Sandro Penna (1906 – 1977)
DHJETË POEZI
*
Po aq sa një siluetë të njohur,
ose, më mirë, të panjohur, që s’ka të dytë
ndër kafshët e tjera, tokë e vetme
sa e desha fytyrën tënde rastësore.
*
Ja, vogëlush, tek të solla në këtë
vend të egër, natën, për çfarë?
Nuk e di. Nuk mundem ta mbyt këtë dashuri
për jetën. Dhe poshtë shtrihet deti.
Do ta kapërcej. Do njoh njerëzit
më të larmishëm. Do shoh sa e bukur
është jeta në sytë e atij që është
pesëmbëdhjetë vjeç, vogëlush, si ty.
*
Kur eci i pikëlluar… pas
flladit të kodrave, nëpër natën
e vakët e të zezë, i shtrirë mbi një sukë
është ndoshta një djalosh syçelur.
Gjithkush është i vetëm, por me zemër të ndryshueshme
vështron gjithmonë të njëjtët yj.
*
Diell e hënë, det e pyje,
gjitha bashkë t’i puthësh në një gojë.
Por djali nuk di. Vrapon drejt një porte
prej drite të trishtë. Dhe gojën e ka të vdekur.
*
Rikrijohet një ritëm. Pranverë
në qytetin e hareshëm, ku rend një vogëlush
kur kalon fanfara. Aty ku kishat
harrojnë besimtarët, dhe mbi lehe
flenë të braktisura biçikletat.
*
I dëlirë ai shkon dhe kthehet i urtë
larg punës së tij dhe dyerve larg.
O dashuri e papritur që kur e kur
bën të qajë një burrë pas një muri a një nate.
*
Rini, dashuri, fjalë të gëzuara,
ç’ndrit vallë mbi ju dhe ju përthan?
Mbetet një erë si prej muti të thatë
ledheve përgjatë me diell ngarkuar.
*
(Dhe më torturon dashuria e lumtur.
Kundër meje ngulmon e lumtura
dashuri. Ajo vetë nuk e di
sa i rrezikshëm kalimi i saj
mund të jetë mes njerëzve.
Unë ndonëse e di
e thërras përsëri.)
*
Vogëlushi që dëgjon nëpër libra
këngë dashurish të humbura
s’kupton gjë prej gjëje. Vështron
vështron një xham mbi çati
që fort vezullon
në muzgun e përflakur…
Dhe përkulet mbi mishin e vet, si
mbi një fletore të bardhë.
*
Ngjiteshin mbrëmjet ngadalësisht
dhe e bekuar mbetej bota mbarë.
Rinia ime ishte kaq e brishtë
e brishtë hareja e beftë e ushtarit.
Në jetën time pastaj erdhi lufta,
mbrëmjet ngadalë nuk ngjiteshin më.
Të pluhurt muzgjet. Dhe e pafundme
mërzia e dendur e pranverave u bë.
Zgjedhur e përkthyer nga Alket Çani
NO COMMENT