NGA VËLLIMI POETIK ‘’ Rrathë të brendashkruar ’’ i Rudolf Markut
Botimi i ‘Onufri. Tiranë, 2020,
nga PARATHËNIA Rrathë të brendashkruar, ashtu si të gjitha botimet e mëparshme të Rudolf Markut, sjell jehona verbale, sonike dhe ideore prej traditës më të mirë të poezisë refleksive, pa cak gjuhe a kulture. Libri që marrim në dorë ka peshën e një modeli të atletizmit gjuhësor dhe estetik, është një tour de force aludimesh dhe aluzionesh, i ndërton kuptimet e veta me zhdërvjelltësi stilistike, ngaqë autori prej pesë dekadash e koncepton shkrimin e poezisë jo si pauzë meditimi, por si një proces të pandërprerë navigimi në galaksinë e mundësive shprehëse.
Gëzim Basha
VENDI IM
Emri yt ende nuk është shkruar ; Vazhdon ngjitjen tënde në drejtimin e kundërt të gravitacionit të dashnise, Në trajektoren e dhimbshme të Harreses. E di se këtu kujtesa vret më tepër se Terrori O Vendi im i braktisur nga gjuha.
Askush nuk na e thotë vendin ku jemi.
E prapë vazhdon të ngjitesh në malin mistik të teologjisë së dëshpërimit, Me formula të frikëshme honesh. Derisa arrijmë në atë piken mes Qiellit dhe Tokës,
Në vendin më të bukur të Dheut. Jo shumë lart, por jo dhe aq poshtë, Në qoshkun e preferuar të engjëjve. Vetë Engjëlli i Historisë të ka zënë pritë, Me plagët e përhershme- Masakrat e Fatit;
Engjëlli i Historisë që nuk na thotë as vendin se ku jemi O Vendi im !
SA SHUMË UDHËTARË KANË ECUR
Sa shumë udhëtarë kanë ecur në këtë rrugë tërë pluhur para se të eci dhe unë!
Tregtarë që kthejnë prej Orientit, ushtarë, kalorës, fëmijë të ndotur, gra që ëndërrojnë kushedi se çfarë, Lypës të mjerë, ëndërrimtarë, pijanecë të zhurmshëm, prostituta të trishtuara, Të gjithë tek përpiqen më kot për t’i ndarë Kujtesen nga Dhëmbja Vetminë nga Lotët, udhëtimin e Odisesë nga Itaka,
Për ta ndarë at’ Yllin që mbart secili nga ne prej Galaksive të largëta.
POETËT
Poetët mblidhen në Ferr, Mes squfurit djegës. Bisedojnë të qetë A thua se janë në shtëpinë e tyre.
Gjuha është një tunel i pafundm; Bashktingllore basesh. Zanore prej flauti. Por zhurmat në Ferr i mbysin bisedat e tyre. Kush tha se do të donin t’i zhvendosnin yjet Drejt Mëshires, drejt përdëllimit?
Poetët janë qytetarë të Ferrit, I mbushin penat e tyre me squfur, me gjakun e vet, Me ëndërrat e të panjohurëve, me rrëfime fantazmash, Të dënuar për shkak të tingujve, të ritmit, të fjalëve Dëgjojnë bisedat sekrete të sferave qiellore.
Poetët janë qytetarë të Ferrit. Ecin nëpër hone malesh, kundër gravitetit të dashurisë Për të arritë mëkatarët e braktisur nga gjuha
NISJET
Ishte Verë. Udhëtonim me tren Duke kaluar stacionet që i quaje Askund, Koha kur shkruanim ëndërrat në një letër të përbashkët, Kur diagramet e ëndërave nuk premtonin një fund.
Në stacione pamë Ulisin që s’ kish mbȅrit në Itakë, Dhe Penelopen e plakur që nuk priste askënd, Trishtimi na tha të kërkonim një nisje tjetër, Për t’mos patur kurrë mbërritje në një vend.
Udhëtojmë pa u ndalur mes labirintheve të Fatit, Duke parë stacionet me emërin Askund , Në këtë Botë ku Ulisi kurr s’arrin në Itakë, Në kët’ Botë ku askush nuk shkon asgjëkund.
NATA E FUNDIT E OVIDIT NË ROMË
I përzënë, për t’mos u kthyer kurrë më në Romë, Më flakin në cepin më të largët të Perandorisë, Atje ku barbarët kërcënojnë nga ana tjeter e Lumit, Në një gjuhë të pakuptueshme. Larg lexuesve të mi; Të shkruash pa lexues është njësoj si të vallëzosh në terr.
Është nata e fundit që jam në shoqërinë e Macerit, Që flas me Propertius për Safon, Kalimakun, Katulin, Që i rrëfej Virgjilit, Horacit dhe Tibullisit Se Korina në të vertetë kurr nuk më ka dashur; A nuk e pa Botën më qartë se askush Homeri i Verbër?
Eci përgjatë Tiberit; Nuk kemi vdekë, sa kohë që jemi në ujnat e një Lumi, Dhe jo veç në bregun e tij! Ciceron i mençur. Edhe ti vdiqe nga shpata, Larg bregut. Djathtas dhe Majtas gjithnjë sheh në rreshta barbarët.
Romakët numërojnë fitimet. Ngrënje që nuk kanë fund; Dehjet dhe dollitë për Perandorin. Nuk kanë kohë të lexojnë Poezi; Senatorët i mbyllin veshët ndaj metrikës aleksandrine, hekzametrit Të rrethuar me kurva, përçmojnë poezitë e dashurisë Ndërsa gratë dhe vajzat e tyre ënëdrrojnë në shtrat poetët.
Nesër do nis udhëtimin për në vendin e Barbarëve, Tani që Barbarët filluan të dynden në drejtim e kundërt, drejt Qendres; Sepse Barbarët e dinin prej kohësh: Kur Roma i përze Poetët e vet Është koha e duhur për t’i rënë Perandorisë!
KY ËSHTË PRILLI I ZEMRAVE TONA
Ky është Prilli i zemrave tona, I parashikuar në fundin e vitit që shkon, Është shkruar në yje diku që s’do jemi të prekur nga shtërngatat Se klima e zemruar do ta gjejë ekuilibrin tonë. Stuhitë na ndjekin pas besnikërisht si Flakët Ndersa e folura e njerëzve është rrethore dhe e njohur që më parë , Për lulet që nuk çelën këtë vit, për lindjet e pakta dhe vdekjet, Për miqt që gjithmonë ikin, për kujtimet që pranojnë të vdesin nga pak, Koha si një rrethore trafiku përsërit veten e vet ; Takohemi diku në një pikë të vogël të planetit Të paprekur nga shtërngatat sipas parashikimit të bërë nga yjet lart; O Grua që të ndesha në Fatkobin e kësaj Bote Veç dashuria nuk mund të parashikohet dy herë nga Orakujt prapë . Grua që largohesh me hapa të lehtë drejt guackave të detit Për të hyrë në labirinthin e tyre të padishifruar kurrë më parë , Çdo herë që dallgët ngrihen si kujtimet që na kishin humbur, Të shoh tek bëhesh e zhbëhesh me mijëra herë mes shkumës së bardhë .
Ky ȅshtȅ Prilli i zemrave tona I parashikuar nga Orakujt si njȅ profeci dhe plagȅ, Në bregun e Paqësorit mbledh guackat e hedhura Pȅr t’i flakur nȅ thellȅsit e ujȅrave, Sipas një urdhëri të shkruar në yjet lart
AMSTERDAM ...mi ritrovai per una selva oscura... Dante
Në qytetin e kanaleve më kot kërkojmë parkim.
Përmes turmës së dendur, na duhet të ecim me makinë Der’sa shohim ulkonjën mes njerëzish, pa skërmitje dhëmbësh, Paqësore dhe e lumtur. Askush nuk e vë re makinën që ecën mes turmës, Veç panteres që shfaqet nga një qoshe rrugësh-laramane dhe e gatshme Duket se ka dalë nga dritaret, ka kërcyer poshtë rrugës së madhe; Pse ta fshehim- është joshëse, në vitet e saj të parë; Turma aq të mëdha sa kurrë nuk të jepet të besosh Se vdekja do kishte patur aq mëshirë! Ja, mes kllounëve të turmes, ecën krenar Një luan që ka braktisur Cirkun për një karrierë më të mirë!
Djali plangprishës është larg, nuk ka ndërmend të kthehet Në shtëpinë e të jatit të plakur, pa asnjë shpresë i vetmuar. Në Amsterdam më kot kërkojmë të takojmë Rembrandin Atë piktorin bankrupt, të falimentuar Që u fshihet brenda kanavaceve të pikturave borxhlinjëve me tmerr, Ndëra Hieronymus Bosch ka kohë që është në Ferr Një zgjedhje jo aq e papritur e piktorit ekstravagant
Ndersa ne ecim me makinë pa u ndalur si mëkat!
ISHTE DASHURIA
Ishte dashuria. Kishim rënë jashtë kohe ; Kalonim mes një zjarri që ndezej përherë e më tepër ; Nuk kishte as muaj dhe as vite. Ditët ishin çastet kur ishim bashkë. Zjarrfikësit të gjithë, të gjithë kishin vdekur.
Dhe qyteti kishte vdekur. Parajsa qe bashkuar me Ferrin Ndonjëherë gjendeshim padashje në bregun e Detit, Përbindëshat dilnin që prej thellësive mistike Na shihnin, dhe iknin të turpëruar duke folur me vete.
Ishte dashuria – e pra, kishim rënë jashtë kohe, Nuk kishte as javë as muaj dhe as vite; Nata shkelqente nga dy globet e tua diellore Ndërsa Yjet na ndriçonin në mesin e ditës që ikte.
Dhe trupat tanë qenë pemë, dhe lumenjt, dhe ajër Parajsa i qe bashkuar Ferrit të zhurosur, Veç statujat mijëvjeçare i shihnin puthjet tona, Statujat, që ende nuk ishin zhvarrosur.
Mos pyesni për vitet, për muajt dhe javët, Dashuria na kish mbajtur sa larg kësaj bote, Derisa një ditë ramë në kohë, larg nga njëri-tjetri Me kalendarët dhe orët që na përgjojnë nga çdo qoshe.
PËR ALMA P.
Më vjen kaq papritur Kujtimi yt ; Kur ishe e nuk ishe as vajzë dhe as grua, Është dimër, erërat janë zemëruar me botën Por jo me ne. Më shtyjnë të ngjitem në qiejt e tua.
Engjëjt në Parajsë dhe demonët në sketerrë Më pyesin për emërin tënd –me siguri nga zilia; O vajzë-grua e asaj nate me erë që ulurin Sa shumë u deshëm atë natën e marrëzive me mijëra ;
Njerëzit dhe rrugicat dhe rrugët dhe ndërtesat Filluan të ulërijnë- bashkë me to dhe qyteti, Të gjitha dashuritë që do vinin, në çdo cep të Botës, Do kthenin kokën nga ajo natë në shenj respekti.
Thanë ëngjejt në parajsë dhe demonët në Ferr : -Le të harrohet kjo dashuri e një As vajzë e as Grua! Por ja që kjo erë e marrë kushedi e di se si më gjenë Më rrëmben e më ngjit prapë në qiejt e tua!
KRILLA E KUJTIMIT TËND
Krilla e kujtimit tënd fluturoi përzishëm Mbi mal t’ Anakreontit ku ka rënë borë; Por Lumi i Thamizit nuk premton kurrgjë, Të paktën të ishe floçkë me të prekë me dorë!
Vjeshta në Londër vjen me gjethe të mëdha që bien, Dhe me patat e egëra që lënë Kopështin Kensington. Krilla e kujtimit tënd fluturon në qiej përzishëm Nuk e lënë të ulet as në Anakreont!
Ajo dhomë e çveshur që na njihte të dy, Si shpirtëra të humbur në një botë mizore, Kurrë nuk na sheh më . Me mijëra kilometra larg Endemi si fantazmat e një botë rrënoje
Ka vite q’u mësova të shoh lart, në qiejt, Zogjtë shtegtarë që nisen ngadalë në fluturim Me një krah të thyer krille fluturojnë fatet e dashnive Si shpirtëra të përzënë që s’u lejohet kurrmë kthim.
LUTJE
Lutja ime është Piaca e errët e një Qyteti të Madh Ku patëm ecur një natë vere. Në Spanjë kudo që të shkosh detin e ke afër, Dhe demat që presin ditën e nesërme të përleshen me toreadorët. Patëm ndezë qirinj për Spanjën, për Don Kishotin dhe për atë gruan që qante Se kishte pritur në portin e San Sebastianit 30 vite pa i ardhë i dashuri i vet Fliste me ne, dëneste dhe shikimin e mbante prapë në det.
E prapë ti nuk mund t’i kuptosh lëvizjet e krahëve, buzët që shprehin ca dëshira sekrete, Fshehur pas tymit të hollë të temjanit; nuk arrin të shohësh Krishtin e kryqëzuar trefish Pëllëmbët e mia të gozhduara, kurorën më gjëmba që mbaj mbi krye Pa më shkuar ndërmënd që ta heq. Buzë Oqeanit Paqësor më arrijnë ca dallgë Që rënkojnë në një gjuhë njerëzish. Një delfin hidhet sipër dallgëve Sikur do që të ankorojë para këmbëve të mia. Bota është mizore Plot me kasnecë të kataklizmave të lajmëruar nga yjet, Plot me lajmëtarë më të hidhur nga vetë lajmet që mbartin Plot me tellalllë që më arrijnë kudo që të jem-dhe në vendin më të shkretë,
Për të më thënë atë që terrori i ëndërrave ma ka pëshpëritur lehtë-lehtë Se tani, në yjet e largët që kurr nuk arrihen, ka vite që më pret.
E PSE U DASHKA TË JEM NË KËTË QYTET
E pse u dashka të jem në këtë qytet Ku zemra më dhëmb? Shiu bie si tridhjet’ vite më parë Ngjesh me vitrinat njerëzit të mos lagen rrinë, Si manekinë.
Si tridhjetë vite më parë pres të më shfaqesh Nga një qoshe rruge që nuk ka kuptim E lagur,bërë qull, si nga dënesjet e dikurshme Në këtë qytet pa asnjë premtim.
E di që je larg, Kontinente larg E di se shiu është i rrallë në Kaliforni, Por unë vij nga Londra, dhe njerëzit më thonë Se në kët’qytet unë vetë solla shi.
Pa e ditur se shiu ka filluar më parë 30 e ca vite bie, me rrebesh dhe furtunë, Tridhjet’ vite që njerëzit nuk ngren sytë nga yjet Tridhjet’ vite që njerëzit janë më të vetmuar se kurrë !
E pse u dashka të jem në këtë qytet Poshtë yjeve që s’i prek asnjë histori? Trubadurët kanë vdekur, të gjithë kanë vdekur E askush nuk kujtohet se lotët quhen shi.
KUR ANIJA E POETIT
Kur anija e Poetit të thyhet prej dallgëve, Me dhogat,hartat, velat, që pluskojnë mbi det, Ndërtoni varkat tuaja,
NO COMMENT