Agron Tufa
Termi
Realizmi socialist është term i përdorur në shkencën e letërsisë sovjete dhe në shkencat e arteve që në vitet ’30 për të shenjuar “metodën themelore”, e cila “i kërkon artistit paraqitjen me vërtetësi konkrete historike të realitetit në zhvillimin e tij revolucionar”, – realitet i cili ndërthuret ‘me detyrën e edukimit të punonjësve në frymën e socializmit’ (“Kongresi i Lidhjes së Shkrimtarëve të BRSS-së”, 1934). Nocioni estetik “realizëm” lidhej me përcaktimin “socialist”, çka solli në praktikë nënshtrimin e letërsisë dhe arteve ndaj parimeve të ideologjisë dhe politikës. Postulati kryesor i realizmit socialist u bë partishmëria dhe ideshmëria sociale. Përpjekjet (nga fundi i viteve 1950) për ta zgjeruar “bazën teorike” të realizmit socialist (postulatet e artit popullor dhe pastaj të humanizmit socialist) nuk e mundësuan themelimin e një estetike të realizmit socialit, si metodë artistike. Kërkesat e realizmit socialist u shndërruan faktikisht në tabu, që e frenuan krijimtarinë që për vite me radhë ishte mënjanuar (shmangur) nga jeta shpirtërore e popullit prej veprave të talentuara të Ana Ahmatovës, Dmitri Shostakoviçit, Sergej Ejzenshtejnit, Pavel Filonovit etj., duke stimuluar, përkundrazi, krijimin e veprave mediokre e konformiste që u bënë bori të propagandës. Përpjekjet për ta zgjeruar “bazën teorike” të socrealizmit me idetë e “tabanit popullor” (në fund të viteve ’30), të “socializmit humanist” (në fund të viteve ’50) ose me parimet e estetikës së “sistemit të hapur” (në vitet ’70), nuk e ndryshuan statusin zyrtar dhe natyrën ideologjike të nocionit. Në fund të viteve ’80 socrealizmi shndërrohet në term historiko-letrar.
Historia
Termi (në fillim “letërsia proletare”) është futur nga A. Lunaçarskij që më 1905.
Në kongresin e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve të BRSS me 1934, Maksim Gorki pohon: «Realizmi socialist e konfirmon realitetin si bëmë, si krijimtari, qëllimi i së cilës është – zhvillimi i pandërprerë i aftësive më të çmuara individuale të njeriut për hir të ngadhënjimit mbi forcat e natyrës, për hir të jetës së tij të shëndetshme e të gjatë, për hir të lumturisë sipërane të të jetuarit mbi këtë tokë, të cilën ai, në akord me nevojat e bën të prodhojë pandërprerë, e selit atë, si një parajsë të bukur njerëzore, të bashkuar në një familje»[3].
Realizmi socialist, duke qenë metoda themelore e letërsisë, kritikës dhe arteve pamore sovjete, i kërkon artistit një pasqyrimin e të vërtetës historike-konkrete të realitetit në zhvillimin e tij revolucionar. Madje ky pasqyrim objektiv i të vërtetës konkrete historike të realitetit duket të kombinohet me shndërrimet ideore dhe edukimin në frymën e socializmit.
Ky përkufizim u bë pikë referuese për krejt interpretimin e artit socrealist deri në fund të viteve 1980.
«Realizmi socialist është një metodë artistike thellësisht jetësore, shkencore e përparimtare, e zhvilluar si rezultat i sukseseve të ndërtimit socialist dhe edukimit të njerëzve sovjetikë në frymën e komunizmit. Parimet e realizmit socialist …janë shtjellime të mëtejshme të mësimeve leniniste mbi partishmërinë e letërsisë.» (Enciklopedia e madhe sovjetike, 1947)
Në këtë mënyrë Lenini shprehu mendimin, se arti duhet të qëndrojë në anën e proletariatit: «Arti i përket popullit. Gurrat e thella të artit mund t’i gjejmë vetëm midis klasës së gjerë të masave punonjëse … Ati duhet të bazohet në ndjenjat, mendimet dhe kërkesat e tyre dhe duhet të rritet bashkë me ta».
Disa nga parimet e socrealizmit
- Fryma (tabani) popullore. Me këtë nënkuptohet, që letërsia dhe artet pamore duhet të jenë të kuptueshme për popullin e thjeshtë, së këndejmi kemi dhe shfrytëzimin e të folurës popullore, me proverbat dhe idiomat e tij.
• Ideshmëria. Të tregohet jeta e paqtë e popullit, kërkimi i rrugëve të reja, risive, për ta bërë më të mirë jetën, përmes akteve heroike me qëllim final arritjen e një jete të lumtur për të gjithë njerëzit.
• Konkretësia. Në paraqitjen e realitetit të tregohet procesi i zhvillimit historik, i cili nga ana e tij duhet t’i përgjigjet të kuptuarit materialist të historisë (në procesin e ndryshimeve të kushteve të tyre të jetesës njerëzit ndryshojnë dhe ndërgjegjen e tyre, ndryshojnë marrëdhëniet ndaj realitetit përreth).
Siç theksohej në dispencat shkollore sovjete, metoda nënkuptonte shfrytëzimin e trashëgimisë së artit realist botëror, por jo si një imitim i thjeshtë i modeleve të mëdha, por me një qasje krijuese. «Metoda e realizmit socialist paracakton një lidhje të thellë të artit me realitetin bashkëkohor, një pjesëmarrje aktive të artit në ndërtimin e socializmit. Detyrat e metodës së realizmit socialist kërkojnë prej çdo artisti një të kuptuar esencial të domethënies së ngjarjeve shndërruese në vend, zotësinë për t’i vlerësuar dukuritë e jetës shoqërore në zhvillimin e tyre, në bashkëveprimin e tyre të koklavitur dialektik».
Metoda përfshinte në vetvete unitetin e realizmit dhe romantikën sovjetike, duke ndërthurur heroiken dhe romantiken me “pohimin realist të vërtetësisë origjinale në realitetin e përditshëm». Pohohej se, në këtë mënyrë humanizmi i «realizmit kritik» përplotësohej me «humanizmin socialist».
Shteti jepte direktivat, i dërgonte artistët me detyra krijuese, organizonte ekspozitat, duke stimuluar kësisoj zhvillimin e asaj koniunkture arti për të cilën kishte nevojë. Ideja e «porosisë shoqërore» është pjesë e socrealizmit.
Që të bëhej udhëheqës i popullit dhe njëherësh shërbëtor i tij, siç thoshte Majakovski, shkrimtarit i takonte t’i shërbente me besnikëri shtetit, duke refuzuar lirinë e brendshme, pa të cilën procesi krijues është thjesht i pamundur. Librat e shkruar pa dhembjen dhe frymëzimin, në të mirë të koniunkturës, edhe nëse shpërndaheshin në shoqëri, në thelb ata mbeteshin jashtë sinorëve të artit. Edhe më e trishtueshme është se pikërisht këto vepra propagandoheshin si modele të artit. U shkëputën lidhjet edhe me modelet botërore të letërsisë së madhe ruse të shekullit XIX.
Ndërkaq, procesi letrar në Rusi u ndërlikua edhe më shumë nga ndikimi i formës komando-administrative të normës shoqërore, e cila me një agresivitet të rrallë dhe egërsi ndëshkuese lante hesapet me cilindo shkrimtar që dilte jashtë modeleve të diktuara.
Sistemi i degëzuar (centralizuar) i tabuve të rrepta e deformoi zhvillimin e natyrshëm të letërsisë. Duke u mbështetur në artikullin e Leninit “Organizata e partisë dhe letërsia e partishme”, realizmi socialist operonte me një kodeks rekomandimesh se si duhej të shkruante një anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetë.
Anatemës dhe syrgjynosjes iu nënshtruan të gjithë ata shkrimtarë që shfaqën sadopak një botëperceptim tjetër mbi realitetin; rrjedhat letrare të modernizmit u mallkuan si pjella të ideologjisë borgjeze dhe u përndoqën pa mëshirë gjer në shfarosjen fizike të autorëve modernistë. Në këtë atmosferë të përzishme u pushkatuan apo vdiqën nëpër kampet e përqendrimit shkrimtarët e poetët më të famshëm rusë (Gumiljovi, Isak Babéli, Mandelshtami, Harmsi, Vjedenskij). Një pjesë e tyre parapëlqeu vetëvrasjen (Majakovski, Esenini, Fadejevi, Cvetajeva), të tjerë u torturuan dhe u dërguan në kampet siberiane të përqendrimit (Zabollockij, Sharllamovi, Sollzhenicini, Josif Brodskij), ose iu ndalua botimi dhe u përndoqën (Ana Ahmatova, Boris Pasternak, Andrej Pllatonov, Mihaill Bullgakov).
Viti 1937 shënoi kulmin e fushatës së terrorit stalinist në letërsinë ruse: u zhdukën të gjitha shkollat, rrymat, drejtimet avangardiste në të gjitha sferat e artit. Me pushkatimin e Danill Harmsit (1905-1941) mori fund praktikisht dhe grupi më i sprasmë i avangardës ruse (OBERIU). Pushteti stalinist kishte dëbuar më parë, në mesin e viteve ’20, të gjithë filozofët rusë (200), të cilët i grumbulloi në një anije dhe i largoi përgjithmonë nga territori i
BRSS-së.
Në letërsi
Shkrimtari, sipas shprehjes së njohur të shkrimtarit Jurij Oljesha, është «inxhinier i shpirtrave njerëzor». Me talentin e tij ai duhet të ndikojë te lexuesi si propagandist. Ai e edukon lexuesin në frymën e besnikërisë ndaj partisë dhe e ndihmon atë në luftë për fitoren e komunizmit. Veprimet subjektive dhe përpjekjet individuale duhet t’i përgjigjen ecurisë objektive të historisë. Lenini ka shkruar: «Letërsia duhet të jetë e partishme … Poshtë shkrimtarët e papartishëm. Poshtë shkrimtarët supernjerëz! Puna letrare duhet të bëhet pjesë e çështjes së përbashkët proletare, “tyrrjela dhe rrotativa” të një mekanizmi madhështor social-demokratik, që vihen në lëvizje nga gjithë avangarda e ndërgjegjshme e gjithë klasës punëtore».
Vepra letrare në zhanrin e socrealizmit duhet të jetë e ndërtuar «në idenë e çdo forme të shfrytëzimit çnjerëzor të njeriut nga njeriu, të demaskojë krimet e kapitalizmit, të flakërojë mendjet e lexuesit dhe shikuesit me urrejtjen e vërtetë, t’i frymëzojë ata në luftën revolucionare për socializmin”.
Maksim Gorki ka shkruar për socrealizmin kështu:
«Për ne shkrimtarët me domosdoshmëri jetike e krijuese është të kapim atë pikë botëkuptimore, nga lartësia e së cilës – dhe vetëm nga ajo lartësi – të dallojmë qartë të gjitha krimet e ndyra të kapitalizmit, të gjitha qëllimet e tij të poshtra, dinake, dhe ku të duket e qartë në këtë sfond gjithë madhështia e punës heroike e diktaturës së proletariatit».
Ai gjithashtu ka shkruar se:
«…shkrimtari duhet të zotërojë një dije të mirë të historisë së të shkuarës dhe dijen mbi dukuritë sociale bashkëkohore, në të cilat ai është i thirrur të përmbushë njëkohësisht dy role: rolin e mamisë dhe të varrmihësit».
Gorki predikonte, se detyra kryesore e realizmit socialist është edukimi i i një pikëpamjeje socialiste dhe revolucionare mbi realitetin, në akord me sensibilitetin përkatës të këtij botëkuptimi.
Shkrimtari sovjet bjellorus, Vasilij Bikov e konsideronte realizmin socialist si metodën më të përparuar e më të sprovuarën. “Kështu që ne, shkrimtarët, mjeshtërit e fjalës, humanistët, që e zgjodhëm atë metodë për krijimtarinë tonë, nuk njohim një metodë tjetër më të përparuar e më të sprovuar”.
Shkrimtari disident Andrej Sinjavskij (vs. Abraham Terc) në esenë e tij «Çfarë është realizmi socialist», duke analizuar ideologjinë dhe historinë e zhvillimit të realizmit socialist, e po ashtu edhe tiparet e veprave të tij më tipike në letërsi, ka dalë në një përfundim, se ky stil në fakt nuk ka asnjë lidhje me realizmin e “vërtetë”, por ai është një variant sovjet i klasicizmit me një surrogato romantizmi. Po në këtë ese ai gjithashtu propozon, që për shkak të orientimeve të gabuara të instruktorëve të artit sovjet kundrejt veprave realiste të shek XIX (veçanërisht ndaj realizmit kritik), krejt të huaja për natyrën klasiciste të socrealizmit, – dhe, sipas mendimit të tij, për shkak të sintezës së pafalshme dhe kureshtare të klasicizmit me realizmin brenda një vepre – krijimi i veprave të shquara të artit në këtë stil është një dukuri krejtësisht absurde. I përket këtij shkrimtari përkufizimi i famshëm te kjo ese se socrealizmi është: “…një gjysmëart gjysmëklasik, jo shumë socialist dhe aspak realist”.
Mitologjizmi i Realizmit Socialist
Tragjedia (apo komedia) e socrealizmit ka të bëjë me faktin se ai ekzistoi në epokën e lulëzimit të vetëdijes neomitologjike, modernizmit dhe artit avangardist, të cilët nuk mund të mos ndikonin në poetikën socrealiste.
Kështu, për shembull, në romanin “Nëna” na paraqitet mjaft hollësishëm miti kristian mbi Shpëtimtarin (Pavel Vllasovi), i cili flijon veten në emër të të gjithë njerëzimit, dhe nënës së tij (domethënë shën Mëria) – kësaj figure kyçe për vetëdijen ruse dhe mitit kristian të adoptuar prej saj. Kjo që thamë nuk kundërshton faktin se kjo vepër është diçka krejtësisht mediokre. Rëndësi ka që, duke i shpallur luftë religjionit, bolshevikët megjithatë shpallën një religjion të ri, shumë të njohur e të harruar, për të krishterët e lashtë. Për këtë ka shkruar bindshëm një nga historianët më të njohur të kulturës sër Arnold Xhozef Tojnbin. “Kishës së zhvilluar bolshevikët i kundërvunë bashkësinë kompakte kristiane, por primitive, të shekujve të parë pas Krishtit me kultin e varfërisë, shoqërizimin e pasurisë dhe agresivitetin ndaj paganëve ideologjikë. Po ashtu si kristianët e parë, “republika e re sovjete” gjendej në “rrethin e armiqve”, veçse në rastin e parë kjo ishte Perandoria e shpartalluar Romake, kurse në të dytin – shoqëria e përparuar kapitaliste. Në rastin e parë fitoi krishterimi, në rastin e dytë – kapitalizmi.
Një vepër tjetër është romani i A. S. Serafimoviçit “Përroi i hekurt”, i cili rrëfen si e nxjerr divizionin e Tamanskit nga rrethimi, një komandant i kuq, Kozhuh-u, – nën dritën e mitologjisë evangjeliste, historisë së daljes së judejve nga Egjipti dhe përftimit të Tokës së Premtuar. Kozhuhu këtu del gjoja në rolin e Moisiut, për çka gjejmë edhe aludime të drejtpërdrejta në tekst. Me vite realizmi socialist përpunoi mitologjinë e vet ideologjike, me tipare jo më romantike, por më së shumti të planit klasik. Siç dihet, konflikti bazë në ideologjinë e klasicizmit është konflikti ndërmjet detyrës/arsyes dhe ndjenjës, ku fiton detyra. Në vepra të tilla të socrealizmit, si: “çimentoja” të F. Glladkovit, “Si u kalit çeliku” të N. Ostrovskijt, “Rrëfim për njeriun e vërtetë” të B. Polevojit, dalin në pah qartazi këto karakteristika. Heroi i veprave të tilla heq dorë nga dashuria për hir të revolucionit. Realizmi socialist e tejkalon edhe klasicizmin. Heroi i tij, i shpërblyer nga pushteti, e humbet në përgjithësi kurmin njerëzor, duke u shndërruar në robot. Diç e këtillë ndodh me Pavel Korçaginin. E përmbyll këtë mitologjemë Aleksej Meresjev me “Njeriu i vërtetë”, i cili zëvendëson “njeriun e vogël”, “njeriun e tepërt” me “njeriun e ri” të letërsisë ruse të shek XIX. Njeriu i vërtetë – është një mutant teknologjik. Atij i kanë shkurtuar këmbët, por ai vazhdon të mbetet pilot, përveç kësaj, shkrihet me makinën – ky episod është përshkruar mjaft hollësisht në romanin e Boris Polevojit. Trupi i personazhit socrealist zëvendësohet me hekurin, ai kalitet me çelik – një “druvar i hekurt” i socializmit të zhvilluar. Në shumëçka këtë poetikë të papërsëritshme të socrealizmit rus e kanë “zbuluar” poetët dhe artistët e konceptualizmit rus (1960).
Burimet:
- М. Gorkij. “O literaturje”. М., 1935, с. 390.
2. БСЭ (Enciklopedia e Madhe Sovjetike). Botimi i parë, Volumi 52, 1947, faqe. 239.
3. Казак В. “Leksikoni i letërsisë ruse të shek. XX = Lexikon der russischen Literatur ab 1917 / [пер. с нем.]. — М. : РИК «Культура», 1996. — XVIII, 491, [1] с. — 5000 экз. — ISBN 5-8334-0019-8.. — С. 400.
4. “Historia e artit rus dhe sovjet. Me redaktim te. Д. В. Сарабьянова. Per shkollat e larta, 1979. С. 322
5. Abraham Terc (А. Sinjavskij). “Çfarë është realizmi socialist”. (1957).
6. Klark K. Romani sovjet: historia si ritual (Советский роман: история как ритуал). Екатеринбург: Изд-во Урал. гос. ун-т, 2002. 262 с.
7. Krugllova Т. А. Искусство соцреализма как культурно-антропологическая и художественно-коммуникативная система: исторические основания, специфика дискурса и социокультурная роль / Автореферат диссертации на соискание учёной степени доктора философских наук / Екатеринбург, 2005. — 46 с.
8. Llukaç G/ Лукач Г. Социалистический реализм сегодня (Realizmi socialist sot)
9. Llunaçarskij A. V/ Луначарский А. В. «Realizmi socialist/ Социалистический реализм» — Ligjëratë/ Доклад на 2-м пленуме Оргкомитета Союза писателей СССР 12 февраля 1933 года. «Советский театр», 1933, № 2 — 3
10. Timofjejev L. I. /Тимофеев Л. И., Тураев С. В. Realizmi socialist/ Социалистический реализм // Enciklopedia e vogël letrare/ Краткая литературная энциклопедия / Гл. ред. А. А. Сурков. Т. 7: «Советская Украина» — Флиаки. — М.: Советская энциклопедия. — 1972. — Стб. 92—101
NO COMMENT