Dr. Gazmend Krasniqi
Shënim për POEMA ARBËRESHE të Zef Skiro di Maxho
Botimi i librit “Poema arbëreshe” i poetit Zef Skiro di Maxho më ka rikthyer idenë e borxheve që i ka Historia jonë Letrare letërsisë arbëreshe. Edhe pse nuk i është dhënë vendi që e meriton, me kryeneçësinë e fakteve ajo letërsi ka treguar se ka qenë më e rëndësishme sesa e kemi paraqitur, apo edhe menduar, në të tria fazat e mëdha të produktit letrar shqip – në letërsinë parakombëtare, kombëtare dhe atë të kohës sonë – edhe si letërsi orale apo me bazë orale, edhe si letërsi e kultivuar; ku te e para qenë krijimet popullore dhe përshtatjet e rikrijimet e letërsisë religjioze apo laike, te e dyta nga De Rada te Zef Skiroi, si dhe te e treta Vorea Ujko dhe disa të tjerë, ku Di Maxho ka rëndësi të posaçme.
Libri “Poema arbëreshe” na sjell ndërmend atë që është bërë në produktin letrar shqip që në fillimet e këtij sistemi letrar, fillimisht me oralen paraosmane, pastaj me De Radën, duke ardhur te Zef Skiroi, të dy këta shumë të kultivuar, por që e respektuan dhe i shtuan vlera vargut 8-rrokësh popullor arbëresh, i cili, pas tyre, për shumë kohë u duk se nuk do të kthehej më.
Skiro di Maxho e përdor këtë varg në fillim të viteve ’70 të shek. XX. Poemat korrespondojnë si zhanre me letërsinë që shkruhej në Shqipëri, veçse poemat epike që shkruheshin këtu, nën diktatin e një letërsie zyrtare, të emërtuar si realizëm socialist, që qe proces i panatyrshëm i sistemit letrar shqip, kërkonin heronjtë e së shkuarës apo të kohës, të quajtur heroike, ndërsa poemat e Di Maxhos operojnë me ironinë dhe sarkazmin, pra në një pikëpamje krejt të kundërt, një mënyrë krijimi që teoricienët e shohin si fund të poemave të mëdha epike dhe si fillim të romanit, çka hap një diskutim për tipologjinë, duke u shkëputur jo vetëm nga modelet arbëreshe të De Radës dhe Zef Skiroit, me të cilin e lidh fort tema që ka mbrojtur nën drejtimin e Zef Valentinit, por edhe vendlindja, Siçilia. Ndryshe nga poemat e realizmit socialist që, të indoktrinuara pamasë dhe shpesh fodulle, kanë mbetur si mish i huaj në prodhimin tonë poetik “Poemat arbëreshe” kanë rezultat tjetër: na vijnë me një poetikë zhvillimi organik. Toposi është i vjetri, i Katundit, por ai mbetet i hapur për paralele nga Komedia Hyjnore – me rezonancën e saj të ndjenjës së gjykimit – dhe Batracomiomachia (Lufta e minjve dhe bretkosave), parodia e luftës greko-trojane, që paraqet periudhën e rënies, por duke ruajtur stilin solemn të epit, i cilin thekson edhe më tepër komicitetin. Vetë Zef Skiro di Maxho e ka sjellë këtë të fundit në arbërishte, nga versioni i tretë i poetit italian Leopardi, pra jo në hekzametër, por në 11-rrokësh modern dhe në strofa.
Është e nevojshme që Di Maxho të bëhet i njohur në shumanshmërinë e tij. Një poet që i përdor me sukses formën e hapur – ku letërsisë arbëreshe nuk i është dhënë ende vendi që meriton, për stadin ku ajo ka lulëzuar – që përdor formën e mbyllur – konkretisht sonetin – si dhe vargun popullor, i ngre lart mundësitë shprehëse të shqipes. Di Maxho është shembulli se kultura letrare e arbëreshëve është e lidhur me elemente thelbësore të dinamikës së brendshme të një sistemi letrar të caktuar, por edhe duke fqinjëruar me një hapësirë të madhe letrare, siç është letërsia italiane, e njohur për veçoritë marrëse e dhënëse.
Ashtu si letërsia arbëreshe në përgjithësi, edhe letërsia e Di Maxhos në veçanti, na pasuron dhe emancipon në atë mënyrë që shërben për të shkruar më mirë historinë tonë letrare. Edhe te këto poema ai është konceptual dhe i qartë, duke i ngritur monument arbërishtes moderne, duke u prirë nga koinea e saj, duke rivlerësuar e rigjallëruar modelin e tij të mënjanuar nga skena për arsye jashtëletrare, Zef Skiroin. Nuk është faji i tij që mitet janë kthyer përmbys, që individi arbëresh i modernitetit është në luftë me vetveten. Pikërisht kjo e ushqen retorikën e asaj letërsie. Sidoqoftë, ajo është letërsi kombëtare, të cilën s’e pengon asgjë të komunikojë në mënyrën më normale.
NO COMMENT