lexuesit).[1]

Debatet nuk kanë munguar as para Benjamin-it.

Akuza, që i bëjnë romanit “Madame Bovari”, sipas Baudelaire-it, është: Ku është personazhi proverbial dhe legjendar, i ngarkuar që të shpjegojë fabulën… dhe të udhëheqë inteligjencën e lexuesit? Dhe përgjigjet: Absurditet! Konfuzioni i përjetshëm dhe i pakorrigjueshëm i gjinisë![2] Sepse logjika e veprës mjafton: është lexuesi që i nxjerr përfundimet.

Baudelaire-i dhe Flaubert-i, që e bënë vitin 1857 fillesë të modernizmit, me botimin e librave Lulet e së keqes dhe Madame Bovari, vërtetojnë postulatin se mendjet e mëdha takohen. Me këtë rast, Flaubert-i i pat shkruar: Ju keni hyrë në të fshehtat e veprës sime sikur truri im të jetë i juaji.[3] Sepse në letrat e shkruara për shkrimtaren Louise Colet, gjatë kohës së punimit të romanit në fjalë, është e njohur që Flaubert të jetë shprehur (9 dhjetor 1852): Autori në veprën e tij duhe të jetë si Zoti në gjithësi, kudo i pranishëm dhe kurrkund i dukshëm.[4] Në këtë mënyrë, ai mbronte idenë e shprehur më parë (16 nëntor 1852): Mënjanohet personaliteri i shkrimtarit, i cili e plogështon gjithnjë veprën.[5] Ja si mendon ai, gjithashtu: Artisti është i zoti kur brezat e mëpastajmë mendojnë se nuk ka jetuar. Sa më pak të krijoj ide për artistin, aq më i madh më ngjan ai. S’mund të kujtoj asgjë mbi personalitetin e Homerit, Rabëlesë, dhe kur mendoj për Mikelanxhelon, shoh vetëm kurrizin e një plaku kolosal tek gdhend natën nën dritën e pishtarëve…[6]

Artisti nuk ka ide për të mbrojtur. Duke folur për Stendalin, Elias Kanetti shprehet: Njeriu del në fushën e betejës vetëm pas njëqind vjetësh, atëherë kur nuk jeton më dhe, për pasojë, s’mund të vrasë më askënd. Pikërisht atëherë ndeshet vepra me veprën, por është tepër vonë për të ndryshuar ndonjë gjë. Rivaliteti i mirëfilltë, ai rivalitet që ka rëndësi, nis atëherë kur rivalët nuk rrojnë më. Ata s’mund të jenë as të pranishëm në betejën që zhvillojnë veprat e tyre.[7] Postulati “Vdekja e Autorit” i Roland Barthes-it vendoset mbi këtë të shkuar. Qoftë edhe “impersonalja” që i njihet Thomas Eliot-it, apo një letre më të hershme të John Keats-it.

Figura e Frederik Rreshpjes te tregimi “Nënat e të mëdhenjve” përcjell këtë argument, i cili shtjellohet më gjatë te romani “Tiranë – Vjenë – Tiranë”. Është për t’u theksuar se trishtimi që shfaqet në veprën e tij poetike shihet si dobësi, çka është përcaktim i cekët. Trishtimi i tij është i barabartë me melankolinë, çast sipëror, nga pikëpamja filozofike. Si poetët zen-budistë kinezë, të cilët i admironte, si artistët midis Rilindjes Europiane dhe Barokut, ai i ka superuar botën materiale dhe dijen.

Nga ata që nuk mund t’u shkruhet një biografi, janë edhe Anton Pashku dhe Lasgush Poradeci. Portretin e të dytit, portret pa biografi, siç dihet, na e ka dhënë Kadareja, shkrimtari që, duke u munduar të shpjegojë veprën e vet, i ka nxjerrë aq në pah veten dhe kohën ku jetoi, në kurriz të mendimit letrar. Sidoqoftë, në bisedat me Alen Boskenë, në çastin që biseda e gjatë po mbyllet, në paragrafin e fundit të librit thotë: “Një harmoni sipërane bën që jo vepra e krijuesit të burojë prej jetës së tij, por, përkundrazi…”[8])

Disa raste interesante të vetëfshirjes autoriale na i shërben Milan Kundera.[9]

Në këtë ekspoze, Nabokov shprehet: Urrej të futurit e hundës në jetën intime të shkrimtarëve të mëdhenj, dhe, kurrë, asnjë biograf nuk do të mund të ngrinte lart velin e jetës sime private.

Italo Calvino paralajmëron: kurrkujt nuk do t’i thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për jetën e tij.

Dhe Faulkner-i dëshiron “të jetë një njeri më se i shfuqizuar, i fshirë nga historia: duke mos lejuar që mbi të (mbi historinë) të lërë ndonjë gjurmë tjetër, përveç veprave të tij të botuara”. Nënvizojmë, thotë Kundera, librave të shtypur, jo, pra, dorëshkrimeve, letrave dhe gazetave.

Ky nënvizim më kujton atë që jam munduar të shpjegoj në përgatitjen për botim të veprës poetike të Rreshpjes, në librin e titulluar “100 lirikat”[10]: jo dorëshkrimet, letrat, gazetat apo botimet që poeti i ka lënë pas dore. Kjo është kërkesë e krijuesve që kanë mani perfeksionin, të cilit i kushtojnë jetën. 

 Poetika e këtyre prozave na kujton tipologjinë se, nga pikëpamja e tregimit, në studimet e reja flitet për ndarjen:

– tregimi çehovian (heminguejan)

– tregimi borhesian (kafkian).[11]

Ndarja e parë është e ngopur ose e uritur me realitet; ndarja e dytë është e joshur nga fantazmagonia.

Pra, ose është lexuar ndryshe Aristoteli, ose nuk e ka më qoshen e vendit.

Kur flet për poetikën e vet – ndarja e dytë – Borgesi thotë se kur e kap prenë e vet, njeh dy pika: pikënisjen dhe pikëmbërritjen.[12] Bashkëkohësi i tij i shquar, Huan Rulfo, thotë: krijon personazhin, krijon ambientin dhe krijon mundësinë e shprehjes së personazhit.[13] 

Mes dallimeve të tyre, të dy shkrimtarët kanë një të përbashkët: akuzën për daljen nga historia dhe reportazhi.[14] siç e akuzojnë Rulfon bashkëfshatarët e vet.

Kjo akuzë mund të përsëritet edhe për ata që shkruajnë sot. Dhe ata që shkruajnë sot e dinë.

Duhet përmendur se parimi i ajsbergut më ka vizituar në ndonjë tregim ku merr rëndësi dramaticiteti. Ato qëndrojnë në fund të përmbledhjes.

Që të mos harroj, para mbylljes, më duhet të them se ndokush mund t’i lexojë këto tregime edhe si roman.


[1] Benjamin, Valter. Iluminacione. Korbi. Tiranë, 1998, fq. 188

[2] Bodëler, Sharl. Romantizmi. Ombra GVG, Tiranë 2021, fq. 148

[3] Po aty, fq. 12

[4] Flaubert, Gustave. Letra dashurie. Ideart. Tiranë 2005, fq. 126

[5] Po aty, fq. 121

[6] Po aty, fq. 56

[7] Kanetti, Elias. Pavdekësia. Palimpsest (revistë elektronike)

[8] Kadare, Ismail. Biseda me Alen Boskenë. Onufri. Tiranë 2002, fq. 198

[9] Kundera, Milan. Arti i romanit. Toena, Tiranë 2001, fq. 163

[10] Rreshpja, Frederik. 100 lirikat. Albas, Tiranë 2018

[11] Bloom, Harold. The Western Canon. Riverhead Books, New York 1995, fq. 64-65

[12] Borges, J.L. Biseda. Tirana times. Tiranë 2009, fq. 58

[13] Sfida e krijimit. Ilar. Tiranë 2013, fq. 129

[14] Ibidem


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.