READING

Sfida e leximit  – nje liber ne jave

Sfida e leximit  – nje liber ne jave

Vendimi për vit të ri për të lexuar një libër në javë ishte më i miri që kam marrë ndonjëherë

Katie Cunningham

Një vit kam lexuar 52 libra dhe e kam ruajtur zakonin në vitet që pasuan, dhe më është bërë një rutinë e përhershme.

Gjithmonë kam qenë lexuese. Në shkollën fillore, unë do të shfletoja 60 libra të çuditshëm brenda një muaji kur qarkullonte gara vjetore e leximit. Ajo nxiste zakonin e leximit gjatë gjithë jetës. Duke mbledhur fonde, nxënësit përpiqeshin të lexonin sa më shumë që të mundeshin, ndërsa ia kushtonin kohën leximit, miqtë dhe anëtarët e familjes bënin donacione për të mbështetur përpjekjet e tyre. (Shumica e leximeve megjithatë, ishin të serisë së romaneve së Ann M, “Klubi i dados”).

Më pas, kur isha adoleshenet, zbulova bukurinë e paqtë që mund të gjendej në faqet e romaneve të mëdha botërore, në një kohë kur hormonet dhe shkolla e mesme e bënë botën reale të tmerrshme.

Në të njëzetat, megjithatë, ritmi i leximeve të mia filloi të luhatet. Ende vazhdoja të lexoja 15 ose 20 libra në vit, por ishte një rutinë më pak e qëndrueshme. Kjo ndodhi pjesërisht sepse më duhej të gjeja kohë për një hobi të ri emocionues të quajtur pirja e tepërt. Por, më shpërqendronte gjithnjë e më shumë iPhone-i. Gjithmonë më ndodhte kjo: Bëja një listë të leximit derisa të hasja  një libër që thjesht nuk ishte edhe aq interesant. Dalëndadalë, nisja të resht së lexuari gjatë natës, ndërsa lundrimi nëpër rrjetet sociale u bë një perspektivë më tërheqëse; më pas do të kuptoja se kishte kaluar një muaj pa kthyer një faqe libri.

Dhe, kështu, në ditët e fundit të vitit 2018, mora vendimin e vetëm për vit të ri që kam zbatuar ndonjëherë me sukses; u zotova të filloja të lexoja një libër në javë. Isha gati të mbushja 30 vjeç dhe më dukej si një gjë e mirë për të rritur.

Për ta bërë këtë, duhej të ndryshonin disa gjëra. Për të hequr zakonin tim të keq për t’u rikthyer te marrja me telefonin, më duhej të zbatoja një politikë të rreptë. Nëse nuk po më pëlqente një libër, e lija menjëherë dhe merrja një tjetër.

Taktika tjetër erdhi nga nevoja financiare, por përfundoi duke qenë një rregull ndryshues i lojës. Pa shumë para në atë moment të jetës sime për të blerë 52 libra të rinj, u anëtarësova në  bibliotekë dhe fillova të rezervoja çdo gjë që dukej e mirë dhe duke hequr dorë edhe më pa mëshirë nga librat që nuk më pëlqenin. Por nuk mund ta kontrolloja veten  – ndonjëherë kërkoja një libër dhe e merrja të nesërmen. Në raste të tjera unë do të bashkohesha me një radhë të gjatë lexuesish që konkurronin për të njëjtin botim të ri dhe do të befasohesha një ose dy muaj më vonë kur më në fundmund ta merrja. Kështu e gjeta veten me një grumbull gjithnjë e më të madh librash të bibliotekës pranë shtratit tim, secili prej tyre me datën e kthimit pas tre javësh, duke më detyruar të përpiqesha të mbaja ritmin e leximeve.

Marrja e librave nga biblioteka e bëri më të lehtë edhe heqjen e atyre që nuk më pëlqenin. Kur ke paguar 30 dollarë për një roman, ekziston një lloj detyrimi financiar për ta përfunduar leximin dhe për të përligjur vlerën e parave të tua. Huazimi i librave më lejoi të hiqja dorë pa ndonjë pendim. Ishte një formë pasurimi, një ndryshim jete për të cilin mund të emocionohesha në vend që të duroja çdo lloj leximi.

Së fundi, u bëra e përgjegjshme. Sot, postimi i çdo gjëje në rrjetet sociale më bën menjëherë me turp. Por në atë kohë nuk kisha asnjë shqetësim të tillë dhe njoftoja ndjekësit e  mi në Instagram për zgjidhjen time, më pas fillova të postoja një përmbledhje të shkurtër të librit të çdo jave ndërsa i mbaroja së lexuari.

Gjetja e kohës për të lexuar ishte pjesa më e lehtë. Shtrihesha në shtrat me një libër 30 minuta para se të flija çdo natë – duke e lënë telefonin larg – dhe më pas për një ose dy orë të tjera të shtunave në mëngjes. Kjo ishte metoda e leximit.

Dhe funksionoi. Kam lexuar 52 libra atë vit dhe e kam ruajtur këtë zakon në vitet e mëpasme, rutinë  tashmë e konsoliduar. Këto ditë, numri im vjetor ngrihet e ulet mbështetur në atë se sa të trashë janë librat që kam marrë, por në përgjithësi shkon diku rreth numrit 50. E pranoj se vitin e kaluar ishin vetëm 41 – kohët e fundit u njiha me  partnerin tim dhe sakrifikova një pjesë të asaj të shtune të kohës së leximit për kompaninë e tij. Ngjante një ujdi e drejtë për dashurinë e vërtetë.

Gati gjashtë vjet pas vendimit të atëhershëm, disa gjëra kanë ndryshuar ndërsa të tjera kanë mbetur të njëjta. Është bërë më e vështirë të gjesh libra vërtetë të shkëlqyer, pasi kam lexuar kaq shumë nga librat më të mirë të atyre viteve. Tani pjesën më të madhe të leximit e bëj në një e-book, i cili më lejon të lexoj në errësirë ​​ndërsa i dashuri im fle. Por, ende lë pa mëshirë mënjanë librat që më mërziten. Unë jetoj sipas një rregulli të thjeshtë: Nëse nuk ndihem e emocionuar të hip në shtrat çdo natë dhe të lexoj librin tim, kaloj tek tjetri. Koha ime e leximit të natës është bërë pjesa ime e parapëlqyer e çdo dite dhe nuk dua ta humbas duke u përpjekur të kaloj diçka mesatare.

Ka ndoshta një mësim për t’u nxjerrë edhe këtu, se çfarë lloj vendimesh janë të qëndrueshme. I imi ishte i kufizuar në kohë dhe i përcaktuar qartë, në vend të një premtimi të paqartë për të “humbur peshë” ose “shpenzuar më pak”. Dhe nuk ishte një dënim, por një formë pasurimi, një ndryshim jete për të cilin mund të emocionohesha në vend që të duroja. Nuk kam arritur të marr asnjë vendim tjetër si ai – por jam e lumtur të ndaj me ju formulën.

The Guardian

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela

Katie Cunningham është shkrimtare dhe autore me banim në Sydney. Ajo është autore e një libri për historinë e kulturës pop të Australisë. Artikuj e saj janë botuar në “The Guardian Australia”, “Good Weekend”, “Sydney Morning Herald”, “ABC Everyday”.


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.