Dr. Gazmend KRASNIQI
Duket sikur ka bërë vend shqetësimi se sot flitet pak për Migjenin, se ai është mënjanuar nga studimet letrare. Ky shqetësim përligjet nga shkrimet e shumta të bëra dikur për të, nga futja e vazhdueshme e poezive të tij në tekstet shkollore dhe mënyra e komentimit të tyre, – përgjithësisht sociologjik, fizionomia më e popullarizuar e këtij poeti.
Një anë tjetër e kësaj fizionomie është përdorimi politik dhe ideologjik i kësaj poezie si kundërvënie ndaj një letërsie të etiketuar për disa dekada si reaksionare, kryesisht ndaj emrave si Fishta e Koliqi. Teksti “Historia e letërsisë shqiptare” (1983) shkruan: “Kritika dhe historiografia jonë letrare, të mbështetura në metodologjinë dhe estetikën marksiste-leniniste, i kanë bërë veprës së Migjenit një vlerësim dialektik dhe i kanë dhënë poetit vendin që i takon në letërsinë shqiptare, por vetë trajtimi te zëri Arti i Migjenit, gjuha, ka nga këto shprehje kyçe: krahas paraqitjes së mjerimit të popullit, urrejtjes së grumbulluar te masat, protestës e revoltës së tyre, shkrimtari, në emër të forcave të reja shoqërore, bëri thirrje për përmbysjen e rendit të padrejtë politik, ekonomik e shoqëror”.
Duket qartë se, nën shtysat e pozitivizmit apo të realizmit socialist, asaj krijimtarie i kërkoheshin detyra shumë më të mëdha sesa mund të kërkohen nga një vepër arti, pasi, me një vështrim, sado sipërfaqësor, do të shohim se peshorja e studimeve ka rënduar nga studimi i jashtëm i kësaj poezie, gjë që e ka bërë të luhatshme figurën e këtij poeti dhe na nxit për vështrimin tjetër – atë të brendshëm, – siç pat ndodhur para se realizmi socialist të përpiqej ta përpunonte për vete.
Për shembull, atë vit që vdiq Migjeni, kemi punimin e Shuteriqit që thotë se ai iu largua metrikës tradicionale, ritmeve dhe rimave të saj, pasi u bë dominante asonanca, sepse ajo asht ma delikate në tingull, se nuk ta vret as syrin as veshin, ngaqi asht ma e shpeshtë e ma e larme se rima. Po si mund të ketë poezi pa ritëm e rimë? Nji kësij pyetje, thotë autori i punimit, e bajnë ata qi s’e dallojnë vargun metrik nga poezia. Tue përziem vargonim e poezi, ata harrojnë se ka vargje të përpikët pa farë poezie brenda, e prozë qi asht poezia vetë. Me fjalë të tjera, për Migjenin – si edhe për ne – poezia nuk asht as vargu, as proza, por diçka që shfaqet në to, tue u dalluem prej tyne. Prandaj, nuk mund të themi se Migjeni s’asht poet, vetëm se të shprehunit e tij vesh nji rrobe që i përngjan hem vargut, hem prozës, qëndron në mes të të dyjave.
Idetë dhe problemet e Shuteriqit të asaj kohe, para se të bëhej eksponent i soc-realizmit, vinin nga revista franceze “Komuna”, që i bënte jehonë Kongresit të Shkrimtarëve Sovjetikë, ku u zyrtarizua “realizmi socialist”, pra, vinin nga koncepti perëndimor në kontekstin e një letërsie sociale.
Që herët, Qemal Draçini pat thënë: (Migjeni) ka të simbolizmit paraqitjet e gjendjeve të brendshme shpirtnore me simbole të jashtme, pasqyrimin e shpirtit n’objekte të natyrës, ka vetë “vargun e lirë” e krijimin e asonancës, tonin fonologjik të vjershës – por mungon në përgjithësi muzikaliteti i përkryem i vargut, stolisja metaforike, paraqitja trashendentale e fytyrimit. Por, Draçini thotë edhe se te vargu i tij shpesh mbresët, ngashërimet, ndjesit, me një fjalë bota e brendshme shpirtnore shpërthen jashtë me ashpërsin e një shprehjeje së mbledhtë me gjasë të një formyle logjike. Apo idetë përmblidhen në një frazë si aforizma.
(Një ilustrim i mendimit të Draçinit do të ishte ky:
Na, të birt’ e shekullit të ri,
me hovin tonë e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë
dhe për fitore kem’ me ra fli.
Në fakt, pas kësaj shprehjeje së mbledhtë me gjasë të një formyle logjike, përgjithësisht në segmente të shkëputura të tekstit, kapeshin interpretimet themelore që i bëheshin leximit të Migjenit, duke u realizuar pikërisht ajo që i druhej ky poet: propagandimi para artit. Ilustrime të tilla mund të gjejmë disa – deri të më të pakapshmet apo banalet – por ky interpretim, sigurisht, binte ndesh me mendimet e shprehura nga autori për këtë problem, kur te letra që i dërgonte redaksisë së revistës “Bota e re”, thoshte: Mendoj se kryesorja në gjitha artet është artistikja. Sepse, pyet ai: A thua poezia qytetare sociale nuk ka të drejtë në përkryerjen artistike; apo detyra e saj është – të jetë vetëm pllakat?
Afër kësaj fryme diskutimi është edhe gjykimi i Koliqit, edhe pse ka vend për të diskutuar gjatë prej njohësve për raportin migjenian me poetët “e zhgënjyer” (razocarani) serbë, kur shkruan për të: I stolisi poezitë e veta me reminishenca që vijnë nga kjo rrymë. Veç të tjerash, poezia e tij tash asht shprehë me nji shqipe të pasigurtë e jo të njitrajtshme, qi nxjerr në pah mungesën intime të çdo zàmi idiomatik. Ai, i vlersuem nëpërmjet nji kriteri të pastër estetik, mundet me e ruejtë nji vend në letërsinë mikpritëse shqiptare, por jo aq falë poezisë së tij të vrudhshme me sfond social, sa falë do modulacioneve të thjeshta qi t’kujtojnë Corazzini-n…
Është fjala për këto vargje të poetit italian Corazzini, i cili së bashku me disa shokë të tij, ashtu si dhe Migjeni, qenë goditur nga sëmundja e pashërueshme e kohës – tuberkulozi:
Oh, po unë jam, unë jam vërtet i sëmurë!
E vdes pak nga pak, çdo ditë.
Është e qartë se krahasimi duhet bërë me vargje e ciklit “Këngët e fundit” të Migjenit, kur kemi rënien e tij morale prej sëmundjes. Koliqi kishte shqetësime konkrete të historiografisë shqipe, kur sillte në vëmendje se: “Migjeni u imitue nga nji varg i dendun shkrimtarësh të rinj, por nuk arriti me krijue nji shkollë pikërisht sepse u shkëput nga tradita letrare vendase. Ashtu si edhe Draçini, që mbron të njëjtën ide, kur shprehet: Me Migjenin çelet e mbyllet njiheri nji anë e veçantë e poezis së mendimit shqiptar.
Bashkëkohësi tjetër i tij, Arshi Pipa, është i mendimit se në një vend ku poezia shoqërore nuk është gjë e re, poeti i “Vargje të lira” nuk do të dallohej shumë prej grupit të shkrimtarëve të tjerë shoqërorë, por pajtohet me idenë se: Hymja e Migjenit në letërsin shqipe shënon nji datë. Kjo hymje asht e vrullshme dhe e then traditën. Po si? Sipas tij, titulli “Vargjet e lira” lidhet më pak me metrikën, sesa me karakterin e protestës, megjithatë, atë çast historik të poezisë shqipe qe gjë e rrallë për një poet që të mos shfaqej me tetërrokëshin shqiptar. Vetëm meqë kjo do të jetë karakteristikë e shumë poetëve shqiptarë pas tij, sot e dallojmë me zor këtë cilësi migjeniane. Si jo shqiptare, Pipa ia shikon edhe sensin e fortë të metaforës, duke i hapur kështu rrugë studimit të disa vlerave që solli poetika migjeniane.
Vlen të përmendim analizat që i janë bërë figurave gramatikore (inversionit dhe elipsës), figurave të diksionit (sinekdokës dhe krahasimit), apo figurave të tjera (thirrjes retorike dhe hiperbolës), aliteracionit dhe ritmeve origjinale. Vlen të përmendet pohimi se që me Migjenin në poezinë shqipe ka vend të qëndrueshëm vargëzimi i mbështetur në ritmin e të folurit emocional sipas stilit të gjuhës bisedore, me elemente të rrëfimit lirik dhe nëpërmjet pyetjeve ose dialogut, me shumë krahasime po ashtu të bisedës së gjallë, me përpjesëtimin më të madh të foljeve kundrejt epiteteve poetike etj; se në këtë mënyrë vargu: “Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi”, do të shihet ashtu siç do të niste çdo bisedë, pra me tiparet e ligjërimit bisedor.
Studiuesit kanë vënë re se Migjeni arrin të krijojë ritme të ndryshme ndër poezi të ndryshme, madje edhe të ndryshojë ritmin brenda një poezie, si tek “Baladë qytetse”. E përshkruan gruan:
…një hije gruaje,
një kens këso bote,
një fantom uje…
Por, kur vjen puna për të folur për vallen e gruas së mjerë nëpër rrugët e qytetit, në mënyrë që sarkazma të dalë më e dukshme dhe therrëse, menjëherë e ndryshon ritmin, ndërton vargje me aliteracione, me rima të pasura etj.
…vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa prapa
me këmbë të zbathun,
me zemër të plasun…
Migjeni është i pari në poezinë shqipe që përdori rimën apofonike (konsonancën):
…therin qiellin kryeqat dhe minaret e ngurta,
profetent dhe shejtent në fushqeta të shumëngjyrta…
Është ndër të parët që përdori pauzën. Përsëritja është një element artistik i përdorur me shumë efekt prej këtij poeti. Na bëhet se nuk gabojmë, shkruan studiuesi Zheji, kur themi se zbulohet diçka e sensibilitetit muzikor të Migjenit dhe, në të njëjtën kohë, diçka që e lidh atë me vargëzimin dhe intrumentalizmin popullor… Ky studiues përmend raste të shumta të përsëritjeve migjeniane, por le të marrim vetëm njërën prej tyre:
Kangë Perndimi, kangë njeri të dehun nga besimi në vete…
Kangë e tij nji fe tjetër…
Një mjet artistik i përdorur me mjeshtëri prej tij që, padyshim, dëshmon edhe shkollën e Mjedjes, është bartja. Ja një epitet që përcillet me bartje:
…me fytyrë të zbehtë dhe me syt
të zez si jeta e saj..
Nga pikëpamja e poetikës është pranuar se ai ka pasur edhe afërsi me ekspresionizmin dhe ekspresionistët. Kanë tipare të shumta ekspresioniste: – temat (mjerimi, papunësia, prostitucioni, fatalizmi); – personazhet (fëmijët, gratë, murgeshat, mantenutat, studentët, intelektualët kundërshtarë të moralit patriarkal etj.); – idetë (kritika e sistemit shoqëror dhe fryma antifetare); – vizionet (vizioni i mbinjeriut dhe i botës së re, në njërën anë, por edhe i fundit të botës nën anën tjetër); – mjetet shprehëse që përdor ky poet e prozator dhe format letrare që kultivon ai (poezia lirike dhe proza e shkurtër).
Pra, vërtet Migjeni nuk tregoi ndonjë shkollë të caktuar poetike, por megjithatë futi i pari shumë veçori që e përcaktojnë edhe sot zhvillimin letrar. Vetëm një vështrim i vëmendshëm mund të përcaktojë se ato veçori janë kryesisht migjeniane, duke u përvetësuar e tretur me kohë në ligjërimin e poetëve të tjerë, të rëndësishëm apo të parëndësishëm.
Nëse në periudhën e realizmit socialist, apo edhe përtej saj, Migjeni ka ndikuar shumë me atë që Qemal Draçini ia shikon si vërejtje, pra me vargun që vuan nga “formyla logjike”, ky nuk është faji i tij, por i një situate letraro-sociale që kishte nevojë për të.
Çfarë do të na e bënte më të qëndrueshme figurën e Migjenit: një nga “thyerësit” dhe, rrjedhimisht, një nga pohuesit e mëdhenj të traditës poetike shqipe? Megjithëse duket si një nga autorët më të studiuar të letërsisë shqipe, Migjeni kërkon lexime të reja.
Me Migjenin fillonte një epokë tjetër, që mund të emërtohet si epoka e formës së hapur. E veçanta është se te Migjeni shumë shpesh subjekti është më i fortë sesa forma, çka, – për paradoks, – në këto raste, e bën më fort “bashkëkohor” sesa “modern”, përmes një “egoje të vetëdijshme” (Stephen Spender, Struggle of Mondern, Calinesku, fq. 21).
– Migjeni është “bashkëkohor” (uni volterian – te Migjeni shfaqet si “ne”) që vepron te ngjarjet. Ajo që shkruan është racionalizëm, politikë, sociologji e përgjithshme. Këtë na e tregojnë poezitë programatike, afishuese të ideve të caktuara (Parathanja e parathanieve, Birt e shekullit të ri etj.) Temat janë të reja, të forta, por rrinë mbi formën, mjetin, edhe pas përmbytjes me diksion (idiolekt) që nuk ishte parë më parë.
– Migjeni është “modern” (uni modern) që ndikohet nga ngjarjet (si Baudelaire e Rimbaud), e transformon botën, ndaj së cilës është i ekspozuar, përmes prirjes për të pranuar vuajtjen dhe plogështinë (Poezitë “Rezignata, Rima e tretun, cikli Kangët e fundit etj). Ai është i vetëdijshëm për këtë. Kujtojmë se Koliqi qe shprehur se me këto do të mbetej në poezinë shqipe.
Po të mos harrojmë se Anton Pashku, autori i manifestit letrar “Mbi komunikimin poetik”, fliste për një antologji ku do ta largonte plotësisht.
Lexuesi mesatar, që e ka të vështirë përballjen me modernizmin, vazhdon të dojë Migjenin e parë – ku mbizotëron “uni volterian”. Arsye tjetër është se socrealizmi që e mohonte interesin për formën, parimet apo poetikat e “luhatshmërisë” dhe “papërcaktueshmërisë”, i vuri në shërbim të vetes, duke pjellë libra të trashë interpretimesh, krejt jashtë asaj që përmbanin tekstet e poetit. (Për shembull: E ndjej nga dielli alegorik valën.)
Problem më vete, në krijimtarinë e këtij poeti, janë ato që A. Pipa do t’i quajë proza poetike, por në njërin prej botimeve qenë quajtur gabimisht, meqë nuk përmbushnin kriteret klasike të tregimit, skica. Në fakt, Migjeni as që e kishte çuar ndërmend tregimin, pasi ato nuk gjenden në fletoren ku bëhet lista e prozave të shkruara apo që mendonte të shkruante. Në gjuhën e pikturës, skica është studimi që mendohet në shërbim të veprës së ardhshme. Te Migjeni, ato tekste nuk kanë atë qëllim. Si te Baudelaire (Spleen i Parisit), ato janë domethënëse për krijimtarinë e tij.
(Bukuria që vret: Hana e zbetë, si fytyra e nji të vdekuri, kundron nga kupa e qiellës. Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora. Kundron kasollat e kristalizueme të katundit, të cilat as frymë nuk marrin. Të gjitha janë mbështjellë në bardhsin e borës. Vret shpirtin e malsorit siç vret shpirtin e artistit shtatorja e bardhë e nji grues së lakuriqët.)
Migjeni është poeti i parë i larguar thellësisht nga tradicionalja. Me të fillonte aftësia ripërtëritëse e modernizmit, për të mohuar veten, “traditat” e tij të larmishme, por pa humbur identitetin. Edhe në rastin e poezisë, siç thuhet shpesh, ka modernizma sa ka modernistë.
Sidoqoftë, duhet thënë se hapi i parë në modernitet ishte hedhur me kohë: subjekti dhe forma shkonin paralel, herë-herë duke anuar nga forma (cikli “Bukuria” i Naimit, pjesa më e madhe e krijimtarisë së Mjedjes etj.). Për të mos u kthyer edhe më tepër në kohë, Variboba, që do të thotë se sistemi shtyhet deri te ajo që quhet letërsia parakombëtare.
NO COMMENT