READING

Seamus SCANLON – Bari i gjatë dhe i lagësht ...

Seamus SCANLON – Bari i gjatë dhe i lagësht – tregim

 

Rezonanca e gomave mbi asfaltin e lagur i ngjan një refreni monoton. Fshirëset e xhamave, me një ritëm të ngadaltë, largojnë shiun anash dritares së përparme. Shiu bie qetësisht dhe shtruar, duke më sjellë ndërmend Galway-in, kur isha fëmijë, dhe erërat e Atlantikut hidhnin copa algash deti mbi Prom gjatë baticave. Kjo para se mua të më joshte shpërthimi i konfliktit në Belfast.

Era e fortë përpiqet të na ndalojë. Por ne vazhdojmë udhëtimin.

Asfalti i zi, që shkëlqen prej shiut, këndon poshtë nesh.

Ne ngadalësojmë shpejtësinë dhe kthehemi në një rrugë tërë baltë, ritmi i udhëtimit nuk është si më parë, dritat e gjata ndriçojnë kallamishtet e larta anash rrugës, të cilat era i tund ritmikisht sa në një anë në anën tjetër.

Tani s’ka më drita makinash që vijnë përballë nesh.

Ndalojmë në një xhep rruge. Unë hap derën e makinës. Shoferi kthen kokën dhe më shikon. Mbi fytyrë ndiej ledhatimin e shiut.

Era e tymit të makinës sikur më qetëson. Hëna është fshehur pas një reje të madhe dhe të zezë.

Hap bagazhin.

Ty mezi të mbajnë këmbët, pasi ke qëndruar i shtrirë, mbledhur galamuç në bagazh për orë të tëra.

Pas pak ti e merr veten dhe qëndron në këmbë. Unë të heq fashën e madhe me të cilën të kisha lidhur gojën. Ti merr frymë thellë, duke i mbushur mushkëritë me ajër të freskët. Shtëllunga fryme të nxehta të dalin nga goja. Sheh nga unë. Nuk lutesh. Nuk qan. Nuk trembesh.

Unë të tërheq përkrahu, ecim drejt një shtegu të ngushtë larg rrugës, në një fushe, larg makinës, larg çdo gjëje.

Tyta e pistoletës në dorën time është e drejtuar nga toka. Ndaloj. Të puth në faqe. Drejtoj pistoletën nga ti. Të qëlloj me dy plumba në kokë. Rrathë drite bien mbi ty. Rrëzohesh.

Shiu nxitimthi pastron gjurmët e gjakut. Shti disa herë në ajër. Plumbat fluturojnë larg. Kthehem te makina, duke të lënë ty atje, shtrirë mbi barin e gjatë dhe të lagësht.

 

Përktheu: Ndrek Gjini


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.